Shkrimet e Shenjta
1 Nefi 15


Kapitulli 15

Fara e Lehit do ta marrë ungjillin nga Johebrenjtë në ditët e mëvonshme—Mbledhja e Izraelit ngjasohet me një pemë ulliri, degët natyrale të së cilës do të shartohen përsëri—Nefi interpreton vegimin e pemës së jetës dhe flet për drejtësinë e Perëndisë në ndarjen e të ligjve nga të drejtët. Rreth 600–592 para K.

1 Dhe ndodhi që, pasi unë, Nefi, isha marrë në shpirt dhe i kisha parë të gjitha këto gjëra, unë u ktheva në çadrën e atit tim.

2 Dhe ndodhi që unë vura re vëllezërit e mi dhe ata po haheshin njëri me tjetrin në lidhje me gjërat që ati im u kishte thënë atyre.

3 Pasi ai me të vërtetë u foli atyre shumë gjëra të mëdha që ishin të vështira të kuptoheshin, veçse në qoftë se një njeri do t’i kërkojë Zotit; dhe ata, duke qenë të ngurtë në zemrat e tyre, si rrjedhim ata nuk panë te Zoti ashtu si duhej.

4 Dhe tani unë, Nefi, isha i hidhëruar për shkak të ngurtësisë së zemrave të tyre dhe gjithashtu për shkak të gjërave që unë kisha parë dhe e dija se ato në mënyrë të pashmangshme duhet të ndodhnin, për shkak të ligësisë së madhe të fëmijëve të njerëzve.

5 Dhe ndodhi, që unë isha i mposhtur për shkak të pikëllimeve të mia, pasi unë konsideroja se hidhërimet e mia ishin të mëdha mbi gjithçka, për shkak të shkatërrimit të popullit tim, pasi unë kisha parë rënien e tyre.

6 Dhe ndodhi që, pasi unë mora fuqi, u fola vëllezërve të mi, duke dashur të di nga ata shkakun e grindjeve të tyre.

7 Dhe ata thanë: Vër re, ne nuk mund të kuptojmë fjalët që ati ynë ka folur në lidhje me degët natyrale të pemës së ullirit dhe gjithashtu në lidhje me Johebrenjtë.

8 Dhe unë u thashë atyre: A i keni kërkuar Zotit?

9 Dhe ata më thanë: Ne nuk i kemi kërkuar; pasi Zoti nuk na e bën të ditur as gjë të tillë neve.

10 Vini re, unë u thashë atyre: Si është e mundur që ju nuk i mbani urdhërimet e Zotit? Si është e mundur që ju do të mbaroni për shkak të ngurtësisë së zemrave tuaja?

11 A nuk i mbani mend ju gjërat që Zoti ka thënë?—Në qoftë se ju nuk do të ngurtësoni zemrat tuaja dhe më kërkoni mua në besim, duke besuar se ju do të merrni, me zell në mbajtjen e urdhërimeve të mia, me siguri këto gjëra do t’ju bëhen të ditura.

12 Vini re, unë ju them juve se shtëpia e Izraelit u krahasua me një pemë ulliri nga Shpirti i Zotit, që ishte në atin tonë; dhe vini re, a nuk jemi ne të shkëputur nga shtëpia e Izraelit dhe a nuk jemi ne një degë e shtëpisë së Izraelit?

13 Dhe tani, gjëja që ati ynë do të thotë në lidhje me shartimin e degëve natyrale nëpërmjet plotësisë së Johebrenjve është, që në ditët e mëvonshme, kur fara jonë do të ketë rënë në mosbesim, po, në hapësirën e shumë viteve, dhe shumë breza pasi Mesia do t’u shfaqet në trup fëmijëve të njerëzve, atëherë plotësia e ungjillit të Mesisë do t’u vijë Johebrenjve dhe nga Johebrenjtë mbetjes së farës sonë—

14 Dhe atë ditë, mbetja e farës sonë do të dijë se ajo është nga shtëpia e Izraelit dhe se ata janë populli i besëlidhjes së Zotit; dhe atëherë ata do të dinë dhe do të vijnë në njohurinë e paraardhësve të tyre dhe gjithashtu në njohurinë e ungjillit të Shëlbuesit të tyre, i cili u ishte shërbyer etërve të tyre nga ai; prandaj ata do të vijnë në njohurinë e Shëlbuesit të tyre dhe të pikave kryesore të doktrinës së tij, që ata mund të dinë si të vijnë tek ai dhe të shpëtohen.

15 Dhe atëherë, në atë ditë, a nuk do të gëzohen ata dhe nuk do t’i japin lavdërime Perëndisë së tyre të përjetshëm, shkëmbit të tyre dhe shpëtimit të tyre? Po, në atë ditë, a nuk do të marrin ata fuqi dhe ushqim nga vreshti i vërtetë? Po, a nuk do të vijnë ata në vathën e vërtetë të Perëndisë?

16 Vini re, unë ju them juve, Po; ata do të mbahen mend përsëri mes shtëpisë së Izraelit; ata do të shartohen, duke qenë një degë natyrale e pemës së ullirit, në pemën e vërtetë të ullirit.

17 Dhe kjo është çfarë do që të thotë ati ynë; dhe ai do që të thotë se ajo nuk do të ndodhë derisa ata të jenë shpërndarë nga Johebrenjtë; dhe ai do të thotë se ajo do të vijë nëpërmjet Johebrenjve, që Zoti të mund t’u tregojë fuqinë e tij Johebrenjve, për vetë shkakun se ai do të hidhet poshtë nga Judenjtë ose nga shtëpia e Izraelit.

18 Prandaj, ati ynë nuk ka folur vetëm për farën tonë, por edhe për gjithë shtëpinë e Izraelit; duke vënë në dukje besëlidhjen që do të përmbushet në ditët e mëvonshme; besëlidhje të cilën Zoti ia bëri atit tonë Abrahamit, duke thënë: Në farën tënde të gjitha fiset e tokës do të jenë bekuar.

19 Dhe ndodhi që unë, Nefi, u fola shumë atyre, në lidhje me këto gjëra; po, unë u fola atyre në lidhje me rivendosjen e Judenjve në ditët e mëvonshme.

20 Dhe unë u përsërita atyre fjalët e Isaias, i cili foli në lidhje me rivendosjen e Judenjve, ose të shtëpisë së Izraelit; dhe, pasi të rivendoseshin, ata nuk do të ngatërroheshin më, as nuk do të shpërndaheshin përsëri. Dhe ndodhi që unë u fola shumë fjalë vëllezërve të mi, sa ata u qetësuan dhe e përulën veten e tyre përpara Zotit.

21 Dhe ndodhi që ata më folën përsëri, duke thënë: Ç’do të thotë kjo gjë që ati ynë pa në një ëndërr? Ç’do të thotë pema që ai pa?

22 Dhe unë u thashë atyre: Ishte një paraqitje e pemës së jetës.

23 Dhe ata më thanë: Ç’do të thotë shufra e hekurit që ati ynë pa, që të çonte te pema?

24 Dhe unë u thashë atyre se ajo ishte fjala e Perëndisë; dhe të gjithë që do të dëgjonin fjalën e Perëndisë dhe do të mbaheshin fort në të, ata nuk do të mbaronin kurrë; as tundimet dhe shigjetat e flakta të kundërshtarit nuk do të mund t’i mposhtnin ata në verbëri, t’i çojnë ata në shkatërrim.

25 Prandaj, unë, Nefi, i këshillova ata që t’ia vinin veshin fjalës së Zotit; po, i këshillova ata me gjithë energjitë e shpirtit tim dhe me gjithë aftësinë që unë zotëroja, që ata t’ia vinin veshin fjalës së Perëndisë dhe të kujtonin të mbaheshin urdhërimet e tij gjithmonë në të gjitha gjërat.

26 Dhe ata më thanë: Ç’do të thotë lumi me ujë që ati ynë pa?

27 Dhe unë u thashë atyre se uji që ati im pa, ishte fëlliqësia; dhe kaq shumë e përpirë qe mendja e tij në gjëra të tjera, sa ai nuk e pa fëlliqësinë e ujit.

28 Dhe unë u thashë atyre se ajo ishte një humnerë e tmerrshme që ndante të ligjtë nga pema e jetës dhe gjithashtu nga shenjtorët e Perëndisë.

29 Dhe unë u thashë atyre se ajo ishte një përfaqësim i atij ferri të tmerrshëm, që engjëlli më tha se ishte përgatitur për të ligjtë.

30 Dhe unë u thashë atyre, se ati ynë gjithashtu pa që drejtësia e Perëndisë i ndante gjithashtu të ligjtë nga të drejtët; dhe shkëlqimi i saj ishte si shkëlqimi i një zjarri të flakëruar, që ngrihet lart te Perëndia gjithmonë e përgjithmonë dhe nuk ka fund.

31 Dhe ata më thanë: A nënkupton kjo gjë torturën e trupit në ditët e provës, apo nënkupton gjendjen e fundit të shpirtit pas vdekjes së trupit tokësor, apo ajo flet për gjërat që janë tokësore?

32 Dhe ndodhi që unë u thashë atyre se ajo ishte një përfaqësim i gjërave si tokësore, ashtu edhe shpirtërore; pasi dita duhet të vijë që ata duhet të gjykohen për veprat e tyre; po, madje veprat që u bënë nga trupi tokësor në ditët e tyre të provës.

33 Kështu që, në qoftë se ata do të vdisnin në ligësinë e tyre, ata duhet të flaken jashtë gjithashtu, sipas gjërave që janë shpirtërore, të cilat i përkasin drejtësisë; prandaj ata duhet të sillen të qëndrojnë para Perëndisë, të gjykohen për veprat e tyre; dhe në qoftë se veprat e tyre kanë qenë fëlliqësi, ata duhet patjetër të jenë të fëlliqur; dhe në qoftë se ata janë të fëlliqur, detyrimisht ata nuk mund të banojnë në mbretërinë e Perëndisë; përndryshe mbretëria e Perëndisë duhet të jetë e fëlliqur gjithashtu.

34 Por, vini re, unë ju them juve, mbretëria e Perëndisë nuk është e fëlliqur dhe asgjë e papastër nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë; prandaj duhet patjetër të jetë një vend i fëlliqësisë i përgatitur për atë që është i fëlliqur.

35 Dhe ka një vend të përgatitur, po, madje është ai ferr i tmerrshëm për të cilin unë kam folur dhe djalli është përgatitësi i tij; prandaj gjendja e fundit e shpirtrave të njerëzve është të jetojnë në mbretërinë e Perëndisë, ose të flaken jashtë për shkak të asaj drejtësie për të cilën unë kam folur.

36 Prandaj, të ligjtë nuk janë pranuar nga të drejtët dhe gjithashtu nga ajo pemë e jetës, fruti i së cilës është më i çmueshëm dhe më i dëshirueshëm mbi të gjitha frutat e tjera; po, dhe ai është i madhi nga të gjitha dhuratat e Perëndisë. Dhe kështu u fola vëllezërve të mi. Amen.