2018
Studiojini Fjalët e Shpëtimtarit
Janar 2018


Studiojini Fjalët e Shpëtimtarit

Nga një artikull në lds.org/blog.

Jo vetëm që kam një dëshmi më të madhe për Zotin dhe Shpëtimtarin, Jezu Krishtin, por unë gjithashtu kam një ripohim të bindjes sime absolute se sistemi që pati Jozef Smithi për përkthimin e Librit të Mormonit, ishte një dhuratë nga Perëndia.

Pamja
young woman studying

Gjatë takimit shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore në janar të vitit 2017, unë i sfidova ata që ta rritnin dëshminë e tyre për Shpëtimtarin duke gjetur kohë çdo ditë për:

  • Të studiuar gjithçka që tha dhe bëri Jezusi siç shënohet në Dhiatën e Vjetër.

  • T’i studiuar ligjet e Tij siç shënohen në Dhiatën e Re.

  • Ta studiuar doktrinën e Tij siç shënohet në Librin e Mormonit.

  • T’i studiuar fjalët e Tij siç shënohen te Doktrina e Besëlidhjet.

U premtova atyre që po më dëgjonin, se, nëse do të vazhdonin të mësonin gjithçka që mundeshin rreth Jezu Krishtit, dashuria e tyre për Të dhe për ligjet e Perëndisë do të rritej përtej asaj që mund ta përfytyronin tashmë.

Ajo që nuk përmenda gjatë këtij fjalimi, ishte se unë e dija që ky premtim ishte i vërtetë ngaqë isha vetë në mes të përfundimit të pikërisht kësaj detyre për herë të parë.

Më 1 dhjetor 2016, mora një komplet të ri të shkrimeve të shenjta dhe vijova që të filloja të njëjtën detyrë të cilën më vonë do t’ua parashtroja të rinjve në moshë madhore në janar. Kur e përfundova detyrën gjashtë javë më vonë, unë kisha parë dhe shënuar më shumë se 2 200 citime nga të katër librat e shkrimit të shenjtë.1

Për mua, të isha në gjendje ta përfundoja këtë detyrë ishte thjesht drithëruese!

Diçka që e gjeta veçanërisht kuptimplote, ishte se Shpëtimtari po na tregonte për Veten e Tij nëpërmjet këtyre periudhave të ndryshme kohore – Dhiatës së Vjetër, Dhiatës së Re, periudhës së Rivendosjes dhe kohës sonë. Në të gjithë librat e shkrimit të shenjtë, historia është e njëjtë dhe Tregimtari është i njëjtë.

Pamja
President Nelson studying the scriptures

Shumë prej 93 viteve të jetës sime ia kam kushtuar të mësuarit rreth Shpëtimtarit, por janë të rralla rastet kur kam mundur të mësoj aq sa mësova gjatë kësaj periudhe studimi gjashtëjavore. Në fakt, mësova kaq shumë rreth Tij nga ky studim saqë po planifikoj të tregoj për shumë prej tij në fjalime të tjera të ardhshme që po i përgatis tashmë.2

Kur e nisa këtë detyrë, nuk prisja që ky studim do të më ndihmonte të merrja një dëshmi të re të natyrës hyjnore të punës së Jozef Smithit – por më ndihmoi! Zbulesat e shënuara nga Jozef Smithi dhe idetë e gjendura në Bibël janë mrekullisht në përputhje. Ishte kaq frymëzuese për mua ta shikoja këtë në studimin tim.

Jozef Smithi ndoshta nuk do të kishte pasur kohë të bënte lidhje dhe referenca-kryq me Biblën me shpejtësinë e madhe me të cilën po e përkthente Librin e Mormonit – por është e gjitha këtu!

Pra, jo vetëm që tani kam një dëshmi më të madhe për Zotin dhe Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin, por unë kam gjithashtu një ripohim të bindjes sime absolute se sistemi që pati Jozef Smithi për përkthimin e Librit të Mormonit, ishte një dhuratë nga Perëndia.

Tani, e kuptoj që disa prej jush ka gjasa të mendojnë me vete se ndoshta mund të mos kenë kohë për ta përfunduar një detyrë si kjo.

E di se si ndiheni. E mendova edhe vetë të njëjtën gjë – se nuk ka asnjë mundësi që unë të kem kohë ta bëj të gjithë këtë. Më duhej t’i kujtoja vetes se një koment i tillë nuk është një koment që nxit besim. Një koment që nxit besim, do të ishte: “E di që nuk kam kohë për këtë, por do të gjej kohë për të. Dhe do ta përmbush me atë kohë që kam.”

Secili prej nesh që e pranon këtë sfidë, do ta përfundojë brenda afateve të veta kohore. Për mua, shumë prej këtij gëzimi erdhi ngaqë e mbarova të gjithën në vetëm gjashtë javë. Ky studim i fuqishëm për një periudhë kohore relativisht të shkurtër më lejoi ta vlerësoja natyrën plotësuese të mësimeve që gjenden në Dhiatën e Vjetër, Librin e Mormonit, Dhiatën e Re dhe Doktrinën e Besëlidhjet.

Atyre prej jush që mendoni se nuk keni kohë, nëse do të bëni një sakrificë, ju do të shpërbleheni mirë dhe do të jeni shumë, shumë mirënjohës për ndryshimin e këndvështrimit, njohurinë e shtuar dhe thellësinë e përmirësuar të kthimit tuaj në besim. E di që kjo është e vërtetë, ngaqë i kam parë të njëjtat shpërblime në vetë jetën time.

Pamja
President Nelsons marked scriptures

Siç e përmenda në një takim shpirtëror, në një kohë të ardhme, ju do të paraqiteni përpara Shpëtimtarit. Do të jeni aq të tronditur që do të jeni në praninë e Tij të shenjtë, sa do të përloteni. Zor se do të gjeni dot fjalë për ta falënderuar Atë që pagoi për mëkatet tuaja, që ju fali për ndonjë sjellje të vrazhdë ndaj të tjerëve, që ju shëroi nga lëndimet dhe padrejtësitë e kësaj jete.

Do ta falënderoni Atë që ju forcoi për të bërë të pamundurën, që i ktheu dobësitë tuaja në forcë dhe që e bëri të mundur për ju të jetoni me Të dhe me familjen tuaj përgjithmonë. Identiteti i Tij, Shlyerja e Tij dhe tiparet e Tij do të bëhen vetjake dhe të vërteta për ju.

Por nuk ju duhet të prisni deri atëherë. Zgjidhni tani të jeni një nga dishepujt e Tij të vërtetë. Jini dikush që vërtet e do Atë, që vërtet dëshiron të shërbejë e të udhëheqë siç bëri Ai. Ju premtoj se, nëse do t’i studioni fjalët e Tij, aftësia juaj për të qenë më shumë si Ai do të shtohet. E di që kjo është e vërtetë.

Shënime

  1. Ashtu siç sugjeroi Presidenti Nelson në takimin e tij shpirtëror, ju mund të drejtoheni tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta nën temën “Jezu Krishti”.

  2. Shih bisedën e Presidentit Nelson në konferencën e përgjithshme të prillit 2017, “Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”.