2018
Si ju Ndihmon Instituti ta Mësoni Ungjillin
Janar 2018


Si ju Ndihmon Instituti që ta Mësoni Ungjillin

Tri mënyra sipas të cilave mund të përfitoni më shumë nga orët tuaja mësimore të institutit të fesë.

“Në shumë mënyra bota sot është më sfiduese sesa ishte … vite më parë”, tha Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Të rinjtë dhe të rejat tona kanë shumë më tepër shpërqendrime që ua shkëputin vëmendjen gjatë përgatitjeve të tyre si për një mision, ashtu edhe për një jetë të ardhshme të lumtur.” Tani më shumë se kurrë, ne duhet të mësojmë “si t’i dëgjoj[m]ë dhe t’u përgjigje[mi] pëshpëritjeve të Shpirtit të Shenjtë”1.

Për t’ju ndihmuar të jeni më në harmoni shpirtërisht, Kisha ka siguruar institutet e fesë. Instituti mund t’ju japë “përvoja vetjake domethënëse me fjalën e Perëndisë”2.

Kur ndiqni institutin, mund të zgjidhni mes orëve të shumta mësimore. Mësuesit që i kuptojnë nevojat dhe pyetjet e të rinjve në moshë madhore, do t’ju ndihmojnë të mësoni nga shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve të ditëve të mëvonshme.

Një ndryshim i kohëve të fundit në institut ju jep tani mundësinë të përdorni 1) ditarët e studimit të kursit, 2) pyetjet e kursit dhe 3) projekte vetjake për të mësuarit që ta ngrini të mësuarin tuaj dhe ta forconi besimin tuaj në Jezu Krisht. Këto tri mundësi studimi do t’ju ndihmojnë ta personalizoni studimin tuaj të ungjillit dhe ta mësoni vetë se si punon Shpirti me ju.

Ditarët e Studimit të Kursit

Plaku Riçard G. Skot (1928–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e rekomandoi shkrimin e mbresave shpirtërore në një ditar: “Shkruajini në një vend të sigurt gjërat e rëndësishme që mësoni nga Shpirti. Ju do të zbuloni se, ndërsa shkruani përshtypje të çmueshme, shpesh do të vijnë më shumë të tilla.”3

Studentët përdorin një ditar (qoftë në letër ose në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]) në klasë dhe në shtëpi për të hedhur mbresat teksa i studiojnë shkrimet e shenjta. Xhejmi Denc, një studente e institutit në Filipine, e ka parë dobinë e mbajtjes së një ditari studimi: “Nuk mund t’i lë pa shkruar fragmentet dhe mesazhet nga shkrimet e shenjta ose bisedat e profetëve sepse kjo ma zgjeron nxënien e ungjillit”.

Studentëve të institutit të vëllait Seiçi Takahashi në Nagoja, Japoni, u pëlqen mbajtja e ditarit sepse u lejon që “procesi i mësimit të rrjedhë natyrshëm” dhe i ndihmon studentët të vijnë në klasë më të përgatitur për të mësuar e për të marrë pjesë.

Taizia Bartolomeu nga Italia jugore thotë: “Ngaqë i hodha në letër ato që mësova, jam në gjendje t’i kujtoj më mirë konceptet kur më nevojiten”. Shoqja e saj e klasës, Maria‑Tereza Santoro, shton: “Ditari im është diçka që mund ta shikoj për të kujtuar një koncept të caktuar shpirtëror ose zbulesë vetjake”.

Pyetjet e Kursit

Pyetjet e dhëna në fillim të kursit u japin studentëve tema për t’i përsiatur dhe studiuar gjatë gjithë kursit. Në fund, studentët ia dorëzojnë mësuesit/es përgjigjet e tyre vetjake të udhërrëfyera nga Shpirti.

Ilaria Belomo, një studente në Italinë jugore, shpjegon: “Pyetjet më bënë të reflektoj mbi jetën time dhe mbi faktin që ajo që studioj për institutin, më ndihmon ta njoh më mirë Jezu Krishtin”.

Xhinseop Xheongu, një student i institutit në Kore, thotë: “Pyetjet më ndihmuan të mendoj thellësisht për ato që mësova, dhe që t’i shqyrtoja ato. Ishte një kohë e rëndësishme për t’i shqyrtuar, peshuar në mendje dhe për t’i përvetësuar ato që mësova.”

Rritja shpirtërore e studentëve bëhet e dukshme në përgjigjet e tyre. Motra Seonsim Kang, një mësuese e institutit e kunjit në Kore, thotë: “Ishte një përvojë e shkëlqyer për mua t’i lexoja e t’i mësoja dëshmitë dhe mendimet e studentëve”.

Pamja
learning project

Projektet Vetjake për të Mësuarit

Shumë studentë të institutit zgjedhin me lutje të bëjnë një projekt domethënës. Në bazë të interesave të tyre, studentët përqark botës kanë krijuar vepra arti, muzikë, materiale filmike dhe publike në mediat shoqërore të lidhura me ungjillin. Këto projekte i ftojnë studentët të veprojnë sipas gjërave që kanë mësuar në klasë. Për shembull, një student zgjodhi të pikturonte një portret të Shpëtimtarit për të shoqëruar kursin “Jezu Krishti dhe Ungjilli i Përjetshëm”.

Një student, që ndiqte një kurs “Familja e Përjetshme”, krijoi një projekt për tempullin dhe historinë familjare që “e pati pikën kulmore në një udhëtim për në tempull me gjyshen time dhe familjarë të ngushtë në të cilin ne përfunduam së bashku mbi 40 vulosje në tempull që qenë përgatitur gjatë gjithë semestrit. Kjo e afroi më shumë familjen tonë.”

Sikurse e vë në dukje Senia Avila Organis, një studente instituti në Bikol, Filipine, puna me një projekt vetjak të të mësuarit “siguron përshtatshmëri”, duke u dhënë studentëve lirinë për ta mësuar fjalën e Perëndisë dhe ndier Shpirtin duke përdorur talentet e tyre vetjake.

Rezultate më të Larta

Përdorimi i këtyre qasjeve të të mësuarit mund ta përmirësojë studimin tuaj të ungjillit dhe ta thellojë dëshminë tuaj. Duke u zhytur më thellë në studimin e ungjillit nëpërmjet kurseve të institutit, mund ta kuptoni më mirë se si ta vini në zbatim fjalën e Perëndisë në vetë jetën tuaj dhe si t’ua bekoni jetën të tjerëve.

Shënime

  1. M. Rasëll Ballard, “Brezi më i Mirë i Të Rinjve në Moshë Madhore”, Liahona, maj 2015, f. 67.

  2. “Teaching with Power”, lds.org/si/objective/elevate-learning/teaching-with-power.

  3. Richard G. Scott, “To Acquire Knowledge and the Strength to Use It Wisely”, Liahona, gusht 2002, f. 12.