2018
Të Ulemi në Këshill
Janar 2018


Të Ulemi në Këshill

Sjellja e një Fuqie më të Madhe në Mbledhjet e Priftërisë Melkizedeke dhe të Shoqatës së Ndihmës

Pamja
man in priesthood quorum council meeting

Parathënie nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve

Gjatë shërbesës sime apostolike, e kam theksuar vazhdimisht fuqinë dhe rëndësinë e këshillave, përfshirë këshillat e kunjeve, të lagjeve, organizatave ndihmëse dhe atyre familjarë. Unë besoj që puna nëpërmjet këshillave është mënyra më dobiprurëse për të arritur rezultate të vërteta.

Këtë muaj, ne po vëmë në zbatim disa ndryshime të thjeshta, por të rëndësishme në programin mësimor që e studiojnë anëtarët e kuorumeve të Priftërisë Melkizedeke dhe Shoqatave të Ndihmës kur mblidhen në organizatat e tyre përkatëse çdo të diel. Përveç studimit të fjalëve të profetëve të gjallë nga konferenca më e fundit, ne gjithashtu do të “ule[mi] … në këshill” (DeB 107:89) së bashku për të diskutuar çështje që i hasim dhe nevoja që i kemi.

Teksa mësojmë që të këshillohemi së bashku në mënyrë më dobiprurëse, Perëndia do të na bekojë me një rrjedhje të shtuar të zbulesës e kuptueshmërisë dhe me fuqi më të madhe për ta përmbushur punën e Tij.

Përpara se të krijohej kjo botë, Ati Qiellor e përmbushi punën e Tij nëpërmjet këshillave (shih DeB 121:32). Duke filluar me Adamin dhe Evën, njerëzit e Perëndisë e kanë kërkuar këshillën e Tij brenda këshillave. Në fakt, Perëndia iu drejtua vetes së Tij si “Njeri i Këshillës” (Moisiu 7:35). Qysh herët në këtë periudhë të kujdestarisë ungjillore, Jozef Smithi filloi të rivendoste “urdhrin e Këshillave [si] në ditët e lashta”1. Sot, Kisha qeveriset nga këshilla në çdo nivel.

Në muajt e fundit, udhëheqësit e përgjithshëm të Kishës janë këshilluar së bashku rreth forcimit të mbledhjeve të Priftërisë Melkizedeke dhe Shoqatës së Ndihmës. Rrjedhoja është një program i ri mësimor, i titulluar “Eja, Më Ndiq – Për Priftërinë Melkizedeke dhe Shoqatën e Ndihmës”, i cili e rrit përdorimin e mesazheve të konferencës së përgjithshme dhe e zgjeron fuqinë e këshillimit në kuorumet tona të priftërisë dhe Shoqatat tona të Ndihmës.

“Atje ku ishim, ne kemi bërë shumë gjëra të mira”, tha Plaku Kristofel Golden, i Të Shtatëdhjetëve, i cili ndihmoi në drejtimin e këtij ndryshimi. “Por Zoti dëshiron që ne të ecim përpara. Do të vijë përparim si rrjedhojë e këtij ndryshimi në studimin e fjalëve të profetëve të gjallë dhe të uljes në këshill.”

Kohët e fundit, Presidenca e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës dhe anëtarë të Të Shtatëdhjetëve u takuan në këshill për të diskutuar se si këshillimi fton zbulesë, shton unitet dhe sjell fuqi. Ata ofrojnë parimet vijuese, duke e ditur se ju do të ndërtoni mbi këto ide teksa zbuloni zgjidhje që janë të drejta për ju, për lagjen ose degën tuaj dhe për kuorumin ose Shoqatën tuaj të Ndihmës.

Fuqi në Qëllim

“Ngaqë jeni mbledhur së bashku … dhe keni rënë në ujdi lidhur me këtë gjë e i keni kërkuar Atit në emrin tim, madje kështu ju do të merrni” (DeB 42:3).

Këshillat janë një udhë përmes së cilës ne “kërk[ojmë] bashkërisht vullnetin e Zotit”2. Me fjalë të tjera, nuk mjafton që thjesht të japim ide; nëpërmjet këshillimit së bashku, ne ftojmë zbulesën me qëllim që të mund të mësojmë se çfarë na dëshiron Zoti të bëjmë në situatën tonë. Do të kemi më shumë sukses në të paturit e një përvojë të tillë zbuluese kur mbajmë mend sa vijon:

1. Përqendrimi – filloni me një çështje ose nevojë të veçantë, domethënëse. Përqendrimi te një çështje ose nevojë e vetme e shton aftësinë tonë për të bërë përparim domethënës. Përqendrimi gjithashtu na ndihmon të shohim përtej simptomave të dukshme (çfarë po ndodh) dhe të kërkojmë kuptueshmëri rreth shkaqeve rrënjësore (përse dhe se si diçka ndikon te njerëzit). Për shembull, ne mund të këshillohemi rreth mënyrës se si t’i japim mendime rinisë sonë dhe ta lidhim atë me qiellin, në vend që të diskutojmë për kohën që rinia e harxhon duke parë tek ekranet.

2. Këndvështrimet – formulojeni çështjen ose nevojën si një pyetje. Një temë e shprehur si pyetje mund të nxjerrë ide doktrinore. Ne mund të pyetim: “Si mund ta diskutojmë situatën në një mënyrë ndihmuese dhe shëruese?” ose “Çfarë doktrine, nëse kuptohet më mirë, do të ndihmonte për ta zgjidhur çështjen?”

3. Fuqia – kërkoni zbulesë. Ndërkohë që këshillat mund të shkëmbejnë mendime për zgjidhjet, qëllimi i këshillit është të zbulojë vullnetin e Perëndisë, jo thjesht të renditë praktikat më të mira ose të thotë: “Kjo ishte mënyra si u bë në lagjen time të mëparshme”. Sikurse dha mësim Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, nuk na nevojiten mbledhje; na nevojiten përvoja me zbulesën.3 Këshillimi së bashku zbulon zgjidhje të fuqishme që çojnë drejt veprimit.

Fuqi në Pjesëmarrje

“Caktoni mes jush një mësues dhe mos jini të gjithë zëdhënës në të njëjtën kohë; por njëri duhet të flasë në një kohë dhe të gjithë të dëgjojnë thëniet e tij, që kur të gjithë të kenë folur, të gjithë të jenë lartësuar prej gjithçkaje dhe që cilido të ketë një privilegj të barabartë” (DeB 88:122).

Në këshillat, interesat e individëve dhe të organizatës – lagjes ose degës – ndërthuren në një mënyrë të pashoqe, veçanërisht nëse pjesëmarrësit kuptojnë sa vijon:

1. Çdo anëtar i këshillit ka një rol jetik. Anëtarët e këshillit duhet të marrin pjesë aktivisht në këshill, por nuk duhet ta mbizotërojnë atë. Siç dha mësim Pali: “Syri nuk mund t’i thotë dorës: ‘Unë nuk kam nevojë për ty’; dhe po ashtu koka nuk mund t’u thotë këmbëve: ‘Unë nuk kam nevojë për ju’. Madje, gjymtyrët e trupit që duken se janë më të dobëta, janë shumë më të nevojshme se të tjerat” (1 Korintasve 12:21–22).

2. Anëtarët e këshillit përpiqen të shtojnë dritë. Profeti Jozef Smith dha mësim “se çdo njeri, përpara se të bëjë një kundërshtim ndaj ndonjë çështjeje që sillet përpara një këshilli për t’u marrë në shqyrtim, duhet të jetë i sigurt se ai mund të hedhë dritë mbi temën në vend që të përhapë errësirë, dhe se kundërshtimi i tij të bazohet te drejtësia”4.

3. Anëtarët e këshillit përpiqen të kenë unitet. Pavarësisht nga këndvështrimet e ndryshme, anëtarët e këshillit bashkohen në përpjekjen për të “marr[ë] udhëheqjen e Frymës së Shenjtë”5. Jozef Smithi njëherë gjatë një këshilli tha se “për të marrë zbulesë dhe bekimet e qiellit, ishte e nevojshme ta kishim mendjen tonë te Perëndia e të ushtronim besim dhe të bëheshim të një zemre e të një mendjeje”6.

Pamja
Relief Society council meeting

Fuqi në Planet e Veprimit

“Çdo njeri të mund të veprojë në përputhje me doktrinën dhe parimin që i përshtaten së ardhmes, lidhur me lirinë morale të zgjedhjes që unë i kam dhënë atij” (DeB 101:78).

Një këshill është i paplotë pa plane për të vepruar sipas zbulesës së marrë. Pjesëmarrësit e këshillave duhet të ftohen të bëjnë zotime të veçanta sipas të cilave do të veprojnë. “Në përfundim të këshillit tuaj, ju nevojitet të keni detyra të caktuara”, tha Motra Xhin B. Bingham, Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës. “Puna më e rëndësishme ndodh midis një mbledhjeje dhe tjetrës.”

Udhëheqësi/ja e udhërrëfen këshillin drejt mirëkuptimit dhe miratimit të përgjithshëm. Më pas ai ose ajo drejton në caktimin dhe shënimin e detyrave për ndjekjen e mëvonshme të ecurisë. Motra Sheron Iubank, Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, shton: “Fuqia është brenda nesh. Kur e detyrojmë veten për të vepruar, Zoti do t’i shenjtërojë përpjekjet tona (shih DeB 43:9). Dalja vullnetar për të kryer detyra dhe raportimi mbi kryerjen e tyre është thelbi i veprimit besëlidhës.”

Roli i Udhëheqësit

“Predikuesi nuk ishte më i mirë nga dëgjuesi, as nuk ishte mësuesi më i mirë nga nxënësi; dhe kështu, ata ishin të gjithë njëlloj” (Alma 1:26).

Që t’i përmirësojmë këshillat tanë, ne iu shmangemi koncepteve të botës për udhëheqjen. Në mbretërinë e Zotit, udhëheqësi është “skllav i të gjithëve” (Marku 10:44). Në mënyrë të ngjashme, udhëheqësi/ja i këshillit, qoftë ai një autoritet kryesues apo një mësues, siguron përqendrim, por nuk është pika e përqendrimit. Ai ose ajo bën të mundur që të mos jetë zëri mbizotërues apo të mos marrë asnjë vendim përpara se të dëgjojë nga këshilli.

Udhëheqësi i këshillit luan një rol të rëndësishëm që ta formulojë qëllimin, ta nxitë diskutimin dhe t’i ftojë pjesëmarrësit të bëjnë zotime për të vepruar. Këshilli funksionon më mirë kur udhëheqësi i këshillit dëgjon, udhërrëfen, fton, mbron dhe vlerëson.

1. Dëgjon. Udhëheqësit e mirë e dëgjojnë folësin dhe Frymën e Shenjtë. “Unë besoj se dhurata e dallimit vepron më dobishëm”, tha Plaku Bednar, “kur dëgjojmë në krahasim me rastin kur flasim.”7

2. Udhërrëfen. Një udhëheqës/e e udhërrëfen bashkëbisedimin, duke lejuar të dalin ide. Siç është e nevojshme, udhëheqësi e ristrukturon diskutimin ose me dashuri e ridrejton atë.

3. Fton. Zoti përhap zbulesë mes anëtarëve të një këshilli. Të ftuarit e çdo njeriu – përfshirë fjalëpakun – që të ofrojë ide, e shton mundësinë që të mësoni vullnetin e Zotit.

4. Mbron. Një udhëheqës/e këshilli krijon një mjedis ku idetë jepen në mënyrë të sigurt e të përshtatshme duke treguar kujdes për ata që flasin, dhe duke i mbrojtur prej kritikës e gjykimit. Temat e ndjeshme kërkojnë udhërrëfim të kujdesshëm. Çështjet që janë konfidenciale, mbeten të tilla.

5. Vlerëson. Teksa pjesëmarrësit japin mendime dhe ide, një udhëheqës/e e vlerëson pjesëmarrjen duke ofruar mirënjohje dhe duke i lidhur idetë që jepen. Ky vlerësim i ndihmon pjesëmarrësit të ndihen pjesë e procesit të zbulesës dhe të përpiqen fort për të siguruar që pjesëmarrja e tyre të jetë e dobishme.

Programi i Ri Mësimor, Zotimi i Ri

Me këtë vit të ri dhe program të ri mësimor vjen një e epokë e zotimit të ri. Ne jemi bekuar me ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Është përgjegjësia dhe privilegji ynë që ta kërkojmë udhërrëfimin e Tij dhe të bëjmë punën e Tij. Ky hap përpara në mbledhjet tona të së dielës për Priftërinë Melkizedeke dhe Shoqatën e Ndihmës nuk është thjesht që të kemi një mësim rreth punës; përkundrazi ne “ule[mi] … në këshill” dhe nxitim veprim të drejtë – veprim që do t’i “mbledhë shumë njerëz në Sion me këngë gëzimi të përjetshëm” (DeB 66:11).

Shënime

  1. Joseph Smith, në “Minutes, 17 February 1834”, josephsmithpapers.org.

  2. Manuali 2: Administrimi i Kishës (2010), 2.4.4.

  3. Shih David A. Bednar, “Panel Discussion” (mbledhje e trajnimit mbarëbotëror të udhëheqjes, nëntor 2010), broadcasts.lds.org.

  4. Teachings of the Prophet Joseph Smith, përzgj. Joseph Fielding Smith (1976), f. 94.

  5. Manuali 2, 3.3.2.

  6. Joseph Smith, në “Minutes, 27–28 December 1832”, f. 3, josephsmithpapers.org.

  7. David A. Bednar, “Panel Discussion”.