2018
Futboll, të Diela dhe Rënie Shpirtërore me Bark në Ujë
Janar 2018


Futboll, Të Diela dhe Rënie Shpirtërore me Bark në Ujë

Për Uillin, zgjedhja për të mos luajtur futboll të dielave mund të thoshte të zgjidhte të mos luante me një nga skuadrat më të mira.

Pamja
Will

Kur isha fëmijë, miqtë e mi dhe unë luanim lojën e quajtur “Kërce ose Zhytu”. Në thelb, gjithçka keni nevojë është një pishinë apo liqen i thellë dhe diçka nga ku mund të hidheni, si një trampolinë. Për të luajtur, ju hidheni nga trampolina. Në të njëjtën kohë, dikush thërret “kërce”, që do të thotë se duhet të futni së pari këmbët në ujë, ose “zhytu”, që do të thotë se duhet të futni së pari duart në ujë, në një zhytje.

Kur përpiqeni të reagoni në ajër, zakonisht përfundoni duke i lëvizur gjymtyrët në të gjitha drejtimet ose duke bërë një rënie shumë të dhimbshme me bark.

Jeta nuk ka pse të jetë një lojë “Kërce ose Zhytu”. Ju mund të merrni plot vendime shumë më herët dhe të shmangni plot rënie shpirtërore me bark. Profeti i Dhiatës së Vjetër, Jozueu, nuk tha: “Zgjidhni pikërisht para se të jetë tepër vonë”. Ai tha: “Zgjidhni sot kujt doni t’i shërbeni” (Jozueut 24:15; theksimi i shtuar).

Uill U., 14 vjeç, nga San-Franciskoja në Kaliforni të SHBA-së, ndoshta nuk bën shumë rënie shpirtërore me bark ngaqë ai beson në bërjen e zgjedhjeve përpara minutës së fundit.

“Nëse e zgjidhni që ta bëni apo mos ta bëni diçka përpara madje se ajo të shfaqet, kjo i bën gjërat shumë më të lehta”, thotë ai. “Le të themi se shkuat në një mbrëmje dhe dikush ju ofroi një pije. Nëse do të duhej të zgjidhni në atë çast për ta marrë apo jo, mund të tundoheni për ta marrë. Por, nëse e keni vendosur shumë kohë më parë të thoni jo, nëse dikush do t’ju ofronte ndonjëherë pije, ju do të ndiheni shumë më i sigurt në vetvete. Ju madje nuk do të keni kohë të tundoheni. Ju do të thoni jo sepse e keni vendosur tashmë këtë shumë kohë më parë.”

Tema e vitit 2018 e Aktiviteteve të Përbashkëta thotë: “Mëso nga unë dhe dëgjoji fjalët e mia; ec në butësinë e Shpirtit tim dhe ti do të kesh paqe në mua” (DeB 19:23). Për Uillin, paqe do të thotë të ndihet i sigurt ndërsa zgjedh të drejtën dhe të mos shqetësohet për komentet negative nga të tjerët. Ajo paqe vjen tek Uilli nga marrja e vendimit për të dëgjuar – dhe për t’iu bindur – fjalëve të Jezu Krishtit qysh përpara.

“Ndonjëherë fëmijët më ngacmojnë për çka bëj apo nuk bëj, por në fakt kjo nuk më shqetëson vërtet pasi e kam vendosur shumë kohë përpara që unë kështu do të jetoj”, thotë ai.

Një gjë që Uilli dhe familja e tij e vendosën shumë kohë përpara, ishte që ta mbanin të shenjtë ditën e Shabatit. Kjo u bë pak e vështirë kur Uillin e ftuan të bashkohej me një skuadër futbolli elitare. Por, si Nefi, familja e tij beson se “Zoti nuk u jep urdhërime fëmijëve të njerëzve pa përgatitur një udhë për ta, që ata të mund të plotësojnë gjënë, që ai i urdhëron” (1 Nefi 3:7).

Për Uillin, futbolli është thjesht thuajse mbi gjithçka. Siç thotë nëna e tij: “Ai ha, pi, fle dhe vetëm e do, e do futbollin. Ai është pasioni i tij dhe ai është shumë i talentuar.”

Pamja
Will playing football

Kështu, kur e ftuan të merrte pjesë në një nga skuadrat e nivelit më të lartë në zonë, Uilli u ngazëllua. I vetmi problem: skuadra i luante të dielave shumë nga ndeshjet e saj. Shumë skuadra nuk do ta pranonin lojtarin që do mungonte çdo ndeshje të së dielës. Zgjedhja për të mos luajtur të dielave mund të nënkuptonte humbje vendi në skuadër.

Por Uilli e pati marrë atë vendim shumë kohë më parë. Ai do ta mbante të shenjtë ditën e Shabatit.

Uilli dhe familja e tij u lutën së bashku dhe i treguan Atit Qiellor për dëshirën e tyre për t’i mbajtur urdhërimet e Tij dhe kërkuan ndihmën e Tij. Atëherë Uilli dhe nëna e tij biseduan me trajnerët e skuadrës rreth besimeve të tyre. Për befasinë e tyre, trajnerët e donin Uillin në skuadër edhe nëse nuk do të luante të dielave!

“Unë e di se, kur nderoj Shabatin, unë bekohem”, thotë Uilli. “Unë mund të mos luaj aq ndeshje sa të tjerët, por unë kam parë bekime, si ndeshje të së dielës që befas ndryshojnë për një ditë tjetër. Unë mendoj gjithashtu se luaj më mirë ngaqë kam një ditë pushim.”

Dhe shkon më mirë. Uilli shpejt mësoi se një nga shokët e tij të skuadrës ishte gjithashtu anëtar i Kishës. Pas disa muajsh së luajturi së bashku, djali tjetër ndoqi shembullin e Uillit dhe edhe ai pushoi së luajturi të dielën.

Nëse ndieni se nuk po merrni bekimet e bindjes, kjo mund të jetë ngaqë nuk mund t’i shihni të gjitha çka Ati Qiellor ka rezervuar për ju. Të vendosësh të dëgjosh fjalët e Krishtit dhe t’i shërbesh Zotit është gjithnjë vendimi i drejtë, ndaj bëjeni tani!

Pamja
Will and family

“Unë ju lutem që, pikërisht këtu, pikërisht tani, të merrni një vendim për të mos u shmangur nga shtegu që do të na çojë tek qëllimi ynë: jeta e përjetshme me Atin tonë në Qiell”, tha Presidenti Tomas S. Monson (“Tre Parimet e Zgjedhjes”, Liahona, nëntor 2010, f. 68).

Mos e bëni jetën tuaj një lojë “Kërce ose Zhytu”. Mos rrezikoni të bini shpirtërisht me bark a me çdo mënyrë tjetër. Vendosni pikërisht tani të ndiqni Jezu Krishtin dhe të gëzoni paqen që Ai sjell në jetën tuaj.