2018
Tempulli na Jep Largpamësi më të Madhe
Janar 2018


Tempulli na Jep Largpamësi më të Madhe

Si një teleskop i përqendruar tek yjet përtej shikimit tonë, tempulli i hap mendjet tona drejt një largpamësie më të lartë e më të gjerë.

Pamja
Fort Lauderdale Florida Temple

Disa nga kujtimet më të gjalla dhe më domethënëse gjatë jetesës në shtetet qendrore të Shteteve të Bashkuara si prindër të rinj, janë vizitat vjetore në tempullin e Uashingtonit, D.K. Në atë kohë, ai ishte i vetmi tempull në funksionim në lindje të lumit Misisipi. Njohuria që ordinancat e tempullit janë thelbësore për të gjithë fëmijët e Atit Qiellor, u dha një ndjenjë ngutjeje përpjekjeve tona.

Si shumë prej jush, ne e rregullonim që miqtë të kujdeseshin për fëmijët tanë të vegjël, udhëtonim gjatë gjithë natës me një autobus plot me anëtarë të tjerë të Kishës, kalonim nja dy ditë të çmuara duke bërë sa më shumë punë në tempull që mundeshim, dhe më pas udhëtonim me autobus për në shtëpi gjatë natës që të mund të frekuentonim mbledhjet tona të Kishës të dielën. Ato udhëtime nuk na dukeshin se qenë sakrifica; ato na gëzonin për shkak të lartësimit shpirtëror që na i ushqente shpirtrat tanë për muaj më pas.

Pak vite më vonë, ne u ngazëlluam kur mirëpritëm Tempullin e Çikagos në Ilinois, tempullin e parë të ndërtuar në zonën qendrore të Amerikës së Veriut, që kur u ndërtua Tempulli i Kardstonit në Alberta të Kanadasë 62 vjet më parë. Me një tempull vetëm 45 minuta larg nga shtëpia jonë, ishte gëzim për ne që ta frekuentonim më shpesh se një herë në vit dhe që ta merrnim atë ushqim shpirtëror rregullisht.

Prapëseprapë sot, edhe pse disa nga ne jetojnë më pranë një tempulli, ne ende mund ta kemi të vështirë që ta frekuentojmë shpesh. Mund të jetë që mundësia më e lehtë për të shkuar në tempull na mashtron të mendojmë: “Do të shkoj nesër, kur të kem më shumë kohë”. Është e lehtë të na largohet vëmendja nga trysnitë e tanishme dhe t’i lëmë mundësitë më të rëndësishme të na rrëshqasin. Plaku Riçard G. Skot (1928–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Ju nxis të vendosni qëllimin tuaj për shpeshtësinë se kur do të shfrytëzoni për vete ordinancat e ofruara në tempujt tanë në funksionim”1.

Nëse e lëmë pas dore mundësinë për të frekuentuar sa më shpesh që e lejojnë rrethanat tona, nëse e nënvlerësojmë mundësinë për të shkuar në tempull kur është pikërisht prapa shtëpisë sonë, si të themi, ne mund të humbasim bekime dhe mundësi të ardhshme që Ati ynë dhe Biri i Tij i kanë ruajtur për ne. “Unë, Zoti”, tha Ai, “lidhem kur ju bëni çfarë ju them; por kur nuk e bëni çfarë ju them, ju nuk keni premtim” (DeB 82:10).

Kur duket se ngjarjet po komplotojnë për të na penguar që të shkojmë në tempull, ne mund të kujtojmë sigurinë e dhënë nga Jezu Krishti: “Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën” (Gjoni 16:33). Kur këmbëngulim dhe e frekuentojmë tempullin pavarësisht nga pengesat, do të kemi ndihmën e Shpëtimtarit për ta mposhtur botën në të cilën ne jetojmë. Një herë, teksa unë dhe burri im po përgatiteshim për të shkuar në tempull, na ndodhën një varg problemesh njëri pas tjetrit. Më së fundi, teksa po dilnim nga dera, patëm një “çast martesor” të tensionuar. Ndërsa ne të dy ecëm në heshtje drejt makinës, mundëm ta dëgjonim bijën tonë më të madhe duke e siguruar sërish motrën e saj: “Mos u shqetëso; ata gjithmonë vijnë të lumtur në shtëpi nga tempulli”. Dhe kishte të drejtë!

Tempujt na Kujtojnë për Pafundësinë e Përjetësisë

Pamja
Nauvoo Illinois Temple staircase

Qoftë kur vijmë në tempull me zemra plot gëzim apo të rënduara nga hidhërimi, tempulli është vendi për çdo anëtar të denjë, me një zemër të çiltër, që të lartësohet e forcohet.

Unë kam ardhur në tempull gati e pushtuar nga mirënjohja e thellë për një bekim të dhënë një njeriu të dashur që po vuante; gjithashtu kam derdhur lot të qetë hidhërimi të madh për vetë dështimet e mia. Kam marrë nxitje, udhëzim dhe madje qortime nga Shpirti ndërkohë që shërbeja si mëkëmbëse për dikë që po merrte ordinancat, të cilat do ta lejonin të përparonte përmes përjetësisë. Gjithë ato përvoja më kanë lartësuar e forcuar. Dhe po, jam ulur për shumë orë në tempull si pjesë e një “detyre”, thjesht duke përmbushur përgjegjësinë time, dhe madje e gjeta veten duke dremitur gjatë sesioneve të tempullit në vitet e mia si mësuese e seminarit herët në mëngjes! Por çdo herë pa përjashtim që kam shkuar në tempull, unë jam bekuar. Qoftë kur na jepet një bekim i menjëhershëm ose përpjekjet tona grumbullohen drejt bekimeve të mëvonshme, çdo pjesëz kohe që e kalojmë në tempull, përfundon në njëfarë rritje vetjake.

Të qenit brenda në tempull na kujton pafundësinë e përjetësisë, kur e hedhim vështrimin pas te paraardhësit tanë ashtu edhe kur shohim përpara drejt fëmijëve tanë. Edhe fëmijët tanë forcohen në këndvështrimin e tyre të përjetshëm kur përqendrohen tek tempulli. Si mund t’i përgatitim ata më mirë për tempullin – një hap jetik në përparimin e tyre të përjetshëm? Presidenti Rasëll M. Nelson, President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, këshilloi: “Prindërit duhet të japin mësim për rëndësinë e tempullit që nga ditët më të hershme të një fëmije”2. Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) i këshilloi prindërit që të vendosin një figurë të tempullit në dhomën e gjumit të fëmijëve të tyre, kështu që ata të mund ta shohin atë kujtues të shenjtë çdo ditë derisa ai të bëhet pjesë e tyre.3 Ju gjithashtu mund t’u tregoni fëmijëve tuaj për bekimet që i merrni nga frekuentimi i tempullit, si edhe t’u jepni dëshminë tuaj për gëzimin që e parapritni në marrëdhëniet e përjetshme me ta. Dhe mund t’i mbështetni adoleshentët tuaj në dëshirën e tyre për të kryer pagëzime për të vdekurit. Mbani mend në mësimet e mbrëmjes suaj familjare dhe në çastet e mësimdhënies që “tempulli është objekti i çdo aktiviteti, çdo mësimi, çdo hapi përparues në Kishë”4.

Teksa këndoni me fëmijët tuaj: “Shum’ tempullin dua t’shoh, Një dit’ brenda do shkoj, Me Atin tim do bes’lidh; Të bindem do premtoj”5, ju do t’i ndihmoni të ndiejnë dëshirë që të futen në shtëpinë e shenjtë të Zotit. Dhe vetë zemra juaj do të mbushet plot me mirënjohje për Atin Qiellor, për planin e Tij të shpëtimit, për Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij, të cilët e kanë bërë të mundur për ju që të jeni me njerëzit tuaj të dashur përgjithmonë. “Udha e [Shpëtimtarit] është shtegu që të çon drejt lumturisë në këtë jetë dhe jetës së përjetshme në botën që vjen.”6 Ai shteg çon drejt dhe përmes tempullit!

Tempujt Janë një Strehë nga Bota

Pamja
Idaho Falls Idaho Temple garden room

Ndikimet e botës mund të na largojnë nga tempulli. Një mik i dashur, i ri në moshë, u shqetësua nga opinionet dhe spekulimet rreth Kishës që i lexoi në internet. Ai vendosi të hiqte dorë nga frekuentimi i tempullit derisa pyetjet e tij të merrnin përgjigje. Me gjithë zemrën time, ju lutem juve që mund të keni pyetje, të cilat mund ta ndikojnë dëshminë tuaj, që të vazhdoni të merrni pjesë në lutje e studim vetjak të shkrimeve të shenjta dhe të vazhdoni ta frekuentoni tempullin teksa veproni për të gjetur përgjigjet që do t’ju sjellin paqe. Qëndroni të përqendruar tek ungjilli që ta shmangni tërheqjen e vëmendjes nga ideologjitë mendjemprehta, por të rreme. Një njeri nuk do të përpiqej ta shëronte një sëmundje fizike duke i kërkuar këshillë mjekësore një lojtari të famshëm futbolli, ashtu sikurse nuk mund të zgjidhen siç duhet pyetjet e rëndësishme shpirtërore prej dikujt që ka kuptueshmëri të kufizuar të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Fryma e Shenjtë, që jep dëshmi për “të vërtetën e të gjitha gjërave” (Moroni 10:5), “do të [na thotë] në mendjen [tonë] dhe në zemrën [tonë]” (DeB 8:2) atë që është e vërtetë e përjetshme.

Një nga vendet ku mund ta merrni atë Shpirt me mjaft bollëk, është në tempull. Nëse jeni të denjë të hyni në shtëpinë e Zotit (siç përcaktohet nga ju dhe peshkopi juaj), ju lutemi ejani në tempull me pyetjet tuaja dhe merrni sigurinë që, edhe po qe se nuk i kuptoni të gjitha gjërat tani, Zoti i kupton. Kujtoni gjithçka që vërtet e dini dhe e kuptoni. Gjërat që ju vërtet i dini dhe për të cilat keni marrë dëshmi shpirtërore, do t’ju çojnë drejt “paq[es së] Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarsie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus” (Filipianëve 4:7). Unë dëshmoj se zgjuarsia dhe paqja që ju kërkoni, do të vijnë teksa vazhdoni të keni besim se Ati juaj në Qiell do t’ju udhëheqë dhe udhërrëfejë drejt së vërtetës.

Isaia na kujton se tempulli është një “strehë … kundër furtunës” (Isaia 4:6). Fjalët e Presidentit Tomas S. Monson janë po aq siguruese: “Teksa hyjmë përmes dyerve të tempullit, ne lëmë pas shpërqendrimet dhe pështjellimin e botës. Brenda kësaj shenjtëroreje të shenjtë, ne gjejmë bukuri dhe rregull. Gjendet prehje për shpirtrat tanë dhe një pushim prej halleve të jetës sonë.”7

Ndërkohë që rriten shqetësimet në botë dhe shtohen trysnitë e jetës së përditshme, ne duhet ta mbajmë përqendrimin tonë te gjërat që me të vërtetë janë të rëndësishme. Është e lehtë të përqendrohemi te negativja dhe te shqetësimet e botës, sikur t’i shihnim dështimet e problemet tona nëpërmjet një mikroskopi. Të qenit brenda në tempull na kujton që të ruajmë një këndvështrim të përjetshëm. Si një teleskop i stërmadh, i përqendruar tek yjet përtej shikimit tonë të tanishëm, tempulli i hap mendjet tona drejt një largpamësie më të lartë e më të gjerë. Na lejon të shohim, shpresojmë e punojmë që të bëhemi gjithçka që Ati Qiellor na ka krijuar që të jemi. Na ndihmon të përqendrohemi tek të vërteta të përjetshme – te Prindërit Qiellorë që na duan e dëshirojnë të na ndihmojnë, te vlera jonë e vërtetë si fëmijët e Tyre dhe tek ajo që jemi në gjendje të bëhemi si “trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit” (Romakëve 8:17). Në tempull jepet mësim plani i Perëndisë dhe bëhen besëlidhje të përjetshme. Në tempull na jepen mjetet që ne të bëhemi vetja jonë e përjetshme, më e lartësuar dhe më e mirë.

“Teksa e frekuentojmë tempullin”, këshilloi Presidenti Monson, “mund të na vijë një përmasë shpirtshmërie dhe një ndjenjë paqeje, të cilat do ta kapërcejnë çdo ndjenjë tjetër që mund të lindë brenda zemrës njerëzore. Ne do ta rrokim mirë domethënien e vërtetë të fjalëve të Shpëtimtarit, kur Ai tha: ‘Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time. … Zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë’ [Gjoni 14:27].”8

Shërbimi Juaj në Tempull do t’i Prekë të Tjerët

Pamja
Provo City Center Temple

Shpirti që sillni nga shërbimi juaj në tempull, do të prekë shumë njerëz brenda rrethit tuaj të ndikimit – disa që madje mund të mos i keni pasur parasysh. Në përfundim të njërës prej vizitave tona në tempullin e Uashingtonit, D.K., grupi i anëtarëve dha dëshmi teksa autobusi ecte përgjatë kilometrave drejt shtëpisë. Njëri pas tjetrit, pjesëmarrësit treguan për gëzimin dhe mirënjohjen e tyre për bekimet e tanishme dhe të përjetshme të tempullit. Shoferi ynë i autobusit, që nuk ishte anëtar i Kishës, më së fundi nuk mundi të duronte më gjatë. Ai e rrëmbeu mikrofonin dhe shprehu kënaqësinë që ishte me ne. Më pas ai tha: “Nuk e di se çfarë keni ju njerëz, por ndiej diçka të ndryshme këtu”. Sigurisht, një udhëheqës i misionit të lagjes në autobus e mori informacionin e tij të kontaktit dhe më vonë ua dha atë misionarëve.

Më lejoni t’ju ftoj të përfitoni nga dhurata e tempullit pranë jush aq shpesh sa jua lejojnë rrethanat tuaja. Ju do të forcoheni e gjeni paqe në shtëpinë e Zotit Jezu Krisht, sepse Ai është drita, jeta dhe shpresa e botës. Teksa këto ditë të mëvonshme përparojnë drejt kthimit të Tij të premtuar, e marrshi dritën e Tij dhe e ndjefshi shpresën që ofrohet në tempujt e Tij të shenjtë.

Shënime

  1. Riçard G. Skot, “Adhurimi në Tempull: Burimi i Forcës dhe Fuqisë në Kohë Nevoje”, Liahona, maj 2009, f. 43–45.

  2. Russell M. Nelson, “Prepare for Blessings of the Temple”, Ensign, mars 2002, f. 17.

  3. Shih The Teachings of Spencer W. Kimball (1982), f. 301.

  4. Russell M. Nelson, “Prepare for Blessings of the Temple”, f. 17.

  5. “I Love to See the Temple” [“Shum’ Tempullin Dua t’Shoh”], Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 95.

  6. “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Liahona, prill 2000, f. 2.

  7. Tomas S. Monson, “Bekimet e Tempullit”, Liahona, maj 2015, f. 91.

  8. Tomas S. Monson, “Bekimet e Tempullit”, f. 91–92.