2018
Një Bekim i Premtuar për Frekuentimin e Tempullit
Janar 2018


Një Bekim i Premtuar për Frekuentimin e Tempullit

Autorja jeton në Jutë, SHBA.

Kisha dashur ta frekuentoja më shumë tempullin – pak e dija se sa shumë do ta bekonte familjen time.

Pamja
family walking toward temple

Disa vite më parë, Presidenti Olldroid, një anëtar i presidencës së kunjit, vizitoi lagjen time dhe tha diçka që nuk do ta harroj kurrë: “Ju premtoj që, në qoftë se e frekuentoni tempullin, çdo pjesë e jetës suaj do të bekohet”.

Ndërsa mendoja rreth kësaj, nuk mund ta përfytyroja se si frekuentimi i tempullit mund ta prekte çdo pjesë të jetës sime. Por pas kishës, vendosa që prapëseprapë do ta pranoja sfidën e tij dhe do ta frekuentoja tempullin në mënyrë më të rregullt. Doja ta vija në provë premtimin e tij. Bashkëshorti im kishte dashur të shkonim në tempull më shpesh, por unë ngurroja pasi kishim fëmijë të vegjël. Do të na duhej të udhëtonim me makinë një orë e gjysmë për tek tempulli në San-Antonio të Teksasit në SHBA, të kryenim një sesion dhurimi [indaumenti] dhe më pas të ktheheshim me makinë në shtëpi. Nuk shkonte që t’i kërkonim dikujt të na i mbante fëmijët për shtatë ose tetë orë.

Fillimi i një Bekimi

Në fillim u përpoqëm ta shkëmbenim mbajtjen e fëmijëve me një familje tjetër, por në mënyrë të pashmangshme dikush sëmurej ose diçka tjetër ndodhte. Vendosëm që thjesht na duhej të caktonim datat për tërë vitin dhe të shkonim! Atëherë patëm idenë e metodës “pica dhe lojë”. Ne do të shkonim me makinë së bashku për në tempull. Njëri prind do të shkonte në një sesion tempulli, ndërkohë që tjetri do t’i çonte fëmijët të hanin pica. Më pas do të ndryshonim vendet: prindi i dytë do të bënte punë në tempull ndërkohë që prindi tjetër ecte me fëmijët nëpër mjediset rrethuese të tempullit. Kjo funksionoi mirë. Fëmijët tanë e dinin se tempulli ishte i rëndësishëm për ne – ata i dinin të gjitha gjërat e tjera që mund t’i kishim bërë në një të shtunë – dhe ne arritëm të shpenzonim kohë si familje.

Nuk ma merrte mendja se sa shumë vajtja në tempull do ta bekonte familjen time. Pasi kishim shkuar më shpesh për më shumë se një vit, unë isha e ulur në një sesion kur vura re një burrë tërësisht të paralizuar. Mendova se qe mahnitëse që ai ishte atje. Duke dalë nga tempulli, e pashë atë të ulur pranë vendparkimit, kështu që unë dhe burri im menduam ta përshëndetnim.

Burri na kërkoi mua dhe bashkëshortit tim, Çadit, nëse mund ta ndihmonim që të bënte një telefonatë. Ramë dakord ta ndihmonim dhe burri i tha Çadit se ku ishte telefoni i tij. Çadi i ra numrit për të dhe më pas ia dha atij telefonin. Burri nuk mund ta kapte atë, megjithatë buzëqeshi me mirësi. Çadi hodhi vështrimin te krahët e burrit që ishin të lidhura te karrigia e tij me rrota dhe me të shpejtë e kuptoi se i duhej t’ia ngrinte telefonin te veshi. Shërbimi i autobusëve të qytetit, që duhej ta merrte burrin, ishte me vonesë. Qëndruam me të dhe folëm derisa erdhi autobusi. U mahnitëm që, pavarësisht nga sfidat e tij, ai ishte në tempull. Ai kishte një sjellje kaq pozitive. Kishte një buzëqeshje të shndritshme. Përpara se të largohej, ne shkëmbyem informacionin për kontakte dhe mësuam se ai quhej Maks Para.

Nëse Vëllai Para mund të shkonte në tempull, ne mund të shkonim në tempull – pa asnjë justifikim!

Shembulli i Vëllait Para

Pamja
Brother Para with the Evans family

Vendosëm ta vizitonim atë muajin e ardhshëm si pjesë e vizitës sonë në tempull. E morëm në telefon që më parë dhe ai tha se mund të hynim brenda kur të mbërrinim te shtëpia e tij. Ne shkuam me makinë për në San-Antonio dhe e gjetëm shtëpinë e vogël të Vëllait Para. Ishte i shtrirë në shtrat me një çarçaf të bardhë që e mbulonte trupin e tij deri te mjekra. E lëvizi kokën anash dhe foli me ne, buzëqeshja e tij ende rrezatuese. Na tregoi se si u paralizua pas rënies nga një çati kur ishte në të 30-at. Na tregoi për vështirësinë e tij dhe dëshminë e tij.

Një vizitë e vetme te Vëllai Para u shndërrua në vite vizitash. Ai u bë një pjesë e veçantë e jetës sonë. Nuk dinim se çfarë të bënim për të – sfidat e tij ishin të stërmëdha. Çka dinim është që ne mund të ishim miqtë e tij. Mund t’i sillnim dhurata të vogla: një fotografi të Shpëtimtarit, një disk me Librin e Mormonit në spanjisht, një fotografi të tempullit, një qese me portokaj të freskët. Mund ta vizitonim, të këndonim këngë të Fillores dhe ta dëgjonim atë. Ç’përvojë e pabesueshme ishte kjo – ju nuk mund t’i jepni një thërrime Zotit, pa marrë si shkëmbim një bukë të tërë.1

Ai na mësoi mirënjohjen, e cila e ndryshoi çdo pjesë të jetës sonë. Mësuam të kishim mirënjohje për njohurinë tonë për ungjillin; për marrëdhënien tonë me Perëndinë; për njohurinë tonë për planin e Perëndisë; për shtëpinë tonë, makinat, ushqimin dhe veshjet tona; për aftësinë tonë për t’i përdorur trupat tanë; për mundësinë që të bënim mirë për komunitetin tonë; dhe për njerëzit e mirë përreth nesh. Vëllai Para e ndryshoi përkufizimin tonë për fjalët e vështirë dhe sprovë. Kishim arsye të gëzoheshim për bekimet tona të shumta dhe i përdorëm ato bekime për t’i lartësuar të tjerët.

Të Mësuarit për të Shërbyer

Njëherë, kur Çadi ishte në tempull me një prej miqve tanë, Vëllanë Gonzales, ai e pa sërish Vëllanë Para në tempull duke pritur që një makinë ta merrte. Vëllai Para kishte qenë duke pritur për një kohë të gjatë. Çadi dhe Vëllai Gonzales vendosën ta çonin Vëllanë Para vetë në shtëpi. Vëllai Gonzales kishte një kamionçinë të madhe me ngjyrë të zezë. Pikërisht atëherë, një makinë plot me priftërinj nga kunji ynë mbërriti në tempull dhe ata ndihmuan për ta vendosur karrigen e rëndë me rrota në pjesën e pasme të kamionçinës. Më pas e futën Vëllanë Para në kamionçinë, ia vunë rripin e sigurimit dhe e mbajtën që ai të mos binte anash. Jam e sigurt që ajo ditë ishte e shkëlqyer për Vëllanë Para – a mund ta kishte përfytyruar ai ndonjëherë se do të shkonte në shtëpi nga tempulli me një kamionçinë që e kishte pasur ëndërr!

Të Bekuar në Çdo Mënyrë

Në vizitën tonë të fundit në Tempullin e San-Antonios përpara se të shpërnguleshim, ne qemë në gjendje të takoheshim me Vëllanë Para. Në këtë vizitë të veçantë, të fundit, Vëllai Para e ftoi tërë familjen tonë për darkë.

Jam shumë mirënjohëse që e vura në provë premtimin e Presidentit Olldroid. Familja ime nuk do ta kishte takuar kurrë Vëllanë Para, në qoftë se nuk do ta kishim frekuentuar tempullin. Unë jam një njeri i ndryshuar – jam duke u bërë ajo që Zoti dëshiron që unë të jem. Kur e vendosëm Zotin të parin dhe e frekuentuam tempullin, jeta jonë u bekua në çdo mënyrë.

Shënim

  1. Shih Melvin J. Ballard, në Marion G. Romney, “Welfare Services: The Savior’s Program”, Ensign, nëntor 1980, f. 93.