Kapitulli 3
Jozefi në Egjipt pa Nefitët në vegim—Ai profetizoi mbi Joseph Smithin, shikuesin e ditëve të mëvonshme; mbi Moisiun që do të çlironte Izraelin; dhe mbi daljen në dritë të librit të Mormonit. Rreth 588–570 para K.
1 Dhe tani unë po të flas ty, Jozef, i linduri im i fundit. Ti ishe lindur në vendin e shkretë të mjerimeve të mia; po, në ditët e pikëllimit tim më të madh, të lindi nëna ty.
2 Dhe Zoti e shenjtëroftë këtë tokë për ty, e cila është një tokë shumë e çmueshme për trashëgimin tënd dhe trashëgimin e farës tënde me vëllezërit e tu, për sigurinë tuaj përgjithmonë, në qoftë se ju do të zbatoni urdhërimet e të Shenjtit të Izraelit.
3 Dhe tani, Jozef, i linduri im i fundit, që të kam nxjerrë nga vendi i shkretë i vuajtjeve të mia, Zoti të bekoftë përgjithmonë, pasi fara jote nuk do të shkatërrohet krejtësisht.
4 Pasi vër re, ti je fryt i ijeve të mia; dhe unë jam pasardhës i Jozefit, i cili u dërgua rob në Egjipt. Dhe të mëdha qenë besëlidhjet e Zotit të cilat i bëri me Jozefin.
5 Kështu që, Jozefi me të vërtetë pa ditët tona. Dhe ai mori një premtim nga Zoti, se nga fryti i ijeve të tij, Zoti Perëndi do të rriste një degë të drejtë nga shtëpia e Izraelit; jo Mesinë, por një degë, e cila do të shkëputej, megjithatë, do të kujtohej në besëlidhjet e Zotit, që Mesia do t’u shfaqej atyre në ditët e mëvonshme, në shpirtin e fuqisë, duke i nxjerrë ata nga errësira në dritë—po, jashtë nga errësira e fshehur dhe jashtë nga robëria në liri.
6 Pasi Jozefi, me të vërtetë dëshmoi, duke thënë: Një shikues do të ngrejë Zoti, Perëndia im, i cili do të jetë një shikues i zgjedhur prej frytit të ijeve të mia.
7 Po, Jozefi me të vërtetë tha: Kështu më thotë Zoti: Një shikues të zgjedhur do të ngre unë prej frytit të ijeve të tua; dhe ai do të vlerësohet shumë mes frytit të ijeve të tua. Dhe atij unë do t’i jap urdhër, që ai do të bëjë një punë për frytin e ijeve të tua, vëllezërit e tij, që do të jetë me vlerë të madhe për ta, madje në sjelljen e tyre në njohurinë e besëlidhjeve që unë kam bërë me etërit e tu.
8 Dhe unë do t’i jap atij një urdhër, që ai të mos bëjë asnjë punë tjetër, përveç punës që unë do ta urdhëroj atë. Dhe unë do ta bëj atë të madh në sytë e mi; pasi ai do të bëjë punën time.
9 Dhe ai do të jetë i madh si Moisiu, të cilit i thashë se do ta ngrija për ju, për të çliruar popullin tim, O shtëpi e Izraelit.
10 Dhe Moisiun do ta ngre për ta shpëtuar popullin tënd nga toka e Egjiptit.
11 Por, një shikues do të ngre nga fryti i ijeve të tua dhe atij do t’i jap fuqi që t’ia sjellë fjalën time farës së ijeve të tua—dhe jo vetëm në sjelljen e fjalës sime, thotë Zoti, por edhe t’i bindë ata mbi fjalën time, që tashmë do të jetë përhapur mes tyre.
12 Kështu që, fryti i ijeve të tua do të shkruajë; dhe fryti i ijeve të Judës do të shkruajë; dhe ajo që do të jetë shkruar nga fryti i ijeve të tua dhe gjithashtu ajo që do të jetë shkruar nga fryti i ijeve të Judës, do të rriten së bashku në ngatërrimin e doktrinave të rreme dhe për dhënien fund të grindjeve dhe për vendosjen e paqes mes frutit të ijeve të tua, dhe për t’i sjellë në njohurinë e etërve të tyre në ditët e mëvonshme dhe gjithashtu në njohurinë e besëlidhjeve të mia, thotë Zoti.
13 Dhe nga dobësia ai do të bëhet i fortë, atë ditë kur puna ime do të fillojë mes gjithë popullit tim, për të të rivendosur ty, O shtëpi e Izraelit, thotë Zoti.
14 Dhe kështu profetizoi Jozefi, duke thënë: Vini re, atë shikues do të bekojë Zoti; dhe ata që do të kërkojnë ta shkatërrojnë atë, do të ngatërrohen; pasi ky premtim që kam marrë nga Zoti për frytin e ijeve të mia, do të plotësohet. Vini re, unë jam i sigurt për plotësimin e këtij premtimi;
15 Dhe emri i tij do të jetë sikurse i imi; dhe do të jetë sikurse ai i atit të tij. Dhe ai do të jetë sikurse unë; pasi gjëja që Zoti do të nxjerrë nga dora e tij, me fuqinë e Zotit, do ta sjellë popullin tim në shpëtim.
16 Po, kështu profetizoi Jozefi: Unë jam i sigurt për këtë gjë, ashtu sikurse unë jam i sigurt për premtimin e Moisiut; pasi Zoti më tha mua: Unë do ta ruaj farën tënde përgjithnjë.
17 Dhe Zoti ka thënë: Unë do të ngre një Moisi dhe unë do t’i jap fuqi atij në një shufër; dhe unë do t’i jap urti në të shkruar. Por, unë nuk do ta zgjidh gjuhën e tij, që ai të flasë shumë, pasi unë nuk do ta bëj atë të fuqishëm në të folur. Por, unë do t’i shkruaj atij ligjin tim, me gishtin e dorës sime; dhe unë do të bëj një zëdhënës për të.
18 Dhe Zoti më tha gjithashtu: Unë do ta ngre nga fryti i ijeve të tua dhe unë do të bëj për të një zëdhënës. Dhe unë, vër re, do t’i jap atij që të shkruajë fjalët e frytit të ijeve të tua, te fryti i ijeve të tua dhe zëdhënësi i ijeve të tua do ta shpallë atë.
19 Dhe fjalët që ai do të shkruajë, do të jenë fjalët që janë të domosdoshme në urtësinë time dhe duhet të shkojnë te fryti i ijeve të tua. Dhe do të jetë sikur fryti i ijeve të tua t’u kishte thirrur atyre nga pluhuri; pasi unë e njoh besimin e tyre.
20 Dhe ata do të thërrasin nga pluhuri; po, madje pendim vëllezërve të tyre, edhe pasi shumë breza të kenë kaluar. Dhe do të ndodhë, që thirrja e tyre do të dëgjohet, madje sipas thjeshtësisë së fjalëve të tyre.
21 Për shkak të besimit të tyre, fjalët e tyre do të dalin nga goja ime te vëllezërit e tyre, që janë fryti i ijeve të tua; dhe dobësinë e fjalëve të tyre unë do ta bëj të fortë në besimin e tyre, deri në kujtimin e besëlidhjes sime, të cilën unë e bëra me etërit e tu.
22 Dhe tani, vër re biri im, Jozef, sipas kësaj mënyre profetizoi ati im i vjetër.
23 Kështu që, për shkak të kësaj besëlidhjeje, ti je i bekuar; pasi fara jote nuk do të shkatërrohet, sepse ata do t’i dëgjojnë fjalët e librit.
24 Dhe atje do të ngrihet një i fuqishëm mes tyre, i cili do të bëjë shumë të mira, qoftë me fjalë, ashtu dhe me vepra, duke qenë një mjet në duart e Perëndisë, me besim të jashtëzakonshëm, për të bërë çudira të mëdha dhe për të bërë atë gjë që është e madhe në sytë e Perëndisë, duke sjellë shumë rregullime në shtëpinë e Izraelit dhe në farën e vëllezërve të tu.
25 Dhe tani, i bekuar qofsh ti, Jozef. Vër re, ti je i vogël; prandaj dëgjo fjalët e vëllait tënd, Nefit, dhe do të bëhet për ty sipas fjalëve që unë kam folur. Kujto fjalët e atit tënd që po vdes. Amen.