“Lutuni për ta me emër”, Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve (2022)
“Lutuni për ta me emër”, Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve
Duajini Njerëzit të Cilëve u Jepni Mësim
Lutuni për ta me emër.
Zotësia: Lutuni dhe pyetni se si mund t’i ndihmoni studentët tuaj dhe ndiqni nxitjet nga Fryma e Shenjtë.
Përkufizoni
Lutja rregullisht për studentët tuaj mund t’ju ndihmojë të ndieni më shumë nga dashuria e Perëndisë për ta dhe ta rritni dëshirën tuaj për të siguruar një vend mikpritës dhe të sigurt ku ata mund të mësojnë. Ajo gjithashtu mund ta lejojë Atin Qiellor që t’ju ndihmojë t’i kuptoni më mirë rrethanat dhe nevojat e tyre. Edhe pse nuk mund t’i imponojmë çështjet shpirtërore ose përgjigjet ndaj lutjeve, lutja për studentët tanë fton drejtimin e Frymës së Shenjtë dhe mund ta rritë aftësinë tonë për t’i ndihmuar ata. Të vepruarit sipas frymëzimit që merrni, mund t’ju ndihmojë ta përmirësoni përvojën e të mësuarit të secilit student. Një mënyrë se si mësuesit mund të përpiqen ta rritin dashurinë për studentët e tyre, është duke marrë parasysh atë që tashmë e dinë rreth një studenti dhe më pas me lutje të përsiatin dhe pyetin se si mund të tregojnë më shumë dashuri kundrejt atij studenti. Kur luten me këto mendime në mendje, mësuesit më pas duhet të përpiqen që t’i përcaktojnë nxitjet e Shpirtit dhe të veprojnë sipas tyre.
Modeli
Sa vijojnë janë disa shembuj të mënyrës se si mund të luteni dhe të kërkoni se si ta ndihmoni një student individual si dhe të ndiqni nxitjet e Frymës së Shenjtë:
-
Keni vënë re se kohët e fundit Joni ka qenë ngurrues që të merrte pjesë në orën mësimore. Ju pyetni Atin Qiellor se si mund ta ndihmoni atë në mënyrën më të mirë. Ndieni se duhet të flisni me të teksa vjen në klasë. Keni ndjesinë që duhet ta pyetni më shumë rreth interesave të tij të tanishme në vend që thjesht ta pyetni përse nuk ka marrë pjesë aq shpesh kohët e fundit. Planifikoni që të nesërmen të flisni me të përpara orës mësimore.
-
Maria i ka shprehur rregullisht idetë dhe dëshminë e saj javët e fundit. Përpara orës së ardhshme mësimore, ju i kërkoni Atit Qiellor se si mund ta ndihmoni atë që të vazhdojë të përparojë. Mund të keni mendimin që ta bashkoni me disa prej shokëve ose shoqeve të klasës që nuk flasin aq shpesh ose e kanë të vështirësi të tregojnë haptazi se si ndihen. Gjatë planifikimit tuaj për mësimin e së nesërmes, mund të shtoni mundësinë që një shok ose shoqe e klasës të flasë.
Klikoni këtu për të parë një material filmik të këtij modeli.
Ushtrohuni
Përdorni një ose më shumë nga ushtrimet vijuese për ta përmirësuar aftësinë tuaj që të luteni për studentët dhe të veproni sipas nxitjeve që vijnë si rrjedhojë:
-
Përzgjidhni një student që e ndieni se nuk ka shumë shokë ose shoqe të ngushta në klasë. Lutuni se si ta ndihmoni atë në mënyrën më të mirë. Bëni një plan që të veproni sipas mbresave që merrni.
-
Përzgjidhni një student ose studente që tregon shumë në klasë. Lutuni për të dhe mënyrën se si të vazhdoni ta përmirësoni përvojën e të mësuarit të atij studenti. Veproni sipas mbresave që merrni.
-
Përzgjidhni një student ose studente që nuk e keni parë në klasë kohët e fundit. Lutuni për të dhe pyeteni Zotin se si t’i shtrini dorën e ndihmës në mënyrën më të mirë dhe ta ndihmoni atë të ndiejë se e duan dhe kanë nevojë për të. Bëni një plan nisur nga mbresat që merrni, vendosni se kur mund të veproni sipas atij plani dhe ndiqeni atë.
Diskutoni ose Përsiatni
Përsiatni atë që keni mësuar nga kjo përvojë. Ndoshta mund t’i shënoni disa prej këtyre mendimeve në një ditar studimi. Merrini parasysh pyetjet që vijojnë:
-
Çfarë përpjekjesh kam bërë më përpara që të lutem për studentët e mi?
-
Çfarë kam mësuar gjatë këtij procesi që mund ta përmirësojë aftësinë time për t’u lutur për studentët e mi dhe për t’i ndihmuar që ta përmirësojnë përvojën e tyre të të mësuarit?
-
Çfarë do të bëj që të vazhdoj të përmirësohem?
Integroni
Bëni një plan veprimi që të luteni dhe pyetni se si mund t’i ndihmoni studentët tuaj, dhe ndiqni nxitjet nga Fryma e Shenjtë. Mund të merrni parasysh hapat e sugjeruara në vijim teksa bëni një plan veprimi:
-
Zgjidhni dhe përqendrohuni te njëri nga ushtrimet e mësipërme.
-
Përcaktoni se si do ta integroni atë.
-
Caktoni kohë për ta integruar atë.
-
Kërkojini Atit Qiellor t’ju ndihmojë.
Doni më Shumë?
-
Neil L. Andersen, “A Classroom of Faith, Hope, and Charity” (mbrëmje me një Autoritet të Përgjithshëm, 28 shkurt 2014), broadcasts.ChurchofJesusChrist.org
-
Çad H. Ueb, “Mbi të Gjitha” (transmetim i trajnimit vjetor për Seminaret dhe Institutet e Fesë, 12 qershor 2019), broadcasts.ChurchofJesusChrist.org
-
“Duajini Ata, të Cilëve u Jepni Mësim”, Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit (2016), f. 6