“Krijoni një mjedis ku të gjithë të respektohen dhe të dinë se ndihmesat e tyre vlerësohen”, Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve (2022)
“Krijoni një mjedis ku të gjithë të respektohen dhe të dinë se ndihmesat e tyre vlerësohen”, Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve
Duajini Njerëzit të Cilëve u Jepni Mësim
Krijoni një mjedis ku të gjithë të respektohen dhe të dinë se ndihmesat e tyre vlerësohen.
Zotësia: Tregoni se i vlerësoni studentët përpara se të komentojnë apo kur ngrenë dorën për të komentuar.
Përkufizoni
Ne mund të tregojmë dashuri për nxënësit tanë duke u komunikuar se i vlerësojmë ndihmesat e tyre. Nganjëherë, kur studentët bëjnë komente, mund të duket sikur nuk jemi të interesuar ose mund të na largohet vëmendja duke menduar rreth asaj që do të themi më pas. Është e lehtë ta largojmë vështrimin ose të fillojmë të shohim nëpër shkrimet tona të shenjta teksa mendojmë se si të përgjigjemi. Është e rëndësishme të mbajmë mend se studentët duan të ndiejnë se i dëgjojnë, i vlerësojnë dhe i shohin. Ne mund t’i ndihmojmë studentët të ndihen në këtë mënyrë duke u përqendruar tërësisht tek ata ndërkohë që bëjnë komente. Një mënyrë se si bëhet kjo është duke e kthyer trupin që të jeni përballë tyre, duke i parë në sy dhe duke u përqendruar tek ata gjatë gjithë komentit të tyre. Një mënyrë tjetër është të shprehni me fjalë se e vlerësoni ndihmesën e tyre edhe përpara se të komentojnë. Kur një student ngre dorën, mund të thoni diçka si: “Albana, na pëlqen shumë të dëgjojmë prej teje. Të lutemi, na trego se çfarë po mendon”, ose “Arben, presim me kënaqësi të dëgjojmë mendimin tënd. Çfarë do të doje të kontribuoje?” Këto veprime të thjeshta do t’u përçojnë nxënësve idenë se ndihmesat e tyre vlerësohen dhe janë thelbësore për përvojën e të mësuarit.
Modeli
Vini re gjuhën e trupit të këtij mësuesi teksa dëgjon komentin e një studenti. Është i drejtuar nga studenti dhe po e sheh atë. Nuk është i përqendruar te një student tjetër, shkrimet e shenjta apo diçka tjetër. A ka ndonjë gjë tjetër që mësoni nga kjo figurë rreth mënyrës se si t’ua komunikoni studentëve se kanë vlerë?
Klikoni këtu për të parë një material filmik të këtij modeli.
Ushtrohuni
Këtë javë ushtrojeni këtë zotësi duke u përqendruar te bashkëbisedimet tuaja me njerëz të tjerë dhe komunikimin se i vlerësoni ndihmesat e tyre. Drejtohuni nga personi dhe shiheni në sy teksa flisni me të. Largojeni çfarëdo shpërqendrim dhe përqendrohuni tërësisht tek individi.
Diskutoni ose Përsiatni
-
Çfarë keni mësuar rreth rëndësisë së formave të komunikimit, si pa fjalë ashtu edhe me fjalë, për t’ua shprehur të tjerëve se i vlerësoni?
-
Cilat janë disa mënyra të tjera se si mund t’ua shprehni studentëve se i vlerësoni komentet e tyre?
-
Ndaluni një çast dhe mendoni për raste kur Shpëtimtari dha modelin për këtë zotësi.
Integroni
Gjatë mësimit tuaj të ardhshëm, vëreni në zbatim këtë zotësi duke qëndruar përballë studentëve, duke i lënë mënjanë shkrimet e shenjta dhe duke i parë në sy studentët teksa bëjnë komente.
Doni më Shumë?
-
Gospel Topics, “Communication”, topics.ChurchofJesusChrist.org
-
Mark Ogletree, “Speak, Listen, & Love”, Ensign, shkurt 2014, f. 14–17