Instituti
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 15: Afrimi më Shumë me Jezu Krishtin nëpërmjet Sakramentit


“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 15: Afrimi më Shumë me Jezu Krishtin nëpërmjet Sakramentit”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)

“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 15”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm

Pamja
In Remembrance of Me [Në Përkujtimin Tim], nga Walter Rane

Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 15

Afrimi më Shumë me Jezu Krishtin nëpërmjet Sakramentit

Mendoni për herën e fundit që morët sakramentin. Çfarë përvoje patët? Çfarë vëmendjeje i kushtuat Shlyerjes së Shpëtimtarit dhe marrëdhënies suaj besëlidhëse me Të? Ndërkohë që studioni mësimet në njësinë 4, ju do të keni mundësinë që të merrni parasysh se çfarë mund të bëni për t’i bërë Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij më vetjake, më domethënëse dhe më të zbatueshme në jetën tuaj.

Pjesa 1

Si mund të më ndihmojë sakramenti që të afrohem më shumë me Shpëtimtarin?

Pak orë përpara se të hynte në Kopshtin e Gjetsemanit, Jezusi i udhëzoi Dymbëdhjetë Apostujt e Tij që të përgatitnin ushqimin për vaktin e Pashkës judease (shih Mateu 26:17–19). Për gati 1 500 vjet, fëmijët e Izraelit kishin kremtuar festën e Pashkës judease dhe e kishin përdorur gjakun e qengjave pa të meta për të simbolizuar çlirimin e tyre nga engjëlli shkatërrues (shih Eksodi 12:21–28; 13:14–15). Pas këtij vakti, Jezu Krishti, Qengji i Perëndisë, e përmbushi simbolikën e Pashkës judease kur gjaku i Tij u derdh dhe Ai u bë Shpëtimtari i botës (shih Gjoni 1:29; 1 Pjetër 1:18–19). Si pjesë të vaktit të Tij përfundimtar të Pashkës judease, “Ai [vendosi] sakramentin si një kujtues për flijimin e Tij madhështor e shlyes” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, ChurchofJesusChrist.org). Shlyerja e Shpëtimtarit do të përfshinte vuajtjen e Tij në Gjetseman, vdekjen e Tij në kryq dhe Ringjalljen e Tij të lavdishme.

Pamja
Jezusi duke copëtuar bukën në Darkën e Fundit
Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni vargjet te Mateu 26:26–28 dhe përfytyroni se si mund të kishte qenë po ta merrnit sakramentin nga Jezu Krishti. Mund të shihni materialin filmik “The Last Supper” [“Darka e Fundit”] (06:01) që t’ju ndihmojë të reflektoni për këtë përvojë.

Buka dhe vera, ose uji, janë emblemat e shenjta të sakramentit. Një emblemë është një paraqitje fizike e një koncepti, cilësie ose ideje. Teksa studioni pikat vijuese, përsiatni se si emblemat e sakramentit mund t’ju kujtojnë Shpëtimtarin dhe atë që Ai ka bërë për ju:

  • Gjatë 40 viteve në shkretëtirë të Izraelit të lashtë, ata u mbështetën çdo ditë nga mana ose “bukë nga qielli” (Gjoni 6:31; shih edhe Psalmeve 78:24–25). Pasi foli për manën, Jezu Krishti shpalli: “Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli. … Kush ha këtë bukë do të jetojë përjetë” (Gjoni 6:51, 58).

  • Si pjesë e Shlyerjes së Tij, trupi i Jezu Krishtit u “vra’, cop’tua për ne” (“Jezus Nazareas, Shpëtimtar, Mbret”, Himne, nr. 103). Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, vërejti: “Për shkak se ajo është e copëtuar dhe e ndarë, çdo copë buke është e veçantë, ashtu siç janë të veçantë individët që e marrin atë” (“Important Aspects of Missionary Work Remain Unchanged, Says Elder Oaks”, Church News, 30 qershor 2017, ChurchofJesusChrist.org).

  • Vera u përdor në sakramentin e parë për të përfaqësuar gjakun e Jezu Krishtit. Ne pastrohemi nga gjaku i Tij (shih 1 Gjon 1:7). Sot ne përdorim ujë, i cili gjithashtu nënkupton pastrimin (shih Doktrina e Besëlidhje 27:2) dhe është thelbësor për jetën. Ndërkohë që ishte te pusi, Jezusi i tha një gruaje nga Samaria se uji që Ai na ofron është si “një burim uji që gufon në jetë të përjetshme” (Gjoni 4:14).

  • Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Figurativisht, ngrënia e mishit të [Krishtit] dhe pirja e gjakut të Tij ka një domethënie të mëtejshme, dhe kjo do të thotë që t’i përvetësojmë cilësitë dhe karakterin e Krishtit. … Kur e marrim bukën dhe ujin e sakramentit çdo javë, do të ishte mirë të merrnim në shqyrtim se sa plotësisht dhe tërësisht duhet ta përfshijmë karakterin e Tij dhe modelin e jetës së Tij të pamëkatë në vetë jetën dhe qenien tonë” (“Buka e Gjallë që Zbriti nga Qielli”, Liahona, nëntor 2017, f. 37).

Pamja
emblemat e sakramentit
Pamja
ikonë, shënoni

Shënojini Mendimet Tuaja

Shkruani përgjigjet për pyetjet vijuese: Çfarë ju bën përshtypje rreth kuptimeve simbolike të bukës dhe ujit? Çfarë dëshironi të kujtoni rreth Shpëtimtarit herën e ardhshme që do të merrni bukën dhe ujin gjatë sakramentit?

Pjesa 2

Në ç’mënyrë marrja e sakramentit më siguron të drejtë më të madhe për ta përdorur fuqinë e Zotit?

Gjatë shërbesës së Tij mes nefitëve dhe lamanitëve, Jezu Krishti u dha dishepujve të Tij autoritet dhe i urdhëroi t’ua administronin sakramentin anëtarëve të Kishës së Tij. Ai tha: “Këtë gjë ju do të përpiqeni ta bëni gjithmonë, … madje, ashtu si e copëtova unë bukën dhe e bekova dhe jua dhashë juve” (3 Nefi 18:6; shih edhe vargun 5). Mbledhja shpesh së bashku dhe marrja me denjësi e sakramentit është gjithashtu një urdhërim nga Zoti në kohën tonë (shih Doktrina e Besëlidhje 20:75; 59:9).

Pamja
Jezusi u administron sakramentin nefitëve
Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni vargjet te 3 Nefi 18:7, 10–12; 20:8–9 dhe kërkoni bekimet që Zoti u premton atyre që me besnikëri i binden urdhërimit të Tij për të administruar e për të marrë sakramentin.

Motra Sheril A. Esplin, ish‑këshilltare në Presidencën e Përgjithshme të Fillores, gjithashtu përshkroi bekimet që Zoti na ofron nëpërmjet sakramentit:

Pamja
Motra Sheril A. Esplin

“Sakramenti bëhet një përvojë forcuese shpirtërisht kur ne i dëgjojmë lutjet e sakramentit dhe rizotohemi ndaj besëlidhjeve tona. … Kur e marrim sakramentin, ne i dëshmojmë Perëndisë se ne do ta kujtojmë gjithmonë Birin e Tij, jo vetëm gjatë ordinancës së shkurtër të sakramentit. …

Sakramenti siguron një kohë për një përvojë vërtet shpirtërore teksa ne reflektojmë mbi fuqinë shëlbuese e ndihmuese të Shpëtimtarit nëpërmjet Shlyerjes së Tij. …

… Kur një mbajtës i priftërisë i zgjat duart e tij për të na ofruar emblemat e shenjta, është sikur Shpëtimtari Vetë po e zgjat krahun e Tij të mëshirës, duke e ftuar çdonjërin prej nesh që të marrë dhuratat e çmuara të dashurisë të bëra të mundura nëpërmjet sakrificës së Tij shlyese – dhuratat e pendimit, faljes, ngushëllimit dhe paqes.

Sa më shumë e përsiatim domethënien e sakramentit, aq më i shenjtë dhe kuptimplotë ai bëhet për ne.” (“Sakramenti – Një Përtëritje për Shpirtin”, Liahona, nëntor 2014, f. 12, 13)

Pamja
e re në moshë madhore duke marrë sakramentin
Pamja
ikonë, diskutoni

Diskutoni në Përgatitje për Orën Mësimore

Drejtojuni një miku, mikeje ose të afërmi të mirëbesuar që është shembull për besimin te Jezu Krishti. Pyeteni se çfarë ka bërë për ta rritur nderimin e tij ose të saj gjatë sakramentit ose kërkojini të tregojë se si përpiqet gjithmonë ta kujtojë Shpëtimtarin. Jini të përgatitur që t’i tregoni klasës suaj atë që mësoni.

Pjesa 3

Si mund ta di nëse jam vërtet i/e denjë për ta marrë sakramentin?

Apostulli Pal i nxiti anëtarët e Kishës që të “shqyrtoj[n]ë” veten e tyre (1 Korintasve 11:28) përpara se të marrin sakramentin. Më pas ai paralajmëroi: “Sepse ai që ha dhe pi padenjësisht, ha dhe pi një dënim për veten e tij, sepse nuk e dallon trupin e Zotit” (1 Korintasve 11:29; shih edhe vargjet 27–28; 3 Nefi 18:28–29). Dënim do të thotë që përparimi i dikujt kufizohet (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Dënoj, Dënim”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).

Plaku Xhon H. Groberg, ndërkohë që shërbente te Të Shtatëdhjetët, ofroi udhëzimin vijues për të vlerësuar denjësinë vetjake:

Pamja
Plaku Xhon H. Groberg

“Nëse dëshirojmë të përmirësohemi (që është të pendohemi) dhe nuk kemi ndonjë kufizim nga priftëria, atëherë, sipas mendimit tim, jemi të denjë. Megjithatë, nëse nuk kemi asnjë dëshirë të përmirësohemi, nëse nuk kemi asnjë synim për ta ndjekur udhërrëfimin e Shpirtit, ne duhet të pyetim: A jemi të denjë ta marrim apo po e kthejmë në një tallje qëllimin e vërtetë të sakramentit, që është të veprojë si një katalizator për pendimin dhe përmirësimin vetjak?” (“The Beauty and Importance of the Sacrament”, Ensign, maj 1989, f. 38)

Në materialin filmik “Sacrament Meeting” [“Mbledhja e Sakramentit”] (nga kodi kohor 06:40 në 07:30), Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ofron këshillë të rëndësishme lidhur me denjësinë për të marrë sakramentin.

Pamja
ikonë, veproni

Veproni

Ndërsa përgatiteni për të marrë sakramentin, merrni parasysh se çfarë mund të bëni që të përfitoni sa më shumë nga ajo përvojë e shenjtë. Ju mund ta filloni përgatitjen tuaj duke marrë në shqyrtim jetën tuaj. Nëse ndiheni të padenjë për ta marr sakramentin, caktoni një takim me peshkopin tuaj ose presidentin e degës suaj dhe tregojani atij shqetësimet tuaja.