Instituti
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 1: Pranimi i Ftesës së Shpëtimtarit për të Mësuar nga Ai


“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 1: Pranimi i Ftesës së Shpëtimtarit për të Mësuar nga Ai”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)

“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 1”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm

Pamja
Shpëtimtari i buzëqesh një gruaje në një turmë

Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 1

Pranimi i Ftesës së Shpëtimtarit për të Mësuar nga Ai

Mirësevini në manualin “Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm” (Feja 250)! Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve thanë për Shpëtimtarin: “Asnjë tjetër nuk ka pasur një ndikim kaq të thellë mbi të gjithë ata që kanë jetuar si dhe ata që do të jetojnë në tokë” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, ChurchofJesusChrist.org). Ky kurs do t’ju ofrojë mundësinë e shenjtë për të mësuar më shumë për Jezu Krishtin në mënyrë që ta shtoni ndikimin e Tij në jetën tuaj.

Materiali i përgatitjes në këtë kurs është hartuar për t’ju ndihmuar të afroheni më shumë me Shpëtimtarin duke e zgjeruar studimin tuaj vetjak dhe duke ju përgatitur të zhvilloni diskutime lartësuese me të tjerët. Ai përfshin shkrime të shenjta domethënëse, thënie mbështetëse nga udhëheqësit e Kishës, materiale filmike që lidhen me to, dhe ftesa për të përsiatur dhe për ta vënë në jetë atë që mësoni. Çdo mësim ka një pjesë fakultative “Doni më Shumë?” që përfshin burime shtesë që mund t’ju ndihmojnë të mësoni më tepër rreth Jezu Krishtit dhe ta forconi besimin tuaj tek Ai.

Pjesa 1

Si mund të ma ndryshojë jetën të mësuarit për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij të përjetshëm?

Imagjinoni sikur të jetonit në Palestinë gjatë kohës së shërbesës së Zotit. Ju keni dëgjuar shumë gjëra të mahnitshme rreth një mësuesi të quajtur Jezusi nga Nazareti dhe keni një dëshirë të fortë të shkoni e ta dëgjoni Atë vetë. Ditën që e gjeni Atë, Jezusi po i jep mësim një grupi të madh njerëzish. Ai shpall madhështinë e Gjon Pagëzorit dhe i qorton njerëzit për mosbesimin e tyre (shih Mateu 11:7–24). Ai më pas bën një ftesë që ka potencialin ta ndryshojë jetën.

Pamja
Jezusi duke u dhënë mësim dishepujve të Tij
Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Mateu 11:28–30 dhe përsiatni se si pranimi i kësaj ftese e ka ndryshuar ose mund ta ndryshojë jetën tuaj.

Jezu Krishti na ka drejtuar një ftesë të ngjashme në kohën tonë. Pasi dëshmoi për çmimin e papërfytyrueshëm që Ai pagoi që të shlyente për mëkatet tona në mënyrë që të mund të pendoheshim, Shpëtimtari tha: “Mëso nga unë dhe dëgjoji fjalët e mia; ec në butësinë e Shpirtit tim dhe ti do të kesh paqe në mua” (Doktrina e Besëlidhje 19:23).

Pamja
Come unto Me [Ejani tek Unë], nga Eva Timothy

Duke iu referuar kësaj ftese, Plaku Kim B. Klark, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim:

Pamja
Plaku Kim B. Klark

“Ftesa e Shpëtimtarit për të ‘mësuar nga [Ai]’ ka dy kuptime të ndërlidhura që përputhen në një mënyrë të këndshme me mënyrën e Zotit për të mësuar thellësisht.

Kuptimi i parë i fjalisë ‘mëso nga unë’ është: Mësoni të më njihni mua.

… Ta njohësh Atë është të jesh shpirtërisht i lindur prej Tij, duke përjetuar një ndryshim të fuqishëm të zemrës, duke u bërë bij dhe bija të Tij. …

Kuptimi i dytë i fjalisë ‘mëso nga unë’ është: Mëso prej meje.

… Ndërsa zhytemi në shkrimet e shenjta, ne mësojmë nga shembulli i Tij i përkryer. … Ne duhet të veprojmë me besim në Jezu Krishtin për të bërë pjesën tonë, por, ndërsa e bëjmë, Ai na premton ta rritë aftësinë tonë për veprim të drejtë dhe të na ndihmojë të bëhemi më shumë si Ai.” (“Mëso nga Unë” [fjalim drejtuar mësuesve fetarë të SAK-ut, 26 janar 2018], ChurchofJesusChrist.org; theksimi i shtuar.)

Një mënyrë jetike për të mësuar nga Shpëtimtari, është ta studiojmë dhe jetojmë ungjillin e Tij të përjetshëm. “Fjala ungjill do të thotë ‘lajm i mirë’” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Ungjijtë”). Pra, cili është lajmi i mirë i ungjillit?

Pranë fundit të shërbesës së Tij te lamanitët dhe nefitët në vendin Begati, Shpëtimtari e shpjegoi me terma të thjeshtë e të qartë domethënien dhe qëllimin e ungjillit të Tij.

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te 3 Nefi 27:13–16, 20–21 dhe kërkoni arsyet pse ungjilli është një lajm i mirë.

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“‘Lajmi i mirë’ ishte se vdekjes dhe ferrit mund t’u shpëtohej, se gabimet dhe mëkatet mund të kapërceheshin, se kishte shpresë, se kishte ndihmë, se e pazgjidhshmja qe zgjidhur, se armiku qe mposhtur. Lajmi i mirë ishte se varri i çdo njeriu mund të ishte i zbrazët një ditë, që shpirti i çdo njeriu mund të ishte i pastër sërish, që çdo fëmijë i Perëndisë mund të kthehej sërish tek Ati i cili u dha atyre jetën.” (“Missionary Work and the Atonement”, Ensign, mars 2001, f. 8–10)

Pamja
ikonë, shënoni

Shënojini Mendimet Tuaja

Mendoni rreth të kuptuarit dhe dëshmisë suaj aktuale për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Çfarë synimesh do të donit të caktonit që të mësoni më shumë rreth Tij dhe ungjillit të Tij? Çfarë do të bëni për ta shtuar ndikimin e Tij në jetën tuaj? Merreni parasysh t’i shkruani synimet tuaja dhe t’i shqyrtoni rregullisht ato në javët e ardhshme.

Pjesa 2

Si mund ta rrit aftësinë time për të mësuar nga Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij i përjetshëm?

Ne jetojmë në një botë të ndikuar tej mase nga njohuria laike. Njohuria laike përqendrohet te çështjet e botës që nuk konsiderohen fetare ose shpirtërore. Për shembull, të mësuarit shkencor prodhon njohuri laike. Kjo njohuri është e rëndësishme dhe ka çuar në zhvillime mbresëlënëse në teknologji, mjekësi, bujqësi, transport dhe komunikim. Bashkë me këtë të mësuar laik ka edhe një mënyrë më të thellë, shpirtërore për ta mësuar të vërtetën.

Plaku Pol V. Xhonson, i Të Shtatëdhjetëve, e bëri dallimin midis të mësuarit shpirtëror dhe shkencor në këtë mënyrë:

Pamja
Plaku Pol V. Xhonson

“Të mësuarit e gjërave shpirtërore … kërkon një metodë të ndryshme nga të mësuarit e gjërave shkencore. Metoda dhe intelekti shkencor janë shumë të dobishme, por vetëm këto nuk do të sjellin kurrë njohuri shpirtërore. Të mësuarit e gjërave shpirtërore përfshin intelektin, por nuk është i mjaftueshëm. Ne i mësojmë gjërat shpirtërore vetëm me anë të Shpirtit.” (“A Pattern for Learning Spiritual Things” [“Një Model për të Mësuarit e Gjërave Shpirtërore”] [transmetim satelitor për Seminaret dhe Institutet e Fesë, 7 gusht 2012], ChurchofJesusChrist.org)

Pamja
e re në moshë madhore duke lexuar

Duke folur për të mësuarit shpirtëror, Zoti i zbuloi Profetit Jozef Smith se “ngaqë jo të gjithë kanë besim, kërkoni me zell dhe i mësoni njëri-tjetrit fjalë urtësie; po, kërkoni nga librat më të mirë fjalët e urtësisë; kërkoni të mësoni, madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (Doktrina e Besëlidhje 88:118).

Shumica prej nesh e dinë se si të mësojnë me anë të studimit. Por si të mësojmë me anë të besimit? Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi:

Pamja
Presidenti Rasëll M. Nelson

“Ne e forcojmë besimin tonë në Jezu Krisht ndërsa përpiqemi fort t’i zbatojmë urdhërimet e Tij dhe ‘gjithmonë [e] kujtoj[m]ë atë’ [Moroni 4:3]. Për më tepër, besimi ynë rritet çdo herë që ushtrojmë besimin tonë në Të. Kjo është domethënia e të mësuarit me anë të besimit.

Për shembull, kurdo që kemi besimin të jemi të bindur ndaj ligjeve të Perëndisë – edhe kur opinionet e përhapura na nënçmojnë – ose sa herë i rezistojmë argëtimit ose ideologjive që përlëvdojnë shkeljen e besëlidhjeve, ne po ushtrojmë besimin tonë, i cili nga ana tjetër e rrit besimin tonë.

Për më tepër, pak gjëra e ndërtojnë besimin më shumë se zhytja e rregullt në Librin e Mormonit. Asnjë libër tjetër nuk dëshmon me aq fuqi dhe qartësi për Jezu Krishtin. …

Natyrisht, siguria jonë përfundimtare vjen kur e vëmë veten në zgjedhë tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Jeta pa Perëndinë është një jetë e mbushur me frikë. Jeta me Perëndinë është një jetë e mbushur me paqe. Është e tillë sepse bekimet shpirtërore vijnë te besnikët. Marrja e zbulesës vetjake është një nga më të mëdhatë e këtyre bekimeve.” (“Përqafojeni të Ardhmen me Besim”, Liahona, nëntor 2020, f. 75)

Pamja
ikonë, shënoni

Shënojini Mendimet Tuaja

Mendoni për njerëz në shkrimet e shenjta ose njerëz që i njihni, të cilët janë shembuj për parimin e të mësuarit me anë të besimit. Renditni disa shembuj që të jeni të përgatitur t’i thoni në orën mësimore. Mund të shënoni edhe ato që keni mësuar me anë të ushtrimit të besimit te Krishti.