Instituti
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 22: Pjesëmarrja me Jezu Krishtin në Rivendosjen e Vazhdueshme


“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 22: Pjesëmarrja me Jezu Krishtin në Rivendosjen e Vazhdueshme”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)

“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 22”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm

Pamja
grup djemsh jashtë një tempulli

Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 22

Pjesëmarrja me Jezu Krishtin në Rivendosjen e Vazhdueshme

A e keni marrë parasysh ndonjëherë se përse Ati Qiellor ju dërgoi në tokë në këtë kohë? Presidenti Diter F. Uhtdorf, në atë kohë këshilltar në Presidencën e Parë, dha mësim se Rivendosja vazhdon në kohën tonë dhe se ne jetojmë në “një nga periudhat më mbresëlënëse të historisë së botës!” (“A Po Flini Gjatë Rivendosjes?”, Liahona, maj 2014, f. 59). Shpëtimtari vazhdon ta udhëheqë aktivisht Kishën e Tij dhe të punojë për shpëtimin e çdo njeriu në tokë. Teksa e studioni këtë mësim, merreni parasysh se si mund të bashkoheni me Të në punën e Tij të madhërishme.

Pjesa 1

Cili është roli im në Rivendosjen e vazhdueshme?

Nëpërmjet Profetit Jozef Smith, Zoti e rivendosi ungjillin e Tij dhe e themeloi sërish “kishë[n e Tij] të vërtetë dhe të gjallë” në tokë (Doktrina e Besëlidhje 1:30). Plaku LeGrand R. Kurtis i Riu, i Të Shtatëdhjetëve, tha:

Pamja
Plaku LeGrand R. Kurtis i Riu

“Sado të mrekullueshme janë gjërat që Perëndia i zbuloi nëpërmjet Jozef Smithit, Rivendosja nuk përfundoi gjatë jetës së Jozefit. Nëpërmjet profetëve pas tij, ne kemi marrë gjëra të tilla si: zhvillimi i vazhdueshëm i punës në tempull; shkrime të shenjta shtesë; përkthimi i shkrimeve të shenjta në shumë gjuhë; çuarja e ungjillit anembanë botës; [dhe] organizimi i Shkollës të së Dielës, Të Rejave, Fillores dhe kuorumeve të priftërisë. …

‘Ne jemi dëshmitarë të një procesi rivendosjeje’, ka thënë Presidenti Rasëll M. Nelson. ‘Nëse mendoni se Kisha është rivendosur plotësisht, ju po shihni vetëm fillimin. Shumë më tepër gjëra do të vijnë.’” (“Rivendosja e Vazhdueshme”, Liahona, prill 2020, f. 19)

Pamja
misionarë duke u lutur me një burrë e një grua

Teksa Zoti vazhdon ta shpalosë punën e Tij, është e rëndësishme për secilin prej nesh që të marrim parasysh se si mund të marrin pjesë. Presidenti Uhtdorf tha:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Kur koha jonë në vdekshmëri të përfundojë, për cilat përvoja do të jemi vërtet në gjendje të tregojmë rreth vetë ndihmesës sonë në këtë periudhë domethënëse të jetës sonë dhe në çuarjen më tej të punës së Zotit? …

Ka shumë që vihet në rrezik për ne si individë, si familje dhe si Kisha e Krishtit po t’i japim vetëm një shërbim me gjysmë zemër kësaj pune të shenjtë.

Të qenit një dishepull i Jezu Krishtit nuk është një përpjekje që bëhet një herë në javë ose një herë në ditë. …

Le të jemi të zgjuar dhe të mos lodhemi duke bërë mirë, sepse ne ‘po ngremë themelin e një vepre të madhe’ [Doktrina e Besëlidhje 64:33], madje po përgatitemi për kthimin e Shpëtimtarit.” (“A Po Flini Gjatë Rivendosjes?”, Liahona, maj 2014, f. 59, 61, 62)

Pamja
ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Mendoni për mësime të kohëve të fundit nga udhëheqës të Kishës, përshtatje në rregulloren e Kishës ose njoftime të përgjithshme për Kishën që janë pjesë e Rivendosjes së vazhdueshme. Merrni parasysh gjëra që u dhanë mësim në konferencën e përgjithshme, që u publikuan në faqen në internet të Kishës (ChurchofJesusChrist.org) ose u lajmëruan në Church’s Newsroom [Redaksinë e Kishës] (newsroom.ChurchofJesusChrist.org). Çfarë domethënie mund të kenë këto mësime ose përshtatje për ju?

Pjesa 2

Si mund të marr pjesë në Rivendosjen e vazhdueshme?

Presidenti Nelson dha mësim që një mënyrë se si mund të marrim pjesë në Rivendosjen e vazhdueshme është duke ndihmuar për ta mbledhur Izraelin. Ai shpalli:

Pamja
Presidenti Rasëll M. Nelson

“Ajo mbledhje është gjëja më e rëndësishme që po ndodh në tokë sot. Asgjë tjetër nuk krahasohet për nga madhësia, asgjë tjetër nuk krahasohet për nga rëndësia, asgjë tjetër nuk krahasohet për nga madhështia. …

… A do t’ju pëlqente të ishit një pjesë e madhe e sfidës më të madhe, kauzës më të madhe dhe punës më të madhe në tokë sot?

A do t’ju pëlqente të ndihmonit që Izraeli të mblidhet gjatë këtyre ditëve të çmuara të mëvonshme? A do të jeni ju, që jeni të zgjedhurit, të gatshëm për të ndihmuar të gjenden të zgjedhurit që nuk e kanë dëgjuar mesazhin e ungjillit të rivendosur?” (Rasëll M. Nelson dhe Uendi W. Nelson, “Shpresa e Izraelit” [takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018], material shtesë për revistat New Era dhe Ensign, f. 8, ChurchofJesusChrist.org)

Mbledhja e Izraelit është me rëndësi të madhe ngaqë i bën besëlidhjet dhe bekimet e premtuara pasardhësve të Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, të mundshme për të gjithë njerëzit (shih Zanafilla 26:3–4; 35:11–12; Abraham 2:8–11).

Në lashtësi, shtëpia e Izraelit, populli i besëlidhjes së Perëndisë, i shkeli besëlidhjet e tyre dhe e mohoi Zotin. Ata u shpërndanë “mes të gjitha kombeve” (1 Nefi 22:3; shih edhe vargjet 4–5). Megjithatë, profetët parashikuan se në ditët e fundit Zoti do të bënte një “punë të mrekullueshme” (1 Nefi 22:8) si mes Izraelit ashtu edhe të gjitha kombeve të tokës. Ai do ta mbledhë Izraelin e shpërndarë dhe do t’i bëjë të njohura besëlidhjet e Tij (shih 1 Nefi 15:12–16; 22:8–10).

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni vargjet te 1 Nefi 22:11–12 dhe kërkoni se si mbledhja e Izraelit mund t’i bekojë të gjithë njerëzit.

Presidenti Nelson gjithashtu tha këtë gjë për mbledhjen e Izraelit:

Pamja
Presidenti Rasëll M. Nelson

“Mbledhja e Izraelit nuk është një fazë përfundimtare. Është veçse fillimi. Përfundimi, të cilin e kemi si synim, përfshin ordinancat e dhurimit dhe të vulosjes në tempull. Ai përfshin hyrjen nga ana jonë në një marrëdhënie besëlidhëse me Perëndinë qoftë nëpërmjet linjës së prejardhjes ose birësimit dhe më pas të jetuarit me Të dhe familjet tona përgjithmonë. Kjo është lavdia e Perëndisë – jeta e përjetshme për fëmijët e Tij.” (“The Book of Mormon, the Gathering of Israel, and the Second Coming”, Ensign, korrik 2014, f. 31)

Pamja
të reja në moshë madhore përpara një tempulli

Teksa mendoni rreth shtrirjes së mbledhjes së Izraelit, ju mund të pyetni veten se çfarë mund të bëni që të merrni pjesë. Presidenti Nelson shpjegoi: “Në çfarëdo kohe që bëjmë çfarëdo gjëje që e ndihmon cilindo – në çdonjërën anë të velit – që të bëjë dhe të mbajë besëlidhjet e veta me Perëndinë, ne po ndihmojmë për ta mbledhur Izraelin” (“Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Liahona, nëntor 2020, f. 93).

Presidentja Boni H. Kordën, e Presidencës së Përgjithshme të Të Rejave, dha mësim se si mund ta zbuloni rolin tuaj në mbledhjen e Izraelit:

Pamja
Presidentja Boni H. Kordën

“Plot lutje kërkojini Atit Qiellor se çfarë mund të bëni për të qenë pjesë e kësaj mbledhjeje, të sjelljes së të tjerëve te Krishti. Shkruajini mbresat tuaja dhe më pas kini guxim dhe veproni sipas tyre! Mundësitë janë po aq të larmishme sa jemi ne. Jam mirënjohëse për një profet që po i drejton sfidë secilit prej nesh që të ngrihet në një nivel më të lartë.” (Facebook, 3 qershor 2018, facebook.com/YWPresident)

Pamja
ikonë, shënoni

Shënojini Mendimet Tuaja

Me lutje merrni parasysh një ose dy mënyra se si mund të ndihmoni në mbledhjen e Izraelit. Bëni dhe mbani shënim një plan që të veproni sipas mbresave tuaja. Mund të shihni edhe materialin filmik “Revelation Continues” [“Zbulesa Vazhdon”] (00:53).

Pjesa 3

A mund të sjell unë vërtet një ndryshim?

Me raste mund të mos ndiheni në nivelin e duhur teksa përpiqeni fort të bëni punën e Zotit. Kur ndiheni në këtë mënyrë, është e rëndësishme të mbani mend se ju nuk jeni kurrë vetëm në bërjen e punës së Tij.

Në alegorinë e pemëve të ullirit, profeti Zenos e krahasoi vreshtin me botën. Shtëpia e Izraelit përfaqësohet nga një pemë e butë ulliri dhe johebrenjtë përfaqësohen nga pemë të egra ulliri. Teksa historia i afrohet fundit, Zoti i vreshtit, Jezu Krishti, bën gjithçka në fuqinë e Tij për t’i ndihmuar të gjitha pemët që të bëhen frytdhënëse (shih Jakobi [LiM] 5:47).

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni me kujdes vargjet te Jakobi [LiM] 5:70–72 dhe kërkoni për marrëdhënien midis Zotit dhe shërbëtorëve të Tij teksa punojnë në vresht.

Mendoni rreth asaj se çfarë do të thotë të punosh me Zotin. Shpëtimtari u tha shenjtorëve në ditët e mëvonshme: “Dhe kushdo që ju pranon ju, atje do të jem unë gjithashtu, sepse unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart” (Doktrina e Besëlidhje 84:88).

Pamja
duart e Shpëtimtarit

Plaku Kim B. Klark, ndërsa shërbente si anëtar i Të Shtatëdhjetëve, tha lidhur me përkrahjen e Shpëtimtarit:

Pamja
Plaku Kim B. Klark

“Ju lutem, mbajini mend këto fjalë të Shpëtimtarit: ‘Unë nuk jam vetëm, sepse Ati është me mua’ [Gjoni 16:32]. Kështu është edhe për ne. Nuk jemi vetëm. Zoti Jezu Krisht dhe Ati ynë Qiellor na duan dhe Ata janë me ne. Ngaqë Jezusi pa tek Ati i Tij dhe e përmbushi flijimin e madhërishëm shlyes, ne mund të shohim te Jezu Krishti me sigurinë se Ai do të na ndihmojë.” (“Shihni te Jezu Krishti”, Liahona, maj 2019, f. 56)

Pamja
ikonë, diskutoni

Diskutoni në Përgatitje për Orën Mësimore

Mendoni për një rast kur e keni ndier se Zoti ju ndihmoi ndërsa po bënit punën e Tij. Merreni parasysh t’i kërkoni një pjesëtari të familjes ose një miku/eje që të tregojë një shembull nga jeta e vet. Ejani në klasë gati për të treguar.