Instituti
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 10: Ndjekja e Shembullit të Jezu Krishtit për Nënshtrimin


“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 10: Ndjekja e Shembullit të Jezu Krishtit për Nënshtrimin”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)

“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 10”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm

Pamja
i ri duke u lutur

Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 10

Ndjekja e Shembullit të Jezu Krishtit për Nënshtrimin

A mund të mendoni për njerëz në jetën tuaj që janë “[të] nënshtruar, [të] bindur, [të] përulur, [të] duruar, plot me dashuri, [të] gatshëm t’u nënshtrohe[n] të gjitha gjërave që Zoti i sheh të përshtatshme të shkaktojë mbi [ta], madje sikurse një fëmijë i nënshtrohet atit të tij [ose saj]”? (Mosia 3:19.) Këto tipare të ngjashme me të Krishtit janë të arritshme nga cilindo prej nesh që i synon ato. Shpëtimtari është shembulli i përsosur i nënshtrimit ndaj vullnetit të Atit Qiellor. Teksa studioni, merreni parasysh kuptimin e thënies vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson: “Burrat dhe gratë që e drejtojnë jetën e tyre tek Perëndia, do të zbulojnë se Ai mund të bëjë shumë më tepër me jetën e tyre sesa mund të bëjnë ata vetë” (“Jesus Christ – Gifts and Expectations”, Ensign, dhjetor 1988, f. 4).

Pjesa 1

Si mund të më fuqizojnë përulësia dhe zemërbutësia?

Disa njerëz ndiejnë që përulësia është shenjë dobësie. Ata mund të mendojnë se njerëzit e përulur janë të frikësuar dhe të ndrojtur. Dhe prapëseprapë, këto fjalë nuk e përshkruajnë Jezu Krishtin, i cili është shembulli i përsosur i përulësisë dhe zemërbutësisë.

Merrini parasysh disa shembuj të forcës, guximit dhe trimërisë së Shpëtimtarit: Ai plot vetëbesim shpalli identitetin e Tij të vërtetë, edhe kur kjo gjë ia vuri në rrezik jetën (shih Gjoni 8:54–59); Ai e pastroi trimërisht tempullin kur po e përdhosnin (shih Mateu 21:12–13; Gjoni 2:14–17); Ai i mbrojti me guxim të shtypurit (shih Gjoni 8:1–11; Marku 2:14–17) dhe Ai qe i patrembur përballë akuzave dhe kritikës (shih Mateu 16:1–12; Lluka 20:19–26).

Pamja
Jezusi merret në pyetje nga udhëheqësit fetarë

Si mund të çojë përulësia në fuqi dhe forcë më të madhe vetjake? Ne mësojmë se “të jesh i përulur është të pranojmë me mirënjohje varësinë tonë nga Zoti – të kuptojmë se kemi nevojë të vazhdueshme për përkrahjen e Tij. …

… Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, [Jezu Krishti] gjithnjë e pranoi që forca e Tij vinte për shkak të varësisë së Tij nga Ati i Tij. Ai tha: ‘Unë s’mund të bëj asgjë nga vetja ime. … Nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar’ (Gjoni 5:30)” (Gospel Topics, “Humility”, topics.ChurchofJesusChrist.org).

Nënshtrimi i përulur i Shpëtimtarit ndaj vullnetit të Atit të Tij është i lidhur gjithashtu me zemërbutësinë e Tij (shih Mateu 11:29). Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Zemërbutësia është një tipar përcaktues i Shëlbuesit dhe vihet në dukje prej aftësisë për t’u përgjigjur me drejtësi, për t’u nënshtruar me gatishmëri dhe për t’u vetëpërmbajtur me fuqi. …

Shëlbuesi i Madh, i cili ‘zbriti nën gjithçka’ [Doktrina e Besëlidhje 88:6] dhe vuajti, u gjakos dhe vdiq që ‘të na pastrojë nga çdo paudhësi’ [1 Gjon 1:9], me dhembshuri i lau këmbët e pluhurosura të dishepujve të Tij [Gjoni 13:4–5]. Një zemërbutësi e tillë është një karakteristikë dalluese e Zotit, si shërbëtor dhe udhëheqës.

Jezusi jep shembullin më të lartë të aftësisë për t’u përgjigjur me drejtësi dhe aftësisë për t’u nënshtruar me gatishmëri, teksa vuajti agoninë rënduese në Gjetseman.

Kur arriti në vend, u tha [dishepujve të Tij]: ‘Lutuni që të mos hyni në tundim’.

Dhe … ra në gjunjë dhe lutej, duke thënë:

‘O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti’ [Lluka 22:40–42].

Zemërbutësia e Shpëtimtarit në këtë përvojë përjetësisht thelbësore dhe stërmunduese tregon për secilin prej nesh rëndësinë që ka vënia e urtësisë së Perëndisë përpara vetë urtësisë sonë.” (“Zemërbutë dhe të Përulur nga Zemra”, Liahona, maj 2018, f. 32–33)

Pamja
Prayer at Gethsemane [Lutje në Gjetseman], nga Del Parson
Pamja
ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Si është bekuar jeta juaj për shkak se Jezu Krishti “plotës[oi] vullnetin e Atit në të gjitha gjërat që nga fillimi” me zemërbutësi? (3 Nefi 11:11.) Si mund të jeni më të nënshtruar ndaj vullnetit të Perëndisë?

Pjesa 2

Si mund të më ndihmojë bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve për të bërë vullnetin e Perëndisë?

Teksa reflektoni për jetën tuaj, mund të pyetni veten se si mund të jeni vallë të përulur dhe zemërbutë si Shpëtimtari. Fatmirësisht, Jezu Krishti na tregoi si t’ia nënshtrojmë vullnetin tonë Perëndisë.

Në fillim të shërbesës së Tij, Jezusi shkoi te Gjon Pagëzori për të marrë ordinancën e pagëzimit. Fillimisht Gjoni ngurroi dhe tha: “Mua më duhet të pagëzohem prej teje dhe ti po vjen tek unë?” Jezusi i tha Gjonit që ishte e përshtatshme në mënyrë që ata të mund të “përmbush[nin] çdo drejtësi” (shih Mateu 3:13–17). Merreni parasysh të shihni materialin filmik “The Baptism of Jesus” [“Pagëzimi i Jezusit”] (02:54) për ta zgjeruar studimin tuaj për këtë ndodhi.

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te 2 Nefi 31:6–7, 11–13 për të mësuar atë që tha Nefi rreth shembullit të Shpëtimtarit për përulësinë. Kërkoni hapa praktikë që mund t’i hidhni për t’iu nënshtruar me përulësi vullnetit të Perëndisë.

Pamja
Baptism II [Pagëzimi II], nga J. Kirk Richards

Nënshtrimi ndaj ordinancës së pagëzimit na vendos në shtegun e besëlidhjeve. Kur ecim në këtë shteg, ne përpiqemi fort që t’i zbatojmë urdhërimet dhe në këtë mënyrë t’i nënshtrohemi vullnetit të Perëndisë. Presidenti Rasëll M. Nelson tha këtë rreth shtegut të besëlidhjeve:

Pamja
Presidenti Rasëll M. Nelson

“Zotimi juaj për ta ndjekur Shpëtimtarin nëpërmjet bërjes së besëlidhjeve me Të dhe më pas nëpërmjet mbajtjes së atyre besëlidhjeve, do ta hapë derën drejt çdo bekimi dhe privilegji shpirtëror në dispozicion të burrave, grave dhe fëmijëve kudo”. (“Teksa Ecim Përpara së Bashku”, Liahona, prill 2018, f. 6–7)

Pamja
ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Si është bekuar ose si mund të bekohet jeta juaj nëpërmjet nënshtrimit ndaj vullnetit të Zotit me anë të bërjes dhe mbajtjes së besëlidhjeve të ungjillit?

Pjesa 3

Çfarë mund të bëj për ta lejuar Perëndinë të triumfojë në jetën time?

Në shkrimet e shenjta dhe ditën e sotme, popullit të besëlidhjes së Zotit shpesh i referohen si shtëpia e Izraelit. Presidenti Nelson dha mësim:

Pamja
Presidenti Rasëll M. Nelson

“Njëri prej kuptimeve në hebraisht të fjalës Izrael është ‘lejojeni Perëndinë të triumfojë’. Pra, vetë emri i Izraelit i referohet një njeriu që është i gatshëm ta lejojë Perëndinë të triumfojë në jetën e tij ose të saj. Ky koncept ma gufon shpirtin!

Fjala i gatshëm është vendimtare për këtë interpretim të fjalës Izrael. Ne të gjithë kemi lirinë tonë të zgjedhjes. … Ne mund të zgjedhim që ta lejojmë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë ose jo. Ne mund të zgjedhim që ta lejojmë Perëndinë të jetë ndikimi më i fuqishëm në jetën tonë ose jo. …

A jeni ju të gatshëm ta lejoni Perëndinë të jetë ndikimi më i rëndësishëm në jetën tuaj? A do t’i lejoni fjalët e Tij, urdhërimet e Tij dhe besëlidhjet e Tij që të ndikojnë tek ajo që bëni çdo ditë? A do ta lejoni zërin e Tij të ketë përparësi mbi çdo zë tjetër? A jeni të gatshëm ta lejoni çfarëdo gjëje që Ai ka nevojë që ju të bëni, që të ketë përparësi mbi çdo ambicie tjetër? A jeni të gatshëm që vullneti juaj të shkrihet me të Tijin?” (“Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Liahona, nëntor 2020, f. 92, 94)

Pamja
e re në moshë madhore duke u lutur

Nga shkrimet e shenjta dhe jeta e dishepujve të kohëve të sotme mund të mësojmë për mundësitë, sfidat dhe bekimet që vijnë kur zgjedhim ta lejojmë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë.

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Eksploroni një ose më shumë nga shembujt vijues të individëve që e lejuan Perëndinë të triumfonte dhe përsiatini pyetjet që vijojnë:

Teksa mendoni rreth përpjekjeve tuaja për ta lejuar Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj, merreni parasysh dëshminë vijuese të Presidentes Boni L. Oskarson, ish-Presidente e Përgjithshme e Të Rejave:

Pamja
Presidentja Boni L. Oskarson

“Unë dëshmoj se ka bekime të mëdha në ruajtje kur jemi gjithashtu të gatshme t’i themi Atit: ‘Vullneti yt u bëftë, O Zot’ [shih Doktrina e Besëlidhje 109:44] dhe e përputhim vullnetin tonë me vullnetin e Zotit. … Kjo është prova e jetës. Ndërsa përmirësohemi në bërjen e kësaj, do të gjejmë lumturi më të madhe, aftësi më të madhe për të marrë zbulesë vetjake, kapacitet më të madh për t’u shërbyer njerëzve përreth nesh, më shumë ndihmë për t’i kaluar sprovat dhe një karakter më të ngjashëm me të Krishtit.” (“Leaders Address Importance of Conversion at BYU Women’s Conference”, 9 maj 2017, ChurchofJesusChrist.org)

Pamja
ikonë, shënoni

Shënojini Mendimet Tuaja

Cila është diçka që ndieni se duhet të filloni ta bëni ose të ndaloni së bëri për ta lejuar Perëndinë të triumfojë më plotësisht në jetën tuaj? Si mund ta ftoni ndihmën e Zotit teksa i nënshtroheni më plotësisht vullnetit të Tij?