Mbështetjate Vetja
Burimet


Pamja
ikona e burimeve
Burimet

Thjeshtojeni Punën

Le të dëgjojmë një punëdhënës që përshkruan disa pika kyç për të qenë një punonjës i shkëlqyer.

“Unë punësoj njerëz çdo vit dhe i vëzhgoj ata ose të rriten profesionalisht në vendin e punës ose ta lënë vendin e punës për një tjetër. Më lejoni t’ju tregoj gjërat bazë që presim nga punonjësit tanë. Së pari, ata duhet të jenë të besueshëm. Së dyti, ata duhet të jenë në gjendje të punojnë efektshëm me njëri‑tjetrin. Dhe së treti, ne duam që ata të japin ndihmesë. Thjesht bërja e këtyre tri gjërave sjell një ndryshim të madh në suksesin e tyre me ne. Më lejoni të tregoj një përvojë si shembull.

Kohët e fundit, ne punësuam dy vetë që të punonin këtu. Pozicionet e tyre ishin njëlloj. Ata filluan afërsisht në të njëjtën kohë. E para ka qenë e shkëlqyer. Ajo nuk vjen kurrë me vonesë në punë, rrallë telefonon se është e sëmurë dhe është e zonja në punën e vet. Nuk ka nevojë që të tjerët të bëjnë punën e saj. Ajo përshtatet mirë dhe shkon mirë me të tjerët. Për më tepër, ajo gjithashtu bën një punë të shkëlqyer. Jo vetëm që e bën punën, por kërkon të bëjë më shumë. Ka qenë këtu prej disa muajsh dhe tashmë po shohim për ngritje të mundshme në përgjegjësi ose në pagesë.

Personi i dytë nuk po shkon mirë. Ai vjen shpesh vonë dhe gjithmonë ka një justifikim, nga një fëmijë i sëmurë deri tek i iku autobusi. Ai nuk duket se mund t’ia dalë dhe të tjerët duhet ta kryejnë punën e pabërë prej tij. Kam vënë re edhe se ai është shqetësues kur është këtu. Ai nuk duket se mund ta kalojë javën pa u futur në ndonjë lloj mosmarrëveshjeje. Punonjësit e mi kanë ardhur për t’u ankuar për gjëra që ai ka thënë apo bërë. Vërtet nuk dua të merrem me gjëra të tilla në punë. Unë dua vetëm që ai të mund të shkojë më mirë me të tjerët ose të sillet më mirë në punë. Së fundi, ai thjesht nuk është aq i mirë në punën e vet. Po plotëson minimumin e pritshmërive, por nuk do të thosha se po marrim ndonjë lloj përfitimi ngaqë e morëm në punë. Unë po planifikoj ta heq nga puna.

Mbajtja e një vendi pune është e thjeshtë. Jini të besueshëm, jini të lehtë për bashkëpunim dhe bëni punë të mirë. Nëse mund t’i bëni ato gjëra, ju ndoshta gjithmonë do të keni vend pune dhe më shumë mundësi kur keni nevojë për to.”

Kthehuni te faqja 175.

Rritja në Përgjegjësi

Anxhela tregon çfarë po bën për t’u rritur në punë.

“Unë punova fort për të pasur vendin e punës që kam, dhe mendoj se kjo më bën ta vlerësoj atë. Është një vend pune i shkëlqyer që më pëlqen dhe që siguron për familjen time. Unë kam plane të ngrihem në përgjegjësi, por gjithashtu dua të bëj një punë të mirë pikërisht tani. Prandaj jam duke i përdorur aftësitë e mia për kërkim vendi pune që të rritem në përgjegjësi këtu në punë. Dijenia se ka gjithmonë më shumë për të mësuar, më motivon dhe plotësimi i punëve të mia të përditshme më mban në përparim drejt synimeve afatgjata. Çdo ditë dua të jem më e mirë.

Gjithnjë po kërkoj se si mund të bëj një punë më të mirë. Gjeta disa burime që vërtet kanë ndihmuar, përfshirë disa libra. Por njerëzit kanë qenë burimi im më i mirë. Disa nga kolegët e mi më me përvojë dhe menaxherë të tjerë kanë qenë shumë të gatshëm të më ndihmojnë. Gjithçka duhet të bëni, është të pyetni dhe shumica e njerëzve janë të gëzuar t’ju ndihmojnë të bëheni më mirë. Dhe kjo ju bën të doni t’i tejkaloni pritshmëritë e tyre.

Unë gjithashtu po vazhdoj të krijoj rrjetin. Shumë nga pozicionet që ka kompania ime, mbushen nëpërmjet ngritjeve në përgjegjësi. Unë kam vazhduar të bëj intervista informuese me njerëz të tjerë këtu për të mësuar më shumë rreth roleve të tyre dhe për të kërkuar këshillën e tyre. Kjo më ka ndihmuar të krijoj disa lidhje të shkëlqyera dhe të mësoj gjëra që përndryshe nuk do t’i kisha ditur. E di se ka një mundësi më të mirë që njerëzit do të mendojnë për mua kur të hapen vende pune, për dy arsye: e para, unë jam punonjëse e mirë, dhe e dyta, ata më njohin dhe më mirëbesojnë mua.

Gjithashtu e di se Ati Qiellor do që unë të kem sukses dhe të jem në gjendje të rritem profesionalisht. Ai më bekoi me këtë vend pune dhe unë e di se Ai mund të më ndihmojë ndërkohë që punoj dhe përpiqem të rritem.”

Kthehuni te faqja 179.

Shënime