Seminari
Njësia 22: Dita 2, Helamani 3–4


Njësia 22: Dita 2

Helamani 3–4

Hyrje

Gjatë kohës së përshkruar në kapitujt e parë të Helamanit, nefitët patën periudha paqeje dhe duruan kohë grindjesh. Dhjetëra mijëra nefitë u bashkuan me Kishën gjatë kohës së paqes. Në vijim të kësaj begatie të madhe, anëtarët më të përulur të Kishës u rritën në besim megjithëse përndiqeshin nga ata që u bënë krenarë. Për shkak se shumë nefitë u bënë të ligj, ata i humbën të gjitha tokat e tyre jugore para lamanitëve.

Helamani 3

Shumë nefitë shtegtojnë drejt veriut, ndërsa Kisha përparon në mes të ligësisë dhe përndjekjes

Lexoni Helamanin 3:1–2 dhe vini re që për disa vite “nuk pati grindje” mes popullit nefit. Tani lexoni Helamanin 3:3, 19 dhe gjeni fjalë ose fraza që tregojnë se gjërat kishin ndryshuar mes nefitëve.

Helamani 3:4–16 shpjegon që, ndërsa grindja u rrit mes nefitëve, shumë njerëz lëvizën drejt veriut. Shumë nefitë u bënë të ligj dhe u bashkuan me lamanitët.

Pavarësisht nga grindja dhe ligësia, Helamani zgjodhi të jetonte ndryshe. Helamani po shërbente si kryegjykatës i nefitëve dhe gjithashtu si profet midis tyre. Lexoni Helamanin 3:20 dhe përcaktoni se si u përshkrua Helamani. (Fjala barazi do të thotë drejtësi ose pa paragjykim apo paanësi.)

Çfarë ju lë mbresë nga Helamani? Përse mendoni që ai mbeti kaq i fortë gjatë kësaj periudhe grindjeje dhe ligësie? Mund të dëshironi ta shenjoni fjalën vazhdimisht te Helamani 3:20.

Lexoni Helamanin 3:22–26 dhe shenjoni se si nefitët filluan të ndryshonin për mirë. Sa njerëz u bashkuan me Kishën?

Mormoni shpesh përdori frazat “kështu, ne mund të shohim”, “kështu ne shohim” dhe “ne shohim” për të theksuar të vërteta që ai dëshironte që ne të mësonim. Te Helamani 3:27–30 këto fraza përdoren shpesh herë, duke treguar që Mormoni dëshironte që ne të merrnim disa mësime të rëndësishme. Lexoni Helamanin 3:27–30 dhe shenjoni frazat kyçe e përcaktoni mësimet që Mormoni dëshironte që ne të mësonim.

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Shkruani atë çfarë Mormoni dëshironte që të dinit nga Helamani 3:27–30 rreth fjalës së Perëndisë.

    2. Shkruani se si studimi i shkrimeve të shenjta ju ka ndihmuar ta shmangni ligësinë dhe ju ka mbajtur në shtegun drejt pranisë së Perëndisë.

Lexoni Helamanin 3:32–34 dhe vini re që disa anëtarë të Kishës filluan t’i përndiqnin anëtarët e tjerë të Kishës. Përndjekësit ishin njerëz që thoshin se i përkisnin Kishës, por në fakt ata ishin plot me krenari dhe nuk besonin te mësimet e Kishës. Veprimet e tyre bënë që anëtarët e përulur të Kishës të vuanin shumë mjerime. Merrni me mend se sa e vështirë do të ishte që të shkoje në Kishë dhe të përndiqeshe nga anëtarë të tjerë të Kishës ngaqë ke zgjedhur të ndjekësh profetët dhe urdhërimet e Perëndisë.

Lexoni Helamanin 3:35 për të mësuar se si vepruan anëtarët besnikë të Kishës gjatë kohës së tyre të përndjekjes dhe të mjerimit.

  1. Bazuar në studimin që i keni bërë Helamanit 3:35, përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. A u rrit apo u ul besimi i anëtarëve të përulur të Kishës gjatë kohës së tyre të mjerimit?

    2. Çfarë bënë anëtarët e përulur të Kishës që e forcoi besimin e tyre?

    3. Çfarë bekimesh morën këta anëtarë të Kishës?

Duke studiuar Helamanin 3:33–35, ne mund të mësojmë që çdo individ e përcakton vetë se si përndjekja dhe mjerimi do të ndikojnë tek ai po ajo. Përfundojeni këtë thënie bazuar tek ajo që keni mësuar nga këto vargje: Pavarësisht nga përndjekja dhe sprovat, besimi ynë në Jezu Krisht mund të rritet ndërsa ne . (Ka shumë mënyra për ta plotësuar këtë fjali.) Ju mund të dëshironi ta shkruani fjalinë tuaj në shkrimet tuaja të shenjta pranë Helamanit 3:33–35.

  1. Për t’ju ndihmuar t’i kuptoni më mirë mësimet e këtyre vargjeve, përgjigjiuni dy ose më shumë prej pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si ju kanë ndihmuar lutja ose agjërimi në një kohë përndjekjeje dhe sprove?

    2. Çfarë mendoni se do të thotë t’ia japësh zemrën Perëndisë?

    3. Kur është rritur besimi juaj në Jezu Krisht gjatë një kohe përndjekjeje apo sprove?

Lexoni Helamanin 3:36–37 dhe përcaktoni gjendjen shpirtërore të shumicës së nefitëve në kohën kur vdiq Helamani.

Helamani 4

Shpirti i Zotit largohet nga nefitët; dhe lamanitët i pushtojnë të gjitha tokat jugore të nefitëve

Siç është shënuar te Helamani 4, pasi Helamani vdiq, krenaria dhe grindja midis nefitëve bëri që shumë nefitë t’u bashkoheshin lamanitëve. Lamanitët luftuan një betejë kundër nefitëve. Lexoni Helamanin 4:4–8 dhe shenjoni në hartë territorin që mendoni se e pushtuan lamanitët.

Pamja
Territory Map
  1. Ndajeni në mes një faqe në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta duke vizatuar një vijë vertikale në qendër të faqes. Në krye të njërës anë të faqes shkruani: Fraza që tregojnë qëndrimin dhe veprimet e nefitëve.Në anën tjetër të faqes, shkruani: Fraza që tregojnë se çfarë ndodhi prej atyre veprimeve. Lexoni Helamanin 4:11–13, 21–26 dhe shkruani të paktën tri fraza nën çdo titull.

Një nga parimet e rëndësishme që mësojmë nga Helamani 4, është ky: Krenaria dhe ligësia na ndajnë nga Shpirti i Zotit dhe na lënë te fuqia jonë vetjake. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në shkrimet tuaja të shenjta pranë Helamanit 4:23–25.

Në përvojën e nefitëve, të liheshin në fuqinë e tyre, zakonisht do të thoshte të humbnin betejat dhe tokat e tyre (shih Helamani 4:25–26). Në jetën tonë, lënia në fuqinë tonë vetjake mund të nënkuptojë të humbasim shoqërimin e Shpirtit.

  1. Mendoni për “betejat” që hasni në jetën tuaj, dhe shkruani rreth njërës apo më shumë prej tyre në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Shkruani të paktën një gjë që mund të bëni për të ruajtur shoqërimin e Shpirtit në jetën tuaj. Gjithashtu shkruani ndjenjat tuaja rreth rëndësisë së pasjes së Shpirtit në jetën tuaj, për t’ju ndihmuar që t’i përballoni betejat e jetës suaj me fuqinë e Zotit.

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Helamanin 3–4 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: