Seminari
Njësia 3: Dita 3, 1 Nefi 10–11


Njësia 3: Dita 3

1 Nefi 10–11

Hyrje

Mësimet e Lehit për pemën e jetës dhe profecitë e tij për judenjtë e rritën dëshirën e Nefit për të parë, dëgjuar dhe ditur për veten e tij gjërat që ati i tij kishte parë. Ndërsa Nefi po përsiaste për gjërat që i ati i kishte thënë, ai “u rrëmbye në Shpirtin e Zotit” (1 Nefi 11:1) dhe e pa vetë vegimin e pemës së jetës. Në vegimin e tij ai pa gjithashtu jetën, shërbesën dhe vdekjen e Shpëtimtarit – Nefi e dëshmoi dashurinë e Shpëtimtarit për ne. Teksa studioni këtë mësim, përsiatni për atë që mund të mësoni nga shembulli i Nefit për të kërkuar zbulesë vetjake. Reflektoni gjithashtu mbi jetën dhe misionin e Shpëtimtarit dhe dashurinë e Tij të madhe për të gjithë ne.

1 Nefi 10:1–16

Lehit profetizon

Pasi rrëfeu për vegimin e tij të pemës së jetës, Lehi profetizoi për ngjarje të ardhshme. Profecitë e tij janë shënuar te 1 Nefi 10:1–16. Lexoni 1 Nefin 10:4–6 dhe shenjoni përgjigjet e pyetjeve të mëposhtme në shkrimet tuaja të shenjta:

  • Kur profetizoi Lehi se Mesia – Shpëtimtari – do të vinte?

  • Çfarë tha Lehi se do t’u ndodhte atyre që nuk “mbështeten te [ky] Shëlbues”?

1 Nefi 10:17–11:6

Nefi kërkon të shikojë, të dëgjojë dhe të dijë të njëjtat të vërteta si ati i tij

Merrni parasysh skenën e mëposhtme dhe mendoni rreth mënyrës se si njerëz të përfshirë në të njëjtën situatë, mund të kenë përvoja kaq të ndryshme: Tre të rinj ndoqën të njëjtën mbledhje të Kishës. Njëri prej tyre mendoi se mbledhja ishte e mërzitshme dhe humbje kohe. Një tjetër mendoi se mbledhja ishte e mirë, por nuk mësoi asgjë prej saj. I treti u ndje i lartësuar prej Frymës së Shenjtë dhe mori frymëzim dhe udhëzim vetjak, madje përtej asaj që u mësua në mbledhje.

Ndërsa studioni përvojën e Nefit te 1 Nefi 10:17–11:6, vini re se çfarë bëri Nefi që e lejoi atë të merrte zbulesë shtesë, përtej asaj që i kishte mësuar i ati.

Lexoni 1 Nefin 10:17 dhe nënvizoni atë që ndjeu Nefi pasi dëgjoi rreth vegimit të Lehit.

Lexoni 1 Nefin 10:19 dhe gjeni një frazë që na mëson se si na zbulohen misteret e Perëndisë.

Sipas 1 Nefit 10:19, ata që kërkojnë me zell, marrin misteret e Perëndisë. Shkruani se çfarë do të thotë sipas jush të kërkosh me zell.

Nefi dha një shembull të shkëlqyer të kërkimit me zell të zbulesës. Lexoni 1 Nefin 10:17–19 dhe 11:1–6; zgjidhni dy nga tri temat e renditura në tabelën më poshtë – dëshirat, besimi dhe përsiatja; dhe shkruajini përgjigjet tuaja te pyetjet përkatëse në tabelë.

Dëshira

Çfarë donte të dinte Nefi?

Si mendoni se ndikojnë dëshirat tona në aftësinë tonë për të marrë zbulesë?

Çfarë dëshironi të dini nga Zoti?

Besimi

Cilat janë disa gjëra që Nefi i besoi, të cilat çuan te zbulesa?

Si mendoni se mund të ndikojnë këto bindje në aftësinë tonë për të marrë zbulesë sot?

A e besoni atë që Zoti ju ka zbuluar?

Përsiatja (të menduarit thellësisht për diçka; hapja e mendjes dhe zemrës suaj ndaj Frymës së Shenjtë)

Çfarë ndodhi kur Nefi u ul që të përsiaste [meditonte]? (Shih 1 Nefi 11:1.)

Si mendoni, si mund të çojë përsiatja drejt zbulesës?

Çfarë mund të bëni për të përsiatur më shumë për ungjillin në jetën tuaj?

Përmblidhni një parim të ungjillit që e keni mësuar nga përvoja e Nefit, duke plotësuar fjalinë e mëposhtme: Perëndia u zbulon të vërtetën të gjithë atyre që.

  1. Shkruani përgjigjen për njërën apo të dyja pyetjet vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Kur keni ndier se Perëndia iu përgjigj lutjeve tuaja apo keni ndier nxitje nga Shpirti, teksa po kërkonit me zell ndihmë apo udhëzim nga Zoti?

    2. Cila është një mënyrë se si ju mund të kërkoni me më shumë zell frymëzim nga Zoti?

1 Nefi 11:7–36

Nefi dëshmon denjimin e Jezu Krishtit

Nefi vazhdoi të përsiaste dhe të kërkonte udhëzim hyjnor gjatë vegimit të tij. Lexoni thënien e mëposhtme nga Presidenti Bojd K. Paker, President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe përcaktoni atë që ai tha se ishte përqendrimi kryesor i vegimit të Nefit:

“Profecitë në lidhje me Mesian shfaqen në Dhiatën e Vjetër. Por Libri i Mormonit shënon një vegim të asaj ngjarjeje, e cila nuk ka asnjë tjetër të ngjashme me të në Dhiatën e Vjetër.

Pasi populli i Lehit [la Jerusalemin], Lehi pati një vegim të pemës së jetës. Biri i tij, Nefi, u lut që ta dinte kuptimin e saj. Në përgjigje, atij iu dha një vegim i mrekullueshëm i Krishtit.

Në atë vegim ai pa:

  • Një virgjëreshë që mbante një fëmijë në krahët e saj,

  • Një njeri që duhej të përgatiste udhën – Gjon Pagëzorin,

  • Shërbesën e Birit të Perëndisë,

  • Dymbëdhjetë të tjerë që ndiqnin Mesian,

  • Qiejt e hapur dhe engjëjt që u shërbenin atyre,

  • Turma të mëdha, të bekuara dhe të shëruara,

  • Kryqëzimin e Krishtit,

  • Diturinë dhe krenarinë e botës duke e kundërshtuar punën e Tij. (Shih 1 ) Nefi 11:14–36.)

Ai vegim është mesazhi qendror i Librit të Mormonit” (“The Things of My Soul”, Ensign, maj 1986, f. 60–61).

Një engjëll e ndihmoi Nefin që të zbulonte interpretimin e pemës së jetës dhe më pas e pyeti: “E di ti domethënien e pemës që ati yt pa?” (1 Nefi 11:21). Rishqyrtojeni kuptimin e pemës duke nënvizuar frazat që Nefi dhe engjëlli përdorën për ta përshkruar pemën te 1 Nefi 11:21–24.

Lexoni 1 Nefin 11:16 dhe nënvizoni një pyetje të mëparshme që engjëlli ia kishte bërë Nefit. Ju mund të doni të shkruani në shkrimet tuaja të shenjta se fjala denjim do të thotë të zbresësh vullnetarisht nga një pozitë e një statusi të lartë për të ndihmuar apo bekuar të tjerë.

Te 1 Nefi 11:17, gjeni përgjigjen e Nefit ndaj pyetjes së engjëllit. Çfarë dinte Nefi? Çfarë nuk dinte ai? Pas përgjigjes së Nefit, engjëlli i tregoi atij se denjimi i Jezu Krishtit tregon dashurinë e Perëndisë për ne.

Pasi të keni mësuar kuptimin e fjalësdenjim, lexoni 1 Nefi 11:13–21 dhe më pas lexoni citimin e mëposhtëm nga Plaku Xherald N. Land, i cili atëherë shërbente si anëtar i Të Shtatëdhjetëve, dhe përsiatni se si lindja e Shpëtimtarit tregon denjimin e Tij dhe dashurinë e Tij për ne: “Këtu ishte Jezusi – anëtar i Kreut-Perëndi, i Parëlinduri i Atit, Krijuesi, Jehovai i Dhiatës së Vjetër – që tani po linte vendin e Tij hyjnor dhe të shenjtë; duke e zhveshur Veten prej gjithë asaj lavdie e madhështie dhe duke hyrë në trupin e një foshnjëje të vogël, i pazotë, tërësisht i varur prej nënës dhe atit të Tij tokësor. Është mahnitëse që Ai nuk duhej të vinte në një prej pallateve më të mira tokësore dhe të mbështillej në rrobë të purpurtë [shenjë e familjes mbretërore] dhe të mbulohej me xhevahire, por duhej të vinte në një grazhd të përulur. Nuk është çudi që engjëlli duhej t’i thoshte Nefit: ‘Vër re denjimin e Perëndisë!’” (Jesus Christ, Key to the Plan of Salvation [1991], f. 16).

  1. Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta se çfarë do të thotë për ju që Jezu Krishti “do të zbriste nga froni i tij hyjnor” (“Qëndroj Plot Habi”, Himne dhe këngë të Fëmijëve, f. 22) dhe nga pozicioni i tij i lavdishëm në botën paratokësore për t’u lindur si një foshnjë e vogël.

Lexoni 1 Nefin 11:27 dhe merrni parasysh se si pagëzimi i Shpëtimtarit tregon gjithashtu denjimin e Tij. Megjithëse Ai nuk kishte mëkat, Ai u pagëzua për të treguar bindjen e Tij ndaj ligjeve të Perëndisë. Ai tregon gjithashtu dashurinë e Tij për ne duke na dhënë një shembull për të ndjekur.

Pamja
Gjon Pagëzori Pagëzon Jezusin

Lexoni 1 Nefin 11:28–31 dhe mendoni se si jeta e Jezu Krishtit plot shërbim ndaj të tjerëve tregon denjimin e Tij. Vini re kujt i shërbeu dhe kë shëroi Shpëtimtari.

  1. Shkruani në ditarin tuaj të shkrimeve të shenjta se ajo që lexoni te 1 Nefi 11:28–31, tregon dashurinë e Shpëtimtarit për popullin e Tij. Si mendoni se lidhet kjo me dashurinë e Tij për ju sot?

Lexoni 1 Nefin 11:32–33 dhe përsiatni se si kryqëzimi i Jezu Krishtit tregon denjimin e Tij. Lexoni thënien e mëposhtme nga Plaku Ërl C. Tingi, i cili atëherë shërbente si anëtar i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, dhe kërkoni atë që ai tha rreth mënyrës se si Shlyerja e Shpëtimtarit tregon dashurinë e Tij dhe ju bekon:

“Si njeriu që ishte zgjedhur për të përmbushur kërkesat e Shlyerjes, Jezu Krishti denjoi … të tundohej, provohej, tallej, gjykohej dhe kryqëzohej, edhe pse Ai kishte fuqinë dhe autoritetin për t’i parandaluar veprime të tilla.

Pamja
Presidenti Xhon Tejlor

Presidenti Xhon Tejlor e përshkroi denjimin e Krishtit me këto fjalë të bukura: ‘Ishte për më tepër e nevojshme që Ai duhej të zbriste poshtë të gjitha gjërave, me qëllim që të mund t’i ngrinte të tjerët përmbi të gjitha gjërat …’ [The Mediation and Atonement (1882), f. 144].

Vuajtja e Krishtit në Kopshtin e Gjetsemanit mishëron më të madhërishmin nga të gjitha tiparet e Krishtit, dashurinë e Tij të përkryer. Këtu shohim se Ai na deshi me të vërtetë të gjithëve ne. …

Shlyerja është një ngjarje që na mundëson pajtimin me Perëndinë. … Në aspektin e familjes, do të thotë të ribashkohemi me njëri-tjetrin dhe me Perëndinë, dhe me Birin e Tij, Jezu Krishtin. Do të thotë që trishtimi për shkak të ndarjes do të bëhet lumturi nëpërmjet ribashkimit” (“The Great Plan of Happiness”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 73–74).

Shlyerja e Jezu Krishtit ishte pjesë themelore e denjimit të Tij dhe shprehja më e madhe e dashurisë së Tij për ne.

  1. Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta se si njohuria për denjimin e Jezu Krishtit i ndikon ndjenjat dhe dashurinë tuaj për Të.

Përfundojeni studimin e sotëm duke kënduar, dëgjuar apo lexuar fjalët e himnit “Qëndroj Plot Habi” (Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 22). Vini re frazat që dëshmojnë për atë që keni studiuar sot. Përsiatni përse bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit janë “më të dëshirueshm[et]” dhe “më të gëzueshm[et]” për ju (shih 1 Nefi 11:22–23). Ashtu si Nefi, ndërsa kërkoni me zell kuptueshmëri nëpërmjet zbulesës, ju do të afroheni më pranë Zotit dhe do të ndieni fuqinë e sakrificës së Tij në jetën tuaj dhe gëzimin që sjell ajo.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrës së sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 1 Nefin 10–11 dhe e kam përfunduar këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe pikëpamje shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: