Seminari
Njësia 30: Dita 2, Ethëri 6


Njësia 30, Dita 2

Ethëri 6

Hyrje

Pasi bënë përgatitjet sipas urdhërimeve të Zotit, jareditët hipën në barkat e tyre dhe i mirëbesuan Zotit që t’i çonte të sigurt në udhëtimin e tyre të vështirë për në tokën e premtuar. Zoti dërgoi erëra që i shtynë maunet mbi valë dhe i mbuluan shumë herë në det, por prapëseprapë, po ato erëra i shtynë maunet drejt tokës së premtuar. Me vendosjen në tokën e re, njerëzit zgjodhën një mbret, me gjithë paralajmërimet nga vëllai i Jaredit.

Ethëri 6:1–12

Zoti i shtyn maunet jaredite me anë të erës për në tokën e premtuar

Ka raste kur mund të ndiejmë se është vështirë të bësh atë që Zoti kërkon, siç është ndarja e ungjillit me një mik, qëndrimi pastër moralisht, zgjedhja e miqve me standarde të larta dhe vendosja drejt e përparësive në jetë. A mund të mendoni për shembuj të tjerë kur mund të jetë e vështirë të bësh atë që Zoti kërkon?

Rrëfimi i udhëtimit të jareditëve për në tokën e premtuar ju mëson parime që mund t’ju udhëheqin kur e shihni të vështirë të bëni atë që Zoti urdhëron. Lexoni Ethërin 2:24–25 dhe kërkoni atë gjë për të cilën Zoti i paralajmëroi jareditët se do ta bënte të vështirë udhëtimin e tyre drejt tokës së premtuar.

Me qëllim që t’u rezistonin këtyre vështirësive, Zoti i urdhëroi jareditët të bënin maune që ishin “të puthitura sikurse një tas” (Ethëri 2:17), me vrima në krye dhe në fund që mund t’i hapnin për ajër. Lexoni Ethërin 6:1–4 dhe përcaktoni mënyra të tjera se si Zoti i përgatiti jareditët për vështirësitë e udhëtimit.

Mund të jetë e dobishme të kuptohet se “duke ia dorëzuar veten Zotit, Perëndisë së tyre” (Ethëri 6:4) do të thotë që jareditët ia besuan veten Perëndisë për t’u kujdesur dhe për t’i ruajtur ata.

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Përse mund të ketë qenë e vështirë për jareditët që të besonin te Zoti në këtë situatë?

    2. Përse mendoni se edhe përgatitja edhe të dorëzuarit e vetes te Zoti qenë thelbësore?

Ndërsa lexoni Ethërin 6:5–11, përpiquni të përfytyroni si duhet të ketë qenë të udhëtoje në një maune jaredite.

  1. Për t’ju ndihmuar të përcaktoni parimet e ungjillit që mund të mësoni nga ky rrëfim, përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si e treguan jareditët mirëbesimin e tyre te Zoti gjatë udhëtimit të tyre të vështirë? (shih Ethëri 6:7, 9).

    2. Si i bekoi Perëndia gjatë udhëtimit të tyre?

Pas afro një viti në ujë, udhëtimi i jareditëve më në fund mbaroi. Lexoni Ethërin 6:12 dhe gjeni si u ndien ata kur arritën në tokën e premtuar. Përmblidhni atë që keni mësuar deri tani në këtë mësim, duke plotësuar thënien vijuese të parimit: Ndërsa i mirëbesojmë Zotit dhe bëjmë vullnetin e Tij, Ai do.

Një mënyrë për ta plotësuar këtë thënie është me frazën “t’i japë drejtim jetës sonë”. Për të thelluar kuptimin tuaj për këtë parim, referojuni përsëri situatave kur ne mund ta ndiejmë të vështirë të bëjmë atë që Zoti kërkon, të renditura në fillim të mësimit. Ashtu siç bëri me jareditët, Zoti na përgatit të kapërcejmë vështirësitë që do të ndeshim në jetë, ndërsa lutemi, ndjekim profetin dhe mbajmë urdhërimet.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shënoni se si dikush mund të tregojë mirëbesim te Zoti. Bazuar te shembulli i jareditëve, çfarë duhet të bëjmë kur përballemi me një urdhërim të vështirë nga Zoti?

  2. Mendoni mbi parimin vijues: Nëse mirëbesojmë te Zoti, fatkeqësia dhe vështirësia mund të na ndihmojnë të përparojmë dhe të arrijmë bekimet e premtuara. (Ju mund të doni ta shkruani te shkrimet tuaja të shenjta pranë Ethërit 6:5–10.) Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përgjigjiuni pyetjeve vijuese:

    1. Si mendoni se keni përparuar dhe arritur bekimet duke duruar besnikërisht vështirësi që keni ndeshur ose po i ndeshni tani në jetën tuaj?

    2. Si mund t’i besoni më mirë Zotit dhe të ndiqni udhëzimet e Tij në situata të vështira që mund të ndeshni?

Ethëri 6:13–18

Jareditët i mësojnë fëmijët e tyre të ecin përulësisht para Zotit

Përfytyroni që, si jareditët, ju sapo keni kaluar një oqean dhe keni arritur në një vend tërësisht të ri për ju. Lexoni Ethërin 6:13–18 dhe mendoni rreth pyetjeve vijuese: Cilët mund të jenë disa shembuj të domethënies së të ecurit përulësisht përpara Zotit? Si ju kanë nxitur prindërit tuaj dhe të tjerë që të ecni përulësisht përpara Zotit? Cila mendoni se është marrëdhënia midis të ecurit përulësisht dhe të qenit i mësuar nga lart? Kur jeni ndier se u “mësua[t] nga lart”? (Ethëri 6:17).

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e studiova Ethërin 6 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: