Seminari
Njësia 3: Dita 1, 1 Nefi 7


Njësia 3: Dita 1

1 Nefi 7

Hyrje

Devotshmëria e plotë e Nefit ndaj Zotit tregohet te 1 Nefi 7. Me vëllezërit e tij, ai iu bind urdhrit të Zotit për t’u kthyer në Jerusalem dhe për të sjellë me ta në vendin e shkretë Ishmaelin dhe familjen e tij. Në rrugën e kthimit për në vendin e shkretë, Lamani, Lemueli dhe disa vetë nga familja e Ishmaelit, u rebeluan kundër Nefit dhe donin të ktheheshin në Jerusalem. Kur e lidhën dhe kërkuan që ta vrisnin Nefin, ai u lut me besim, u çlirua nga Zoti dhe i fali sinqerisht ata që e kishin persekutuar atë. Ndërsa studioni këtë mësim, përsiatni se si ju mund t’u përgjigjeni besnikërisht urdhërimeve dhe vështirësive, ashtu siç bëri Nefi.

1 Nefi 7:1–5

Zoti i urdhëron bijtë e Lehit që të kthehen në Jerusalem për Ishmaelin dhe familjen e tij

Mendoni për familjen tuaj dhe përsiatni përse familjet janë të rëndësishme në planin e Perëndisë.

Lexoni 1 Nefin 7:1–2 dhe zbuloni se për çfarë e urdhëroi Zoti Lehin që bijtë e tij duhej të bënin, dhe përse Ai dëshironte që ta bënin atë. (Mund të jetë e dobishme të dini se fjala farë te 1 Nefi 7:1 u referohet fëmijëve dhe pasardhësve).

Një nga të vërtetat që mësojmë nga këto vargje, është se Zoti na urdhëron të martohemi dhe t’i rritim fëmijë Atij. Ndërsa e vazhdoni studimin tuaj të 1 Nefit 7, bëjini vetes tuaj pyetjen përse martesa dhe familja janë aq të rëndësishme, saqë Zoti do ta urdhëronte Nefin dhe vëllezërit e tij t’i duronin ditët e shumta të udhëtimit të vështirë përmes vendit të shkretë për t’u kthyer në Jerusalem.

Lexoni deklaratën vijuese nga “Familja: një Proklamatë drejtuar Botës” dhe gjeni se çfarë kanë deklaruar profetët e ditëve të tanishme për rëndësinë e martesës: “Ne, Presidenca e Parë dhe Këshilli i Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, solemnisht shpallim se martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia dhe se familja është thelbësore në planin e Krijuesit për të ardhmen e përjetshme të fëmijëve të Tij”. (Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129).

Ju mund të dëshironi të qarkoni frazën “Zotit” te 1 Nefi 7:1. Mendoni se çfarë do të thotë ajo frazë në kohën tonë.

Kërkoni ide shtesë për rritjen e fëmijëve Zotit, ndërsa lexoni mësimin vijues nga “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”:

“Ne deklarojmë se urdhërimi i Perëndisë për fëmijët e Tij që të shumohen dhe të mbushin tokën, mbetet i vlefshëm. …

… Prindërit kanë një detyrë të shenjtë për t’i rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi, për të plotësuar nevojat e tyre fizike dhe shpirtërore dhe për t’i mësuar ata ta duan e t’i shërbejnë njëri-tjetrit, të zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe të jenë qytetarë që u binden ligjeve kudo që jetojnë. Bashkëshortët dhe bashkëshortet – nënat dhe etërit – do të mbahen përgjegjës përpara Perëndisë për plotësimin e këtyre detyrimeve” (Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129).

Pamja
Familja e Ishmaelit

Nefi dhe vëllezërit e tij duke folur me familjen e Ishmaelit

Lexoni 1 Nefin 7:3–5, për të zbuluar se si i ndihmoi Zoti bijtë e Lehit që t’i përmbushnin urdhrat e Tij. Si e ndihmoi Zoti Ishmaelin dhe familjen e tij, që ta pranonin ftesën për t’iu bashkuar familjes së Lehit në vendin e shkretë?

  1. Kërkojuni prindërve tuaj, një udhëheqësi Kishe apo një mësuesi që të sugjerojnë tri mënyra se si të rinjtë sot mund të përgatiten për martesë dhe për t’i rritur fëmijë “Zotit”. Shënojeni këshillën e tyre në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

1 Nefi 7:6–15

Nefi përpiqet t’i bindë vëllezërit e tij që ta vazhdojnë udhëtimin e tyre nëpër vendin e shkretë

Lexoni 1 Nefin 7:6–7 dhe zbuloni përse Lamani, Lemueli dhe disa vetë nga familja e Ishmaelit u rebeluan gjatë udhëtimit të tyre nëpër vendin e shkretë. Përfytyrojeni si do të ishte po të ishit Nefi në këtë situatë. Mendoni se çfarë do t’i thonit Lamanit e Lemuelit dhe familjes së Ishmaelit, për t’u përpjekur që t’i bindnit ata ta vazhdonin udhëtimin e tyre drejt tokës së premtuar.

Lexoni 1 Nefin 7:8–12 dhe përcaktoni pyetjet që Nefi u bëri vëllezërve të tij, në përpjekje për t’i bindur ata të mos ktheheshin në Jerusalem. Cilat ishin tri të vërtetat që Nefi tha se vëllezërit e tij kishin harruar?

Përgjigjiuni pyetjeve më poshtë në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

  1. Si mund t’i kishte ndihmuar kujtimi i atyre tri të vërtetave Lamanin dhe Lemuelin për t’i qënë besnikë Zotit?

  2. Renditni 4–5 bekime që ju keni marrë nga Zoti. Si mund t’ju ndihmojë të kujtuarit e asaj që Zoti ka bërë për ju, për të qënë besnikë në zgjedhjen për ta ndjekur Atë?

Lexoni 1 Nefin 7:13–15 dhe përcaktoni atë që tha Nefi se do t’i ndodhte Lamanit, Lemuelit dhe anëtarëve rebelues të familjes së Ishmaelit nëse do të ktheheshin në Jerusalem.

  1. Shkruani një paragraf në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta se përse është thelbësore të kujtoni atë që ka bërë Zoti për ju dhe ta ndiqni udhëheqjen e Tij.

1 Nefi 7:16–22

Zoti e çliron Nefin

Vazhdoni të përfytyroni se si do të ishte po të ishit në situatën e Nefit, ndërsa lexoni 1 Nefin 7:16. Çfarë do të bënit?

Nefi u lut. Lexoni lutjen e tij te 1 Nefi 7:17–18 dhe përcaktoni se për çfarë u lut Nefi.

Vini re se si Nefi kërkoi të çlirohej “sipas besimit të [tij]”. Një mësim që marrim nga këto vargje, është se Perëndia u përgjigjet lutjeve sipas besimit tonë. Të lutesh me besim do të thotë të lutesh me mirëbesim te Zoti dhe gjithmonë përfshin gatishmërinë për të vepruar.

Studiojeni thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, në lidhje me lutjen e Nefit te 1 Nefi 7:17 dhe fuqinë e Shlyerjes për t’i ndryshuar zemrat tona. Nënvizoni çdo frazë që ju ndihmon të kuptoni rëndësinë e të qenit i gatshëm për të vepruar kur lutemi me besim.

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“A e dini se për çfarë do të isha lutur, në qoftë se do të isha lidhur nga vëllezërit e mi? Lutja ime do të kishte përfshirë një kërkesë që diçka e keqe t’iu ndodhte vëllezërve të mi dhe do të kishte përfunduar me frazën ‘a do më lirosh nga duart e vëllezërve të mi’ ose me fjalë të tjera, ‘Të lutem më nxirr nga kjo ngatërresë, tani!’ Është veçanërisht interesante për mua që Nefi nuk u lut, siç do të isha lutur unë, që të ndryshoheshin rrethanat e tij. Në vend të kësaj, ai u lut për forcën që t’i ndryshonte rrethanat e tij. Dhe unë mund të sugjeroj se ai u lut në këtë mënyrë pikërisht sepse e dinte, e kuptoi dhe e kishte përjetuar fuqinë mundësuese të Shlyerjes së Shpëtimtarit. …

Vëllezër e motra, nënkuptimi i kësaj ngjarjeje për secilin prej nesh është shumë i qartë. Kur unë dhe ju arrijmë ta kuptojmë dhe ta përdorim fuqinë mundësuese të Shlyerjes në jetën tonë personale, ne vërtet do të lutemi dhe do të kërkojmë forcë që të ndryshojmë rrethanat tona në vend që të lutemi që rrethanat tona të ndryshohen. Ne do bëhemi njerëz që ‘veprojnë’ më tepër sesa objekte ‘që pësojnë’ (2 Nefi 2:14)” (“‘In the Strength of the Lord’ (Fjalët e Mormonit 1:14; Mosia 9:17; Mosia 10:10; Alma 20:4)”, në Brigham Young University 2001–2002 Speeches [2002], f.124).

  1. Përgjigjiuni një prej pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Kur jeni lutur me besim në jetën tuaj dhe e keni dalluar përgjigjen e Zotit ndaj lutjes tuaj?

    2. Si mund ta ndiqni shembullin e Nefit për t’u lutur dhe kërkuar forcë që t’i ndryshoni rrethanat tuaja, në vend që të luteni që rrethanat tuaja të ndryshohen?

Pasi Nefi u çlirua nga rripat, vëllezërit e tij dëshironin përsëri që ta sulmonin atë. Lexoni 1 Nefin 7:19–21 dhe përcaktoni se çfarë ju bën përshtypje rreth qëndrimit të Nefit. Mendoni për një situatë në vetë familjen tuaj që pati nevojë për falje. Merrni parasysh përse është kaq e rëndësishme që anëtarët e familjes të jenë të gatshëm ta falin njëri-tjetrin.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrës së sotme, në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 1 Nefin 7 dhe e kam përfunduar këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe pikëpamje shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: