Seminari
Njësia 26: Dita 1, 3 Nefi 17


Njësia 26: Dita 1

3 Nefi 17

Hyrje

Ndërsa ditës së Tij të parë me nefitët po i afrohej fundi, Jezu Krishti e kuptoi se shumë njerëz nuk i kuptuan tërësisht ato që Ai u kishte mësuar. Prandaj, Ai u mësoi se si të merrnin më shumë aftësi për të kuptuar. Njerëzit qanë kur Ai tha se po largohej. I mbushur me dhembshuri, Shpëtimtari qëndroi me ta më gjatë. Ai shëroi të sëmurët e tyre, bekoi fëmijët e tyre dhe u lut për ta. Turma ndjeu gëzim dhe dashuri të madhe për Shpëtimtarin ndërsa ndërvepruan me Të.

3 Nefi 17:1–3

Jezusi i urdhëron njerëzit t’i përsiatin fjalët e Tij dhe të luten për kuptim

Si reagoni kur hasni një mësim në shkrimet e shenjta ose nga një udhëheqës i Kishës që nuk e kuptoni? Rrethojini të gjitha ato që gjejnë zbatim:

  • Thjesht nuk e marr parasysh.

  • Pyet dikë tjetër që të më ndihmojë të kuptoj.

  • Mendoj me kujdes rreth mësimit.

  • I kërkoj Atit Qiellor të më ndihmojë që të kuptoj.

Ngjarjet e shënuara te 3 Nefi 17 ndodhën afër fundit të ditës së parë të Jezu Krishtit me turmën nefite. Lexoni 3 Nefin 17:1–3 dhe shenjoni atë që u tha Shpëtimtari nefitëve të bënin me qëllim që të kuptonin më mirë atë që u kishte mësuar. Merrni parasysh se si vajtja në shtëpi për të përsiatur dhe për t’u lutur mund t’ju ndihmojnë t’i kuptoni më mirë të vërtetat e ungjillit.

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, shpjegoi se çfarë do të thotë të meditosh [ose përsiatësh]. Lexoni thënien vijuese dhe theksoni me ngjyra fjalë apo fraza që përshkruajnë se çfarë do të thotë të përsiatësh. “Leximi, studimi dhe përsiatja nuk janë e njëjta gjë. Ne lexojmë fjalë dhe mund të marrim ide. Ne studiojmë dhe mund të zbulojmë modele ose lidhje në shkrimin e shenjtë. Por kur përsiatemi, ne ftojmë zbulesë nga Shpirti. Përsiatja, për mua, është mendimi dhe lutja që bëj, pasi i lexoj e i studioj me kujdes shkrimet shenjta” (“Shërbeni me Shpirtin”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 60).

Shikojeni me kujdes 3 Nefin 17:3 dhe vini re se Shpëtimtari i udhëzoi njerëzit të “përgatisni[n] mendjen [e tyre]” për përvojën vijuese me Të. Përpara se të vazhdoni me studimin tuaj, përsiatni se si do t’u përgjigjeshit pyetjeve vijuese: Çfarë mund të bëni për ta përgatitur mendjen përpara se të shkoni në kishë? Përpara se të shkoni në seminar? Përpara se të dëgjoni konferencën e përgjithshme? Përpara se të studioni shkrimet e shenjta? Çfarë ndryshimi mendoni se do të sillte përgatitja e mendjes suaj në atë që fitoni nga ato mundësi për të mësuar?

Një nga parimet që mësojmë nga këto vargje është: Me anë të meditimit dhe të lutjes drejtuar Atit, ne mund të marrim një kuptim më të madh. (Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë në shkrimet tuaja të shenjta pranë 3 Nefit 17:1–3.)

  1. Për t’ju ndihmuar ta zbatoni këtë parim, zgjidhni njërën ose të dyja pikat në vijim dhe përfshijeni veprimin në jetën tuaj gjatë javës së ardhshme. Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta atë që bëtë. Shkruani edhe për mënyrën se si ky veprim e përforcoi atë që mësuat në kishë, seminar ose në konferencën e përgjithshme apo nga shkrimet e shenjta. Përgatituni ta ndani këtë veprimtari ditari me mësuesin tuaj. Gjithashtu, bëni një plan për të vazhduar të përmirësoheni në një nga këto fusha gjatë javëve të ardhshme.

    1. Unë vërtet do ta përgatit mendjen time përpara se të shkoj në kishë ose në seminar.

    2. Unë vërtet do të përsiatem dhe lutem rreth asaj që dëgjoj në kishë ose në seminar.

3 Nefi 17:4–25

Shpëtimtari shëron të sëmurët mes nefitëve dhe i bekon fëmijët e tyre

Pamja
Krishti Bekon Fëmijët Nefitë

Mendoni për një rast kur u ndiet kaq i ngritur moralisht dhe plot gëzim sa nuk donit që ajo përvojë të mbaronte. Lexoni 3 Nefin 17:4–5 për të zbuluar se si reaguan nefitët kur Shpëtimtari tha se do të kthehej tek Ati i Tij.

Shpëtimtari iu përgjigj dëshirave të drejta të nefitëve me dhembshuri të madhe. Veprimtaria vijuese mund t’ju ndihmojë të kuptoni më plotësisht dashurinë që Jezu Krishti ka për të gjithë ne. Ajo mund t’ju ndihmojë të zbuloni edhe të vërteta të shkrimit të shenjtë rreth karakterit dhe natyrës së Jezu Krishtit.

  1. Shkruajini referencat vijuese të shkrimeve të shenjta në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Lini hapësirë bosh nën secilën referencë për të dhëna të mëtejshme: 3 Nefi 17:6–10; 3 Nefi 17:11–18; 3 Nefi 17:19–25. Studiojeni secilën nga këto fragmente të shkrimit të shenjtë, duke kërkuar të vërteta rreth karakterit të Shpëtimtarit – si është Ai. Gjeni të paktën tri të vërteta, një të vërtetë për secilën referencë të shkrimit të shenjtë dhe shënojini ato nën referencën e duhur.

Një nga ngjarjet më të dhembshura dhe prekëse të përshkruara në Librin e Mormonit është Jezusi duke bekuar fëmijët e vegjël që qenë të pranishëm në atë rast. Ky episod na ndihmon të kuptojmë natyrën dhe karakterin e Jezu Krishtit. Përpara se të citonte rrëfimin e Shpëtimtarit dhe fëmijëve nga 3 Nefi 17:11–12, 21–25, Presidenti Bojd K. Paker pohoi: “Te rrëfimi i shërbesës së Shpëtimtarit mes nefitëve, ne mund të shohim më thellë shpirtit të Tij ndoshta sesa në ndonjë vend tjetër” (“Teach the Children”, Ensign, shkurt 2000, f. 16–17).

Vini re se turma i solli ata që ishin të sëmurë dhe fatkeq te Shpëtimtari, përfshirë ata që ishin “të prekur në ndonjë mënyrë” (3 Nefi 17:9). Këto fatkeqësi mund të kishin qenë fizike, emocionale ose mendore. Përsiatni mënyrat në të cilat ju mund të jeni “të prekur”. Si mund t’ju ndihmojë Shpëtimtari për fatkeqësitë tuaja nëse Ai do t’ju bekonte juve personalisht?

  1. Rishikoni parimin rreth përsiatjes që mësuat në fillim të këtij mësimi. Një mënyrë për të përsiatur është ta përfytyroni veten në po të njëjtën situatë të përshkruar në rrëfimin e shkrimit të shenjtë. Ndaloni një çast dhe përfytyroni se si do të kishte qenë nëse do të ishit pjesëtar në ngjarjet e shënuara te 3 Nefi 17. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përshkruani se çfarë mendoni se do të kishit dëgjuar, parë dhe ndier në atë rast dhe se çfarë do të kishit mësuar nga Shpëtimtari. Ju mund të doni gjithashtu të përshkruani bekimin që mund të kishit kërkuar nga Shpëtimtari.

Mendoni për një fjali që përshkruan të vërtetën që mësuat nga 3 Nefi 17:6–25. Shkruajeni fjalinë në anë të faqes së shkrimeve tuaja të shenjta pranë këtyre vargjeve ose në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Një prej të vërtetave nga këto shkrime të shenjta është: Shpëtimtari ndien dhembshuri të madhe për ne. Përse është e rëndësishme që t’i dini të vërtetat që keni mësuar nga këto vargje për karakterin e Shpëtimtarit?

Lexoni thënien vijuese rreth besimit: “Në mënyrë që besimi juaj t’ju çojë në shpëtim, ai duhet të përqendrohet tek Zoti Jezu Krisht. … Mund të ushtroni besim tek Krishti atëherë kur keni sigurinë që Ai jeton, ide të saktë për karakterin e Tij dhe dijeninë që po mundoheni të jetoni sipas vullnetit të Tij” (Të Vërtetë Ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2005], f. 20).

  1. Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si ju ndihmon të kuptuarit e natyrës së dhembshur të Shpëtimtarit për të ushtruar besim tek Ai?

  2. Ndani me një person tjetër diçka që mësuat rreth Shpëtimtarit nga 3 Nefi 17. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shënoni emrin e këtij personi dhe një përmbledhje të asaj çfarë i thatë atij apo asaj.

Pavarësisht se nuk e kemi pasur përvojën që patën nefitët me Jezu Krishtin, dita do të vijë për secilin prej nesh kur ne vërtet do ta shohim dhe dëgjojmë Atë. Gjatë një apo dy ditëve në vijim, përsiatni këtë mësim. Mendoni për dhembshurinë e Shpëtimtarit ndërsa luteni rreth dëshirave, dobësive, dhembjeve dhe sprovave tuaja.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 3 Nefin 17 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: