Seminari
Njësia 9: Dita 4, Jakobi 3–4


Njësia 9: Dita 4

Jakobi 3–4

Hyrje

Jakobi 3 përmban përfundimin e një predikimi që Jakobi u mbajti njerëzve të tij. Në këtë përfundim, Jakobi shkurtimisht tha fjalë ngushëllimi dhe premtimi për të kulluarit në zemër. Ai gjithashtu i qortoi kryelartët dhe njerëzit e papërkorë mes popullit të tij, duke i paralajmëruar për pasojat nëse nuk pendoheshin. Jakobi 4 përmban fjalë të cilat Jakobi qe i frymëzuar t’i shkruante për njerëzit që një ditë do ta lexonin analin e tij. Ai dëshmoi për Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe i këshilloi lexuesit e tij që ta pajtonin (kthenin në harmoni) veten me Perëndinë, Atin, nëpërmjet Shlyerjes. Me një zë paralajmërues, ai tregoi për judenj që do ta hidhnin poshtë Jezu Krishtin dhe qartësinë e ungjillit të Tij.

Jakobi 3

Jakobi u jep zemër të kulluarve në zemër dhe i nxit të tjerët të pendohen

Mendoni se çfarë këshille mund t’i jepni një të riu ose të reje në situatat vijuese:

  • Një e re që po përpiqet të jetojë në drejtësi, po vuan ngaqë babai i saj është i varur nga alkooli.

  • Një i ri që po bën gjithçka mundet për ta jetuar ungjillin, po has vështirësi për shkak të shkurorëzimit të prindërve të tij.

  • Një e re përpiqet me zell ta dojë familjen e saj, por has vështirësi në shtëpi për shkak të egoizmit dhe të veprimeve shpërfillëse të motrës së saj.

Përsiatni për një rast kur patët sprova megjithëse po përpiqeshit të jetonit me drejtësi. Jakobi na mësoi se çfarë të bëjmë në këto situata. Lexoni fjalinë e parë të Jakobit 3:1 dhe përcaktoni se kujt iu drejtua së pari Jakobi te kapitulli 3.

Jakobi tha se, për shkak të kryelartësisë dhe të imoralitetit të të tjerëve (kundër të cilave i kishte paralajmëruar më parë, siç shënohet te Jakobi 2), të kulluarit në zemër kishin vuajtur. Lexoni Jakobin 3:1–2 dhe plotësoni tabelën vijuese:

Çfarë i këshilloi Jakobi që të bënin të kulluarit në zemër?

Çfarë u premton Perëndia të kulluarve në zemër?

  1. Këqyrni përgjigjet tuaja në kolonën e parë. Për t’ju ndihmuar ta shqyrtoni më tej këtë parim, përgjigjiuni dy prej pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mendoni që një i ri mund të “shiko[jë] te Perëndia me fortësi të mendjes”?

    2. Çfarë mendoni se do të thotë t’i lutesh Perëndisë “me besim të jashtëzakonshëm” gjatë një kohe sprove?

    3. Çfarë mendoni se mund të bëjë një i ri për të “[marrë] fjalën e këndshme të Perëndisë”?

  2. Rishikoni përgjigjet tuaja në kolonën e dytë. Këto vargje na mësojnë që Perëndia do t’i ngushëllojë të kulluarit në zemër në pikëllimet e tyre. Për t’ju ndihmuar ta shqyrtoni më tej këtë parim, përgjigjiuni njërës ose më shumë prej pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si ju ka ngushëlluar Perëndia në pikëllimet tuaja ndërsa jeni përpjekur ta ndiqni Atë?

    2. Si ju ka ndihmuar lutja “me besim të jashtëzakonshëm” gjatë një kohe sprove?

    3. Kur ju ka ndihmuar marrja e fjalës së Perëndisë që të ndieni dashurinë e Tij?

Pasi u foli të kulluarve në zemër, Jakobi iu drejtua atyre që nuk ishin të kulluar në zemër. Lexoni Jakobin 3:3–4, 10–12 dhe përcaktoni se çfarë i nxiti Jakobi që të bënin këta njerëz. Mund të jetë e dobishme të dini që fraza “ngrini aftësitë” do të thotë të përdorim aftësitë dhe emocionet tona dhe fjalët lavirësi dhe dhënie pas epsheve u referohen mëkateve seksuale dhe epshit.

Te Jakobi 3:3–4, 10–12, ne lexojmë edhe paralajmërimet e Jakobit për atë çfarë do të ndodhte nëse populli i tij nuk do të pendohej. Pasi t’i studioni këto vargje, rrethoni frazat që përshkruajnë pasojat vijuese: a) Lamanitët do t’i shkatërronin ata. b) Shembulli i tyre do t’i çonte fëmijët e tyre në shkatërrim. c) Ata do të përjetonin vdekjen e dytë, ose me fjalë të tjera, një ndarje nga Perëndia.

Merrni parasysh për një çast se si paralajmërimi i Jakobit mund të quhet bekim i madh për popullin e tij.

Siç shënohet te Jakobi 3:5–7, Jakobi shpalli me guxim se lamanitët ishin “më të drejtë” sesa nefitët ngaqë “bashkëshortët e tyre i [donin] bashkëshortet e tyre dhe bashkëshortet e tyre i [donin] bashkëshortët e tyre; dhe bashkëshortët e tyre dhe bashkëshortet e tyre i [donin] fëmijët e tyre”. Nefitët duhej të pendoheshin për të gjitha mëkatet e tyre, veçanërisht ato që çonin në më pak dashuri dhe mirëbesim në familjet e tyre.

Përsiatni Jakobin 3:11–12 dhe përmblidheni mesazhin me fjalët tuaja vetjake.

Gjeni një çast për të menduar rreth tundimeve që hasni dhe çfarë pasojash të tmerrshme shmangni ndërsa pendoheni për veprimet tuaja të gabuara.

Jakobi 4

Jakobi i nxit njerëzit e tij të marrin shpresë që ata mund të kthehen në praninë e Perëndisë

Për t’u përgatitur që të studioni Jakobin 4, ngrijeni stilolapsin apo lapsin tuaj të paktën 60 centimetra ose një metër mbi manualin tuaj dhe përpiquni ta lëshoni në mënyrë që të godasë qendrën e objektivit – “shenjës”. Ju mund të dëshironi ta provoni atë disa herë. Mendoni se sa më pak të efektshme do të ishin përpjekjet tuaja nëse do të shikonit diku tjetër nga objektivi. Sa të zotë mendoni se do të ishin njerëzit në hedhjen e shigjetave nëse nuk do ta shikonin kurrë objektivin apo shenjën, ndërsa e lëshojnë [shigjetën] ose nëse do të shikonin tek ajo që ndodhet përtej shenjës? Lexoni Jakobin 4:14 dhe përcaktoni karakteristikat e popullit që Jakobi profetizoi se do të shikonte “përtej shenjës”.

Pamja
rrathë objektivash

Ju mund të dëshironi të shkruani në shkrimet tuaja të shenjta pranë Jakobit 4:14 se “shenja është Krishti” (Neal A. Maxwell, “Jesus of Nazareth, Savior and King”, Ensign, maj 1976, f. 26). Në mënyrë të ngjashme, Pali dha mësim: “Po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus” (Filipianëve 3:14).

Profeti Jakobi po u referohej judenjve që e keqkuptonin ligjin e Moisiut dhe qëllimin e tij për t’i çuar te Shpëtimtari. Shumë prej judenjve po kërkonin një lloj tjetër çlirimi nga ai që Jezusi, Mesia, iu ofroi – ata po kërkonin çlirim nga sundimi dhe zgjedha e huaj.

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Çfarë mendoni se do të thotë të shikosh përtej shenjës (Jezu Krishtit)?

    2. Çfarë qëndrimesh dhe veprimesh të renditura te Jakobi 4:14 i verbuan judenjtë dhe i penguan ata ta pranonin Jezu Krishtin?

    3. Cilët mund të jenë disa shembuj të shikimit përtej shenjës, ose të dështimit për t’u përqendruar te Shpëtimtari, sot?

Jakobi dëshironte që ata që do ta lexonin analin e tij, të kishin një qëndrim tërësisht të ndryshëm nga qëndrimi i judenjve që nuk e vunë re shenjën. Lexoni Jakobin 4:4 dhe përcaktoni se çfarë dëshironte Jakobi që të dinin të gjithë ata që do ta lexonin analin e tij. Lexoni edhe Jakobin 4:12 dhe shenjoni frazën “pse të mos flasim për shlyerjen e Krishtit”. Siç shënohet te Jakobi 4:4–12, Jakobi dha disa arsye përse ai besonte te Jezu Krishti dhe përse ndiente se ishte e rëndësishme t’u bënte të ditur të tjerëve për Shlyerjen.

  1. Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta referencën vijuese të shkrimit të shenjtë dhe pastaj shkruani përmbledhje të shkurtra të asaj që Jakobi dha mësim për Jezu Krishtin ose Shlyerjen te secila referencë:

    1. Jakobi 4:4–6

    2. Jakobi 4:7–8

    3. Jakobi 4:9–10

    4. Jakobi 4:11

Çfarë fjalësh ose frazash te Jakobi 4:4–6 tregojnë se populli i Jakobit e kuptonte natyrën e Kreut-Perëndi?

Mund të jetë e dobishme të dini se të qenit “të paraqit[ur] si frytet e para të Krishtit te Perëndia” (Jakobi 4:11) i referohet të qëndruarit përpara Perëndisë të denjë për të hyrë në mbretërinë çelestiale. Gjithashtu, është e rëndësishme të kuptoni se, nëse do të kemi “një shpresë të lavdisë së [Shpëtimtarit]” (Jakobi 4:4), ne duhet të besojmë që Jezu Krishti ka siguruar udhën për ne, për t’u shëlbuar nga mëkatet tona dhe për t’u ringjallur në mënyrë që të mund të kthehemi në praninë e Atit Qiellor.

Një e vërtetë që mund të mësojmë te Jakobi 4, është kjo: Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të mbushemi me shpresë dhe ta pajtojmë veten me Perëndinë.

  1. Shkruani përgjigje të shkurtra për sa vijon në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Përsëritni të vërtetat rreth Jezu Krishtit që studiuat te Jakobi 4:4–12 dhe zgjidhni njërën që ju shtyn në mënyrë të veçantë që të dëshironi të flisni rreth Shlyerjes. Shkruajeni atë të vërtetë dhe shpjegoni se përse e zgjodhët atë.

    2. Çfarë arsyesh të tjera vetjake ju shtyjnë të dëshironi të flisni për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen?

Ndërsa përfundoni këtë mësim, përsiatni se përse jeni mirënjohës për Shpëtimtarin. Merrni parasysh t’ia tregoni arsyet tuaja një anëtari të familjes ose shoku të ngushtë.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Jakobin 3–4 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: