Seminari
Njësia 27: Dita 4, 3 Nefi 28–30


Njësia 27: Dita 4

3 Nefi 28–30

Hyrje

Përpara nisjes së Tij, Jezu Krishti e pyeti secilin prej dymbëdhjetë dishepujve të Tij se çfarë dëshironte nga Ai. Nëntë prej tyre kërkuan që të ktheheshin shpejt tek Ai kur shërbesa e tyre në tokë të qe mbaruar. Tre kërkuan të mbeteshin në tokë, që të vazhdonin të punonin për të sjellë shpirtra te Krishti derisa Ai të kthehet. Zoti i respektoi të dyja këto dëshira të drejta. Mormoni dha disa hollësi në lidhje me shërbesën e Tre Nefitëve në tokë.

Ndërsa Mormoni e përfundoi rrëfimin e tij për vizitën e Shpëtimtarit mes nefitëve, ai shpjegoi se dalja në dritë e Librit të Mormonit do të ishte një shenjë se Zoti po e përmbushte besëlidhjen e Tij me shtëpinë e Izraelit. Duke e përmbyllur 3 Nefin, Mormoni shënoi fjalët e Jezu Krishtit, që i ftonte të gjithë njerëzit të pendoheshin dhe të numëroheshin me shtëpinë e Izraelit.

3 Nefi 28:1–11

Jezu Krishti plotëson dëshirat e dymbëdhjetë dishepujve të Tij

Përsiatni se si do të përgjigjeshit nëse Jezu Krishti do t’ju shfaqej dhe do t’ju pyeste: “Çfarë dëshironi nga unë?”

Shkruani shkurtimisht se cilën prej dëshirave tuaja të drejta do të ndanit me Të.

Lexoni 3 Nefin 28:1–3 dhe kërkoni se si u përgjigjën nëntë prej dishepujve nefitë kur Zoti i pyeti: “Çfarë dëshironi nga unë?” Vini re se si u ndje Shpëtimtari rreth dëshirës së tyre.

Lexoni 3 Nefin 28:4–7 dhe kërkoni se çfarë dëshiruan tre dishepujt e tjerë nga Shpëtimtari. Vini re se si u ndje Shpëtimtari rreth dëshirës së këtyre tre dishepujve. Përsiatni se përse mendoni që Zoti tha se ata ishin “më të bekuar” për shkak të dëshirës së tyre.

Lexoni 3 Nefin 28:8–10 për të parë se si Shpëtimtari i përshkroi bekimet që do të merrnin tre nefitët për shkak të dëshirave të tyre për të punuar mes njerëzve të vdekshëm. Merrni parasysh ta shkruani të vërtetën vijuese në anë të faqes në shkrimet tuaja të shenjta ose në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Zoti na bekon në përputhje me dëshirat tona të drejta. Lexoni thënien vijuese nga Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, për të parë rëndësinë e dëshirave të drejta:

Pamja
Plaku Nil A. Maksuell

“Ajo që dëshirojmë me ngulmim, me kalimin e kohës, është ajo që vërtet do të bëhemi më së fundi dhe ajo që vërtet do të marrim në përjetësi. …

Dëshirat e drejta duhet të jenë të paepura, si rrjedhim, prandaj, tha Presidenti Brigam Jang: ‘Burrat dhe gratë që dëshirojnë të fitojnë vende në mbretërinë çelestiale, do të shohin se ata duhet të luftojnë çdo ditë’ (në Journal of Discourses, 11:14)” (“According to the Desire of [Our] Hearts”, Ensign, nëntor 1996, f. 21–22).

  1. Përgjigjiuni njërës ose të dyjave pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Kur jeni ndier i bekuar nga Zoti ndërsa vepruat sipas dëshirave tuaja të drejta?

    2. Çfarë do të filloni të bëni sot për të ushqyer dëshira të drejta në vetë jetën tuaj, në mënyrë që të mund të cilësoheni për bekimet e Zotit?

3 Nefi 28:12–35

Mormoni përshkruan shërbesën e Tre Nefitëve

Shumë njerëz kanë dëgjuar legjenda, mite dhe fjalë rreth vizitave të hamendësuara nga Tre Nefitët. Në vend që të mbështeteni në trillime, zbuloni se çfarë thonë shkrimet e shenjta për misionin e tyre dhe mënyrën se si ata janë në gjendje të shërbejnë me fuqi “si engjëjt e Perëndisë” (3 Nefi 28:30).

Lexoni 3 Nefin 28:12–17 për të mësuar se çfarë u ndodhi Tre Nefitëve. Sipas 3 Nefit 28:15, cila është një arsye përse dishepujt patën nevojë të pësonin këtë ndryshim?

Lexoni 3 Nefin 28:18–23, duke kërkuar për mënyrën se si Zoti i bekoi Tre Nefitët me qëllim që ata të mund të përmbushnin dëshirat e tyre të drejta. Mendoni për atë që na mësojnë këto vargje rreth gatishmërisë së Zotit për të na bekuar kur jetojmë në përputhje me dëshirat tona të drejta.

Studioni 3 Nefin 28:25–31 dhe përcaktoni se kush ka përfituar dhe ende do të përfitojë nga shërbesa e Tre Nefitëve. Mund të dëshironi ta shenjoni atë që gjeni.

3 Nefi 28:36–40

Mormoni mëson rreth natyrës së qenieve të transformuara

Mendoni për një rast kur patët një pyetje rreth ungjillit ose një sprovë me të cilën po përballeshit. Lexoni 3 Nefin 28:36 dhe kërkoni për atë që Mormoni nuk kuptoi rreth gjendjes fizike të Tre Nefitëve pas ndryshimit që përjetuan ata. Përsiatni përgjigjen tuaj ndaj pyetjes vijuese: Kujt i drejtoheni zakonisht kur keni një pyetje rreth ungjillit? Lexoni 3 Nefin 28:36–37 për të mësuar atë që bëri Mormoni për të gjetur përgjigjen e pyetjes së tij.

Studioni 3 Nefin 28:37–40 dhe kërkoni atë që mësoi Mormoni rreth ndryshimit që u ndodhi trupave të Tre Nefitëve. Situata ose gjendja e gëzuar nga Tre Nefitët quhet “përndryshim”, e cila ngjan me transformimin (shih 3 Nefi 28:17) vetëm se është më e gjatë në kohëzgjatje. Qeniet e shndërruara janë prapëseprapë të vdekshme, por, siç dha mësim Profeti Jozef Smith, trupat e tyre fizikë janë ndryshuar nga një gjendje telestiale në një gjendje terrestiale; ata janë çliruar nga vuajtjet fizike të trupave të tyre të vdekshëm (shih History of the Church, 4:210). Qeniet e shndërruara mund të shfaqen dhe të largohen sipas zgjedhjes së tyre dhe në përputhje me vullnetin e Perëndisë (shih 3 Nefi 28:27–30). Ato ndihmojnë në sjelljen e shpirtrave në shpëtim dhe mbeten në gjendjen e tyre të shndërruar deri në Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit, kur ato do t’i nënshtrohen një ndryshimi tjetër për t’u bërë persona të ringjallur, të përlëvduar (shih 3 Nefi 28:7–8, 39–40).

Nga përvoja e Mormonit, ne mësojmë se, në qoftë se i kërkojmë Zotit aftësi për të kuptuar, ne vërtet do të marrim zbulesë. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në shkrimet tuaja të shenjta ose në ditarin tuaj të studimit të studimit të shkrimeve të shenjta.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shënoni një përvojë në të cilën ju ose dikush që njihni i kërkoi Zotit përgjigje nëpërmjet një lutjeje të bërë me zemër.

3 Nefi 29

Mormoni dëshmon se Zoti do ta përmbushë besëlidhjen e Tij me shtëpinë e Izraelit në ditët e fundit

Pasi Mormoni shkroi rreth vizitës së Shpëtimtarit te njerëzit e Librit të Mormonit, ai profetizoi për përmbushjen e premtimeve të Zotit në ditët e fundit. Përsiatni përgjigjen tuaj ndaj pyetjes vijuese: Kur keni mësuar apo dëshmuar përmbushjen e një prej premtimeve të Perëndisë?

Merrni parasysh t’i shenjoni fjalët kur dhe atëherë ndërsa studioni 3 Nefin 29:1–3. Këto fjalë do t’ju ndihmojnë të përcaktoni një ngjarje që tregon se Zoti po i mban premtimet e Tij dhënë shtëpisë së Izraelit në ditët e fundit. (Fraza “këto fjalë” te 3 Nefi 29:1 iu referohet shkrimeve nga Libri i Mormonit.)

Ne mësojmë nga 3 Nefi 29:1–3 se ardhja e Librit të Mormonit është shenjë se Zoti po e përmbush besëlidhjen e Tij me shtëpinë e Izraelit.

Pamja
Libri i Mormonit

Libri i Mormonit na siguron se Zoti po i përgatit njerëzit e Tij për ardhjen e Tij (shih 3 Nefi 29:2). Ndërsa lexoni thënien vijuese nga Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shenjoni se si Libri i Mormonit na ndihmon të përgatitemi për ardhjen e Shpëtimtarit:

“Libri i Mormonit është një provë fizike që Zoti është angazhuar të mbledhë fëmijët e besëlidhjes së Tij me Izraelin. …

Vërtet, Zoti nuk ka harruar! Ai na ka bekuar ne dhe të tjerë kudo në botë me Librin e Mormonit. … Ai na ndihmon të bëjmë besëlidhje me Perëndinë. Ai na fton ta kujtojmë Atë dhe të njohim Birin e Tij të Dashur. Ai është një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit” (“Besëlidhjet”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 88).

  1. Lexoni 3 Nefin 29:4–6 dhe bëni njërën ose të dyja veprimtaritë vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Përcaktoni tri fragmente të veçanta të Librit të Mormonit që mendoni se mund ta ndihmojnë dikë të vijë te Jezu Krishti. Për secilin fragment, shkruani një ose dy fjali duke shpjeguar se përse e zgjodhët atë fragment.

    2. Shkruani një paragraf se përse mendoni që Libri i Mormonit mund ta ndihmojë një person t’i kuptojë dhe pranojë dhuratat e zbulesës, profecisë dhe gjuhëve apo fuqinë e Frymës së Shenjtë.

3 Nefi 30

Zoti i këshillon johebrenjtë të pendohen dhe të vijnë tek Ai

Mormoni e përmbylli analin e tij mbi shërbesën e Shpëtimtarit duke shkruar disa udhëzime të veçanta që mori nga Jezu Krishti lidhur me johebrenjtë. Lexoni 3 Nefin 30:1–2 dhe merrni parasysh të shenjoni sa më shumë nga udhëzimet e Shpëtimtarit për johebrenjtë që mund të gjeni. Merrni parasysh gjithashtu të shenjoni bekimet e mundësuar për johebrenjtë nëse ata do të vijnë te Krishti. Megjithëse 3 Nefi 30:2 u drejtohet atyre që nuk janë në Kishë, ne mund ta përdorim ftesën e Jezu Krishtit për të matur gatishmërinë tonë për të jetuar kërkesat e besëlidhjes së Tij.

  1. Shkruani parimin vijues në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Nëse vijmë te Krishti, ne mund të numërohemi mes popullit të Tij. Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta se përse është bekim nga Zoti të “numërohe[sh] me popullin [e Tij] që është nga shtëpia e Izraelit” (3 Nefi 30:2).

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 3 Nefin 28–30 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: