Seminari
Njësia 25: Dita 3, 3 Nefi 14


Njësia 25: Dita 3

3 Nefi 14

Hyrje

Predikimi i Jezu Krishtit në tempull vijon te 3 Nefi 14. Ai i mësoi njerëzit rreth gjykimit të të tjerëve dhe i udhëzoi ata të kërkonin bekime nga Ati Qiellor nëpërmjet lutjes. Shpëtimtari gjithashtu paralajmëroi kundër profetëve të rremë dhe theksoi rëndësinë e bërjes së vullnetit të Perëndisë.

3 Nefi 14:1–6

Shpëtimtari jep mësim rreth gjykimit të të tjerëve

Lexoni fjalët e strofës së dytë të himnit “Lord, I Would Follow Thee” [“Zot, Un’ Ty do të t’Ndjek”] (Hymns, nr. 220) – ose këndojani vetes nëse ndiheni mirë ta bëni këtë:

Kush jam un’ që tjetrin t’gjykoj

Kur ec’ pa përsosuri?

Në zemrën e qetë fshihet

Hidh’rim që s’e sheh syri.

Kush jam un’ që tjetrin t’gjykoj?

Zot, un’ Ty do të t’ndjek.

Siç është shënuar te 3 Nefi 14, Shpëtimtari vijoi t’i mësonte nefitët në tempull. Lexoni 3 Nefin 14:1–2 dhe gjykoni se si ky udhëzim nga Zoti lidhet me strofën e dytë të himnit që lexuat. (Mund të jetë e dobishme të kuptoni se fraza “me çfarë mase ju matni” i drejtohet standardit me anë të të cilit një njeri mat ose gjykon dikë.)

  1. Shkruani përgjigje për pyetjet vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si lidhet këshilla e Shpëtimtarit te 3 Nefi 14:1–2 me strofën e dytë të himnit “Lord, I Would Follow Thee” [“Zot do të t’Ndjek Ty”]?

    2. Si do ta shprehnit me fjalët tuaja të vërtetën e rëndësishme që Shpëtimtari dha mësim te 3 Nefi 14:2? (Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë të vërtetë ose parim në anë të faqes të shkrimeve tuaja të shenjta.)

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha një pikëpamje që na ndihmon ta kuptojmë urdhrin e Shpëtimtarit për të “mos gjyk[uar]” te 3 Nefi 14:1. Ndërsa e lexoni atë, nënvizoni llojet e gjykimeve që ai tha se duhet t’i shmangim dhe arsyen përse.

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Ka dy lloje gjykimesh: gjykimet përfundimtare, të cilat jemi ndaluar t’i bëjmë, dhe gjykimet e ndërmjetme, të cilat jemi të udhëzuar t’i bëjmë, por sipas parimesh të drejta. …

Gjykimi përfundimtar … është ai rast i së ardhmes në të cilin ne të gjithë do të qëndrojmë përpara fronit të gjykimit të Krishtit për t’u gjykuar sipas veprave tona. … Unë besoj se urdhri i shkrimeve të shenjta për të ‘mos gjyk[uar]’ i drejtohet më qartësisht këtij gjykimi përfundimtar. …

… Përse na urdhëroi Shpëtimtari që të mos gjykojmë gjykime përfundimtare? Unë besoj se ky urdhërim u dha sepse ne mendojmë se po bëjmë gjykime përfundimtare sa herë që shpallim se një njeri i caktuar po shkon në ferr (ose në qiell) për një veprim të caktuar ose për një kohë të caktuar. Kur e bëjmë këtë – dhe ka tundim të madh për ta bërë këtë – ne lëndojmë veten dhe njeriun që pretendojmë të gjykojmë. …

… Një gjykim i drejtë, me përkufizim, duhet të jetë i ndërmjetëm. Ai do të na përmbajë nga shpallja se një person e ka të sigurt ekzaltimin ose nga të hedhurit poshtë të një personi si të jetë lidhur në mënyrë të pakthyeshme për në zjarrin e ferrit. Do të na përmbajë nga shpallja se një person i ka humbur të gjitha mundësitë për ekzaltim ose madje të gjitha mundësitë për një rol të dobishëm në punën e Zotit. Ungjilli është një ungjill shprese dhe askush prej nesh nuk autorizohet për ta mohuar fuqinë e Shlyerjes për të bërë të ndodhë një pastrim i mëkateve individuale, falja dhe një ndryshim i jetës sipas kushteve të duhura” (“‘Judge Not’ and Judging”, Ensign, gusht 1999, f. 7, 9).

Përsiatni se si ju ndihmon thënia e Plakut Ouks që ta kuptoni urdhrin e Shpëtimtarit për të “mos gjyk[uar]”?

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si mundet ta ndryshojë mënyrën si i shohim gabimet dhe dobësitë e të tjerëve, parimi nga 3 Nefi 14:2 se ne vërtet do të gjykohemi sipas asaj se si gjykojmë? Lexoni 3 Nefin14:12. Si mund të lidhet ky varg me këtë parim?

A ju ka hyrë ndonjëherë diçka e vogël në sy, të tilla si një qerpik ose grimcë pluhuri? Shkrimet e shenjta i referohen një grimce në sy si qime [lëmishte]. Një copë e gjatë, e trashë druri është quajtur tra. Shpëtimtari i përdori këto shëmbëlltyra për të na ndihmuar të kuptojmë problemet që dalin kur i gjykojmë të tjerët padrejtësisht ose gjejmë gabim në ta në mënyrë të papërshtatshme. Lexoni 3 Nefin 14:3–5 dhe mendoni se çfarë përfaqësojnë qimja dhe trari.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenja, vizatoni një figurë të asaj që përshkroi Shpëtimtari te 3 Nefi 14:4. Pastaj përgjigjiuni pyetjeve vijuese:

    1. Çfarë mendoni se përfaqëson qimja?

    2. Çfarë mendoni se përfaqëson trari?

    3. Përse mendoni që është përdorur trari në vend të qimes për të përfaqësuar gabimet e atyre që gjykojnë padrejtësisht?

Vini re se analogjia e Shpëtimtarit përqendrohet në objekte që hyjnë në sy dhe, si rrjedhim, ndikojnë në shikimin e individit. Përsiatni pyetjet vijuese rreth vetes suaj: Si mund të ndikojnë gabimet e mia në mënyrën se si i shoh të tjerët? Si mund ta zbatoj këshillën e Jezu Krishtit te 3 Nefi 14:5?

A mendoni se ndonjëherë është e përshtatshme apo e nevojshme të bëjmë gjykime lidhur me sjelljen e njerëzve të tjerë? Profeti Jozef Smith sqaroi se, ndërkohë që nuk duhet t’i gjykojmë të tjerët padrejtësisht, ne jemi udhëzuar që të përdorim gjykim të drejtë (shih Përkthimi i Joseph Smith-it, Mateu 7:1 [te Mateu 7:1, shënimia në fund të faqes]).

Shpjegimi vijues jep pikëpamje shtesë në lidhje me pyetjen mbi gjykimin e të tjerëve: “Nganjëherë njerëzve u duket se është gabim të gjykosh të tjerët, sido që të jetë. Ndërsa është e vërtetë që nuk duhet t’i dënoni të tjerët ose t’i gjykoni me pa të drejtë, juve do t’ju duhet të bëni gjykime mbi ide, rrethana e njerëz gjatë gjithë jetës. Zoti ka dhënë shumë urdhërime të cilat ju nuk mund t’i mbani pa arritur të gjykoni” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2005], f. 58–59).

Për t’ju ndihmuar të kuptoni rëndësinë e bërjes së gjykimeve të drejta, lexoni 3 Nefin 14:6 dhe përcaktoni disa gjykime që Jezu Krishti na udhëzoi t’i bënim. Përpara se ta lexoni, mund të jetë e dobishme të kuptoni se t’u “[japësh] qenve atë që është e shenjtë” dhe të “[hedhësh] margaritarët para derrave” do të thonë të ndash diçka që është e shenjtë me ata që nuk do ta vlerësojnë ose kuptojnë shenjtërinë e saj.

Si ju ndihmon 3 Nefi 14:6 të kuptoni nevojën për të bërë gjykime të drejta? Plaku Dallin H. Ouks shpjegoi disa situata të tjera në të cilat ne duhet të bëjmë gjykime të drejta:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Ne të gjithë bëjmë gjykime në zgjedhjen e miqve tanë, në zgjedhjen e mënyrës se si do ta harxhojmë kohën tonë e paratë tona dhe, sigurisht, në zgjedhjen e një shoku të përjetshëm. …

… Një gjykim i drejtë do të udhëhiqet nga Shpirti i Zotit, jo nga zemërimi, hakmarrja, xhelozia apo interesi vetjak” (“‘Judge Not’ and Judging”, f. 9).

  1. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Përse është e rëndësishme të bëjmë gjykime të drejta në fusha të tilla si zgjedhja e miqve, vendimi se si ta harxhojmë kohën tonë e paratë tona ose zgjedhja e një shoku të përjetshëm? Cilat mund të jenë disa situata të tjera në të cilat do të jetë e nevojshme apo e përshtatshme të bëjmë gjykime për të tjerët?

    2. Si mund të gjykoni më drejtësisht? Përsiatni nëse ka ndonjë njeri me të cilin mund të jeni më i dashur ose që duhet të përmbaheni nga të gjykuarit padrejtësisht.

3 Nefi 14:7–12

Shpëtimtari na mëson rreth kërkimit të bekimeve nga Ati Qiellor

Mendoni për rastet kur Ati Qiellor iu është përgjigjur lutjeve tuaja. Lexoni 3 Nefin 14:7–11 dhe kërkoni atë që dha mësim Jezu Krishti rreth gatishmërisë së Atit Qiellor për t’iu përgjigjur lutjeve tona.

Një parim që mund të mësojmë nga 3 Nefi 14:7–11, është se Ati Qiellor do të na bekojë nëse i përgjërohemi dhe e kërkojmë Atë në lutje. Si mund ta ndryshojë mënyrën se si luteni, dijenia se Ati Qiellor mezi pret t’iu përgjigjet lutjeve tuaja?

  1. I bëni një të rrituri të besuar pyetjen vijuese: Kur e keni ndier dashurinë e Atit Qiellor për ju nëpërmjet mënyrës se si Ai iu përgjigj lutjeve tuaja? Përmblidheni përgjigjen e tij ose të saj dhe atë që mësoni nga ajo, në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

3 Nefi 14:13–27

Shpëtimtari na mëson rëndësinë e bërjes së vullnetit të Atit Qiellor

Ndërsa Shpëtimtari vijoi t’i mësonte nefitët e mbledhur në tempull, Ai dha disa analogji për të na ndihmuar të kuptojmë rëndësinë e bindjes ndaj mësimeve të Tij. Secila analogji përmban një shembull të mirë dhe një shembull të keq.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, vizatoni një ilustrim të thjeshtë të shembullit të mirë dhe të shembullit të keq në secilin prej tri fragmenteve vijuese të shkrimit të shenjtë. Gjithashtu shkruani atë që mendoni se Shpëtimtari dëshiron që të mësojmë nga ballafaqimi i shembujve të mirë dhe të këqij. Jini të përgatitur t’ia tregoni vizatimet tuaja klasës dhe të shpjegoni atë që mësuat nga këto analogji.

    1. 3 Nefi 14:13–14

    2. 3 Nefi 14:15–20

    3. 3 Nefi 14:24–27

Lexoni 3 Nefin 14:21–23 dhe mendoni për atë që mund t’i thoshit një personi, i cili do t’ju shprehte se gjithçka që duhet të bëni për t’u shpëtuar në mbretërinë e Perëndisë, është të thoni se besoni te Jezu Krishti.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 3 Nefin 14 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: