Seminari
Njësia 32: Dita 4, Moroni 10:8–26, 30–34


Njësia 32: Dita 4

Moroni 10:8–26, 30–34

Hyrje

Pasi dha mësim se si fitohet një dëshmi për të vërtetën e të gjitha gjërave nëpërmjet Frymës së Shenjtë, Moroni i këshilloi ata që do t’i lexonin fjalët e tij, që të dallojnë dhe të marrin dhurata shpirtërore. Moroni e përfundoi analin e Librit të Mormonit duke i këshilluar të gjithë njerëzit që të vijnë te Jezu Krishti, të mbahen fort në çdo dhuratë të mirë që Ai ofron, dhe të përsosen nëpërmjet Tij.

Moroni 10:8–26

Moroni na mëson rreth dhuratave të Shpirtit dhe qëllimit të tyre në punën e Zotit

Mendoni për një rast kur Ati Qiellor ju bekoi që të jeni në gjendje të bëni diçka që nuk do të mund ta kishit bërë vetë. Në kapitullin e tij përmbyllës, Moroni dëshmoi për ndihmën dhe forcën që Zoti mund të na japë neve. Lexoni Moronin 10:8 dhe shihni për frazën që përshkruan aftësitë shpirtërore ose bekimet që Ati Qiellor u jep fëmijëve të Tij besnikë.

“Dhuratat e Perëndisë” për të cilat foli Moroni te Moroni 10:8 përmenden gjithashtu si “dhurata të Shpirtit” ose “dhurata shpirtërore”. Ju mund të doni ta shenjoni frazën “dhurata të Perëndisë” në shkrimet tuaja të shenjta. Shkruajeni të vërtetën vijuese te shkrimet tuaja të shenjta pranë Moronit 10:8: Perëndia jep dhurata të Shpirtit për përfitimin e fëmijëve të Tij. Fraza “përfitimin e fëmijëve të Tij” do të thotë të jetë e dobishme ose në shërbim të fëmijëve të Tij.

Lexoni Moronin 10:9–16 dhe shenjoni secilën dhuratë shpirtërore që përmendi Moroni. Është me rëndësi të dihet se dhuratat shpirtërore për të cilat diskutoi Moroni, janë vetëm disa shembuj nga shumë dhurata shpirtërore që ekzistojnë. Plaku Marvin J. Ashton, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se “Perëndia i ka dhënë secilit prej nesh një ose më shumë talente të veçanta”.

Pamja
Plaku Marvin J. Ashton

“Një nga tragjeditë e mëdha të jetës, më duket mua, është kur një njeri e klasifikon veten si dikush që nuk ka talente apo dhurata. … Që ne të nxjerrim përfundimin se nuk kemi dhurata kur e gjykojmë veten nga shtati, zgjuarsia, mesatarja e notave, pasuria, pushteti, pozita ose pamja e jashtme është jo vetëm e padrejtë por e paarsyeshme. …

… Të marra rastësisht, le të përmend disa dhurata që nuk janë gjithmonë të dukshme ose për t’u shënuar, por janë shumë të rëndësishme. Midis këtyre mund të jenë dhuratat tuaja – dhurata jo aq të dukshme, por sidoqoftë të vërteta dhe të vlefshme.

Le të rishikojmë disa nga këto dhurata më pak të spikatura: dhurata e të pyeturit; dhurata e të dëgjuarit dhe përdorimi i një zëri të qetë, të ulët; dhurata e aftësisë për të qarë; dhurata e shmangies së grindjes; dhurata e të qenit dakord; dhurata e shmangies së përsëritjes së kotë; dhurata e kërkimit të asaj që është e drejtë; dhurata e mosgjykimit; dhurata e shikimit te Perëndia për drejtim; dhurata e të qenit dishepull; dhurata e kujdesit për të tjerët; dhurata e aftësisë për të përsiatur; dhurata e dhënies së lutjes; dhurata e dhënies së dëshmisë së fortë dhe dhurata e marrjes së Frymës së Shenjtë.

Ne duhet të kujtojmë se çdo njeriu i është dhënë një dhuratë me anë të Shpirtit të Perëndisë [shih DeB 46:11–12]. Është e drejta dhe përgjegjësia jonë që të pranojmë dhuratat tona dhe t’i ndajmë ato. Dhuratat dhe fuqitë e Perëndisë janë të mundësuarapër të gjithë ne” (“There Are Many Gifts”, Ensign, nëntor 1987, f. 20).

Lexoni Moronin 10:17 dhe vini re mësimin e Moronit që çdo anëtar besnik i Kishës ka të paktën një dhuratë shpirtërore (shih gjithashtu DeB 46:11). Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se “dhuratat e Shpirtit … do ta ndihmojnë secilin prej nesh të arrijë qëllimin tonë të jetës së përjetshme.

Pamja
Plaku Robert D. Hejls

“Këto dhurata të Shpirtit janë të përmbledhura nga dhurata e Frymës së Shenjtë. Fryma e Shenjtë është anëtari i tretë i Kreut-Perëndi të përjetshëm dhe përcaktohet si Shpirti i Shenjtë. Ky Shpirt i Shenjtë është dhuratë nga Perëndia për të na ndihmuar që të marrim vendime të cilat do të na lejojnë ta gjejmë dhe ta përmbushim misionin tonë. …

Në këto ditë të mëvonshme, një kuptim i dhuratave të Shpirtit na është dhënë nëpërmjet zbulesës siç është shënuar te seksioni 46 i Doktrinës e Besëlidhjeve. Seksioni 46 përcakton dhurata të veçanta të Shpirtit si më poshtë:

‘Sepse të gjithë nuk e kanë çdo dhuratë të dhënë atyre; sepse ka shumë dhurata dhe çdo njeriu i jepet një dhuratë me anë të Shpirtit të Perëndisë’ (vargu 11).

Ne jemi udhëzuar qartësisht se secilit prej nesh i është dhënë një ose disa dhurata. A e dimë se çfarë dhurate na është dhënë? A po kërkojmë që t’i gjejmë dhuratat tona?” (“Gifts of the Spirit”, Ensign, shkurt 2002, f. 12).

  1. Mendoni rreth dhuratave shpirtërore që keni marrë nga Perëndia, dhe pastaj përgjigjiuni dy ose të gjitha pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si keni përfituar nga dhuratat e Shpirtit që keni marrë?

    2. Cilët shembuj të këtyre dhuratave shpirtërore keni parë në Kishë sot?

    3. Si mund t’i përdorni dhuratat shpirtërore për të bekuar jetën e të tjerëve? Si është bekuar jeta juaj nga dhuratat e të tjerëve?

Shqyrtoni se si dhuratat shpirtërore qenë të dukshme me daljen e Librit të Mormonit. Në hapësirat e dhëna, gjeni dhuratat shpirtërore që ishin të dukshme në jetën e Jozef Smithit, siç tregohet në secilën figurë:

Pamja
Vegimi i Parë

Moroni 10:11

Pamja
Moroni i Shfaqet Jozef Smithit në Dhomën e Tij

Moroni 10:14

Pamja
Jozef Smithi Merr Fletët e Arta

Moroni 10:16

Moroni dëshmoi se ne duhet të kemi besim me qëllim që të marrim dhurata shpirtërore. Ai dha mësim se Perëndia “vepron nëpërmjet fuqisë, sipas besimit të fëmijëve të njerëzve, njëlloj sot dhe nesër, dhe përgjithmonë” (Moroni 10:7). Lexoni Moronin 10:19, 24 dhe gjeni çfarë i pengon njerëzit që të marrin dhe të njohin dhuratat shpirtërore.

  1. Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta përse mendoni se njerëzit në gjendje mosbesimi nuk mund t’i njohin apo marrin fuqinë dhe dhuratat e Perëndisë.

Lexoni Moronin 10:20–23. Shihni për atë që Moroni dha mësim rreth dhuratave shpirtërore të rëndësishme të besimit, shpresës dhe dashurisë hyjnore. Ai dëshmoi se dhurata shpirtërore e besimit çon te një bekim i mrekullueshëm. Shihni te vargu 23 për ta gjetur këtë bekim. Shënoni se fjala të përshtatshme do të thotë “të dëshirueshme” dhe fraza “të gjitha gjërat që janë të përshtatshme për mua” mund të nënkuptojë “të gjitha gjërat që unë dëshiroj që ju të bëni”. Ju mund të doni ta shenjoni fjalinë te Moroni 10:23 që jep mësim këtë parim: Nëse kemi besim, ne do të jemi në gjendje të bëjmë atë që Ati Qiellor do që ne të bëjmë.

  1. Për t’ju ndihmuar të njihni se si është përmbushur ose mund të përmbushet në jetën tuaj, shkruani disa fjali në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta në përgjigje të njërës ose të dy thënieve vijuese:

    1. Unë e përjetova premtimin te Moroni 10:23 kur …

    2. Premtimi që gjendet te Moroni 10:23, mund të më ndihmojë për …

  2. Mendoni rreth dy parimeve që mësuat te Moroni 10:8–26: Perëndia jep dhurata të Shpirtit për përfitimin e fëmijëve të Tij. Nëse kemi besim, ne do të jemi në gjendje të bëjmë atë që Ati Qiellor do që ne të bëjmë. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përgjigjiuni pyetjeve vijuese:

    1. Si mundet njohja e këtyre dy parimeve t’ju ndihmojë tani në jetën tuaj?

    2. Si mund t’ju ndihmojnë këto parime me mundësi që mund të vijnë në të ardhmen?

Moroni 10:30–34

Moroni e përfundon analin e Tij duke i ftuar të gjithë të vijnë te Krishti dhe të përsosen në Të

Pamja
Presidenti Xhejms E. Faust

A mendoni se është e mundur të jesh i përsosur në këtë jetë? Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë, shpjegoi urdhërimin për t’u bërë të përsosur: “Përsosja është një qëllim i përjetshëm. Edhe pse nuk mund të jemi të përsosur në vdekshmëri, përpjekja për të është një urdhërim, që më së fundi, nëpërmjet Shlyerjes, ne mund ta mbajmë” (“This Is Our Day”, Ensign, maj 1999, f. 19).

Siç na mësoi Presidenti Faust, përsosja është një qëllim për të cilin ne mund të punojmë tani dhe ta arrijmë në jetën që do të vijë, me ndihmën e Shpëtimtarit. Moroni e përfundoi dëshminë e tij duke dhënë mësim se çfarë mund të bëjmë për ta ftuar fuqinë pastruese të Shpëtimtarit në jetën tonë tani dhe përfundimisht të bëhemi të përsosur nëpërmjet Shlyerjes së Tij.

  1. Bëni tabelën vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Çfarë mund të bëj

    Çfarë premton Perëndia

    Kërkoni te Moroni 10:30–33, duke parë për a) çfarë mund të bëjmë që të bëhemi të pastër dhe përfundimisht të përsosur dhe b) çfarë premton të bëjë Perëndia që të na ndihmojë. Shënoni atë që gjeni në kolonën e duhur të tabelës suaj.

Shkruani thënien vijuese nën tabelë në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta ose në shkrimet tuaja të shenjta pranë Moronit 10:32–33: Ndërsa vijmë te Jezu Krishti, ne mund të pastrohemi dhe përsosemi nëpërmjet Shlyerjes së Tij.

Ardhja te Krishti është një proces që zgjat gjithë jetën, që fillon me besimin tek Ai dhe mandej duke kërkuar përulësisht ndikimin e Tij në jetën tonë. Procesi vijon me pranimin e ungjillit të Tij, pranimin e Tij si Shpëtimtarin tonë, pendimin, besëlidhjen me Të nëpërmjet ordinancave të ungjillit dhe me të duruarit besnikërisht në bindje të urdhërimeve të Tij gjatë gjithë jetës sonë. Së fundi, ne do të kemi ardhur te Krishti kur të jemi bërë siç Ai është; atëherë ne mund të jetojmë me Të në përjetësi.

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e përmblodhi ftesën e fundit të Moronit për të ardhur te Krishti, që gjendet te Moroni 10:30–33:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Besimi në Krisht i Moronit [e thekson dëshmia e fundit], shpresa në Krisht, dashuria hyjnore e Krishtit, me lutjen që këto tri virtyte të mëdha të krishtera, këto parime të përkryera të krishtera, do të na çojnë në pastërti. …

Ajo thirrje përfundimtare, e fundit, e vetmuar e gurit kyç të fesë sonë dhe libri më i saktë i shkruar ndonjëherë është që të mos e prekim gjënë e papastër; është që të jemi të shenjtë dhe pa njollë; është që të jemi të pastër. Dhe ajo pastërti mund të vijë vetëm nëpërmjet gjakut të atij Qengji që mbajti hidhërimet tona dhe mbajti brengat tona, Qengjit që u plagos për shkeljet tona dhe u vra për paudhësitë tona, Qengjit që u përçmua dhe që vuajti, por që ne nuk e vlerësuam (shih Mosia 14). …

Pastërti – nëpërmjet gjakut të Qengjit. Kjo është ajo për të cilën bën thirrje [Libri i Mormonit]” (“A Standard unto My People” [simpozium i SAK-ut mbi Librin e Mormonit, 9 gusht 1994], f. 15, si.lds.org).

Rishikoni Moronin 10:32–33 dhe shenjoni fraza që theksojnë se e vetmja mënyrë nëpërmjet së cilës mund të përsosemi, është të përsosemi “në Krisht”. Kjo do të thotë që ne nuk mund ta arrijmë përsosjen vetë; ne duhet të mbështetemi në fuqinë dhe hirin e Shlyerjes së Shpëtimtarit. Përsiatni përse na duhet Shlyerja e Jezu Krishtit për t’u bërë të pastër e të përsosur. Ju mund të doni t’i shenjoni frazat te Moroni 10:32–33 që ju duken nxitëse, ndërsa përpiqeni për pastërti dhe qëllimin e përjetshëm të përsosjes.

Shihni prapa tek ajo që shkruat nën “Çfarë mund të bëj” te tabela në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Zgjidhni një veprim të shkruar atje dhe përsiatni se si mund të jeni më i zellshëm në atë fushë të jetës suaj.

Lexoni Moronin 10:34 dhe kërkoni fakte mbi besimin e Moronit te Jezu Krishti dhe shpresën e tij në marrjen e jetës së përjetshme. Edhe ne mund të kemi besim dhe shpresë ndërsa e bëjmë studimin e Librit të Mormonit një praktikë të të gjithë jetës dhe zbatojmë të vërtetat që jepen mësim në faqet e tij.

  1. Në mbyllje të këtij kursi studimi të Librit të Mormonit, përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta dhe përgatituni t’i ndani përgjigjet tuaja me mësuesin tuaj:

    1. Çfarë ndryshimi ka sjellë studimi i Librit të Mormonit këtë vit në jetën tuaj?

    2. Çfarë mësimesh apo parimesh ju kanë ndihmuar të “vini te Krishti” dhe kanë forcuar besimin tuaj te Shpëtimtari?

    3. Cila është dëshmia juaj për Librin e Mormonit?

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e studiova Moronin 10:8–26, 30–34 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Pamja
Moroni i Fsheh Fletët në Kodrën Kumorah