2022
Kthimi në Besim Është Synimi Ynë
maj 2022


Kthimi në Besim Është Synimi Ynë

Nuk ka gjë që e zëvendëson kohën që ju e kaloni në shkrimet e shenjta, duke e dëgjuar Frymën e Shenjtë t’ju flasë juve drejtpërsëdrejti.

Për pak më shumë se tre vjet tani, ne kemi qenë në një udhëtim së bashku si anëtarë të Kishës së Zotit. Ishte tetori i vitit 2018 kur Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve na ftuan të mësonim për Jezu Krishtin duke studiuar shkrimet e shenjta në një mënyrë të re dhe frymëzuese, me burimin Eja, Më Ndiq si udhërrëfyesin tonë.

Në çdo udhëtim është mirë të ndalemi herë pas here për të vlerësuar përparimin tonë dhe për t’u siguruar që akoma po ecim drejt synimit tonë.

Kthimi në Besim Është Synimi Ynë

Merreni parasysh këtë deklaratë të thellë nga hyrja e manualit Eja, Më Ndiq:

“Qëllimi i gjithë të mësuarit dhe mësimdhënies së ungjillit është që ta thellojnë kthimin tonë në besim tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. …

… Lloji i të mësuarit të ungjillit që e forcon besimin tonë dhe na çon drejt mrekullisë së kthimit në besim, nuk ndodh i tëri njëherësh. Ai shtrihet përtej mjedisit të një klase deri brenda zemrës dhe shtëpive tona. Ai kërkon përpjekje të vazhdueshme, të përditshme për ta kuptuar dhe jetuar ungjillin. Të mësuarit e ungjillit që çon në kthim të vërtetë në besim, kërkon ndikimin e Frymës së Shenjtë.”1

Kjo është mrekullia që kërkojmë – kur një person ka një përvojë me shkrimet e shenjta2 dhe ajo përvojë bekohet nëpërmjet ndikimit të Frymës së Shenjtë. Të tilla përvoja janë gurë të çmuar themeli për kthimin tonë në besimin te Shpëtimtari. Dhe sikurse na kujtoi Presidenti Rasëll M. Nelson kohët e fundit, themelet shpirtërore duhet të përforcohen vazhdimisht.3 Kthimi afatgjatë në besim është një proces që zgjat gjithë jetën.4 Kthimi në besim është synimi ynë.

Për të qenë më të efektshme, përvojat tuaja me shkrimet e shenjta duhet të jenë përvoja vetjake.5 Leximi ose dëgjimi rreth përvojave dhe pikëpamjeve të një personi tjetër mund të jetë i dobishëm, por nuk do të sjellë të njëjtën fuqi të kthimit në besim. Nuk ka gjë që e zëvendëson kohën që ju e kaloni në shkrimet e shenjta, duke dëgjuar Frymën e Shenjtë t’ju flasë juve drejtpërsëdrejti.

Çfarë po më Mëson Fryma e Shenjtë?

Çdo javë, kur hap manualin tim Eja, Më Ndiq, shkruaj këtë pyetje në krye të faqes: “Çfarë po më mëson Fryma e Shenjtë këtë javë ndërsa lexoj këta kapituj?”

Ndërsa i studioj shkrimet e shenjta, e përsiat atë pyetje herë pas here. Dhe pa munguar asnjëherë, më vijnë mbresa shpirtërore dhe i mbaj shënim në manualin tim.

Tani, si mund ta di se kur po më mëson Fryma e Shenjtë? Pra, zakonisht ndodh në mënyra të vogla dhe të thjeshta. Ndonjëherë një fragment i shkrimit të shenjtë do të duket sikur po kërcen nga faqja për të tërhequr vëmendjen time. Herë të tjera, ndiej sikur mendja ime ndriçohet me një kuptueshmëri më të gjerë për një parim të ungjillit. Gjithashtu e ndiej ndikimin e Frymës së Shenjtë kur unë dhe bashkëshortja ime, Ana Maria, flasim për atë që po lexojmë. Këndvështrimet e saj e ftojnë përherë Shpirtin.

Profeti dhe Pashka [Judease]

Këtë vit po studiojmë Dhiatën e Vjetër – një shkrim i shenjtë që i mbush shpirtrat tanë me dritë. Ndërsa e lexoj Dhiatën e Vjetër, më duket sikur po kaloj kohë me udhërrëfyes të mirëbesuar: Adamin, Evën, Enokun, Noeun, Abrahamin dhe kaq shumë të tjerë.

Këtë javë, ndërsa studiojmë librin Eksodi, kapitujt 7–13, ne mësojmë se si Zoti i çliroi fëmijët e Izraelit nga robëria shekullore në Egjipt. Lexojmë për nëntë plagë, nëntë shfaqje mbresëlënëse të fuqisë së Perëndisë, që Faraoni i dëshmoi pa e zbutur zemrën e vet.

Më pas Zoti i tregoi profetit të tij, Moisiut, për një plagë të dhjetë – dhe se si çdo familje në Izrael mund të përgatitej për të. Si pjesë e një rituali që do ta quanin Pashka [judease], izraelitët duhej të flijonin një qengj mashkull, pa të meta. Pastaj duhej të shenjonin kornizat e dyerve të shtëpive të tyre me gjakun e qengjit. Zoti premtoi se të gjitha shtëpitë që ishin të shenjuara me gjak, do të mbroheshin nga plaga e tmerrshme që po vinte.

Shkrimi i shenjtë thotë: “Atëherë bijtë e Izraelit … vepruan ashtu; ata bënë ashtu si … [e] urdhër[oi] Zoti Moisiun” (Eksodi 12:28). Ka diçka shumë të fuqishme në atë pohim të thjeshtë bindjeje.

Për shkak se fëmijët e Izraelit e ndoqën këshillën e Moisiut dhe vepruan me besim, ata shpëtuan nga plaga dhe, me kalimin e kohës, u çliruan nga robëria.

Pra, çfarë më mësoi Fryma e Shenjtë në këta kapituj këtë javë?

Këtu janë disa mendime që më kanë ngelur në mendje:

  • Zoti vepron nëpërmjet profetit të Tij për ta mbrojtur dhe shpëtuar popullin e Tij.

  • Besimi dhe përulësia për ta ndjekur profetin i paraprijnë mrekullisë së mbrojtjes dhe çlirimit.

  • Gjaku në kornizën e dyerve ishte një shenjë e jashtme e besimit të brendshëm te Jezu Krishti, Qengji i Perëndisë.

Profeti dhe Premtimet e Zotit

Më lë mbresa paralelizmi midis mënyrës se si Zoti e bekoi popullin e Tij në këtë rrëfim të Dhiatës së Vjetër dhe mënyrës se si Ai gjithashtu po e bekon popullin e Tij sot.

Kur profeti i gjallë i Zotit, Presidenti Nelson, na paraqiti programin Eja, Më Ndiq si një mjet për të studiuar shkrimet e shenjta, ai na ftoi që t’i shndërrojmë shtëpitë tona në shenjtërore besimi dhe qendra të të mësuarit të ungjillit.

Më pas ai premtoi katër bekime të veçanta:

  1. ditët tuaja të Shabatit do të jenë një kënaqësi,

  2. fëmijët tuaj do të ngazëllehen që t’i mësojnë dhe jetojnë mësimet e Shpëtimtarit,

  3. ndikimi i kundërshtarit në jetën tuaj dhe në shtëpinë tuaj do të pakësohet, si dhe

  4. këto ndryshime në familjen tuaj do të jenë thelbësore dhe mbështetëse.6

Tani, ne nuk kemi asnjë shënim ditari nga ata që e përjetuan Pashkën [judease] me Moisiun në Egjipt. Megjithatë, ne kemi shumë dëshmi nga shenjtorët që, me të njëjtin besim, po ndjekin sot këshillën e Presidentit Nelson dhe po marrin bekimet e premtuara.

Këtu janë disa dëshmi të tilla:

Nëna e një familjeje të re tha: “Ne flasim për Krishtin dhe gëzohemi në Krishtin në shtëpinë tonë. Për mua ky është bekimi më i madh – që fëmijët e mi të mund të rriten me këto bashkëbisedime për ungjillin në shtëpi të cilat i afrojnë më shumë me Shpëtimtarin.”7

Një vëlla i moshuar e quajti studimin e vet të shkrimeve të shenjta nëpërmjet manualit Eja, Më Ndiq “një përçues të mbushur me dritë hyjnore që na ndihmon të kuptojmë doktrinën e ungjillit që është e domosdoshme për mirëqenien tonë shpirtërore”8.

Një bashkëshorte e re përshkroi bekimet në martesën e saj: “Kam qenë në gjendje ta njoh më thellë zemrën e bashkëshortit tim dhe kam mundur t’ia hap zemrën më shumë atij teksa studiojmë së bashku”9.

Një nënë e një familjeje të madhe vuri re se si ndryshuan përpjekjet e saj për të mësuar familjen e vet. Ajo përmendi: “Kur kthej vështrimin pas, ishte sikur po luaja në piano me dorashka dëbore. Po i shtypja tastet e duhura, por muzika nuk ishte siç duhej. Tani i kam hequr dhe, edhe pse muzika ime nuk është ende e përsosur, unë e dalloj ndryshimin. Manuali Eja, Më Ndiq më ka dhënë largpamësi, aftësi, përqendrim dhe qëllim.”10

Një bashkëshort i ri tha: “Përparësitë e mia më të rëndësishme në shtëpi janë bërë më të qarta që kur e kam bërë manualin Eja, Më Ndiq një pjesë të rregullt të mëngjeseve të mia. Studimi më shtyn të mendoj më shumë për gjërat që kanë më shumë rëndësi për mua, si tempulli, marrëdhënia me bashkëshorten time dhe thirrja ime. Jam mirënjohës që shtëpia ime është një shenjtërore ku Perëndia zë vendin e parë.”11

Një motër tregoi: “Përvojat e mia të përditshme me manualin Eja, Më Ndiq rrallë janë të shquara, por me kalimin e kohës mund të shoh se si po ndryshohem nga një studim kaq i vazhdueshëm, i përqendruar i shkrimeve të shenjta. Ky lloj studimi më përul, më mëson dhe më ndryshon pak nga pak.”12

Një misionar i kthyer raportoi: “Programi Eja, Më Ndiq më ka afruar më shumë me nivelin e studimit të shkrimeve të shenjta që bëja në misionin tim dhe kam qenë në gjendje të kaloj nga mendësia e studimit të shkrimeve të shenjta sipas një liste paraprake në sesione vërtet pasuruese për të njohur Perëndinë”13.

Një vëlla tha: “E ndiej që Fryma e Shenjtë mirëpritet më shumë në jetën time dhe e ndiej udhërrëfimin e Perëndisë nëpërmjet zbulesës në marrjen e vendimeve. Bëj bashkëbisedime më të thella lidhur me bukurinë në doktrinën e thjeshtë të Krishtit dhe në Shlyerjen e Tij.”14

Një fëmijë shtatëvjeçar tregoi: “Së shpejti do të pagëzohem dhe programi Eja, Më Ndiq po më bën gati. Unë dhe familja ime flasim për pagëzimin dhe tani nuk ndihem në ankth rreth pagëzimit. Eja, Më Ndiq ndihmon që Fryma e Shenjtë të vijë në zemrën time dhe ndiej ngrohtësi kur i lexoj shkrimet e shenjta.”15

Dhe më së fundi, nga një nënë me shumë fëmijë: “Ndërsa e studiojmë fjalën e Perëndisë, Ai e ka ndihmuar familjen tonë të shkojë nga shqetësimi te fuqia, nga sprova e sfida te çlirimi, nga grindja e kritika te dashuria e paqja dhe nga ndikimi i kundërshtarit te ndikimi i Perëndisë”16.

Këta dhe shumë pasues të tjerë besnikë të Krishtit në mënyrë simbolike e kanë vendosur gjakun e Qengjit të Perëndisë në pragun e shtëpive të tyre. Ata po e shfaqin zotimin e tyre të brendshëm për të ndjekur Shpëtimtarin. Besimi i tyre e paraprin mrekullinë. Kjo është mrekullia e një personi që ka një përvojë në shkrimet e shenjta dhe që ajo përvojë bekohet nga ndikimi i Frymës së Shenjtë.

Kur i studiojmë shkrimet e shenjta, nuk ka uri shpirtërore në tokë. Sikurse tha Nefi: “Të gjithë që do të dëgjonin fjalën e Perëndisë dhe do të mbaheshin fort në të, ata nuk do të mbaronin kurrë; as tundimet dhe shigjetat e flakta të kundërshtarit nuk do të mund t’i mposhtnin ata në verbëri, t’i çojnë ata në shkatërrim” (1 Nefi 15:24).

Në kohët e lashta, ndërsa fëmijët e Izraelit ndoqën drejtimin e Zotit që u dha nëpërmjet profetit Moisi, ata u bekuan me siguri dhe liri. Sot, ndërsa ndjekim drejtimin e Zotit që jepet nëpërmjet profetit tonë të gjallë, Presidentit Nelson, ne jemi po aq të bekuar me kthimin në besim të zemrës sonë dhe me mbrojtje në shtëpitë tona.

Unë dëshmoj se Jezu Krishti jeton. Kjo është Kisha e Tij, e rivendosur në tokë nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Presidenti Rasëll M. Nelson është profeti i Zotit sot. Unë e dua dhe e mbështet atë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022, f. vii.

  2. “Secili prej nesh është përgjegjës për rritjen tonë shpirtërore vetjake” (Rasëll M. Nelson, “Fjalët e Hapjes”, Liahona, nëntor 2018, f. 8).

  3. Shih Rasëll M. Nelson, “Tempulli dhe Themeli Juaj Shpirtëror”, Liahona, nëntor 2021, f. 93–96.

  4. Kjo është një arsye e rëndësishme përse Presidenti Nelson na është lutur: “Gjeni kohë për Zotin! Bëjeni themelin tuaj vetjak shpirtëror të fortë dhe të aftë për t’i qëndruar provës së kohës duke bërë ato gjëra që e lejojnë Frymën e Shenjtë të jetë me ju gjithmonë” (“Gjeni Kohë për Zotin”, Liahona, nëntor 2021, f. 120).

  5. “Pavarësisht nga ajo që mund të thonë ose bëjnë të tjerët, askush nuk mund ta largojë asnjëherë një dëshmi të lindur në zemrën dhe mendjen tuaj për atë që është e vërtetë” (Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 95).

  6. Shih Rasëll M. Nelson, “Të Bëhemi Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme”, Liahona, nëntor 2018, f. 113–114. Presidenti Nelson e përsëriti këtë ftesë prillin e kaluar: “Zotimit tuaj për ta bërë shtëpinë tuaj shenjtëroren kryesore të besimit, nuk duhet t’i vijë kurrë fundi. Ndërsa besimi dhe shenjtëria pakësohen në këtë botë të rënë, nevoja juaj për vende të shenjta do të rritet. Unë ju nxit që të vazhdoni ta bëni shtëpinë tuaj një vend me të vërtetë të shenjtë ‘dhe [të] mos lëvizni’ [Doktrina e Besëlidhje 87:8; theksimi i shtuar] nga ai synim thelbësor” (“Gjërat që po Mësojmë që Kurrë Nuk do t’i Harrojmë”, Liahona, maj 2021, f. 79).

  7. Letërkëmbim vetjak, shih edhe te 2 Nefi 25:26.

  8. Letërkëmbim vetjak.

  9. Letërkëmbim vetjak.

  10. Letërkëmbim vetjak.

  11. Letërkëmbim vetjak.

  12. Letërkëmbim vetjak.

  13. Letërkëmbim vetjak.

  14. Letërkëmbim vetjak.

  15. Letërkëmbim vetjak.

  16. Letërkëmbim vetjak.