2022
Kisha Ofron Ndihmë dhe Lehtësim
maj 2022


Kisha Ofron Ndihmë dhe Lehtësim

Kudo në botë, shenjtorët e ditëve të mëvonshme janë të përfshirë aktivisht në përpjekjet për të ndihmuar refugjatët. Në Europë, ata po ndihmojnë për të siguruar ushqim, veshje, artikuj për fëmijë, strehim dhe më shumë për të ndihmuar ata që janë zhvendosur. Kisha kohët e fundit dhuroi 2 milionë dollarë për Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët dhe 2 milionë dollarë të tjerë për Programin Botëror të Ushqimit. Dhurimet do ta ndihmojnë PBU‑në që të sigurojë ushqim për gati 11 000 njerëz për katër muaj.

“Kemi anëtarë në të gjitha vendet e prekura”, – tha Motra Sheron Iubank, Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës dhe presidente e Latter-day Saint Charities [Organizatës Bamirëse të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme]. Për shkak se Kisha mban një fond rezervë, ajo ishte në gjendje ta siguronte ushqimin dhe ujin në vendndodhjen e duhur përpara krizës në Ukrainë, tha ajo, duke vënë në dukje se Kisha është e angazhuar ndaj nevojave afatgjata të vendeve të prekura.

Në Paraguaj dhe Peru, fondet e Kishës ndihmuan për sigurimin e pajisjeve mjekësore për spitalet dhe në Peru Kisha u dërgoi ventilatorë, drita, orendi, stola, pajisje dhe shtatë kompjutera të lëvizshëm organizatave që u shërbejnë fëmijëve dhe të moshuarve, një këshilli ndërfetar dhe një strehe për vajza. Në Kolumbi, fondet e ofertës së agjërimit u përdorën për të siguruar 1 200 kuti me ushqime dhe furnizime për njerëzit nevojtarë. Në Panama, Kisha dhuroi pajisje për të ndihmuar në ruajtjen e vaksinave të COVID‑19.

Njerëzit në 10 qytete në Shtetet e Bashkuara vizituan makineritë për dhurime Ndriçoje Botën gjatë periudhës së Krishtlindjes 2021, duke dhuruar një total prej 5,8 milionë dollarësh. Makineritë lejojnë që një njeri të blejë artikuj (të tillë si veshje, vakte, ujë të pijshëm dhe gjë të gjallë) të cilat më vonë do të shpërndahen nëpërmjet 44 organizatave bamirëse në Shtetet e Bashkuara, si dhe pesë agjencive botërore.

Kisha ndihmoi gjithashtu ata që u prekën nga uraganet në pjesën qendrore të Shteteve të Bashkuara, një tajfun në Filipine dhe një shpërthim vullkanik dhe cunami në Tongë.