2022
Përhapja e Ungjillit në të Gjithë Botën
maj 2022


Përhapja e Ungjillit në të Gjithë Botën

Anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve vazhdojnë shërbesën e tyre si profetë, shikues dhe zbulues, duke dëshmuar në mbarë botën për Rivendosjen e ungjillit dhe bekimet e ndjekjes së Shpëtimtarit. Ja ku janë vetëm disa nga gjërat që ata kanë arritur që nga konferenca e fundit e përgjithshme.

Anëtarë të Presidencës së Parë

Për një përmbledhje të shërbesës së Presidentit Rasëll M. Nelson, që nga konferenca e fundit e përgjithshme, shih faqen 135.

Duke folur në një universitet në Romë të Italisë, Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, tha se liria fetare sjell shumë dobi për shoqërinë dhe i nxiti njerëzit me besim që të “gjejnë mënyra për të mësuar nga njëri‑tjetri dhe për t’i përforcuar idetë e përbashkëta që na mbajnë së bashku”.

Anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve

Presidenti M. Rasëll Ballard, President Veprues, dhe Pleqtë Xhefri R. Holland dhe Kuentin L. Kuk dhanë shërbesë anembanë Britanisë së Madhe, duke u takuar me misionarë/e dhe anëtarë/e të Kishës. Të tre ata shërbyen në mision në Mbretërinë e Bashkuar kur ishin të rinj dhe Plaku Holland e Plaku Kuk ishin shokë misionarë.

Plaku Dejvid A. Bednar foli në një takim shpirtëror në Jordani. Në Emiratet e Bashkuara Arabe, ai u takua me udhëheqës të Kunjit të Abu‑Dabit dhe vizitoi zonën e ekspozitës ku një ditë do të vendoset një tempull. Në Bahrein, ai u takua me anëtarë të Lagjes Manama dhe zhvilloi një takim shpirtëror për rininë.

Plaku D. Tod Kristoferson u bë Apostulli i parë që vizitoi Republikën e Gambias. Ai u takua me presidentin, zonjën e parë dhe zëvendëspresidentin e republikës dhe diskutoi për një përpjekje bashkëpunuese ndërmjet Kishës dhe fondacionit të zonjës së parë për të ndihmuar njerëzit nevojtarë. Plaku Kristoferson vizitoi gjithashtu Bregun e Fildishtë, Nigerinë dhe Ganën.

Gjatë mbledhjeve dhe trajnimeve në Kolumbi dhe Ekuador, Plaku Nil L. Andersen kujtoi shumë anëtarë të Kishës që kanë ndërruar jetë për shkak të COVID‑it. Ai u takua me misionarë/e, 36 presidentë misionesh dhe bashkëshortet e tyre dhe udhëheqës kunjesh, shpesh duke folur spanjisht. Në një takim shpirtëror në Kolumbi, ai foli për forcimin e martesave dhe familjeve.

Në Panama, Plaku Geri E. Stivenson u bë Apostulli i parë që vizitoi ishullin Karti‑Tupile në arkipelagun San‑Blas, që ndodhet në qarkun indigjen Guna‑Jala rreth dy orë e gjysmë larg nga Qyteti i Panamasë.

Plaku Gerit W. Gong foli me rininë në Filipine rreth marrjes së vendimeve me mençuri dhe marrjes mbi vete të emrit të Jezu Krishtit. Ai u takua me misionarë/e dhe, në një ngjarje të transmetuar në të gjithë Filipinet, iu drejtua të rinjve beqarë në moshë madhore.

Në vendin e tij të lindjes në Brazil, Plaku Ulises Soares i këshilloi të rinjtë në moshë madhore që ta përqendronin jetën e tyre te Shpëtimtari. Ai u tha misionarëve/eve të ushtronin besim te Jezu Krishti dhe të qëndronin të vendosur në të vërtetën. Muaj më vonë, Plaku Soares u kthye në Brazil për të folur në një simpozium mbi lirinë fetare. Ai u takua gjithashtu me zëvendëspresidentin e Republikës Domenikane dhe me ambasadorin e Kubës në atë vend. Kisha ka një distrikt dhe katër degë në Kubë.

Në mbledhje virtuale, Plaku Diter F. Uhtdorf u foli të rinjve dhe të rejave, misionarëve/eve dhe udhëheqësve të Kishës në Azi; Plaku Kuentin L. Kuk u foli të rinjve/rejave në moshë madhore në Zonat e Europës, Europës Lindore, Afrikës dhe Lindjes së Mesme; Plaku D. Tod Kristoferson u foli të rinjve/rejave në moshë madhore që flasin portugalisht; Plaku Nil L. Andersen u foli të rinjve/rejave në moshë madhore që jetojnë në Amerikën Latine dhe Spanjë; Plaku Ronald A. Rasband u foli të rinjve/rejave në moshë madhore anglishtfolës/e; dhe Plaku Dejll G. Renland u foli të rinjve/rejave në moshë madhore frëngjishtfolës/e.