2022
Shkalla e Besimit
maj 2022


Shkalla e Besimit

Mosbesimi e bllokon aftësinë tonë për të parë mrekulli, ndërsa një mendësi besimi te Shpëtimtari i shkyç fuqitë e qiellit.

Si do të ndikojnë sfidat e jetës në besimin tonë te Jezu Krishti? Dhe çfarë ndikimi do të ketë besimi ynë te gëzimi dhe paqja që përjetojmë në këtë jetë?

Ishte viti 1977. Ra zilja e telefonit dhe mesazhi na e bëri zemrën copë. Karolina dhe Dag Tebsi ishin në proces shpërnguljeje në shtëpinë e tyre të re pasi përfunduan studimet pasuniversitare. Kuorumi i pleqve kishte ardhur që të ngarkonte furgonin me të cilin do të shpërnguleshin. Dagu, për t’u siguruar që rruga ishte e lirë përpara se të ecte mbrapsht, vështroi edhe një herë të fundit. Ajo që nuk mundi të shihte ishte vajza e tij e vogël, Xheni, duke u turrur si shigjetë pas kamionit, pikërisht në momentin e gabuar. Menjëherë, Xheni i tyre e dashur ndërroi jetë.

Ç’do të ndodhte më pas? A do të krijonte dhembja e tyre e thellë dhe ndjesia e pakonceptueshme e humbjes një hendek mospajtimi ndërmjet Karolinës dhe Dagut, apo do t’ua lidhte zemrat së bashku dhe do ta forconte besimin e tyre në planin e Atit Qiellor?

Rruga përmes hidhërimeve të tyre ka qenë e gjatë dhe e dhembshme, por nga diku u shfaqën rezervat shpirtërore për të mos e humbur shpresën, por për të “qëndr[uar] në udhën [e tyre]”1. Në njëfarë mënyre, ky çift i jashtëzakonshëm u bë edhe më shumë si Krishti. Më i zotuar. Më i dhembshur. Ata besonin se, në kohën e Tij, Perëndia do t’i shenjtëronte hidhërimet e tyre për të mirën e tyre.2

Ndonëse dhembja dhe humbja nuk do të largoheshin dhe nuk mund të largoheshin plotësisht, Karolina dhe Dagu janë ngushëlluar nga siguria se duke qëndruar me vendosmëri në shtegun e besëlidhjeve, Xheni i tyre e dashur do të ishte e tyrja përgjithmonë.3

Shembulli i tyre e ka forcuar besimin tim në planin e Zotit. Ne nuk i shohim të gjitha gjërat. Ai i sheh. Zoti i tha Jozef Smithit në burgun e Libertisë se të “gjith[a] këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde. Biri i Njeriut ka zbritur nën këto të gjitha. A je ti më i madh se ai?”4

Kur e pranojmë vullnetin e Zotit, Ai na mëson se si të ecim me Të.5 Kur isha misionar i ri duke shërbyer në Tahiti, m’u kërkua që të administroja ndaj një foshnje të sëmurë. I vendosëm duart mbi kokën e tij dhe e bekuam që të bëhej më mirë. Shëndeti i tij filloi të përmirësohej, por pastaj u sëmur përsëri. E bekuam edhe një herë të dytë, por me të njëjtin rezultat. Na erdhi edhe një kërkesë e tretë. Iu përgjëruam Zotit që të bëhej vullneti i Tij. Shpejt pas kësaj, ky shpirt i vogël u rikthye në shtëpinë e tij qiellore.

Por ishim në paqe. Dëshironim që foshnja të jetonte, por Zoti kishte plane të tjera. Pranimi i vullnetit të Tij në vend të vullnetit tonë, është çelësi për të gjetur gëzim, pavarësisht nga rrethanat tona.

Besimi i thjeshtë që kemi te Jezu Krishti ndërsa fillojmë së pari të mësojmë për Të, mund të mbetet në zemrat tona ndërsa përballemi me sfidat e jetës. Besimi ynë tek Ai mund dhe do të na udhërrëfejë përmes ndërlikimeve të jetës. Në të vërtetë, ne do të zbulojmë se ka thjeshtësi në anën tjetër të ndërlikimeve të jetës6 teksa qëndrojmë me “vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës”7.

Pjesë e qëllimit të jetës është që t’i lejojë këto pengesa të mundshme të bëhen gurë kalimi teksa ngjitemi në atë që unë e quaj “shkalla e besimit”, një shkallë sepse ajo sugjeron që besimi nuk është statik. Mund të ngrihet ose të ulet sipas zgjedhjeve që bëjmë.

Ndërsa përpiqemi fort ta ndërtojmë besimin te Shpëtimtari, mund të mos e kuptojmë plotësisht dashurinë e Perëndisë për ne dhe mund t’u bindemi ligjeve të Tij nga ndjesia e detyrimit. Faji mund të bëhet shtysa jonë parësore, në vend të dashurisë. Një lidhje e vërtetë me Të mund të mos jetë përjetuar ende.

Teksa kërkojmë ta rritim besimin tonë, mund të pështjellohemi nga ajo që dha mësim Jakobi. Ai na kujtoi se “besimi pa vepra është i vdekur”8. Mund të pengohemi nëse mendojmë se çdo gjë varet nga ne. Një varësi e tepruar te vetja mund ta pengojë aftësinë tonë për t’i përdorur fuqitë e qiellit.

Por ndërsa përparojmë drejt besimit të vërtetë te Jezu Krishti, mendësia jonë fillon të ndryshojë. Ne e kuptojmë se bindja dhe besimi te Shpëtimtari na kualifikojnë që ta kemi Shpirtin e Tij që të jetë gjithmonë me ne.9 Bindja nuk është më pezmatim, por kthehet në objektiv.10 Ne e kuptojmë se bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë na aftëson që Ai të na mirëbesojë. Me mirëbesimin e Tij vjen edhe një dritë e shtuar. Kjo dritë na udhërrëfen në rrugëtimin tonë dhe na lejon ta shohim më qartë shtegun që duhet të marrim.

Por ka edhe diçka tjetër. Ndërsa besimi ynë te Shpëtimtari rritet, vërejmë një ndryshim të mprehtë që përfshin një kuptueshmëri hyjnore të marrëdhënies sonë me Perëndinë, një zhvendosje të qëndrueshme nga mendësia “Çfarë dua unë?” te “Çfarë do Perëndia?” Si Shpëtimtari, ne dëshirojmë të veprojmë [ashtu siç tha Ai]: “Jo si dua unë, por si do ti”11. Ne dëshirojmë të bëjmë punën e Perëndisë dhe të jemi një mjet në duart e Tij.12

Përparimi ynë është një përparim i përjetshëm. Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim se ka shumë më tepër gjëra që Ati Qiellor dëshiron që ne t’i dimë.13 Teksa përparojmë, ne e kuptojmë më mirë atë që Zoti i mësoi Jozef Smithit: “Sepse, në qoftë se i mbani urdhërimet e mia, ju do ta merrni plotësinë e tij dhe do të përlëvdoheni në mua, … unë ju them, ju do të merrni hir pas hiri”14.

Është vendimi ynë se sa lart ngjitemi në shkallën e besimit. Plaku Nil L. Andersen dha mësim se “besimi nuk vjen nga rastësia por nga zgjedhja”15. Ne mund të zgjedhim që të bëjmë zgjedhjet e nevojshme për ta rritur besimin tonë te Shpëtimtari.

Shqyrtojeni ndikimin e zgjedhjeve të bëra kur Lamani dhe Lemueli zbritën nga shkalla e besimit, ndërkohë që Nefi u ngjit më lart. A ka një pasqyrim më të qartë sesa ndryshimi ndërmjet përgjigjes së Nefit: “Unë do të shkoj dhe do të bëj”16, kundrejt asaj të Lamanit dhe Lemuelit: “Si është e mundur që Zoti do të dorëzojë Labanin në duart tona?”17

Mosbesimi e bllokon aftësinë tonë për të parë mrekulli, ndërsa një mendësi besimi te Shpëtimtari i shkyç fuqitë e qiellit.

Edhe kur besimi ynë është i dobët, dora e Zotit do të jetë gjithmonë e zgjatur drejt nesh.18 Vite më parë, mora detyrën për të riorganizuar një kunj në Nigeri. Në minutën e fundit, pati një ndryshim të datës. Ishte një burrë në kunj që kishte vendosur të largohej nga qyteti në datën e parë të konferencës. Ai nuk donte të rrezikonte që të thirrej si president kunji.

Gjatë kohës që ishte larguar, kishte pësuar një aksident të tmerrshëm, por nuk ishte dëmtuar. Kjo bëri që ai ta merrte parasysh faktin përse i ishte kursyer jeta. E rishikoi edhe një herë vendimin që kishte marrë. Ai u pendua dhe me përulësi mori pjesë në datën e ricaktuar për konferencën. Po, ai u thirr që të ishte presidenti i ri i kunjit.

Plaku Nil A. Maksuell dha mësim: “Vetëm duke e përputhur vullnetin tonë me atë të Perëndisë gjendet lumturia e plotë. Çdo gjë më pak nga kjo rezulton në një pjesë më të vogël [të fjalës]”19.

Pasi t’i bëjmë “të gjitha gjërat që janë në fuqinë tonë”, atëherë është koha që të “qëndro[jmë] të patundur … për të parë shpëtimin e Perëndisë”20. E pashë këtë ndërsa shërbeja si vëlla shërbestar në familjen Mek‑Kormik. E martuar prej 21 vjetësh, Meri Kei shërbeu besnikërisht në thirrjet e saj. Keni nuk ishte anëtar i Kishës dhe nuk kishte interes të bëhej i tillë, por nga dashuria për bashkëshorten, ai zgjodhi ta frekuentonte kishën me të.

Një të diel, ndjeva një mbresë që t’i jepja dëshminë time Kenit. E pyeta nëse mund ta bëja këtë. Përgjigja e tij qe e thjeshtë dhe e qartë: “Jo, faleminderit”.

U hutova. Kisha marrë një nxitje dhe u përpoqa që ta ndiqja atë. Ishte tunduese të merrja vendimin se e kisha bërë pjesën time. Por, pas lutjes dhe reflektimit, kuptova që ndonëse qëllimet e mia ishin të sakta, isha mbështetur shumë te vetja dhe shumë pak te Zoti.

Më vonë, u ktheva sërish, por me një mendësi tjetër. Do të shkoja thjesht si një mjet në duart e Zotit me asnjë dëshirë tjetër përveç ndjekjes së Shpirtit. Bashkë me shokun tim besnik shërbestar, Xherald Kardënin, hymë në shtëpinë e familjes Mek‑Kormik.

Shpejt pas kësaj, ndjeva nxitjen që ta ftoja Xheraldin të këndonte himnin: “E Di, Jeton Shëlbuesi Im”21. Ai më hodhi një vështrim mëdyshas, por duke pasur besim te besimi im, e bëri këtë gjë. Një shpirt i mrekullueshëm e mbushi dhomën. Erdhi nxitja për ta ftuar Meri Kein dhe Kristin, vajzën e tyre, që të jepnin dëshmitë e tyre. Ndërsa po e bënin këtë, Shpirti u bë edhe më i fortë. Në fakt, pas dëshmisë së Kristinës, në faqet e Kenit rrodhën lot.22

Perëndia e kishte marrë situatën nën kontroll. Zemrat jo thjesht që u prekën, por ndryshuan përgjithmonë. Njëzet e një vite mosbesimi u shpërbënë nga fuqia e Frymës së Shenjtë. Një javë më vonë, Keni u pagëzua. Një vit më vonë, Keni dhe Meri Kei u vulosën në shtëpinë e Zotit për kohën dhe për gjithë përjetësinë.

Së bashku kishim përjetuar atë se çfarë do të thoshte ta zëvendësonim vullnetin tonë me vullnetin e Zotit, dhe besimi ynë tek Ai u rrit.

Ju lutem, shqyrtojini disa pyetje të ngritura nga profetët e shenjtë të Perëndisë ndërsa përpiqeni fort ta ngjitni shkallën tuaj të besimit:

A kam hequr dorë nga kryelartësia?23

A bëj vend në zemrën time për fjalën e Perëndisë?24

A i lejoj hidhërimet e mia që të shenjtërohen për të mirën time?25

A jam i gatshëm ta shkrij vullnetin tim në vullnetin e Atit?26

Në qoftë se e kam ndier [nxitjen] që të këndoj këngën e dashurisë shëlbuese, a mund të ndihem kështu tani?27

A e lejoj Perëndinë të triumfojë në jetën time?28

Nëse zbuloni që shtegu juaj i tanishëm bie ndesh me besimin tuaj te Shpëtimtari, atëherë, ju lutem, gjejeni sërish udhën tuaj të kthimit për tek Ai. Ekzaltimi juaj dhe ai i pasardhësve tuaj varet nga kjo.

I mbjellshim farat e besimit thellë në zemrën tonë! I ushqefshim këto fara teksa lidhemi me Shpëtimtarin duke i nderuar besëlidhjet që kemi bërë me Të! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.