2022
Dishepullimi i Guximshëm në Ditët e Mëvonshme
maj 2022


Dishepullimi i Guximshëm në Ditët e Mëvonshme

Le të jemi vetëbesues, jo shfajësues, të guximshëm, jo të druajtur, besnikë, jo të frikësuar teksa mbajmë lart dritën e Zotit në këto ditë të fundit.

Liria morale e zgjedhjes është dhurata më e çmuar e Perëndisë për fëmijët e Tij.1 Ne jemi “të lirë të zgjedhi[m] lirinë dhe jetën e përjetshme, nëpërmjet Ndërmjetësit të madh të të gjithë njerëzve, ose të zgjedhi[m] robërinë dhe vdekjen, sipas robërisë dhe fuqisë së djallit”2. Perëndia nuk do të na detyrojë të bëjmë të mirën dhe djalli nuk mund të na detyrojë të bëjmë të ligën.3 Ndonëse disa mund të mendojnë se vdekshmëria është një konkurrim midis Perëndisë dhe kundërshtarit, një fjalë prej Shpëtimtarit “dhe Satani heshtet dhe dëbohet. … Është forca [jonë] që po vihet në provë, jo forca e Perëndisë.”4

Në fund ne rrjedhimisht do të korrim atë që kanë mbjellë sjelljet tona gjatë gjithë jetës.5 Prandaj, çfarë tregon shuma e përgjithshme e mendimeve, dëshirave, fjalëve dhe veprave tona rreth dashurisë sonë për Shpëtimtarin, shërbëtorët e Tij të zgjedhur dhe Kishën e Tij të rivendosur? A kanë më shumë domethënie për ne besëlidhjet tona të pagëzimit, priftërisë dhe tempullit sesa lavdërimi nga bota apo numri i “pëlqimeve” në mjetet shoqërore të komunikimit? A është dashuria jonë për Zotin dhe urdhërimet e Tij më e fortë se dashuria jonë për diçka ose dikë tjetër në këtë jetë?

Kundërshtari dhe pasuesit e tij gjithmonë janë përpjekur t’i shkatërrojnë veprat e Krishtit dhe të profetëve të Tij. Urdhërimet e Shpëtimtarit arsyetohen si të pakuptimta nga shumë njerëz në botën e sotme, në mos shpërfillen tërësisht. Lajmëtarët e Perëndisë të cilët japin mësim të vërteta “të pavolitshme”, shpesh i mënjanojnë. Edhe Shpëtimtari Vetë u quajt “një grykës dhe një pijanec”6, u akuzua se e shqetësoi ndjenjën publike dhe se ishte përçarës. Njerëz të dobët e mashtrues “bën[ë] këshill se si ta zinin gabim në fjalë”7 dhe për “sekt[in]” e Tij të të krishterëve të hershëm “kudo flitej kundra”8.

Shpëtimtari dhe pasuesit e Tij të hershëm u përballën me kundërshtim të rëndë, të brendshëm dhe të jashtëm dhe ne përjetojmë të njëjtën gjë. Sot është thuajse e pamundur që ta jetojmë guximshëm besimin tonë pa u treguar herë pas here me gishta tallës, të njëmendtë dhe virtualë, nga njerëzit e botës. Është shpërblyese ndjekja me vetëbesim e Shpëtimtarit, por nganjëherë ne mund të gjendemi nën sulmin e atyre që mbrojnë një filozofi “hani, pini dhe dëfrehuni”9, ku besimi te Krishti, bindja dhe pendimi janë zëvendësuar nga iluzioni se Perëndia do ta shfajësojë një mëkat të vogël ngaqë Ai na do kaq shumë.

Duke folur “nëpërmjet zërit [të Tij] apo nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të [Tij]”10, a nuk tha Shpëtimtari për kohën tonë se “do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të mbledhin grumbull mësues” dhe se shumë “do t’i largojnë veshët nga e vërteta e do t’i sjellin drejt përrallave”11? A nuk u ankua Ai se “më kot më nderojnë, duke [u] mësuar doktrina që janë urdhërime nga njerëzit”12? A nuk paralajmëroi Ai se “edhe vetë midis jush do të dalin njerëz që do të flasin gjëra të çoroditura që të tërheqin pas vetes dishepujt”13? A nuk parashikoi Ai se “[do ta quanin] të mirë të keqen dhe të keqe të mirën”14 dhe se “armiqt[ë] e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet”15?

Pra, po ne? A duhet të jemi të trembur ose të frikësuar? A duhet ta jetojmë fenë tonë pa u vënë re nga të tjerët? Sigurisht që jo! Me besim te Krishti, nuk na nevojitet të kemi frikë nga qortimet e njerëzve, as të frikësohemi nga sharjet e tyre.16 Me Shpëtimtarin në timon dhe profetët e gjallë që na udhëheqin dhe udhërrëfejnë, “kush mund të jetë kundër nesh”17? Le të jemi vetëbesues, jo shfajësues, të guximshëm, jo të druajtur, besnikë, jo të frikësuar teksa mbajmë lart dritën e Zotit në këto ditë të fundit.18

Shpëtimtari e bëri të qartë se “kushdo që do të më rrëfenjë përpara njerëzve, atë unë do ta rrëfej përpara Atit tim. … Por kushdo që do të më mohojë përpara njerëzve, edhe unë do ta mohoj përpara Atit tim.”19

Si rrjedhim, ndërkohë që disa njerëz do të parapëlqenin një Perëndi që nuk u jep urdhërime, le të dëshmojmë me guxim fjalët e Plakut D. Tod Kristoferson se “një Perëndi që nuk bën asnjë kërkesë, vepron në po të njëjtën mënyrë sikurse një Perëndi që nuk ekziston”20.

Ndërkohë që disa do të parapëlqenin të ishin përzgjedhës në urdhërimet që ndjekin, le ta pranojmë plot gëzim ftesën e Shpëtimtarit që të “jeto[jmë] me anë të çdo fjale që del nga goja e Perëndisë”21.

Ndërkohë që shumë besojnë se Zoti dhe Kisha e Tij e falin bërjen e “çdo gjë[je] që [na] do zemra”22, le të shpallim guximshëm se është e gabuar të “shko[jmë] pas shumicës për të bërë të keqen”23 sepse “turmat nuk mund ta bëjnë të drejtë atë që Perëndia e ka shpallur të jetë e gabuar”24.

“O kujto[ni], kujto[ni], … sa të rrepta [prapëseprapë çliruese] janë urdhërimet e Perëndisë.”25 Dhënia mësim e tyre nganjëherë mund të duket qartë si një veprim i mungesës së tolerancës. Prandaj le të shfaqim plot respekt se nuk është vetëm e mundur por thelbësore që ta duam një fëmijë të Perëndisë që përqafon bindje të ndryshme nga vetë bindjet tona.

Ne mund t’i pranojmë e respektojmë të tjerët pa i miratuar bindjet ose veprimet e tyre që nuk përputhen me vullnetin e Zotit. Nuk është e nevojshme të flijojmë të vërtetën mbi altarin e pajtueshmërisë dhe të gjërave të dëshirueshme nga shoqëria.

Sioni dhe Babilonia janë të papërputhshëm. “Askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve.”26 Le të kujtojmë të gjithë pyetjen tejpërshkuese të Shpëtimtarit: “Përse më thirrni, ‘Zot, Zot’ dhe nuk bëni atë që ju them?”27

Le ta shfaqim dashurinë tonë për Zotin nëpërmjet bindjes së përzemërt dhe të vullnetshme.

Nëse ndieni se keni ngecur mes dishepullimit tuaj dhe botës, ju lutem mbani mend se Shpëtimtari juaj i dashur “dërgon … një ftesë, pasi krahët e mëshirës janë shtrirë drejt [jush] dhe ai thotë: Pendohuni dhe unë do t’ju pranoj”28.

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se Jezu Krishti “do të kryejë disa nga veprat e Tij më të fuqishme midis kohës së tanishme dhe kohës kur Ai të vijë përsëri”29. Por ai gjithashtu dha mësim se “ata që zgjedhin udhën e Zotit, ka të ngjarë që do ta durojnë përndjekjen”30. Të jemi “çmuar të denjë të fyhe[mi] për emrin e Jezusit”31, mund të jetë nganjëherë fati ynë kur e “lejo[jmë] zërin e Tij të ketë përparësi mbi çdo zë tjetër”32.

“Lum ai”, tha Shpëtimtari, “që nuk do të skandalizohet prej meje!”33 Diku tjetër mësojmë se “paqe të madhe kanë ata që e duan ligjin tënd, dhe nuk ka asgjë që mund t’i rrëzojë”34. Asgjë! Prandaj le t’i bëjmë pyetje vetes: “A po duroj për pak kohë, por kur vijnë mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohem menjëherë?35 A jam ndërtuar me vendosmëri mbi shkëmbin e Jezu Krishtit dhe shërbëtorëve të Tij?”

Relativistët moralë përkrahin idenë se e vërteta është thjesht një koncept shoqëror, se nuk ka gjëra morale që janë absolute. Ajo që po thonë në të vërtetë, është se nuk ka mëkat36, se “çdo gjë që një njeri bën nuk ishte krim”37, një filozofi për të cilën kundërshtari shpall me krenari autorësinë! Prandaj le të ruhemi nga ujqër të veshur me lëkurë deleje të cilët gjithmonë po rekrutojnë dhe “shpesh përdorin vërejtjet intelektuale për të mbuluar gabimet e veta të sjelljes”38.

Nëse vërtet duam të jemi dishepuj të guximshëm të Krishtit, ne do të gjejmë një mënyrë. Përndryshe, kundërshtari ofron alternativa joshëse. Por si dishepuj besnikë, “nuk kemi nevojë të kërkojmë falje për bindjet tona, as të zmbrapsemi nga ajo që e dimë se është e vërtetë”39.

Në përfundim, një fjalë rreth 15 shërbëtorëve të Perëndisë të ulur prapa meje. Ndërkohë që njerëzit e botës “u thonë shikuesve: ‘Mos kini vegime’ dhe profetëve: ‘Mos na profetizoni’”40, besnikët “kurorëzohen me bekime nga lart, po, dhe me urdhërime, e jo pak, dhe me zbulesa në kohën e duhur”41.

Nuk është aspak çudi që këta burra shpesh bëhen rrufepritëse për njerëzit e pakënaqur me fjalën e Perëndisë kur profetët e shpallin atë. Ata që i refuzojnë profetët, nuk e kuptojnë se “asnjë profeci e Shkrimit nuk [duhet të jetë] objekti i interpretimeve të veçanta” ose rrjedhoja e vullnetit të njeriut, “por [që] njerëzit e shenjtë të Perëndisë [flasin tani siç] shty[hen] nga Fryma e Shenjtë”42.

Ashtu si Pali, këta burra të Perëndisë nuk kanë “turp … të dëshmo[jnë për] Zotin tonë” dhe janë “të burgosuri[t] e Tij”43 në kuptimin që doktrina që e japin mësim, nuk është doktrina e tyre, por e Atij që i thirri. Si Pjetri, ata “nuk mund të mos flasim për ato që k[anë] parë dhe dëgjuar”44. Unë dëshmoj se Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve janë burra të mirë dhe të ndershëm që e duan Perëndinë dhe fëmijët e Tij dhe që Perëndia i do ata. Fjalët e tyre ne duhet t’i pranojmë si të ishin nga vetë goja e Zotit, “plot durim e besim. Pasi duke i bërë këto gjëra, portat e ferrit nuk do të hapen kundër [nesh] … dhe Zoti Perëndi do t’i shpërndajë fuqitë e errësirës përpara [nesh].”45

“Asnjë dorë mëkatare nuk mund ta ndalojë punën [që] të përparojë”46; ajo do të marshojë plot triumf me ose pa ju ose mua, prandaj “zgjidhni sot kujt doni t’i shërbeni”47. Mos u mashtroni ose trembni nga zhurmat e forta të kundërshtarit që zënë fill nga ndërtesa e gjerë dhe e madhe. Volumi i dëshpëruar i zërave të tyre nuk krahasohet me ndikimin qetësues të zërit të vogël, të qetë mbi zemrat e thyera dhe shpirtrat e penduar.

Dëshmoj se Krishti jeton, se Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë dhe se Ai e udhëheq Kishën e Tij nëpërmjet Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, duke siguruar kështu që ne nuk jemi “të lëkundur dhe të transportuar nga çdo erë doktrineje”48.

“Dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit”, dha mësim Presidenti Nelson, “janë të gatshëm të ngulmojnë, ta ngrenë zërin dhe të jenë të ndryshëm nga njerëzit e botës. Ata janë të patrembur, të përkushtuar e të guximshëm.”49

Vëllezër e motra, është një ditë e mirë për të qenë të mirë! Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.