2022
Kristin M. Ji
maj 2022


“Kristin M. Ji”, Liahona, maj 2022.

Kristin M. Ji

Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës

Në një botë të dalluar gjithnjë e më shumë nga ndarja dhe izolimi, Motra Kristin M. Ji ka vënë re se ka kura shëruese për ato sëmundje shoqërore nëpërmjet ungjillit të Jezu Krishtit dhe Shoqatës së Ndihmës.

“Shoqata e Ndihmës na bashkon nën kryesimin e Tij”, – tha ajo. “Kudo ku kam udhëtuar nëpër botë, kërkoj motrat e mia të Shoqatës së Ndihmës dhe menjëherë e ndiej se më duan dhe më njohin. Ka një përbashkësi në Krishtin dhe në dëshmitë tona për Të.”

Motra Ji, e cila ka shërbyer në këshillin konsultativ të përgjithshëm të Fillores, i qaset thirrjes së saj të re si Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës me sigurinë se ajo nuk punon vetëm.

“Zoti është në drejtim dhe unë i mirëbesoj Atij”, – tha ajo. “E ndiej gjithashtu fort se na nevojitet gjithsecili në punën e Tij. Të gjithë ne kemi një rol për të luajtur dhe mund të jemi pjesë e kësaj pune së bashku. Jam shumë mirënjohëse për mundësinë për të shërbyer.”

Kristin Mej Ji iu lindi Rajan R. Jiit dhe Xhejdën Foks Mek-Kejit më 5 maj 1981, në Sakramento, Kaliforni, SHBA. Më vonë ajo u shpërngul në Ajdaho të SHBA‑së dhe më pas në Jutë.

Në moshë të vogël ajo zbuloi si dashurinë ashtu edhe talentin për artin, të cilat e kanë prirë në shtigjet e saj arsimore dhe profesionale. Ajo ka diploma universitare në artet e bukura nga Universiteti “Brigam Jang”– Ajdaho dhe Universiteti “Brigam Jang”. Në vitin 2019, ajo mori një diplomë pasuniversitare në administrim publik nga UBJ‑ja.

Aftësitë artistike dhe përqendrimi i Motrës Ji, e prinë atë drejt një pozicioni pune si artiste dhe producente në Studiot “Disney Interactive”, ku ajo punoi për 13 vjet. Tani ajo administron ekipin e materialeve vizatimore të Kishës. Pikturat e saj me temë nga ungjilli përfshijnë portrete të shërbesës së Shpëtimtarit në vdekshmëri.

Motra Ji ka shërbyer në shumë thirrje të Kishës, përfshirë thirrjet si presidente e Shoqatës së Ndihmës në kunj, këshilltare në presidencën e Shoqatës së Ndihmës në lagje dhe mësuese, presidente e Të Rejave në lagje, mësuese e Doktrinës së Ungjillit, misionare e lagjes dhe punonjëse për ordinancat në tempull.