Konferenca e Përgjithshme
Jo si e Jep Bota
konferenca e përgjithshme e prillit 2021


Jo si e Jep Bota

Mjetet që na nevojiten për të krijuar një ditë më të shndritshme dhe për të rritur një ekonomi të mirësisë së sinqertë në shoqëri, na jepen me bollëk në ungjillin e Jezu Krishtit.

Përpara asaj Pashke të parë, kur Jezusi e përfundoi ordinancën e re të sakramentit që ua kishte administruar Të Dymbëdhjetëve, Ai filloi ligjërimin e Tij madhështor të lamtumirës dhe shkoi drejt Gjetsemanit, tradhtisë dhe kryqëzimit. Sidoqoftë, duke e ndier shqetësimin dhe ndoshta madje frikën e plotë që disa nga ata burra duhej të kishin shfaqur, Ai u tha këtë gjë atyre (dhe neve):

“Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua! …

Nuk do t’ju lë bonjakë, do të kthehem te ju. …

Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po ua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.”1

Kohë sfiduese vijnë në këtë botë të vdekshme, përfshirë edhe për besnikët, por mesazhi sigurues i Krishtit është që edhe pse Ai, qengji i Pashkës, do të shkonte si “një dele … përpara atyre që [e] qethin”2, Ai megjithëkëtë do të ngrihej, për të qenë, sikurse e tha psalmisti, “streh[a] dhe … forc[a jonë], … ndihm[a jonë] gjithnjë e gatshme në [kohët e] fatkeqësi[së]”3.

Duke e kuptuar se çfarë orësh të vështira kishte Krishti përpara, ndërkohë që Ai lëvizte drejt kryqit, dhe për dishepujt e Tij ndërkohë që ata do ta çonin ungjillin e Tij nëpër botë në meridianin e kohës, ecni me mua tani drejt një mesazhi që ka lidhje me anëtarët e Kishës së Shpëtimtarit në ditët e mëvonshme. Ai gjendet në numrin befasues të vargjeve në Librin e Mormonit që i kushtohen konfliktit të një lloji apo një tjetri, nga sjellja përjetësisht acaruese e Lamanit dhe Lemuelit deri te betejat përfundimtare që përfshinë qindra mijëra ushtarë. Njëra nga arsyet e dukshme për këtë theksim është që, edhe pse Libri i Mormonit u shkrua për një publik të ditëve të mëvonshme, këta autorë (të cilët përjetuan edhe vetë kaq shumë luftë) në mënyrë profetike na paralajmërojnë se dhuna dhe konflikti do të jenë një tipar karakteristik i marrëdhënieve në ditët e fundit.

Sigurisht, teoria ime rreth grindjes në ditët e mëvonshme nuk është shumë origjinale. Dy mijë vjet më parë, Shpëtimtari paralajmëroi se në ditët e fundit do të kishte “luftëra dhe ushtima luftërash”4, duke thënë më vonë se “paqja do të merre[j] nga toka”5. Sigurisht ky Princ i Paqes, i cili dha mësim prerazi se grindja është prej djallit6, duhet të vajtojë përkrah Atit të Tij Hyjnor për ata në familjen njerëzore në kohën tonë që janë “pa dhembshuri”, thotë shkrimi i shenjtë, dhe që nuk mund të gjejnë një rrugëzgjidhje se si të jetojnë së bashku në dashuri.7

Vëllezër e motra, ne shohim vërtet tepër shumë konflikt, zemërim dhe mungesë qytetarie në përgjithësi përreth nesh. Fatmirësisht, brezit të tanishëm nuk i është dashur të luftojë në një Luftë të Tretë Botërore, as nuk kemi përjetuar një dështim ekonomik mbarëbotëror si ai i vitit 1929, që çoi drejt një Depresioni të Madh. Sidoqoftë, ne po përballemi me një lloj Lufte të Tretë Botërore, e cila nuk është luftë për të shkatërruar armiqtë tanë, por një rekrutim që i rendit fëmijët e Perëndisë për t’u kujdesur më shumë për njëri‑tjetrin dhe për të ndihmuar që të shërohen plagët që i gjejmë në një botë me kaq shumë konflikt. Depresioni i Madh me të cilin përballemi tani, ka të bëjë më pak me humbjen e jashtme të kursimeve tona dhe ka të bëjë më shumë me humbjen e brendshme të vetëbesimit tonë, me mangësitë e vërteta të besimit, shpresës dhe dashurisë hyjnore përreth nesh. Por mjetet që na nevojiten për të krijuar një ditë më të shndritshme dhe për të rritur një ekonomi të mirësisë së sinqertë në shoqëri, na jepen me bollëk në ungjillin e Jezu Krishtit. Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes – bota nuk mund t’ia lejojë vetes – dështimin tonë për t’i vënë në përdorim të plotë këto koncepte dhe besëlidhje forcuese të ungjillit personalisht dhe publikisht.

Pra, në një botë të “rrahur nga stuhia, [të] pangushëlluar”, siç e tha Jehova se ajo do të ishte, si mund ta gjejmë atë që Ai e quan “besëlidhja e paqes”? Ne e gjejmë duke u kthyer tek Ai i cili tha se do të kishte mëshirë për ne dhe “me mirësi të përhershme” do t’u jepte paqe fëmijëve tanë.8 Pavarësisht nga profecitë e frikshme dhe shkrimet e shenjta shqetësuese që shpallin se paqja do të hiqet në përgjithësi nga toka, profetët, përfshirë vetë Rasëll M. Nelsonin tonë të dashur, na kanë dhënë mësim se ajo nuk ka pse të hiqet prej nesh si individë!9 Prandaj, në këtë Pashkë le të përpiqemi të ushtrojmë paqe në mënyrë vetjake, duke i vënë në zbatim hirin dhe balsamin shërues të Shlyerjes së Zotit Jezu Krisht për veten tonë dhe familjet tona dhe për të gjithë ata që mund t’i ndihmojmë përreth nesh. Fatmirësisht, madje çuditërisht, ky qetësues zbutës na është vënë në dispozicion “pa të holla dhe pa çmim”10.

Një ndihmë dhe shpresë e tillë janë shumë të nevojshme, sepse në këtë grumbullim mbarëbotëror sot ka shumë njerëz që ndeshen me një numër sfidash – fizike apo emocionale, shoqërore apo financiare, ose një duzinë llojesh të tjera shqetësimi. Por shumë prej këtyre ne nuk jemi mjaft të fortë sa t’i trajtojmë vetë dhe pa asnjë ndihmë, sepse ndihma dhe paqja që na nevojiten nuk janë të llojit që “e jep bota”11. Jo, për problemet vërtet të vështira na nevojiten ato që shkrimet e shenjta i quajnë “fuqitë e qiellit” dhe që t’i përdorim këto fuqi, ne duhet të jetojmë sipas atyre që po të njëjtat shkrime të shenjta i quajnë “parime të drejtësisë”12. Tani, të kuptuarit e asaj lidhjeje midis parimit dhe fuqisë është një mësim që familja njerëzore kurrë nuk duket se është në gjendje ta mësojë, kështu thotë Perëndia i qiellit dhe i tokës!13

Dhe cilat janë ato parime? Epo, ato renditen në mënyrë të përsëritur në shkrimin e shenjtë, janë dhënë mësim vazhdimisht në konferenca si kjo dhe në periudhën tonë ungjillore, Profetit Jozef Smith iu dhanë mësim ato si përgjigje ndaj vetë variantit të tij të lutjes: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?”14 Në izolimin e ftohtë, pa përkujdesje në burgun e Libertisë, atij i mësuan se parimet e drejtësisë përfshinin virtyte të tilla si durimi, durueshmëria, zemërbutësia dhe dashuria e pashtirur.15 Në mungesë të atyre parimeve, është e sigurt që ne përfundimisht do të përballeshim me mosmarrëveshje dhe armiqësi.

Lidhur me këtë, lejomëni të flas për një çast rreth mungesës në disa lagje banimi të këtyre parimeve të drejtësisë në kohën tonë. Në përgjithësi, unë jam një njeri plot energji dhe i gëzuar dhe ka kaq shumë gjëra që janë të mira dhe të bukura në botën tonë. Sigurisht, ne kemi më shumë bekime materiale sesa ndonjë brez tjetër në histori, por në kulturën e shekullit të 21‑të në përgjithësi dhe mjaft shpesh në Kishë, ne ende shohim jetë që kanë telashe, me kompromise nga të cilat rrjedhin besëlidhje të shkelura me tepri dhe zemra të thyera me tepri. Merreni parasysh të folurit e vrazhdë që shkon paralelisht me shkeljen seksuale, të cilat, që të dyja, janë kaq të kudogjendura në filma apo televizion, ose vërejeni ngacmimin seksual dhe forma të tjera të papërshtatshme që ndodhin në vendet e punës për të cilat lexojmë kaq shumë këto kohë. Për sa i përket pastërtisë së besëlidhjeve, ajo që është e shenjtë shumë shpesh po bëhet e rëndomtë dhe ajo që është e shenjtëruar shumë shpesh po bëhet përdhosëse. Kujtdo që tundohet të ecë ose të flasë apo sillet në këto mënyra – “si e jep bota”, le të themi – mos pritni që ajo t’ju çojë drejt një përvoje paqësore; ju premtoj në emrin e Zotit që nuk do t’ju çojë. “Ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi”16, tha dikur një profet i lashtë. Kur mbaron vallja, gajdexhiu gjithmonë duhet të paguhet dhe shumë shpesh pagesa janë lotët dhe keqardhja.17

Ndoshta shohim edhe forma të tjera të keqtrajtimit ose fyerjes. Duhet të jemi dy herë më të kujdesshëm si dishepuj të Zotit Jezu Krisht që të mos marrim pjesë në ndonjë sjellje të tillë. Në asnjë rast nuk duhet të jemi fajtorë për ndonjë formë keqtrajtimi apo sundimi të padrejtë ose detyrimi të pamoralshëm – jo fizik ose emocional ose kishtar apo të çfarëdo lloji tjetër. Më kujtohet që e ndjeva zellin e Presidentit Gordon B. Hinkli disa vjet më parë kur ai u foli burrave të Kishës lidhur me ata që ai i quajti “tiran[ë] në vetë shtëpi[t]ë e t[yre]”18:

“Sa tragjik dhe plotësisht i neveritshëm është fenomeni i keqtrajtimit të bashkëshortes”, tha ai. “Cilido burrë në këtë Kishë që e keqtrajton bashkëshorten e tij, që e poshtëron atë, që e fyen atë, që ushtron sundim të padrejtë mbi të, është i padenjë për ta mbajtur priftërinë. … [Ai] është i padenjë për të mbajtur një rekomandim tempulli.”19 Po aq i neveritshëm, tha ai, ishte çdo formë e keqtrajtimit të fëmijëve – apo çfarëdo lloj tjetër keqtrajtimi.20

Në tepër shumë raste, burra, gra dhe madje fëmijë që ndryshe janë besnikë, mund të jenë fajtorë për të folurit me ashpërsi, madje në mënyrë shkatërruese, ndaj atyre që mund të jenë të vulosur me ta nëpërmjet një ordinance të shenjtë në tempullin e Zotit. Çdo njeri ka të drejtën që të ndiejë dashuri, paqe dhe të gjejë siguri në shtëpi. Ju lutem, le të përpiqemi që ta ruajmë atë mjedis atje. Premtimi i të qenit paqebërës është që ju do të keni Frymën e Shenjtë si shoqëruesin tuaj të vazhdueshëm dhe bekimet do të rrjedhin te ju përgjithmonë “pa mënyra detyruese”21. Askush nuk mundet të flasë me një gjuhë therëse apo fjalë të ashpra dhe prapë të “këndo[jë] këngën e dashurisë shëlbuese”22.

Më lejoni ta përfundoj atje ku e nisa. Nesër është Pashkë, një kohë që parimet e drejta të ungjillit të Jezu Krishtit dhe Shlyerja e Tij të “kalojnë mbi” – të kalojnë mbi konfliktin dhe grindjen, të kalojnë mbi dëshpërimin e shkeljen dhe më së fundi të kalojnë mbi vdekjen. Është një kohë për t’i premtuar besnikëri të plotë me fjalë e me vepra Qengjit të Perëndisë, i cili “mba[jti] sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona”23 në vendosmërinë e Tij për ta përfunduar punën e shpëtimit në emrin tonë.

Pavarësisht nga tradhtia e dhembja, keqtrajtimi e mizoria, ndërkohë që mbante të gjitha mëkatet dhe pikëllimin e grumbulluar të familjes njerëzore, Biri i Perëndisë së Gjallë hodhi vështrimin në shtegun e gjatë të vdekshmërisë, na pa këtë fundjavë dhe tha: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë”24. Paçi një Pashkë të bekuar, të gëzueshme dhe me paqe! Mundësitë e saj të panumërta tashmë janë paguar nga Princi i Paqes, të cilin e dua me gjithë zemër, Kisha e të cilit është kjo dhe për të cilin jap dëshmi të qartë, madje Zotit Jezu Krisht, amen.