Konferenca e Përgjithshme
“Parimet e Ungjillit Tim”
konferenca e përgjithshme e prillit 2021


“Parimet e Ungjillit Tim”

(Doktrina e Besëlidhje 42:12)

Një parim i ungjillit është një orientim i bazuar në doktrinën për ushtrimin me drejtësi të lirisë së zgjedhjes morale.

Në konferencën e përgjithshme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në tetor 1849, Plaku Xhon Tejlor, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u thirr për të hapur kombin e Francës për predikimin e ungjillit të Jezu Krishtit. Shërbimi i tij përfshinte redaktimin e gazetës së parë zyrtare të Kishës në atë vend. Plaku Tejlor përgatiti dhe botoi një artikull në vitin 1851 si përgjigje ndaj pyetjeve të shpeshta që i kishin bërë në lidhje me Kishën. Dhe pranë fundit të asaj eseje, Plaku Tejlor tregoi ngjarjen vijuese:

“Disa vite më parë në Navu, në praninë time një zotëri, një anëtar i Parlamentit, e pyeti Jozef Smithin se si ishte e mundur që ai qe në gjendje të qeveriste kaq shumë njerëz dhe të ruante një rend kaq të përsosur; duke vërejtur në të njëjtën kohë se për ta ishte e pamundur që ta bënin këtë kudo tjetër. Z. Smith vërejti se ishte shumë e lehtë ta bëje këtë. ‘Në ç’mënyrë?’ pyeti zotëria, ‘për ne është shumë e vështirë.’ Z. Smith u përgjigj: ‘Unë u mësoj atyre parime të [sakta] dhe ata qeverisin veten’.”1

Lutem që Fryma e Shenjtë do ta udhëzojë dhe lartësojë moralisht secilin prej nesh, ndërkohë që theksoj rolin e rëndësishëm të parimeve në ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit.

Parimet

Zoti i zbuloi Profetit Jozef Smith që “pleqtë, priftërinjtë dhe mësuesit e kësaj kishe do t’u mësojnë parimet e ungjillit tim, të cilat janë në Bibël dhe në Librin e Mormonit, në të cilin është plotësia e ungjillit”2. Ai gjithashtu shpalli se shenjtorët e ditëve të mëvonshme duhet të “udhëzohen në mënyrë më të përsosur në teori, në parim, në doktrinë, në ligjin e ungjillit, në të gjitha gjërat që lidhe[n] me mbretërinë e Perëndisë, të cilat janë të dobishme për ju për t’i kuptuar”3.

Thënë shkurt, një parim i ungjillit është një orientim i bazuar në doktrinën për ushtrimin me drejtësi të lirisë së zgjedhjes morale. Parimet burojnë nga të vërteta më të gjera të ungjillit dhe sigurojnë drejtim e standarde teksa ecim përpara në shtegun e besëlidhjeve.

Për shembull, tri Nenet e para të Besimit përcaktojnë aspekte themelore të doktrinës së ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit: natyrën e Kreut-Perëndi në nenin e parë të besimit, efektet e Rënies së Adamit dhe Evës në nenin e dytë të besimit dhe bekimet e bëra të mundura nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit në nenin e tretë të besimit.4 Neni i katërt i besimit parashtron parimet e para – orientimet për ushtrimin e besimit te Jezu Krishti dhe për pendimin – dhe ordinancat e para të priftërisë të cilat bëjnë të mundur që Shlyerja e Jezu Krishtit të jetë dobiprurëse në jetën tonë.5

Fjala e Urtësisë është një shembull tjetër i një parimi si një orientim. Ju lutem, vërini re këto vargje hyrëse te seksioni 89 i Doktrinës e Besëlidhjeve:

“E dhënë për një parim me premtim, e përshtatur me aftësinë e të dobtëve dhe më të dobtëve të gjithë shenjtorëve, të cilët janë ose mund të thirren shenjtorë.

Vini re, në të vërtetë, kështu ju thotë Zoti: Si pasojë e djallëzive dhe planeve që ekzistojnë dhe do të ekzistojnë në zemrat e njerëzve komplotues në ditët e fundit, unë ju kam lajmëruar dhe paralajmëruar, duke jua dhënë këtë fjalë të urtësisë me anë të zbulesës.”6

Udhëzimi i frymëzuar që e pason këtë hyrje, siguron orientime jetëgjata si për mirëqenien fizike ashtu dhe shpirtërore, si dhe dëshmon për bekime të veçanta që varen nga besnikëria jonë ndaj parimit.

Të mësuarit, të kuptuarit dhe të jetuarit e parimeve të ungjillit e forcojnë besimin tonë te Shpëtimtari, e thellojnë përkushtimin tonë ndaj Tij dhe ftojnë një shumicë bekimesh dhe dhuratash shpirtërore në jetën tonë. Parimet e drejtësisë gjithashtu na ndihmojnë të shohim përtej parapëlqimeve tona vetjake dhe dëshirave të përqendruara te vetja, duke siguruar këndvështrimin e çmuar të së vërtetës së përjetshme ndërsa lundrojmë në rrethana, sfida, vendime dhe përvoja të ndryshme të vdekshmërisë.

Shembuj Bashkëkohorë të Mësimdhënies së Parimeve të Sakta

Thënia nga Profeti Jozef Smith rreth mësimdhënies së parimeve të sakta është ndoshta një nga mësimet e tij të cituara më shpesh dhe ne gjejmë shembuj të fuqishëm të këtij modeli të frymëzuar të udhëzimit në shpalljet e shërbëtorëve të autorizuar të Zotit sot.

Parimi i Mosshpërqendrimit të Vëmendjes

Presidenti Dallin H. Ouks foli në konferencën e përgjithshme në vitin 1998 rreth detyrave të mbajtësve të Priftërisë Aarone në lidhje me përgatitjen dhe administrimin e sakramentit. Ai përshkroi parimin e mosshpërqendrimit të vëmendjes dhe vuri në dukje se një mbajtës i Priftërisë Aarone nuk do të donte kurrë që ndonjë gjë në paraqitjen ose sjelljen e tij ta shpërqendronte vëmendjen e ndonjë anëtari/eje të Kishës nga adhurimi dhe ripërtëritja e besëlidhjeve të tij apo të saj. Presidenti Ouks gjithashtu theksoi parimet e rregullit, pastërtisë, nderimit dhe dinjitetit, të cilat lidhen me këtë parim.

Në mënyrë interesante, Presidenti Ouks nuk dha për të rinjtë një listë të gjatë të gjërave për të bërë dhe për të mos bërë. Përkundrazi, ai e shpjegoi parimin me pritshmërinë që të rinjtë, prindërit dhe mësuesit e tyre mund dhe duhet të përdorim gjykimin dhe frymëzimin e tyre vetjak për ta ndjekur orientimin.

Ai shpjegoi: “Nuk do të sugjeroj rregulla të hollësishme, ngaqë rrethanat në lagje dhe degë të ndryshme në Kishën tonë mbarëbotërore janë kaq të ndryshme, sa një rregull i veçantë që duket se kërkohet në një mjedis, mund të jetë i papërshtatshëm në një tjetër. Përkundrazi, do të sugjeroj një parim të bazuar te doktrinat. Nëse të gjithë njerëzit e kuptojnë këtë parim dhe veprojnë në harmoni me të, duhet të ketë pak nevojë për rregulla. Nëse rregullat apo këshillimi janë të nevojshme në raste të veçanta, udhëheqësit vendorë mund t’i japin ato, në përputhje me doktrinat dhe parimet e tyre përkatëse.”7

Parimi i Shabatit si një Shenjë

Në konferencën e përgjithshme të prillit 2015, Presidenti Rasëll M. Nelson na mësoi se “Shabati është një kënaqësi”8. Ai gjithashtu shpjegoi se si ai personalisht kishte arritur të kuptonte një parim bazë për nderimin e ditës së Shabatit:

“Si e shenjtërojmë ne ditën e Shabatit? Në vitet e mia më të hershme, unë studiova veprën e njerëzve të tjerë, të cilët kishin hartuar lista lidhur me gjërat që duheshin bërë dhe nuk duheshin bërë në Shabat. Kohë më vonë mësova nga shkrimet e shenjta se sjellja ime dhe qëndrimi im për Shabatin përbënte një shenjë midis meje dhe Atit tim Qiellor. Me atë kuptueshmëri, unë nuk kisha më nevojë për lista të gjërave që duheshin bërë dhe nuk duheshin bërë. Kur më duhej të merrja një vendim nëse një veprimtari ishte e duhur apo jo për Shabatin, unë thjesht e pyesja veten: ‘Çfarë shenje dua t’i jap Perëndisë?’ Ajo pyetje i bënte zgjedhjet e mia për ditën e Shabatit tepër të qarta.”9

Pyetja e thjeshtë, por e fuqishme e Presidentit Nelson thekson një parim që e qartëson çdo pasiguri rreth asaj që do të thotë dhe asaj që duhet të bëjmë për ta nderuar Shabatin. Pyetja e tij përmbledh një orientim dhe standard që mund të na bekojë të gjithë ne në rrethanat tona të ndryshme.

Parimi i të Qenit të Gatshëm për ta Lejuar Perëndinë të Triumfojë

Gjashtë muaj më parë në konferencën e përgjithshme, Presidenti Nelson përshkroi kënaqësinë e tij vetjake kur u udhëhoq drejt një ideje të re rreth kuptimit të fjalës Izrael. Ai na tregoi se shpirti i tij u nxit teksa mësoi që “vetë emri i Izraelit i referohet një njeriu që është i gatshëm ta lejojë Perëndinë të triumfojë në jetën e tij ose të saj”10. Më pas Presidenti Nelson përcaktoi një numër nënkuptimesh të rëndësishme që burojnë nga kjo ide.

Mesazhi i tij rreth të qenit të gatshëm për ta lejuar Perëndinë të triumfojë, është një shembull i mrekullueshëm i mësimdhënies së parimeve të sakta, që ne të mund të qeverisim vetveten. Ashtu siç bëri në mesazhin e tij rreth bërjes së Shabatit një kënaqësi, Presidenti Nelson shtroi pyetje të bazuara në parime, të cilat shërbejnë si udhërrëfyese dhe standarde për secilin prej nesh.

“A jeni ju të gatshëm ta lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj? A jeni ju të gatshëm ta lejoni Perëndinë të jetë ndikimi më i rëndësishëm në jetën tuaj?”

Ai vazhdoi:

“Merreni parasysh se sa shumë mund t’ju bekojë një gatishmëri e tillë. Nëse jeni të pamartuar dhe po kërkoni një shok ose shoqe të përjetshme, dëshira juaj për të qenë ‘të Izraelit’ do t’ju ndihmojë të vendosni se me kë dhe si të dilni të takime.

Nëse jeni të martuar me një bashkëshort/e që i ka shkelur besëlidhjet e veta, gatishmëria juaj për ta lejuar Perëndinë që të triumfojë në jetën tuaj, do t’i lejojë besëlidhjet tuaja me Perëndinë që të mbeten të paprekura. Shpëtimtari do ta shërojë zemrën tuaj të copëtuar. Qiejt do të hapen teksa përpiqeni të dini se si të shkoni përpara. Nuk keni nevojë të endeni ose të pyetni veten.

Nëse keni pyetje të sinqerta rreth ungjillit ose Kishës, kur zgjidhni ta lejoni Perëndinë të triumfojë, ju do të udhëhiqeni që të gjeni e kuptoni të vërtetat absolute, të përjetshme që do ta udhërrëfejnë jetën tuaj dhe do t’ju ndihmojnë të qëndroni të palëkundur në shtegun e besëlidhjeve.

Kur përballeni me tundimin – edhe nëse tundimi vjen kur jeni të stërmunduar ose ndiheni të vetmuar apo të keqkuptuar – përfytyroni guximin që mund të merrni teksa zgjidhni ta lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj dhe teksa i përgjëroheni Atij që t’ju forcojë.

Kur dëshira juaj më e madhe është ta lejoni Perëndinë të triumfojë, të jeni pjesë e Izraelit, kaq shumë vendime bëhen më të lehta. Kaq shumë gjëra me rëndësi bëhen pa rëndësi! E dini se si ta paraqitni veten sa më mirë. E dini se çfarë të shihni e lexoni, ku ta shpenzoni kohën tuaj dhe me kë të shoqëroheni. E dini se çfarë dëshironi të përmbushni. E dini se çfarë njeriu dëshironi vërtet të bëheni.”11

Vini re se sa shumë vendime thelbësore dhe përvoja të jetës mund të ndikohen nga parimi i të qenit të gatshëm ta lejojmë Perëndinë të triumfojë: dalja në takim dhe martesa, pyetjet dhe shqetësimet për ungjillin, tundimi, paraqitja e jashtme vetjake, çfarë të shikojmë dhe lexojmë, ku ta shpenzojmë kohën, me kë të shoqërohemi dhe shumë e shumë më tepër. Pyetjet e frymëzuara të Presidentit Nelson theksojnë një parim të thjeshtë që siguron drejtim në çdo aspekt të jetës sonë dhe na mundëson të qeverisim vetveten.

Një Timon Shumë i Vogël

Kur Jozef Smithin e burgosën në burgun e Libertisë, ai u shkroi letra me udhëzime anëtarëve dhe udhëheqësve të Kishës dhe u kujtoi atyre se “një anije shumë e madhe ka shumë përfitim nga një timon shumë i vogël në kohën e një stuhie, duke u mbajtur në mënyrë të sigurt ndaj erës dhe valëve”12.

Pamja
timon i anijes

Një “timon” është një rrotë ose një levë dhe pajisja shoqëruese e përdorur për të drejtuar një anije ose një barkë. “Në mënyrë të sigurt ndaj erës dhe valëve” tregon kthimin e një anijeje në mënyrë që ajo të ruajë baraspeshën e saj dhe të mos përmbyset gjatë një stuhie.

Pamja
Anije duke marrë kthesë në një stuhi

Parimet e ungjillit janë për mua dhe për ju ashtu siç është timoni për një anije. Parimet e sakta na mundësojnë të gjejmë udhën tonë dhe të qëndrojmë të vendosur, të palëkundur dhe të patundur, me qëllim që të mos e humbasim baraspeshimin dhe të biem në stuhitë e furishme të errësirës e pështjellimit në ditët e mëvonshme.

Ne jemi bekuar me bollëk në këtë konferencë të përgjithshme për të mësuar rreth parimeve të përjetshme nga shërbëtorët e autorizuar të Zotit. Tani, përgjegjësia jonë individuale është ta qeverisim veten tonë sipas të vërtetave për të cilat ata kanë dëshmuar.13

Dëshmia

Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim: “Për gjashtë muajt e ardhshëm, botimi juaj i konferencës i [Liahonës] duhet të qëndrojë pranë veprave tuaja standarde dhe duhet t’i drejtoheni shpesh atij”14.

Me gjithë energjinë e shpirtit tim, unë ftoj ne të gjithë që t’i mësojmë, t’i jetojmë dhe t’i duam parimet e drejtësisë. Vetëm të vërtetat e ungjillit mund të na mundësojnë t’i “bëjmë me gëzim të gjitha gjërat që janë në fuqinë tonë” për të shkuar përpara në shtegun e besëlidhjeve dhe për të “parë shpëtimin e Perëndisë dhe që krahu i tij të zbulohet”15.

E di që doktrina dhe parimet e ungjillit të Jezu Krishtit janë burimi themelor i drejtimit për jetën tonë dhe i gëzimit të qëndrueshëm në vdekshmëri e përjetësi. Këtë të diel Pashke të lavdishme, unë plot gëzim dëshmoj se Shpëtimtari ynë i gjallë është burimi nga rrjedhin këto të vërteta. Kështu dëshmoj në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.

Shënime

  1. Xhon Tejlor, në Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 302.

  2. Doktrina e Besëlidhje 42:12.

  3. Doktrina e Besëlidhje 88:78.

  4. Shih Nenet e Besimit 1:1–3.

  5. Shih Nenet e Besimit 1:4.

  6. Doktrina e Besëlidhje 89:3–4.

  7. Dallin H. Oaks, “The Aaronic Priesthood and the Sacrament”, Liahona, janar 1999, f. 45–46.

  8. Shih Rasëll M. Nelson, “Shabati Është një Kënaqësi”, Liahona, maj 2015, f. 129–132.

  9. Rasëll M. Nelson, “Shabati Është një Kënaqësi”, f. 130, theksimi i shtuar.

  10. Rasëll M. Nelson, “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Liahona, nëntor 2020, f. 92.

  11. Rasëll M. Nelson, “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, f. 94.

  12. Doktrina e Besëlidhje 123:16.

  13. Presidenti Harold B. Li (1899–1973) i nxiti anëtarët që t’i lejonin bisedat e konferencës “të ishin udhërrëfyese për mënyrën se si ata do të vepronin e do të flisnin gjatë gjashtë muajve të ardhshëm”. Ai shpjegoi: “Këto janë çështjet e rëndësishme që Zoti e shikon të përshtatshme t’ia zbulojë këtij populli në këtë kohë” (në Conference Report, prill 1946, f. 68).

    Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) theksoi gjithashtu rëndësinë e mesazheve të konferencës së përgjithshme. Ai tha: “Asnjë tekst ose vëllim, përveç veprave standarde të Kishës, nuk duhet të ketë një vend kaq të spikatur në raftet e bibliotekave tuaja vetjake – jo për përsosurinë e tyre retorike apo elokuencën e të shprehurit, por për konceptet që tregojnë udhën drejt jetës së përjetshme” (In the World but Not of It, Brigham Young University Speeches of the Year [14 maj 1968], f. 3).

    Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018) ripohoi rëndësinë e studimit të bisedave të konferencës. Ai tha: “E mbajtshim mend për shumë kohë atë që kemi dëgjuar gjatë kësaj konference të përgjithshme. Mesazhet që u dhanë, do të shtypen në numrat e muajit të ardhshëm të revistave Ensign dhe Liahona. Unë ju nxis t’i studioni ato dhe të meditoni për mësimet e tyre” (“Derisa të Takohemi Përsëri”, Liahona, nëntor 2008, f. 106).

  14. Ezra Taft Benson, “Come unto Christ, and Be Perfected in Him”, Ensign, maj 1988, f. 84.

  15. Doktrina e Besëlidhje 123:17.