Konferenca e Përgjithshme
Jezu Krishti: Kujdestari i Shpirtit Tonë
konferenca e përgjithshme e prillit 2021


Jezu Krishti: Kujdestari i Shpirtit Tonë

Kur pendohemi me të vërtetë për mëkatet tona, ne e lejojmë flijimin shlyes të Krishtit të bëhet plotësisht i efektshëm në jetën tonë.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, këtë mëngjes rrezatues Pashke, zemra ime gëzohet tek kujtoj veprën më të mrekullueshme, më madhështore dhe më të pamatshme që ka ndodhur në të gjithë historinë njerëzore – flijimin shlyes të Zotit tonë, Jezu Krishtit. Fjalët e shquara të profetit Isaia e lëvdojnë madhështinë dhe vetëmohimin e denjimit dhe flijimit të Shpëtimtarit në emër të të gjithë fëmijëve të Perëndisë:

“Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur.

Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar.”1

Duke marrë mbi Vete vullnetarisht mëkatet e gjithë njerëzimit, duke u gozhduar mizorisht në kryq dhe duke e mposhtur vdekjen fitimtar ditën e tretë2, Jezusi i dha një domethënie edhe më të shenjtë ordinancës së Pashkës që i ishte dhënë Izraelit në kohët e lashta.3 Si përmbushje të profecisë, Ai ofroi trupin dhe gjakun e Vet të çmuar si flijimi i madh dhe i fundit4, duke vërtetuar simbolet tradicionale të përdorura për kremtimin e Pashkës së Zotit.5 Kur e bëri këtë, Krishti përjetoi vuajtje fizike dhe shpirtërore që është e pakuptueshme për mendjen njerëzore. Shpëtimtari Vetë tha:

“Pasi vër re, unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, …

Vuajtje që më bëri mua, madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhem për shkak të dhembjes e të më dalë gjak nga çdo por dhe të vuaj si në trup e në shpirt – dhe të dëshiroj që të mos e pi kupën e hidhur e të mpakem –

Megjithatë, lavdi i qoftë Atit dhe unë mora pjesë e i mbarova përgatitjet e mia për fëmijët e njerëzve.”6

Krishti e përmbushi plot hir vullnetin e Atit7 nëpërmjet flijimit të Tij të pafundmë dhe të mëshirshëm. Ai mposhti thumbin e vdekjes fizike dhe shpirtërore8, iu paraqit botës nëpërmjet Rënies9, duke na ofruar mundësinë e lavdishme për shpëtim të përjetshëm.10

Jezusi ishte e vetmja Qenie e aftë për ta realizuar këtë flijim të përjetshëm dhe të përsosur për të gjithë ne.11 Ai u zgjodh dhe u parashugurua në Këshillin e Madh në Qiell, madje përpara se bota të formohej.12 Përveç këtyre, duke lindur nga një grua e vdekshme, Ai trashëgoi vdekjen fizike, por nga Perëndia, si Biri i Vetëmlindur i Atit, Ai trashëgoi fuqinë për të dhënë jetën e Vet dhe më pas për ta marrë atë përsëri.13 Për më tepër, Krishti jetoi një jetë të përsosur që ishte pa të meta dhe, rrjedhimisht, u përjashtua nga kërkesat e drejtësisë hyjnore.14 Në disa raste Profeti Jozef Smith dha mësim:

“Botës nuk mund t’i vinte shpëtimi pa ndërmjetësinë e Jezu Krishtit.

Perëndia … përgatiti një sakrificë, si dhuratë vetë Birin e Tij, që duhet të dërgohet në kohën e caktuar për të … hapur një derë me anë të së cilës njeriu mund të hyjë në praninë e Zotit.”15

Ndonëse nëpërmjet flijimit të Tij Shpëtimtari i hoqi pa kushte pasojat e vdekjes fizike16, Ai nuk e eliminoi përgjegjësinë tonë vetjake për t’u penduar për mëkatet që kryejmë.17 Përkundrazi, Ai na bëri një ftesë të përzemërt për t’u pajtuar me Atin tonë të Amshuar. Nëpërmjet Jezu Krishtit dhe flijimit të Tij shlyes, ne mund të përjetojmë një ndryshim të madh të mendjes dhe zemrës, duke sjellë një qëndrim të ri si ndaj Perëndisë ashtu dhe ndaj jetës në përgjithësi.18 Kur pendohemi me sinqeritet për mëkatet tona dhe i drejtojmë zemrën dhe vullnetin tonë nga Perëndia dhe urdhërimet e Tij, ne mund të marrim faljen e Tij dhe ta ndiejmë ndikimin e Shpirtit të Tij të Shenjtë me bollëk më të madh. Me mëshirë, ne shmangim përjetimin e thellësisë së vuajtjeve që duroi Shpëtimtari.19

Dhurata e pendimit është një shprehje e mirësisë së Perëndisë ndaj fëmijëve të Tij dhe është një demonstrim i fuqisë së Tij të pakrahasueshme për të na ndihmuar që t’i kapërcejmë mëkatet që kryejmë. Ajo është gjithashtu provë e durimit dhe tolerancës që ka Ati ynë i dashur për të metat dhe dobësitë tona në vdekshmëri. Presidenti Rasëll M. Nelson, profeti ynë i dashur, iu referua kësaj dhurate si “kyçi drejt lumturisë dhe paqes së mendjes”20.

Miqtë e mi të dashur, unë ju dëshmoj se kur pendohemi me të vërtetë për mëkatet tona21, ne e lejojmë flijimin shlyes të Krishtit të bëhet plotësisht i efektshëm në jetën tonë.22 Ne do të çlirohemi nga skllavëria e mëkatit, do të gjejmë gëzim në udhëtimin tonë në tokë dhe do të kemi të drejtën për të marrë shpëtim të përjetshëm, i cili u përgatit që nga krijimi i botës për të gjithë ata që besojnë te Jezu Krishti dhe vijnë tek Ai.23

Përveç sigurimit të dhuratës madhështore të shpëtimit, Shpëtimtari na ofron ndihmë dhe ngushëllim ndërsa përballemi me mundimet, tundimet dhe dobësitë tona të jetës në vdekshmëri, përfshirë rrethanat që kemi përjetuar kohët e fundit nga pandemia aktuale. Unë mund t’ju siguroj se Krishti është gjithnjë i vetëdijshëm për fatkeqësitë që përjetojmë në vdekshmëri. Ai e kupton të gjithë hidhësinë, agoninë dhe dhembjen fizike si dhe sfidat emocionale dhe shpirtërore me të cilat përballemi. Zemra e Shpëtimtarit është e mbushur me mëshirë dhe Ai është gjithnjë i gatshëm të na vijë në ndihmë. Kjo është e mundur pasi Ai e përjetoi Vetë dhe mori mbi Vete në mish dhembjen e dobësive dhe ligështive tona.24

Me butësi dhe përulësi të zemrës, Ai zbriti nën gjithçka dhe pranoi që të ishte i përçmuar, i refuzuar dhe i poshtëruar nga njerëzit, duke u plagosur për shkeljet dhe paudhësitë tona. Ai i vuajti këto gjëra për të gjithë, duke marrë mbi Vete mëkatet e botës25, duke u bërë kështu kujdestari ynë i fundit shpirtëror.

Ndërsa i afrohemi më shumë Atij, duke iu dorëzuar shpirtërisht kujdesit të Tij, ne do të jemi në gjendje të marrim mbi vete zgjedhën e Tij, e cila është e ëmbël, dhe barrën e Tij, e cila është e lehtë, duke gjetur në këtë mënyrë atë ngushëllim dhe çlodhje të premtuar. Përveç këtyre, ne do të marrim forcën e cila u nevojitet të gjithëve, për të kapërcyer vështirësitë, dobësitë dhe hidhërimet e jetës, të cilat janë tej mase të vështira për t’u duruar pa ndihmën dhe fuqinë e Tij shëruese.26 Shkrimet e shenjta na mësojnë: “Hidh mbi Zotin barrën tënde, dha ai do të të mbajë”27. “Dhe atëherë, dhëntë Perëndia që barrat [tona] të jenë të lehta, nëpërmjet gëzimit të Birit të [Tij].”28

Pamja
Rexhina dhe Mario Emeriku

Nga fundi i vitit të kaluar, mora vesh që ndërroi jetë një çift i dashur, Mario dhe Rexhina Emeriku, të cilët ishin shumë besnikë ndaj Zotit dhe ndërruan jetë me diferencë 4‑ditore nga njëri‑tjetri, për shkak të ndërlikimeve nga COVID‑19.

Njëri nga djemtë e tyre, i cili aktualisht po shërben si peshkop në Brazil, më tregoi sa vijon: “Sa e vështirë ishte t’i shihja prindërit e mi të largoheshin nga kjo botë në atë gjendje, por mund ta ndieja qartësisht dorën e Zotit në jetën time mes asaj tragjedie, pasi mora forcë dhe paqe që e kapërceu kuptueshmërinë time. Nëpërmjet besimit tim te Jezu Krisht dhe Shlyerjes së Tij, mora ndihmë hyjnore për t’i forcuar dhe ngushëlluar pjesëtarët e familjes sime dhe të gjithë ata që na ndihmuan gjatë kësaj përvoje sprovuese. Ndonëse mrekullia që gjithkush shpresonte nuk ndodhi, personalisht jam një dëshmitar i shumë mrekullive të tjera që kanë ndodhur në vetë jetën time dhe në jetën e pjesëtarëve të familjes sime. Ndjeva një paqe të pashpjegueshme që më përshkoi thellë në zemër, duke më dhënë shpresë dhe vetëbesim në dashurinë e Shpëtimtarit për mua dhe në planin e lumturisë së Perëndisë për fëmijët e Tij. Mësova se pikërisht në ditët e mbushura me më shumë pikëllim, krahët e dashura të Shpëtimtarit janë gjithnjë të shtrira kur e kërkojmë Atë me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë.”

Pamja
Familja Emerik

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, këtë të diel Pashke, unë jap dëshminë time solemne se Jezusi u ngrit së vdekuri dhe se Ai jeton. Ju dëshmoj se nëpërmjet Tij dhe Shlyerjes së Tij të pafundme, Shpëtimtari na siguroi mënyrën për ta mposhtur vdekjen, si fizike, ashtu edhe atë shpirtërore. Përveç këtyre bekimeve të mëdha, Ai gjithashtu na ofron ngushëllim dhe siguri në kohë të vështira. Unë ju siguroj se ndërsa e vëmë mirëbesimin tonë te Jezu Krishti dhe flijimi i Tij hyjnor shlyes, duke duruar me besim deri në fund, ne do t’i gëzojmë premtimet e Atit tonë të dashur Qiellor, i cili bën gjithçka brenda fuqisë së Tij për na ndihmuar që të kthehemi në praninë e Tij një ditë. Kjo është vepra e Tij dhe lavdia e Tij!29 Unë ju dëshmoj se Jezusi është Krishti, Shëlbuesi i botës, Mesia i premtuar, Ringjallja dhe Jeta.30 Unë jua them këto të vërteta në emrin e Tij të shenjtë, të Vetëmlindurit të Atit, Zotit tonë, Jezu Krishtit, amen.