Konferenca e Përgjithshme
Perëndia mes Nesh
konferenca e përgjithshme e prillit 2021


Perëndia mes Nesh

Perëndia është mes nesh – dhe është i përfshirë personalisht në jetën tonë dhe duke i udhërrëfyer në mënyrë aktive fëmijët e Tij.

Gjatë gjithë epokave, Perëndia ka folur nëpërmjet shërbëtorëve të Tij, profetëve1. Këtë mëngjes, ne kemi pasur privilegjin të dëgjojmë profetin e Perëndisë duke i folur të gjithë botës. Ne të duam, President Nelson, dhe unë i inkurajoj të gjithë, kudo, që t’i studiojnë dhe t’ua vënë veshin fjalëve të tua.

Përpara ditëlindjes sime të 12‑të, familja jonë qe detyruar dy herë që të ikte nga shtëpia dhe t’ia niste nga fillimi mes kaosit, frikës dhe pasigurive të shkaktuara nga lufta dhe përçarja politike. Ishte një kohë plot ankth për ne, por duhet të ketë qenë tmerruese për prindërit e mi të dashur.

Nëna dhe babai im nuk na ngarkuan shumë me këtë barrë ne, katër fëmijët e tyre. Ata e duruan sforcimin dhe vuajtjen aq mirë sa mundën. Frika duhet të ketë qenë shtypëse, duke u marrë shumë kohë dhe duke ua zbehur shpresën.

Kjo kohë zymtësie pas Luftës II Botërore la shenjën e saj në botë. Ajo e la shenjën e vet tek unë.

Në atë kohë, në zbrazëtinë e orëve të mia më të vetmuara, shpesh e pyesja veten: “A ka mbetur ndonjë shpresë në botë?”

Engjëj mes Nesh

Ndërsa e përsiata këtë pyetje, mendova për misionarët tanë amerikanë në moshë të re që shërbyen mes nesh gjatë atyre viteve. Ata kishin lënë sigurinë e shtëpive të tyre në pjesën tjetër të botës dhe kishin udhëtuar drejt Gjermanisë – në vendin e armiqve të tyre të kohëve të fundit – për t’i ofruar shpresë hyjnore popullit tonë. Ata nuk erdhën për të fajësuar, për të mbajtur leksione ose për të turpëruar njeri. Ata dhanë me dëshirë nga jeta e tyre rinore pa menduar për përfitime tokësore, duke dashur vetëm t’i ndihmonin të tjerët të gjenin gëzimin dhe paqen që ata kishin përjetuar.

Për mua, ata të rinj dhe ato të reja ishin të përsosur/a. Jam i sigurt që ata kishin të meta, por jo për mua. Unë gjithmonë do t’i mendoj ata si të jashtëzakonshëm – engjëj drite dhe lavdie, shërbestarë të dhembshurisë, mirësisë dhe së vërtetës.

Ndërsa bota po mbytej nga cinizmi, hidhësia, urrejtja dhe frika, shembulli dhe mësimet e këtyre të rinjve e të rejave më mbushën me shpresë. Mesazhi i ungjillit që ata ofruan, i tejkaloi politikën, historinë, mëritë, brengat dhe programet vetjake. Ai u dha përgjigje hyjnore pyetjeve të rëndësishme që kishim gjatë këtyre kohëve të vështira.

Mesazhi ishte se Perëndia jetonte dhe kujdesej për ne, edhe në këto orë trazirash, pështjellimi e kaosi. Se Ai në fakt u shfaq në kohën tonë për të rivendosur të vërtetën dhe dritën – ungjillin e Tij dhe Kishën e Tij. Se Ai u flet përsëri profetëve; se Perëndia është mes nesh – dhe është i përfshirë personalisht në jetën tonë dhe duke i udhërrëfyer në mënyrë aktive fëmijët e Tij.

Është mahnitëse ajo që mund të mësojmë kur e shohim pak më nga afër planin e Atit tonë Qiellor për shpëtimin dhe ekzaltimin, planin e lumturisë, për fëmijët e Tij. Kur ndihemi të parëndësishëm, të përjashtuar e të harruar, ne mësojmë që mund të jemi të sigurt se Perëndia nuk na ka harruar – në fakt, që Ai u ofron të gjithë fëmijëve të Tij diçka të paimagjinueshme: Të bëhen “trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit”2.

Çfarë do të thotë kjo?

Që ne do të jetojmë përgjithmonë, do të marrim një plotësi të gëzimit3 dhe do të kemi potencialin të “trashëgo[jmë] frone, mbretëri, principata dhe fuqi”4.

Sa përulëse është të dimë se kjo e ardhme e mahnitshme dhe hyjnore është e mundur – jo për shkak të asaj që jemi ne, por për shkak të asaj që është Perëndia.

Duke e ditur këtë, si mundemi vallë të mërmëritim apo të qëndrojmë të hidhëruar? Si mundemi vallë t’i mbajmë sytë tanë ulur kur Mbreti i mbretërve na fton të nisemi në fluturim drejt një të ardhmeje të paimagjinueshme të lumturisë hyjnore?5

Shpëtimi mes Nesh

Për shkak të dashurisë së përsosur të Perëndisë për ne dhe të flijimit të përjetshëm të Jezu Krishtit, mëkatet tona – si të mëdha edhe të vogla – mund të fshihen dhe të mos kujtohen më6. Ne mund të qëndrojmë përpara Tij të kulluar, të denjë dhe të shenjtëruar.

Zemra ime tejmbushet me mirënjohje për Atin tim Qiellor. E kuptoj se Ai nuk i ka dënuar fëmijët e Tij që të hasin pengesa përmes vdekshmërisë pa shpresë për një të ardhme të ndritur dhe të përjetshme. Ai ka siguruar udhëzime që zbulojnë mënyrën se si të kthehemi tek Ai. Dhe në qendër të të gjithë kësaj, është Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti7, dhe flijimi i Tij për ne.

Shlyerja e pafundme e Shpëtimtarit e ndryshon plotësisht mënyrën se si mund t’i shohim shkeljet dhe papërsosurinë tonë. Në vend që të jetojmë me to dhe të ndihemi si pa shëlbim ose pa shpresë, ne mund të mësojmë prej tyre dhe të ndihemi plot shpresë8. Dhurata pastruese e pendimit na lejon t’i lëmë pas mëkatet tona dhe të bëhemi një krijesë e re9.

Për shkak të Jezu Krishtit, dështimet tona nuk kanë pse të na përkufizojnë. Ato mund të na përmirësojnë.

Ashtu si një muzikant i praktikon notat, ne mund t’i shohim hapat e gabuar, të metat dhe mëkatet tona si mundësi për vetëndërgjegjësim më të madh, dashuri më të thellë e më të sinqertë për të tjerët dhe përmirësim nëpërmjet pendimit.

Nëse pendohemi, gabimet tona nuk do të na shkualifikojnë. Ato janë pjesë e përparimit tonë.

Jemi të gjithë foshnja krahasuar me qeniet e lavdishme dhe madhështore që jemi krijuar për t’u bërë. Asnjë qenie e vdekshme nuk përparon nga ecja këmbadoras deri tek ecja e te vrapimi pa pengesa, tronditje dhe mavijosje të shpeshta. Kjo është mënyra se si mësojmë.

Nëse vazhdojmë të ushtrohemi me zell, gjithmonë duke u përpjekur fort që t’i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë dhe duke i zotuar përpjekjet tona për t’u penduar, për të duruar e për të vënë në zbatim atë që mësojmë, rresht pas rreshti, ne do të mbledhim dritë në shpirtrat tanë10. Dhe megjithëse mund të mos e kuptojmë plotësisht potencialin tonë të plotë tani, ne e “dimë se, kur të shfaqet [Shpëtimtari]”, ne do ta shohim fytyrën e Tij te ne dhe “do ta shohim se si është ai”11.

Ç’premtim i lavdishëm!

Po, bota është në trazirë. Dhe po, ne kemi dobësi. Por nuk kemi pse ta varim kokën në dëshpërim, sepse ne mund t’i mirëbesojmë Perëndisë, mund t’i mirëbesojmë Birit të Tij, Jezu Krishtit, dhe mund të pranojmë dhuratën e Shpirtit për të na udhërrëfyer në këtë shteg drejt një jete të mbushur me gëzim e lumturi hyjnore12.

Jezusi mes Nesh

Shpesh e kam pyetur veten: “Çfarë do të jepte mësim dhe do të bënte Jezusi nëse do të ishte mes nesh sot?”

Pas Ringjalljes, Jezu Krishti e përmbushi premtimin e Tij për të vizituar “dele të tjera”13.

Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit flet për një shfaqje të tillë ndaj njerëzve në kontinentin amerikan. Ne e kemi këtë anal të çmuar si një dëshmi të prekshme të veprës së Shpëtimtarit.

Njerëzit e Librit të Mormonit jetuan në anën tjetër të globit – historitë, kulturat dhe klimat e tyre politike ishin shumë të ndryshme nga [ato të] njerëzve, të cilëve Jezusi u dha mësim gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri. E prapëseprapë Ai u mësoi atyre shumë nga ato gjëra që dha mësim në Tokën e Shenjtë.

Përse do ta bënte Ai këtë?

Shpëtimtari gjithmonë jep mësim të vërteta të përjetshme. Ato gjejnë zbatim për çdo njeri të çdo moshe dhe në çdo rrethanë.

Mesazhi i Tij ishte dhe është një mesazh shprese dhe përkatësie – një dëshmi se Perëndia, Ati ynë Qiellor, nuk i ka braktisur fëmijët e Tij.

Se Perëndia është mes nesh!

Dyqind vjet më parë, Shpëtimtari u kthye përsëri në tokë. Së bashku me Perëndinë Atin, Ai iu shfaq një djali 14‑vjeçar, Jozef Smithit, dhe shënoi fillimin e Rivendosjes së ungjillit dhe të Kishës së Jezu Krishtit. Nga ajo ditë e tutje, qiejt u hapën dhe lajmëtarë qiellorë zbritën nga sallat e lavdisë së pavdekshme. Drita dhe njohuria u derdhën nga froni çelestial.

Zoti Jezu Krisht i foli edhe një herë botës.

Çfarë tha Ai?

Për bekimin tonë, shumë prej fjalëve të Tij janë shënuar te Doktrina e Besëlidhje – në dispozicion për këdo në botë që dëshiron t’i lexojë dhe studiojë ato. Sa të çmuara janë këto fjalë për ne sot!

Dhe nuk duhet të befasohemi kur zbulojmë që Shpëtimtari sërish na mëson mesazhin thelbësor të ungjillit të Tij: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tënde; dhe në emër të Jezu Krishtit duhet t’i shërbesh atij”14. Ai na frymëzon ta kërkojmë Perëndinë15 dhe të jetojmë sipas mësimeve që Ai u ka zbuluar shërbëtorëve të Tij, profetëve16.

Ai na mëson ta duam njëri‑tjetrin17 dhe të jemi “plot dashuri hyjnore ndaj gjithë njerëzve”18.

Ai na fton të jemi duart e Tij, të shkojmë përpara duke bërë mirë19. “Të mos duam me fjalë, … por me vepra dhe në të vërtetë.”20

Ai na sfidon t’ia vëmë veshin porosisë së Tij të madhe: Të duam, të tregojmë dhe t’i ftojmë të gjithë të vijnë tek ungjilli i Tij dhe Kisha e Tij21.

Ai na urdhëron të ndërtojmë tempuj të shenjtë dhe të hyjmë e të shërbejmë atje22.

Ai na mëson të bëhemi dishepuj të Tij – që zemrat tona nuk duhet të mundohen për të fituar pushtet vetjak, pasuri, miratim apo pozitë. Ai na mëson që t’i “lë[më] mënjanë gjërat e kësaj bote dhe të kërko[jmë] gjërat e një [bote] më të mir[ë]”23.

Ai na shtyn të kërkojmë gëzim, ndriçim, paqe, të vërtetën, lumturinë24 dhe premtimin e pavdekësisë e të jetës së përjetshme25.

Le ta çojmë këtë një hap më tej. Supozojmë se Jezusi do të vinte në lagjen tuaj, degën tuaj ose në shtëpinë tuaj sot. Si do të ishte kjo?

Ai do të shihte drejt e në zemrën tuaj. Pamja e jashtme do ta humbiste rëndësinë e vet. Ai do t’ju njihte ashtu siç jeni. Ai do t’i dinte dëshirat e zemrës suaj.

Ai do të lartësonte zemërbutin dhe të përulurin.

Ai do të shëronte të sëmurin.

Atë që kishte dyshime, Ai do ta mbushte me besim e guxim për të besuar.

Ai do të na mësonte t’ia hapnim zemrën tonë Perëndisë dhe t’ua zgjatnim dorën të tjerëve.

Ai do ta njihte dhe nderonte ndershmërinë, përulësinë, integritetin moral, besnikërinë, dhembshurinë dhe dashurinë hyjnore.

Një vështrim në sytë e Tij dhe ne kurrë nuk do të ishim të njëjtë. Do të ndryshonim përgjithmonë. Të shndërruar nga kuptimi i thellë se, me të vërtetë, Perëndia është mes nesh.

Çfarë Duhet të Bëjmë?26

E hedh vështrimin pas me dashamirësi tek i riu që isha gjatë viteve që po rritesha. Nëse do të kthehesha pas në kohë, do ta ngushëlloja dhe do t’i thosha të qëndronte në udhën e duhur dhe të vazhdonte të kërkonte. Dhe do t’i kërkoja që ta ftonte Jezu Krishtin në jetën e vet, pasi Perëndia është mes nesh!

Juve, vëllezërve dhe motrave të mia të dashura, miqve të mi dashur dhe të gjithëve që po kërkojnë përgjigje, të vërtetën dhe lumturinë, unë u ofroj të njëjtën këshillë: vazhdoni të kërkoni me besim e durim27.

Kërkoni dhe do të merrni. Trokitni dhe do t’ju çelet28. Mirëbesojini Zotit29.

Në jetën tonë të përditshme është detyra jonë madhore dhe mundësia jonë e bekuar që të hasim Perëndinë.

Teksa e lëmë mënjanë krenarinë dhe i qasemi fronit të Tij me një zemër të thyer dhe shpirt të penduar30, Ai do të na vijë pranë31.

Ndërsa kërkojmë ta ndjekim Jezu Krishtin dhe të ecim në shtegun e dishepullimit, rresht pas rreshti, do të vijë dita që ne do të përjetojmë atë dhuratë të paimagjinueshme të marrjes së një plotësie gëzimi.

Miqtë e mi të dashur, Ati juaj Qiellor ju do me një dashuri të përsosur. Ai e ka vërtetuar dashurinë e Tij në mënyra të pafundme, por mbi të gjitha duke dhënë Birin e Tij të Vetëmlindur si një flijim dhe si një dhuratë për fëmijët e Tij, për ta bërë realitet kthimin te prindërit tanë qiellorë.

Jap dëshmi se Ati ynë Qiellor jeton, se Jezu Krishti e udhëheq Kishën e Tij dhe se Presidenti Rasëll M. Nelson është profeti i Tij.

Ju jap dashurinë dhe bekimin tim në këtë periudhë të gëzueshme Pashke. Hapjani zemrën Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë, pavarësisht nga rrethanat, sprovat, vuajtjet apo gabimet tuaja; ju mund ta dini se Ai jeton, se Ai ju do dhe për shkak të Tij, ju nuk do të jeni kurrë vetëm.

Perëndia është mes nesh.

Për këtë unë dëshmoj dhe jap dëshmi në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.