Konferenca e Përgjithshme
Mbrojtja e Kushtetutës Sonë të Frymëzuar në Mënyrë Hyjnore
konferenca e përgjithshme e prillit 2021


Mbrojtja e Kushtetutës Sonë të Frymëzuar në Mënyrë Hyjnore

Bindja jonë për frymëzimin hyjnor u jep shenjtorëve të ditëve të mëvonshme një përgjegjësi të pashoqe për ta përkrahur dhe mbrojtur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara dhe parimet e kushtetutshmërisë.

Në këtë kohë të trazuar, unë e kam ndier se duhet të flas rreth Kushtetutës së frymëzuar të Shteteve të Bashkuara. Kjo Kushtetutë është me rëndësi të veçantë për anëtarët tanë në Shtetet e Bashkuara, por ajo është edhe një trashëgimi e përbashkët e kushtetutave nëpër botë.

I.

Një kushtetutë është themeli i qeverisjes. Ajo siguron strukturë dhe kufizime për ushtrimin e pushtetit qeveritar. Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara është kushtetuta më e vjetër, e shkruar që është ende në fuqi sot. Ndonëse në fillimet e saj u pranua vetëm nga një numër i vogël kolonish, ajo shpejt u bë një model mbarëbotëror. Sot, çdo komb, përveç tri kombeve, ka miratuar kushtetuta të shkruara.1

Në këtë bisedë, unë nuk flas në përkrahje të ndonjë partie politike apo grupi tjetër. Unë flas për Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, të cilën e kam studiuar për më shumë se 60 vjet. Flas nga përvoja ime si nëpunës ligjor për kryegjykatësin e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara. Flas nga 15 vjetët e mia si profesor juridiku dhe nga 3 vjet e gjysmë si gjykatës në Gjykatën e Lartë të Jutës. Më e rëndësishmja, unë flas nga 37 vjetët e mia si Apostull i Jezu Krishtit, përgjegjës për të studiuar domethënien e Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, të frymëzuar në mënyrë hyjnore, ndaj punës së Kishës së Tij të rivendosur.

Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara është e pashoqe, ngaqë Perëndia dha zbulesë se Ai e “themel[oi]” atë “për të drejtat dhe mbrojtjen e gjithë mishit” (Doktrina e Besëlidhje 101:77; shih edhe vargun 80). Kjo është arsyeja pse kjo kushtetutë zgjon një interes të veçantë te Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në të gjithë botën. Nëse parimet e saj ose mënyra se si parimet e saj duhet të gjejnë zbatim në kombe të tjera të botës, u takon atyre që ta vendosin.

Cili ishte qëllimi i Perëndisë për themelimin e Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara? E shohim atë në doktrinën e lirisë morale të zgjedhjes. Në dekadën e parë të Kishës së rivendosur, anëtarët e saj në kufirin perëndimor po vuanin nga përndjekjet e fshehta dhe publike. Pjesërisht kjo ishte për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj skllavërisë njerëzore që ekzistonte në Shtetet e Bashkuara në atë kohë. Në këto rrethana fatkeqe, Perëndia dha me anë të zbulesës nëpërmjet Profetit Jozef Smith, të vërtetat e përjetshme rreth doktrinës së Tij.

Perëndia u ka dhënë fëmijëve të Tij lirinë morale të zgjedhjes – fuqinë për të vendosur dhe për të vepruar. Gjendja më e dëshirueshme për ushtrimin e asaj lirie të zgjedhjes është liria maksimale që burrat e gratë të veprojnë sipas zgjedhjeve të tyre individuale. Më pas zbulesa shpjegon që “çdo njeri të mund të jetë i përgjegjshëm për mëkatet e veta në ditën e gjykimit” (Doktrina e Besëlidhje 101:78). “Si rrjedhim”, zbuloi Zoti, “nuk është e drejtë që ndonjë njeri të jetë nën skllavërinë e një tjetri” (Doktrina e Besëlidhje 101:79). Kjo dukshëm do të thotë se skllavëria njerëzore është e gabuar dhe sipas të njëjtit parim, është e gabuar që shtetasit të mos kenë zë në përzgjedhjen e sundimtarëve të tyre ose në bërjen e ligjeve të tyre.

II.

Bindja jonë se Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara u frymëzua në mënyrë hyjnore, nuk nënkupton që zbulesa hyjnore diktoi çdo fjalë e frazë, siç janë për shembull dispozitat që caktojnë numrin e përfaqësuesve nga secili shtet apo moshën minimale të secilit përfaqësues.2 Kushtetuta nuk ishte “një dokument i zhvilluar plotësisht”, tha Presidenti J. Ruben Klark. “Përkundrazi”, shpjegoi ai, “ne besojmë se ajo duhet të rritet dhe zhvillohet që të plotësojë nevojat në ndryshim të një bote që përparon.”3 Për shembull, amendamentet e frymëzuara shfuqizuan skllavërinë dhe u dhanë grave të drejtën për të votuar. Megjithatë, ne nuk shohim frymëzim në çdo vendim të Gjykatës së Lartë që e interpreton Kushtetutën.

Unë besoj se Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara përmban të paktën pesë parime të frymëzuara në mënyrë hyjnore.4

I pari është parimi që burimi i fuqisë së qeverisjes është populli. Në një kohë kur pushteti sovran hamendësohej botërisht se vinte nga e drejta hyjnore e mbretërve ose nga pushteti ushtarak, ishte revolucionare t’i ngarkohej popullit pushteti sovran. Filozofët e kishin përkrahur këtë gjë, por Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara ishte e para që e vuri atë në zbatim. Pushteti sovran i popullit nuk do të thotë që turmat ose grupe të tjera njerëzish mund të ndërhyjnë për të frikësuar ose për ta detyruar veprimin e qeverisë. Kushtetuta themeloi një republikë kushtetuese demokratike, ku njerëzit e ushtrojnë fuqinë e tyre nëpërmjet përfaqësuesve të tyre të zgjedhur.

Një parim i dytë i frymëzuar është ndarja e pushtetit të deleguar midis kombit dhe shteteve individuale që e përbëjnë atë. Në sistemin tonë federal, ky parim i pashembullt nganjëherë është ndryshuar nëpërmjet amendamenteve të frymëzuara, të tilla si ato të shfuqizimit të skllavërisë dhe dhënies së të drejtave të votimit ndaj grave, që u përmendën më lart. Në mënyrë domethënëse, Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara ia kufizon qeverisë kombëtare ushtrimin e fuqive të dhëna qartësisht ose të nënkuptuara nga ajo që është shkruar, dhe ajo ua rezervon të gjitha fuqitë e tjera qeverisëse, “shteteve përkatëse ose popullit”5.

Një parim tjetër i frymëzuar është ndarja e pushteteve. Shumë më tepër se një shekull përpara Konventës sonë Kushtetuese të vitit 1787, parlamenti anglez qe pionier në ndarjen e autoritetit legjislativ dhe ekzekutiv kur ia hoqi me forcë mbretit disa fuqi të caktuara. Frymëzimi në konventën amerikane ishte që të delegonte fuqi të pavarura ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore, me qëllim që këto tri degë të mund të ushtronin kontroll mbi njëra‑tjetrën.

Një parim i katërt i frymëzuar është tërësia e garancive jetike të të drejtave individuale dhe kufizimeve të veçanta mbi autoritetin qeverisës që gjenden në Deklaratën e të Drejtave, e cila u miratua me amendament vetëm tre vjet pasi hyri në fuqi Kushtetuta. Një Deklaratë e të Drejtave nuk ishte diçka e re. Këtu frymëzimi ishte te vënia në zbatim praktik i parimeve të nisura në Angli, duke filluar me Magna Carta‑n. Shkruesit e Kushtetutës i njihnin mirë këto ngaqë disa prej akteve themeluese të kolonive kishin garanci të tilla.

Pa një Deklaratë të të Drejtave, Amerika nuk mund të kishte shërbyer si vendi mikpritës i Rivendosjes së ungjillit, e cila filloi vetëm tri dekada më vonë. Pati frymëzim hyjnor në dispozitën origjinale që nuk duhej të kërkohej një fe e caktuar që të mbahej një pozitë publike6, por ishte jetike shtesa në Amendamentin e Parë për lirinë fetare dhe garancinë që asnjë fe të mos bëhej feja zyrtare në këtë vend. Ne gjithashtu shohim frymëzim hyjnor në liritë e Amendamentit të Parë për fjalën dhe shtypin, si dhe në mbrojtjet personale në amendamentet e tjera, të tilla si për akuzat kriminale.

Pamja
Ne, njerëzit

Së pesti dhe së fundi, unë shoh frymëzim hyjnor në qëllimin jetik të Kushtetutës në tërësi. Ne duhet të qeverisemi nga ligji dhe jo nga individët dhe besnikëria jonë është ndaj Kushtetutës dhe parimeve e proceseve të saj, jo ndaj cilitdo mbajtësi të një pozite. Në këtë mënyrë, të gjithë njerëzit duhet të jenë të barabartë përpara ligjit. Këto parime i bllokojnë ambiciet autokratike, që e kanë korruptuar demokracinë në disa vende. Ato gjithashtu nënkuptojnë se asnjë nga tri degët e qeverisjes nuk duhet të sundojë mbi të tjerat ose t’i pengojë të tjerat në kryerjen e funksioneve të tyre të duhura kushtetuese për ta kontrolluar njëra‑tjetrën.

III.

Pavarësisht nga parimet e frymëzuara në mënyrë hyjnore të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, teksa ushtrohen nga qenie të papërsosura njerëzore, ndikimet e synuara prej tyre nuk janë arritur gjithmonë. Çështje të rëndësishme të bërjes së ligjeve, si disa ligje që qeverisin marrëdhëniet familjare, u janë hequr shteteve nga qeveria federale. Garantimi nga Amendamenti i Parë i fjalës së lirë nganjëherë është dobësuar nga ndrydhja e shprehjes së gjërave që nuk kanë popullaritet. Parimi i ndarjes së fuqive gjithmonë ka qenë nën trysni me uljen dhe ngritjen e ndikimit të njërës degë të qeverisjes për të ushtruar ose penguar fuqitë e deleguara një dege tjetër.

Ka edhe kërcënime të tjera që i zhvleftësojnë parimet e frymëzuara të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Opinioni i njerëzve për Kushtetutën keqësohet nga përpjekjet për t’i zëvendësuar prirjet shoqërore të tanishme si arsyeja për krijimin e saj, në vend të arsyeve të lirisë dhe vetëqeverisjes. Autoriteti i Kushtetutës është bërë të duket si i parëndësishëm kur kandidatët apo zyrtarët i shpërfillin parimet e saj. Dinjiteti dhe forca e Kushtetutës pakësohet nga ata që i referohen asaj si një provë besnikërie apo një parullë politike, në vend të statusit të saj të lartë si burim autorizimi dhe kufizimesh për autoritetin qeveritar.

IV.

Bindja jonë për frymëzimin hyjnor u jep shenjtorëve të ditëve të mëvonshme një përgjegjësi të pashoqe për ta përkrahur dhe mbrojtur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara dhe parimet e kushtetimit kudo ku jetojmë. Ne duhet të mirëbesojmë te Zoti dhe të jemi pozitivë për të ardhmen e këtij kombi.

Çfarë tjetër duhet të bëjnë shenjtorët e ditëve të mëvonshme? Ne duhet të lutemi që Zoti t’i udhërrëfejë dhe bekojë të gjitha kombet dhe udhëheqësit e tyre. Kjo është pjesë e nenit tonë të besimit. Nënshtrimi ndaj presidentëve ose sundimtarëve7 sigurisht që nuk parashtron asnjë pengesë për kundërshtimin tonë ndaj ligjeve ose rregulloreve individuale. Ai vërtet kërkon që ne ta ushtrojmë ndikimin tonë në mënyrë qytetare dhe paqësore, brenda strukturës së kushtetutave tona dhe ligjeve që gjejnë zbatim. Për çështjet që nuk biem dakord, ne duhet të përpiqemi të arrijmë marrëveshje dhe të krijojmë unitet.

Ka detyra të tjera që janë pjesë e mbështetjes së Kushtetutës së frymëzuar. Ne duhet t’i mësojmë dhe mbrojmë parimet e frymëzuara të Kushtetutës. Ne duhet të kërkojmë dhe përkrahim njerëz të mençur dhe të mirë, të cilët do t’i përkrahin këto parime në veprimet e tyre publike.8 Ne duhet të jemi qytetarë që kanë njohuri, të cilët janë veprues në bërjen që të ndihet ndikimi ynë në çështjet qytetare.

Në Shtetet e Bashkuara dhe në demokraci të tjera, ndikimi politik ushtrohet nëpërmjet vënies së kandidaturës për një pozicion zyrtar (të cilën ne e inkurajojmë), nëpërmjet votimit, nëpërmjet dhënies së përkrahjes financiare, nëpërmjet anëtarësisë dhe shërbimit në partitë politike dhe nëpërmjet komunikimit të vazhdueshëm me zyrtarët, partitë dhe kandidatët. Në mënyrë që të funksionojë mirë, një demokraci ka nevojë për të gjitha këto, por një qytetar i ndërgjegjshëm nuk nevojitet t’i sigurojë të gjitha këto.

Ka çështje të shumta politike dhe asnjë parti, platformë ose kandidat individual nuk mund t’i kënaqë të gjitha parapëlqimet vetjake. Çdo qytetar, si rrjedhojë, duhet të vendosë se cilat çështje janë më të rëndësishmet për të në çfarëdo kohe të caktuar. Më pas, anëtarët duhet të kërkojnë frymëzim për mënyrën se si ta ushtrojnë ndikimin e tyre në përputhje me përparësitë e tyre individuale. Ky proces nuk do të jetë i lehtë. Mund të kërkojë ta ndryshosh partinë që përkrah ose kandidatin që zgjedh, edhe nga një fushatë elektorale në tjetrën.

Veprime të tilla të pavarura ndonjëherë do të kërkojnë që votuesit t’i përkrahin kandidatët ose partitë apo platformat politike, qëndrimet e tjera të të cilave ata mund të mos i miratojnë.9 Kjo është njëra arsye përse i nxitim anëtarët tanë që t’i përmbahen gjykimit të njëri‑tjetrit për çështje politike. Ne kurrë nuk duhet të pohojmë që një shenjtor besnik i ditëve të mëvonshme nuk mund t’i përkasë një partie të caktuar apo të votojë për një kandidat të caktuar. Ne japim mësim parime të sakta dhe i lëmë anëtarët tanë të zgjedhin se si t’u japin përparësi dhe t’i zbatojnë ato parime në çështjet e paraqitura herë pas here. Ne gjithashtu këmbëngulim dhe u kërkojmë udhëheqësve tanë vendorë të këmbëngulin që zgjedhjet dhe anëtarësimet politike të mos jenë çështje e mësimdhënies apo këshillimit në cilëndo nga mbledhjet tona të Kishës.

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, sigurisht, do ta ushtrojë të drejtën e saj për të miratuar apo kundërshtuar propozime të veçanta legjislative, të cilat besojmë se do të ndikojnë mbi ushtrimin e lirë të fesë apo interesat thelbësore të organizatave të Kishës.

Unë dëshmoj për Kushtetutën e frymëzuar në mënyrë hyjnore të Shteteve të Bashkuara dhe lutem që ne, të cilët e njohim Qenien Hyjnore i cili e frymëzoi atë Kushtetutë, gjithmonë do t’i përkrahim dhe mbrojmë parimet e saj të shkëlqyera. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Mark Tushnet, “Constitution”, në Michel Rosenfeld dhe András Sajó, red., The Oxford Handbook of Comparative Constitutional Law (2012), f. 222. Tri vendet me kushtetuta të kodifikuara të pashkruara janë Mbretëria e Bashkuar, Zelanda e Re dhe Izraeli. Secili prej tyre ka tradita të forta kushtetutshmërie, edhe pse dispozitat qeverisëse nuk përmblidhen në një dokument të vetëm.

  2. Shih United States Constitution, neni 1, pjesa 2.

  3. J. Reuben Clark Jr., “Constitutional Government: Our Birthright Threatened”, Vital Speeches of the Day, 1 janar 1939, f. 177, cituar në Martin B. Hickman, “J. Reuben Clark, Jr.: The Constitution and the Great Fundamentals”, në Ray C. Hillam, red., By the Hands of Wise Men: Essays on the U.S. Constitution (1979), f. 53. Presidenti Brigam Jang pati një pikëpamje të ngjashme për Kushtetutën që vazhdon të zhvillohet, duke dhënë mësim se hartuesit “hodhën themelin dhe ishte detyra e brezave të mëtejshëm që të ngrinin strukturën mbi të” (Discourses of Brigham Young, përz. John A. Widtsoe [1954], f. 359).

  4. Këto pesë janë të ngjashme, por jo identike me ato që sugjerohen në J. Reuben Clark Jr., Stand Fast by Our Constitution (1973), f. 7, Ezra Taft Benson, “Our Divine Constitution”, Ensign, nëntor 1987, f. 4–7; dhe Ezra Taft Benson, “The Constitution—A Glorious Standard”, Ensign, shtator 1987, f. 6–11. Shih, në përgjithësi, Noel B. Reynolds, “The Doctrine of an Inspired Constitution”, në By the Hands of Wise Men, f. 1–28.

  5. United States Constitution, amendamenti 10.

  6. Shih United States Constitution, neni 6.

  7. Shih Nenet e Besimit 1:12.

  8. Shih Doktrina e Besëlidhje 98:10.

  9. Shih David B. Magleby, “The Necessity of Political Parties and the Importance of Compromise”, BYU Studies, vëll. 54, nr. 4 (2015), f. 7–23.