Konferenca e Përgjithshme
Peshkopët – Barinj mbi Tufën e Zotit
konferenca e përgjithshme e prillit 2021


Peshkopët – Barinj mbi Tufën e Zotit

Peshkopi ka një rol madhor që të shërbejë si bari për ta udhëhequr drejt Jezu Krishtit brezin e ri.

Vëllezërit e mi të dashur të priftërisë, një nga rreshtat më të paharrueshëm në një himn shumë të dashur pyet: “A do ngurrojn’ t’rinjt’ e Sionit?”1 Shpallja ime e përzemërt dhe kumbuese në përgjigje të kësaj pyetjeje, është “Jo!”

Për t’u siguruar që ajo përgjigje të mbetet e vërtetë, unë dëshmoj sot se përkrahja e brezit të ri në një kohë sfidash dhe tundimesh të pazakonta është një përgjegjësi thelbësore që u është dhënë prindërve dhe peshkopatave nga Ati Qiellor.2 Më lejoni ta ilustroj rëndësinë e një peshkopate me një përvojë vetjake.

Kur isha dhjak, familja ime u shpërngul në një shtëpi të re në një lagje tjetër. Hidhesha në klasë të gjashtë dhe shkoja edhe në një shkollë të re. Në kuorumin e dhjakëve kishte një grup të mrekullueshëm të rinjsh. Shumica e prindërve të tyre ishin anëtarë aktivë. Nëna ime ishte plotësisht aktive; babai im ishte i jashtëzakonshëm në çdo mënyrë, por nuk ishte anëtar aktiv.

Këshilltari i dytë në peshkopatë3, Vëllai Din Ajër, ishte një udhëheqës i devotshëm. Kur isha ende duke u përshtatur në lagjen e re, u njoftua një ngjarje baba-bir në Liqenin e Ariut – rreth 65 km larg. Nuk mendoja se do të merrja pjesë pa babanë tim. Por vëllai Ajër më bëri një ftesë të veçantë që unë të shkoja me të. Ai foli shumë mirë dhe gjithë respekt për babanë tim dhe theksoi rëndësinë e mundësisë që kisha për të qenë me anëtarë të tjerë të kuorumit të dhjakëve. Kështu që vendosa të shkoja me Vëllanë Ajër dhe pata një përvojë të mrekullueshme.

Vëllai Ajër ishte një shembull i mrekullueshëm i dashurisë si të Krishtit në përmbushjen e përgjegjësisë së peshkopatës për t’i përkrahur prindërit që të përkujdeseshin dhe t’i edukonin të rinjtë. Ai më dha një fillim të shkëlqyer në këtë lagje të re dhe ishte një këshillues për mua.

Disa muaj para se të largohesha për në mision në vitin 1960, Vëllai Ajër ndërroi jetë nga kanceri në moshën 39‑vjeçare. Ai la një bashkëshorte dhe pesë fëmijët e tyre, të gjithë më të vegjël se 16 vjeç. Djemtë e tij më të mëdhenj, Riçard dhe Kris Ajër, më kanë siguruar që në mungesë të babait të tyre, peshkopatat i përkrahën dhe u përkujdesën për ta dhe vëllezërit e tyre dhe motrën e tyre më të vogël, me dashuri si të Krishtit, gjë për të cilën unë jam mirënjohës.

Prindërit do të kenë gjithmonë përgjegjësinë kryesore për familjet e tyre.4 Presidencat e kuorumeve u japin gjithashtu përkrahje dhe udhërrëfim thelbësor anëtarëve të kuorumit duke i ndihmuar ata që t’i vënë detyrat dhe fuqinë e Priftërisë Aarone në qendër të jetës së tyre.5

Pamja
Bariu me delet

Sot qëllimi im është që të përqendrohem te peshkopët ose presidentët e degëve dhe këshilltarët e tyre, të cilët në mënyrë të përshtatshme mund të quhen “barinj mbi tufën e Zotit” – me theks tek të qenit barinj për brezin e ri.6 Është interesante që Apostulli Pjetër e përmendi Jezu Krishtin si “Bariu dhe Ruajtësi që do të thotë Peshkopi i shpirtrave tuaj”7.

Peshkopi ka pesë përgjegjësi kryesore në kryesimin e një lagjeje:

  1. Ai është prifti i lartë kryesues në lagje.8

  2. Ai është president i Priftërisë Aarone.9

  3. Ai është një gjykatës i përbashkët.10

  4. Ai bashkërendon punën për shpëtim dhe ekzaltim përfshirë përkujdesjen për njerëzit në nevojë.11

  5. Dhe ai mbikëqyr dokumentet, financat dhe përdorimin e shtëpive të mbledhjeve.12

Në rolin e tij si prift i lartë, peshkopi është “udhëheqësi shpirtëror” i lagjes.13 Ai është një “dishepull besnik i Jezu Krishtit”14.

Përveç kësaj, “peshkopi bashkërendon punën për shpëtim dhe ekzaltim në lagje”15. Peshkopi duhet t’u caktojë presidencave të kuorumit të pleqve dhe Shoqatës së Ndihmës përgjegjësinë e përditshme për të përhapur ungjillin, për të forcuar anëtarët e rinj dhe ata që kthehen, për të dhënë shërbesë dhe për punën në tempull dhe për historinë familjare.16 Peshkopi e bashkërendon këtë punë në këshillin e lagjes dhe këshillin e lagjes për rininë.

Peshkopi ka një rol madhor që të shërbejë si bari për ta udhëhequr drejt Jezu Krishtit brezin e ri, përfshirë të rinjtë e të rejat në moshë madhore beqarë.17 Presidenti Rasëll M. Nelson ka theksuar rolin themelor të peshkopit dhe këshilltarëve të tij. Ai ka dhënë mësim se “përgjegjësia e parë dhe më e rëndësishme e t[yre] është që të kujdese[n] për të rinjtë dhe të rejat në lagjen e t[yre]”18. Peshkopata i përkrah prindërit për përkujdesjen dhe edukimin e fëmijëve dhe të rinjve e të rejave në lagje. Peshkopi dhe presidentja e Të Rejave në lagje këshillohen së bashku. Ata përpiqen fort që t’i ndihmojnë të rinjtë dhe të rejat të jetojnë standardet te broshura Për Forcën e Rinisë, të kualifikohen për të marrë ordinanca dhe të bëjnë e të mbajnë besëlidhje të shenjta.

Ju mund të pyetni: “Pse peshkopi udhëzohet të kalojë kaq shumë kohë me rininë?” Zoti e ka organizuar Kishën e Tij për të përmbushur përparësitë vendimtare. Prandaj, organizimi i Kishës së Tij ka një strukturë në të cilën peshkopi ka një përgjegjësi të dyfishtë. Ai ka përgjegjësi doktrinore për lagjen në tërësi, por ai ka gjithashtu përgjegjësi të posaçme doktrinore për kuorumin e priftërinjve.19

Të rinjtë që janë priftërinj, dhe të rejat në të njëjtën moshë, janë në një fazë shumë të rëndësishme në jetën dhe zhvillimin e tyre. Gjatë një periudhe të shkurtër kohe, ata marrin vendime që kanë pasoja të konsiderueshme për gjithë jetën e tyre. Ata vendosin a do të kualifikohen për në tempull, a do të shërbejnë në mision20, a do të përpiqen fort që të martohen në tempull dhe të përgatiten për punën e jetës së tyre. Këto vendime, pasi merren, kanë pasoja të thella shpirtërore dhe praktike për pjesën tjetër të jetës së tyre. Peshkopë, ju lutem dijeni se një kohë relativisht e shkurtër e kaluar me një prift të ri, me një të re ose me një të ri apo të re në moshë madhore, mund t’i ndihmojë ata të kuptojnë fuqinë që është në dispozicion për ta nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Mund të sigurojë një largpamësi që do të ketë një ndikim të thellë në tërë jetën e tyre.

Pamja
Peshkopi Moa Mahe dhe këshilltarët e tij

Një nga shembujt më të mirë që kam parë të një peshkopi që ndihmoi për të siguruar këtë lloj largpamësie për të rinjtë dhe të rejat e tij, ishte Peshkopi Moa Mahe. Ai u thirr për të qenë peshkopi i parë në lagjen tonganeze në San‑Françisko.21 Ai ishte një emigrant nga Vava’u në Tongë. Lagjja e tij gjendej pranë aeroportit të San‑Françiskos, Kaliforni ku ai punonte.22

Pamja
Lagjja tonganeze

Lagjja kishte një numër të madh të rinjsh dhe të rejash, shumica nga familje që kishin emigruar kohët e fundit drejt Shteteve të Bashkuara. Peshkopi Mahe jo vetëm që u dha mësim me fjalë dhe me shembull se si të ishin dishepuj të drejtë të Jezu Krishtit, por gjithashtu ndihmoi që t’u jepte atyre një largpamësi për atë që mund të bëheshin, dhe i ndihmoi të përgatiteshin për tempullin, misionin, arsimin dhe punësimin. Ai shërbeu për gati tetë vjet dhe ëndrrat e dëshirat e tij për të rinjtë e të rejat u bënë realitet.

Gati 90 përqind e të rinjve në kuorumet e Priftërisë Aarone shërbyen në misione. Pesëmbëdhjetë të rinj e të reja ishin anëtarët e parë të familjeve të tyre që e frekuentuan kolegjin.23 Ai u takua me drejtorin e shkollës së mesme vendore (jo të besimit tonë) dhe ata krijuan miqësi dhe bashkëpunuan për mënyrën se si ta ndihmonin secilin të ri e të re që të arrinte qëllime të vlefshme dhe të kapërcente probleme. Drejtori më tha se Peshkopi Mahe e ndihmoi atë duke punuar me emigrantë të të gjitha besimeve që po hasnin vështirësi. Të rinjtë e të rejat e dinin se peshkopi i donte ata.

Fatkeqësisht, Peshkopi Mahe ndërroi jetë ndërkohë që shërbente si peshkop. Nuk do ta harroj kurrë ceremoninë e tij mortore prekëse dhe frymëzuese. Ishte një turmë e madhe. Kori përbëhej nga më shumë se 35 anëtarë besnikë të rinj në moshë që kishin shërbyer në misione ose po frekuentonin kolegjin dhe të cilët kishin qenë të rinj e të reja gjatë shërbimit të tij si peshkop. Një folës shprehu ndjenjën e madhe të vlerësimit nga të rinjtë e të rejat dhe ata në moshë madhore në lagjen e tij. Ai e nderoi Peshkopin Mahe për largpamësinë që u kishte dhënë atyre duke i përgatitur për jetën dhe shërbimin e drejtë. Por më e rëndësishmja, Peshkopi Mahe i kishte ndihmuar ata për të ndërtuar besim te Zoti Jezu Krisht si themeli i jetës së tyre.

Tani, peshkopë, kudo që shërbeni, në intervistat tuaja dhe shoqërime të tjera, ju mund të jepni atë lloj largpamësie dhe të ndërtoni besim te Jezu Krishti. Ju mund të bëni ftesa të fuqishme për të ndryshuar sjellje, për t’i përgatitur ata për jetën dhe për t’i frymëzuar që të qëndrojnë në shtegun e besëlidhjeve.

Përveç kësaj, ju mund të ndihmoni disa të rinj e të reja që janë në konflikt me prindërit për gjëra që janë relativisht të parëndësishme.24 Në një kohë kur të rinjtë duket se kanë konflikt maksimal me prindërit e tyre, personi që kryeson kuorumin e tyre dhe të cilit ata i përgjigjen nga pikëpamja kishtare, është gjithashtu personi tek i cili prindërit e tyre shkojnë për rekomandime tempulli. Kjo e vë peshkopin në një pozicion të pashoq për t’i këshilluar si të rinjtë, ashtu edhe prindërit e tyre kur grindjet kanë krijuar një përçarje. Peshkopët mund të ndihmojnë si për t’i parë gjërat me një këndvështrim të përjetshëm, ashtu edhe për të zgjidhur çështje me më shumë apo më pak rëndësi. Ne rekomandojmë që peshkopëve të mos u caktohen familje për t’u dhënë shërbesë, në mënyrë që ata të mund ta përqendrojnë kohën dhe energjinë e tyre shërbestare tek të rinjtë e të rejat dhe familjet e tyre në këto lloj situatash.25

Unë jam në dijeni për një peshkop i cili qe në gjendje të zgjidhte grindje të skajshme midis një djali dhe prindërve të tij, duke sjellë harmoni në shtëpi dhe një zotim më të gjerë ndaj ungjillit. Peshkopi i ndihmoi prindërit të kuptonin se përpjekja për të qenë një dishepull i Jezu Krishtit ishte më e rëndësishme sesa mënyra dhe koha kur kryheshin me saktësi punët e shtëpisë.

Në mënyrë që të kalojnë më shumë kohë me të rinjtë e të rejat, kudo ku janë, përfshirë ngjarjet ose veprimtaritë shkollore, peshkopatat këshillohen t’ua delegojnë të rriturve mbledhjet e përshtatshme dhe kohën e këshillimit. Ndërsa peshkopët mund të këshillojnë për çështje të rënda dhe të ngutshme, ne rekomandojmë që delegimi i këshillimit të vazhdueshëm për çështje kronike, më pak të ngutshme që nuk përfshijnë gjykime lidhur me denjësinë, t’u caktohet anëtarëve të kuorumit të pleqve ose Shoqatës së Ndihmës – zakonisht presidencave ose vëllezërve dhe motrave shërbestare. Shpirti do t’i udhërrëfejë udhëheqësit26 që të zgjedhin anëtarët e duhur për ta ndërmarrë këtë këshillim. Ata që e marrin këtë detyrë këshillimi të deleguar, kanë të drejtë të marrin zbulesë. Ata, natyrisht, duhet të jenë gjithmonë të rreptë për ruajtjen e konfidencialitetit.

Udhëheqësit e matur kanë sakrifikuar gjithmonë për brezin e ri. Me këtë gjë anëtarët e peshkopatës kalojnë pjesën më të madhe të kohës së tyre të shërbimit në Kishë.

Tani dëshiroj t’i them disa gjëra drejtpërdrejt rinisë dhe më pas peshkopëve tanë.

Shumë prej jush, të rinj të çmuar, mund të mos keni një përfytyrim të qartë se kush jeni dhe kush mund të bëheni. Megjithatë, ju jeni në pragun e vendimeve më të rëndësishme që do të merrni në jetë. Ju lutemi, këshillohuni si me prindërit, ashtu edhe me peshkopin tuaj për zgjedhje të rëndësishme që keni përpara. Lejojeni peshkopin të jetë shoku dhe këshilluesi juaj.

Ne jemi të vetëdijshëm se keni sprova dhe tundime që ju vijnë nga çdo drejtim. Ne të gjithë kemi nevojë të pendohemi çdo ditë, siç ka dhënë mësim Presidenti Nelson. Ju lutemi, flisni me peshkopin tuaj për çfarëdo çështjeje lidhur me të cilën një gjykatës i përbashkët mund t’ju ndihmojë për ta vënë jetën tuaj në rregull me Zotin, në përgatitje për “veprë[n e] madhe” që Ai ka për ju në këtë periudhë të fundit ungjillore.27 Siç ju ka ftuar Presidenti Nelson, ju lutemi, kualifikohuni për të qenë pjesë e batalionit të rinisë së Zotit!28

Tani, një fjalë për ju peshkopë të çmuar në emër të udhëheqjes dhe anëtarëve të Kishës. Ne ju shprehim mirënjohjen tonë të thellë. Me përshtatjet që ju është kërkuar të bëni vitet e fundit, të dashur peshkopë, ju lutemi, dijeni sa ju duam dhe ju vlerësojmë. Kontributi juaj për mbretërinë është pothuajse përtej përshkrimit. Kisha ka 30 900 peshkopë dhe presidentë dege që shërbejnë në të gjithë botën.29 Ne kemi nderim për secilin prej jush.

Disa fjalë dhe thirrjet e shenjta që ato përshkruajnë, janë të mbushura me një domethënie thuajse shpirtërore, të jashtëzakonshme. Thirrja e peshkopit është pa dyshim në nivelin e parë të fjalëve të tilla. T’i shërbesh Zotit në këtë cilësi, është mbresëlënëse në mënyra të shumta. Thirrja, mbështetja dhe veçimi i një peshkopi është një përvojë që nuk duhet harruar kurrë. Për mua, ajo renditet me një numër të vogël ngjarjesh sublime për nga gama e gjerë dhe thellësia e ndjenjave që zgjon. Kjo thirrje qëndron në një hierarki ngjarjesh të çmuara ashtu si martesa dhe atësia të cilat nuk mund të përshkruhen me pak fjalë.30

Peshkopë, ne ju mbështetim! Peshkopë, ne ju duam! Ju jeni me të vërtetë barinjtë e Zotit mbi tufën e Tij. Shpëtimtari nuk do t’ju braktisë në këto thirrje të shenjta. Për këtë unë dëshmoj, në këtë fundjavë Pashke, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. “T’vërtet’ Ndaj Besimit”, Himne, nr. 162.

  2. Këtë përgjegjësi e kanë të përbashkët dhe udhëheqësit e të rinjve e të rejave, presidencat e kuorumeve dhe të klasave dhe udhëheqës të tjerë të Kishës.

  3. Peshkopi është presidenti i kuorumit të priftërinjve. Këshilltari i tij i parë ka përgjegjësi për kuorumin e mësuesve dhe këshilltari i tij i dytë ka përgjegjësi për kuorumin e dhjakëve. (Shih Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 10.3, ChurchofJesusChrist.org.)

  4. Shih Doktrina e Besëlidhje 68:25–28.

  5. Shih Kuentin L. Kuk, “Përshtatje për të Forcuar Rininë”, Liahona, nëntor 2019, f. 40–43.

  6. Përdorimi i fjalës peshkop gjen zbatim të njëvlershëm për presidentët tanë besnikë të degëve.

  7. 1 Pjetër 2:25.

  8. Shih Manuali i Përgjithshëm, 6.1.1.

  9. Shih Manuali i Përgjithshëm, 6.1.2.

  10. Shih Manuali i Përgjithshëm, 6.1.3.

  11. Shih Manuali i Përgjithshëm, 6.1.4.

  12. Shih Manuali i Përgjithshëm, 6.1.5.

  13. Manuali i Përgjithshëm, 6.1.1; shih edhe Manuali i Përgjithshëm, 6.1.1.1–6.1.1.4.

  14. Manuali i Përgjithshëm, 6.1.1.

  15. Manuali i Përgjithshëm, 6.1.4.

  16. Shih Manuali i Përgjithshëm, 21.2; 23.5; 25.2.

  17. Shih Manuali i Përgjithshëm, 6.1; 14.3.3.1; shih edhe Kuentin L. Kuk, “Përshtatje për të Forcuar Rininë”, f. 40–43. Peshkopi nxitet gjithashtu të kalojë më shumë kohë me bashkëshorten dhe familjen e tij. Një objektiv i tillë është bërë i mundur teksa këshilluesit dhe specialistët e rritur të aftë thirren për t’i ndihmuar presidencat e kuorumeve të Priftërisë Aarone dhe peshkopatën në detyrat e tyre.

  18. Rasëll M. Nelson, “Dëshmitarët/et, Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave”, Liahona, nëntor 2019, f. 39.

  19. Shih Doktrina e Besëlidhje 107:87–88.

  20. “Zoti pret që çdo djalë i ri i aftë të përgatitet për të shërbyer në [mision] (shih Doktrina e Besëlidhje 36:1, 4–7). Të rejat dhe anëtarët në moshë që dëshirojnë të shërbejnë, duhet të përgatiten gjithashtu. Një pjesë thelbësore e përgatitjes është përpjekja për t’u bërë të kthyer në besim te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur. Ata që dëshirojnë të shërbejnë, përgatiten gjithashtu fizikisht, mendërisht, emocionalisht dhe financiarisht” (Manuali i Përgjithshëm, 24.0).

  21. Lagjja u organizua më 17 dhjetor 1980. Plaku Xhon H. Groberg, i Kuorumit të Parë të Të Shtatëdhjetëve, ndihmoi të organizohej kjo lagje në tonganisht. (Shih Gordon Ashby, chairman, and Donna Osgood, red., The San Francisco California Stake: The First 60 Years, 1927–1987 [1987], f. 49–52.)

  22. Peshkopi Mahe kishte përparuar në një pozicion drejtuesi në linjën ajrore Pan American të aeroportit ndërkombëtar të San‑Françiskos, në Kaliforni.

  23. Shih The San Francisco California Stake, f. 49.

  24. Ata gjithashtu mund të rebelohen kundër gjërave që janë përjetësisht të rëndësishme.

  25. Shih Manuali i Përgjithshëm, 21.2.1.

  26. Peshkopi do të bashkërendojë me presidencat e kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës në lidhje me faktin se kush duhet të caktohet dhe se me sa dashuri e përkujdesje duhet të arrihet ndjekja e ecurisë.

  27. Doktrina e Besëlidhje 64:33.

  28. Shih Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit” (takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018), HopeofIsrael.ChurchofJesusChrist.org.

  29. Deri më 19 shkurt 2021, kishte 24 035 peshkopë dhe 6 865 presidentë të degëve që shërbenin në të gjithë botën.

  30. Unë u thirra si peshkop i Lagjes Burlingeim në Kaliforni në vitin 1974 nga Presidenti Dejvid B. Barlou dhe u veçova më 15 shtator 1974, nga Plaku Nil A. Maksuell, i cili kohët e fundit qe thirrur si Ndihmës në Kuorumin e Dymbëdhjetëve Apostujve.