Konferenca e Përgjithshme
Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit
konferenca e përgjithshme e prillit 2021


Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

Përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi secilin prej nesh që ta ndjekim shembullin e Mjeshtrit dhe të japim mësim si Ai.

Mësuesit e Rrallë

Pak muaj më parë, një ish-shok i klasës nga qyteti im i lindjes Overton në Nevadë, sugjeroi t’i bënim së bashku një dhuratë Krishtlindjeje mësueses sonë të dashur të kopshtit, e cila kishte kremtuar së fundmi ditëlindjen e saj të 98-të. Ajo na mësoi të ishim të sjellshëm, rëndësinë e një dremitjeje të mirë, kënaqësinë e pirjes së qumështit dhe ngrënies së biskotave të thata si dhe dashurinë për njëri‑tjetrin. Faleminderit, Motra Dejvis, që ke qenë një mësuese kaq e mrekullueshme.

Pamja
Motra Dejvis

Kisha edhe një mësues tjetër të rrallë kur frekuentoja Kolegjin Riks shumë vjet më parë. Po përgatitesha të shërbeja në një mision dhe mendova se do të ishte e dobishme të frekuentoja një kurs mbi përgatitjen për mision. Ajo që përjetova, ma ndryshoi jetën.

Prej ditës së parë në klasë, kuptova se isha në praninë e një mësuesi mjeshtër. Mësuesi ishte Vëllai F. Melvin Hemond. E dija se Vëllai Hemond e donte Zotin, po ashtu edhe mua. Mund t’ia shihja këtë në fytyrë dhe t’ia dëgjoja në zë. Kur ai jepte mësim, Shpirti ma ndriçonte mendjen. Ai jepte mësim doktrinën, por më ftoi gjithashtu që ta mësoja atë në mënyrë të pavarur. Ajo ftesë më ndihmoi ta shihja qartë përgjegjësinë time për ta mësuar për vete doktrinën e Zotit. Ajo përvojë më ndryshoi përgjithmonë. Faleminderit, Vëllai Hemond, për mësimdhënien sipas mënyrës së Shpëtimtarit.

Vëllezër e motra, çdokush meriton ta ketë këtë lloj përvoje të të mësuarit si në shtëpi, ashtu edhe në kishë.

Te hyrja e manualit Eja, Më Ndiq jepet një vizion se çfarë mund të përmbushë mësimdhënia si e Krishtit. “Qëllimi i gjithë të mësuarit dhe mësimdhënies”, thuhet aty, “është që ta thellojnë kthimin tonë në besim te Jezu Krishti dhe të na ndihmojnë të bëhemi më shumë si Ai. … Lloji i mësimit të ungjillit që e forcon besimin tonë dhe na çon drejt mrekullisë së kthimit në besim, nuk ndodh i tëri njëherësh. Ai shtrihet përtej një mjedisi të klasës, brenda zemrës dhe shtëpisë së një individi.”1

Shkrimet e shenjta tregojnë se shërbesa e Shpëtimtarit në Amerikën e lashtë ishte me kaq ndikim dhe e përhapur gjerësisht saqë “i gjithë populli ishte kthyer në besim te Zoti, mbi tërë faqen e dheut, si Nefitë ashtu dhe Lamanitë; dhe nuk pati grindje dhe debate mes tyre dhe të gjithë njerëzit trajtonin me drejtësi njëri-tjetrin”2.

Si mund të ketë një ndikim të ngjashëm mësimdhënia jonë tek ata që i duam? Si mund të japim mësim më shumë si Shpëtimtari dhe t’i ndihmojmë të tjerët që të bëhen të kthyer në besim më thellësisht? Më lejoni t’ju ofroj disa sugjerime.

Ndiqeni Shembullin e Shpëtimtarit

Së pari dhe më kryesorja, merreni përsipër të mësoni gjithçka që mundeni rreth Vetë Mësuesit Mjeshtër. Si e tregoi Ai dashurinë për të tjerët? Çfarë ndien ata kur Ai jepte mësim? Çfarë mësimesh jepte Ai? Çfarë pritshmërie kishte Ai ndaj atyre që i mësonte? Pasi të shqyrtoni pyetje të tilla, vlerësojeni dhe përshtateni mënyrën tuaj të mësimdhënies që të jetë më shumë si e Tija.

Kisha siguron shumë burime të mësimdhënies në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] dhe te faqja në internet ChurchofJesusChrist.org. Një burim i tillë titullohet Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit. Unë ju ftoj të lexoni dhe të studioni çdo fjalë në të. Parimet që gjenden në të, do t’ju vijnë në ndihmë në përpjekjet tuaja për të qenë më shumë si Krishti gjatë mësimdhënies suaj.

Çlirojeni Forcën e Familjeve

Sugjerimi tjetër i imi mund të ilustrohet me një përvojë që kisha disa muaj më parë, kur u ndala për vizitë te një mik i dashur. Mund ta dëgjoja bashkëshorten e tij pak më tej të fliste me dikë, kështu që menjëherë u përshëndeta që ai të kthehej te familja e tij.

Pak a shumë një orë më vonë, mora këtë mesazh në celular nga bashkëshortja e tij e ëmbël: “Vëllai Njuman, faleminderit që kalove nga shtëpia. Duhet të të kishim ftuar brenda, por dua të të tregoj se çfarë po bënim. Qëkurse ka filluar pandemia, kemi diskutuar mbi programin Eja, Më Ndiq me fëmijët tanë të rritur çdo të diel në platformën Zoom. Ajo ka bërë të ndodhin mrekulli me plot kuptimin e fjalës. Mendoj se është hera e parë që vajza jonë e ka lexuar Librin e Mormonit në mënyrë të pavarur. Sot ishte mësimi i fundit për Librin e Mormonit dhe ishim gati në përfundim kur erdhët ju. … Mendova se do t’ju interesonte të dëgjonit se si programi Eja, Më Ndiq, platforma Zoom dhe pandemia kanë dhënë mundësinë në kohën e duhur, që të ndryshojë një zemër. … Kjo më bën të mendoj se sa mrekulli të vogla kanë ndodhur gjatë kësaj kohe të çuditshme.”

Mua kjo më ngjan si një përmbushje e premtimit që bëri Presidenti Rasëll M. Nelson në tetor 2018. Ai tha se të mësuarit e ungjillit i përqendruar te shtëpia dhe i përkrahur nga Kisha, “ka fuqinë ta çlirojë forcën e familjeve, teksa secila familje vijon me vetëdije dhe me kujdes që ta shndërrojë shtëpinë e vet në një shenjtërore besimi. Ju premtoj që, teksa ju punoni me zell për ta shndërruar shtëpinë tuaj në një qendër të të mësuarit të ungjillit, me kalimin e kohës, ditët tuaja të Shabatit, me të vërtetë do të jenë një kënaqësi. Fëmijët tuaj do të ngazëllehen që t’i mësojnë dhe jetojnë mësimet e Shpëtimtarit. … Ndryshimet në familjen tuaj do të jenë thelbësore dhe mbështetëse.”3 Ç’premtim i bukur!

Në mënyrë që të jetë vërtet jetëndryshues, kthimi në besim te Jezu Krishti duhet të përfshijë gjithë shpirtin tonë dhe të depërtojë në çdo aspekt të jetës sonë. Ja përse duhet të vihet në qendër të jetës sonë – familjeve dhe shtëpive tona.

Kujtoni se Kthimi në Besim Është Vetjak

Sugjerimi im i fundit është të kujtojmë se kthimi në besim duhet të vijë së brendshmi. Siç ilustrohet në shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave, ne nuk mund t’ia japim dikujt tjetër vajin e kthimit tonë në besim, sado që mund të duam. Siç dha mësim Plaku Dejvid A. Bednar: “Vaji i çmuar fitohet pikë pas pike … me durim dhe këmbëngulje. Nuk ka asnjë rrugë më të lehtë; nuk është e mundur një përgatitje e beftë në minutën e fundit.”4

Eja, Më Ndiq bazohet në atë të vërtetë. E krahasoj atë me engjëllin, i cili e ndihmoi Nefin të mësonte rreth Jezu Krishtit duke thënë: “Shiko!”5 Ashtu si ai engjëll, programi Eja, Më Ndiq na fton të shikojmë te shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të ditëve të sotme me qëllim që ta gjejmë Shpëtimtarin dhe ta dëgjojmë Atë. Sikurse Nefi, ne do të marrim mësim personalisht nga Shpirti ndërkohë që lexojmë dhe përsiatim për fjalën e Perëndisë. Programi Eja, Më Ndiq është trampolina që e ndihmon secilin prej nesh të zhytet thellë në ujin e gjallë të doktrinës së Krishtit.

Përgjegjësia e një prindi është e ngjashme në shumë mënyra. Fëmijët trashëgojnë shumë gjëra nga prindërit e vet, por një dëshmi nuk është njëra prej atyre gjërave. Ne nuk mund t’u japim fëmijëve tanë një dëshmi ashtu si nuk mund të bëjmë që një farë të rritet. Por mund të sigurojmë një mjedis ushqyes, me dhe të mirë, të pastruar nga gjembat që do ta “mbys[n]in fjalën”. Ne mund të përpiqemi fort të krijojmë kushtet ideale që fëmijët tanë – dhe të tjerët që i duam – të mund të gjejnë vend për farën, ta “dëgjo[jnë] fjalën, [ta] kupto[jnë]”6 dhe ta zbulojnë vetë “se fara është e mirë”7.

Pamja
Vëllai Njuman dhe biri i tij, Xheku

Disa vjet më parë, im bir, Xheku, dhe unë patëm mundësinë të luanim në Kursin e Vjetër në Shën Andre të Skocisë, vendi ku filloi loja e golfit. Ishte thjesht e mrekullueshme! Pasi u ktheva, u përpoqa t’ua përcillja të tjerëve madhështinë e përvojës. Por nuk munda. Fotografitë, materialet filmike dhe përshkrimet e mia më të mira ishin tërësisht të papërshtatshme. Më në fund e kuptova se e vetmja mënyrë që dikush ta kuptojë madhështinë e Shën Andresë, është që ta përjetojë atë – të shohë pistat e gjera, të thithë ajrin, të ndiejë erën në fytyrë dhe të bëjë disa gjuajtje kuturu në gropat e thella me rërë dhe shkurret e dendura të gjineshtrës, të cilat i bëmë me shumë efektshmëri.

Kështu është edhe me fjalën e Perëndisë. Ne mund ta japim mësim atë, ne mund ta predikojmë atë, ne mund ta shpjegojmë atë. Ne mund të flasim rreth saj, ne mund ta përshkruajmë atë, madje mund të dëshmojmë për të. Por gjersa një person ta ndiejë fjalën e shenjtë të Perëndisë të pikojë mbi shpirtin e tij apo të saj si vesa nga qielli nëpërmjet fuqisë së Shpirtit8, do të jetë sikur të shohësh një kartolinë ose fotografitë e pushimeve të dikujt tjetër. Duhet të shkosh vetë atje. Kthimi në besim është një udhëtim vetjak – një udhëtim i mbledhjes.

Çdokush që jep mësim në shtëpi dhe në kishë, mund t’u ofrojë të tjerëve mundësinë që të kenë përvojat e tyre vetjake shpirtërore. Nëpërmjet këtyre përvojave, ata do të arrijnë vetë “të din[ë] të vërtetën e të gjitha gjërave”9. Presidenti Nelson dha mësim: “Nëse keni pyetje të sinqerta rreth ungjillit ose Kishës, kur zgjidhni ta lejoni Perëndinë të triumfojë, ju do të udhëhiqeni që të gjeni e kuptoni të vërtetat absolute, të përjetshme që do ta udhërrëfejnë jetën tuaj dhe do t’ju ndihmojnë të qëndroni të palëkundur në shtegun e besëlidhjeve”10.

Përmirësojeni Ndjeshëm Mësimdhënien

Unë i ftoj udhëheqësit dhe mësuesit në çdo organizatë të Kishës që të këshillohen së bashku me prindërit dhe rininë me qëllim që ta përmirësojnë ndjeshëm mësimdhënien në çdo nivel – në kunje, në lagje dhe në shtëpi. Kjo do të arrihet duke dhënë mësim doktrinën dhe duke ftuar diskutim të mbushur me Shpirtin rreth të vërtetave që Fryma e Shenjtë na i ka mësuar në çastet e qeta gjatë studimit tonë vetjak.

Miqtë e mi të dashur në Krisht, përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi secilin prej nesh që ta ndjekim shembullin e Mjeshtrit dhe të japim mësim si Ai. Udha e Tij është udha e vërtetë! Ndërsa e ndjekim Atë “kur ai të shfaqet, ne [do] të jemi si ai, pasi ne do ta shohim atë ashtu sikurse është; që të mund të kemi këtë shpresë; që ne të mund të pastrohemi, madje ashtu si ai është i pastër”11. Në emrin e Atij që është ngritur, Vetë Mësuesit Mjeshtër, Jezu Krishtit, amen.