Konferenca e Përgjithshme
Shpresë te Krishti
konferenca e përgjithshme e prillit 2021


Shpresë te Krishti

Ne dëshirojmë shumë t’i ndihmojmë të gjithë ata që ndihen të vetmuar ose e ndiejnë se nuk përkasin. Lejomëni të përmend veçanërisht ata që aktualisht janë beqarë.

Vëllezër e motra, në këtë kohë Pashke, ne përqendrohemi te Ringjallja e lavdishme e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Na kujtohet ftesa e Tij plot dashuri: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.

Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.

Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!”1

Ftesa e Shpëtimtarit për të ardhur tek Ai është një ftesë për të gjithë që jo vetëm të vijnë tek Ai, por edhe që të përkasin në Kishën e Tij.

Në vargun që e paraprin këtë ftesë plot dashuri, Jezusi jep mësim se si bëhet kjo nëpërmjet përpjekjes për ta ndjekur Atë. Ai shpalli: “Asnjëri [ose asnjëra] nuk e njeh Birin, përveç Atit; dhe asnjëri [ose asnjëra] nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe atij [ose asaj] të cilit [ose të cilës] Biri don t’ia zbulojë”2.

Jezusi dëshiron që ne ta dimë se Perëndia është një Atë i dashur Qiellor.

Dijenia se Ati ynë Qiellor na do, do të na ndihmojë të dimë se kush jemi dhe të dimë se ne përkasim në familjen e Tij të madhe dhe të përjetshme.

Klinika mjekësore Majo kohët e fundit vërejti: “Të pasurit e një ndjenje të përkatësisë është kaq e rëndësishme. … Pothuajse çdo aspekt i jetës sonë organizohet përreth përkatësisë te diçka.” Ky artikull shton: “Ne nuk mund ta veçojmë rëndësinë e një ndjenje të përkatësisë nga shëndeti ynë fizik e mendor”3 – dhe, do të doja të shtoja, shëndetin tonë shpirtëror.

Në mbrëmjen përpara vuajtjes së Tij në Gjetseman dhe vdekjes në kryq, Shpëtimtari u takua me dishepujt e Tij për Darkën e Fundit. Ai u tha atyre: “Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën”4. Të nesërmen, përpara perëndimit të diellit, Jezu Krishti kishte vuajtur dhe “vd[ekur] [në kryq] për mëkatet tona”5.

Pyes veten se sa të vetmuar duhej të ishin ndier gratë dhe burrat besnikë në Jerusalem, të cilët e ndoqën Atë, ndërkohë që dielli perëndonte dhe errësira e frika i mbështillnin.6

Ashtu si këta dishepuj të lashtë gati 2 000 vjet më parë, edhe shumë prej jush mund të ndihen të vetmuar herë pas here. E kam përjetuar këtë vetmi që nga vdekja e bashkëshortes sime të shtrenjtë, Barbarës, mbi dy vjet e gjysmë më parë. E se çfarë do të thotë të jesh i rrethuar nga pjesëtarë të familjes, miq dhe të njohur, por ende të ndihesh i vetmuar – ngaqë e dashura e jetës sime nuk është më këtu pranë meje.

Pandemia e COVID-19 e ka nxjerrë në pah këtë ndjesi të izolimit dhe vetmisë për shumë njerëz. Pavarësisht nga sfidat që hasim në jetë, sikurse në atë mëngjes të parë të Pashkës, për ne mund të agojë një jetë e re në Krishtin, me mundësi të reja e të mrekullueshme dhe realitete të reja, kur ne i drejtohemi Zotit për shpresë dhe përkatësi.

Personalisht e ndiej dhembjen e atyre të cilëve u mungon ndjesia e përkatësisë. Teksa shikoj lajmet nëpër botë, shoh shumë njerëz që duket se po e përjetojnë këtë vetmi. Mendoj se, për shumë njerëz, kjo ndodh ngaqë ata mund të mos e dinë se Ati Qiellor i do dhe se ne të gjithë i përkasim familjes së Tij të përjetshme. Të besojmë se Perëndia na do dhe se ne jemi fëmijët e Tij, është ngushëlluese dhe siguruese.

Ngaqë ne jemi fëmijë shpirtërorë të Perëndisë, çdo njeri ka një origjinë, natyrë dhe potencial hyjnor. Secili prej nesh është “një bir apo bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë”7. Ky është identiteti ynë! Kjo është ajo që jemi vërtet!

Identiteti ynë shpirtëror përmirësohet kur i kuptojmë identitetet tona të shumta në vdekshmëri, përfshirë trashëgiminë etnike, kulturore ose kombëtare.

Kjo ndjesi e identitetit shpirtëror dhe kulturor, e dashurisë dhe përkatësisë mund të frymëzojë shpresë dhe dashuri për Jezu Krishtin.

Unë flas për shpresë te Krishti jo si një mendim plot dëshira. Përkundrazi, unë flas për shpresën si një pritshmëri që do të realizohet. Një shpresë e tillë është thelbësore për të kapërcyer fatkeqësinë, për të ushqyer aftësinë ripërtëritëse dhe forcën shpirtërore, si dhe për të arritur në dijeninë se Ati ynë i Amshuar na do dhe se ne jemi fëmijët e Tij që i përkasim familjes së Tij.

Kur kemi shpresë te Krishti, ne arrijmë të dimë se, ndërsa kemi nevojë të bëjmë dhe mbajmë besëlidhje të shenjta, dëshirat dhe ëndrrat tona më të dëshiruara mund të përmbushen nëpërmjet Tij.

Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve është këshilluar së bashku me një frymë lutjeje dhe me dëshirë të zjarrtë për të kuptuar se si t’i ndihmojmë të gjithë ata që ndihen vetëm ose e ndiejnë se nuk përkasin. Ne dëshirojmë shumë t’i ndihmojmë të gjithë ata që ndihen në këtë mënyrë. Lejomëni të përmend veçanërisht ata që aktualisht janë beqarë.

Vëllezër e motra, më shumë se gjysma e të rriturve në Kishë sot janë të ve, të shkurorëzuar ose nuk janë martuar ende. Disa njerëz pyesin veten për mundësitë dhe vendin e tyre në planin e Perëndisë dhe në Kishë. Ne duhet të kuptojmë se jeta e përjetshme nuk është thjesht një çështje e gjendjes së tanishme martesore, por e dishepullimit dhe të qenit “të guximshëm në dëshminë e Jezusit”8. Shpresa e të gjithë atyre që janë beqarë, është njëlloj si e të gjithë anëtarëve të Kishës së rivendosur të Zotit – e drejta për të pasur hirin e Krishtit nëpërmjet “bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit”9.

Më lejoni të sugjeroj se ka disa parime të rëndësishme që na nevojitet t’i kuptojmë.

Së pari, shkrimet e shenjta dhe profetët e ditëve të mëvonshme pohojnë se çdo njeri që është besnik në mbajtjen e besëlidhjeve të ungjillit, do të ketë mundësinë për ekzaltim. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Në mënyrën dhe kohën e [vetë] Zotit, asnjë bekim nuk do t’ju ndalet shenjtorëve të Tij besnikë. Zoti do të gjykojë dhe do të shpërblejë çdo individ sipas dëshirës së zemrës dhe po ashtu veprimeve të tij.”10

Së dyti, koha dhe mënyra e përpiktë në të cilat jepen bekimet e ekzaltimit, nuk janë zbuluar ende, por sidoqoftë ato janë të sigurta.11 Presidenti Dallin H. Ouks shpjegoi se disa nga rrethanat “e vdekshmërisë do të vihen në vendin e duhur në Mijëvjeçar, që është koha për përmbushjen e gjithçkaje që është e paplotë në planin e madhërishëm të lumturisë për të gjithë fëmijët e denjë të Atit tonë”12.

Kjo nuk do të thotë që çdo bekim shtyhet deri në Mijëvjeçar; disa janë marrë tashmë dhe të tjera do të vazhdojnë të merren deri në atë ditë.13

Së treti, pritja për Zotin nënkupton bindje të vazhdueshme dhe përparim shpirtëror drejt Tij. Pritja për Zotin nuk nënkupton që të presim duke mos bërë gjë. Kurrë nuk duhet të ndiheni se jeni në radhë në një dhomë pritjeje.

Pritja për Zotin nënkupton veprim. Kam mësuar përgjatë viteve se shpresa jonë te Krishti rritet kur u shërbejmë të tjerëve. Duke shërbyer siç shërbeu Krishti, ne e rritim natyrshëm shpresën tonë tek Ai.

Rritja vetjake që dikush mund ta arrijë tani, ndërkohë që pret për Zotin dhe premtimet e Tij, është një pjesë përbërëse e paçmuar, e shenjtë e planit të Tij për secilin prej nesh. Ndihmesat që mund të bëjë dikush tani për të ndihmuar në ndërtimin e Kishës në tokë dhe për ta mbledhur Izraelin, janë shumë të nevojshme. Gjendja martesore nuk ka të bëjë fare me aftësinë e dikujt për të shërbyer. Zoti i nderon ata që shërbejnë dhe presin për Të me durim e besim.14

Së katërti, Perëndia u ofron jetë të përjetshme të gjithë fëmijëve të Tij. Të gjithë ata që e pranojnë dhuratën e hirshme të pendimit nga Shpëtimtari dhe i jetojnë urdhërimet e Tij, do të marrin jetë të përjetshme, edhe nëse nuk i fitojnë të gjitha karakteristikat dhe përsosjet e saj në vdekshmëri. Ata që pendohen, do të përjetojnë gatishmërinë e Zotit për të falur ndërkohë që Ai na ka siguruar: “Po, dhe kurdo që njerëzit e mi pendohen, unë do t’ua fal shkeljet që kanë bërë kundër meje”15.

Në analizën përfundimtare, aftësia, dëshirat dhe mundësitë e një personi për sa u përket lirisë për të zgjedhur dhe vetë zgjedhjes, përfshirë kualifikimin për bekime të përjetshme, janë çështje të cilat mund t’i gjykojë vetëm Zoti.

Së pesti, vetëbesimi ynë te këto gjëra të sigurta është i rrënjosur në besimin tonë te Jezu Krishti, me anë të hirit të të cilit të gjitha gjërat që lidhen me vdekshmërinë, do të vihen në vendin e duhur.16 Të gjitha bekimet e premtuara bëhen të mundura nëpërmjet Atij që, me anë të Shlyerjes së Tij, “zbriti nën gjithçka”17 dhe e ka “mund[ur] botën”18. Ai “është ulur në krahun e djathtë të Perëndisë, për t’i kërkuar Atit të drejtat e tij të mëshirës që ai ka mbi fëmijët e njerëzve … ; prandaj ai përkrah çështjen e fëmijëve të njerëzve”19. Në përfundim, “shenjtorët do të mbushen me lavdinë e tij, dhe do të marrin trashëgiminë e tyre”20 si “bashkëtrashëgimtarë të Krishtit”21.

Dëshira jonë është që këto parime do t’i ndihmojnë të gjithë që të kenë shpresë të shtuar te Krishti dhe të ndiejnë një ndjesi të përkatësisë.

Kurrë mos harroni se jeni fëmijë i Perëndisë, Atit tonë të Amshuar, tani dhe përgjithmonë. Ai ju do dhe Kisha ju do dhe ka nevojë për ju. Po, ne kemi nevojë për ju! Kemi nevojë për zërat, talentet, aftësitë, mirësinë dhe drejtësinë tuaj.

Për shumë vite kemi folur për “të rinjtë në moshë madhore beqarë”, “personat në moshë madhore beqarë” dhe “të rriturit”. Ato emërtime mund të jenë të dobishme nga ana administrative me raste, por padashur mund ta ndryshojnë mënyrën se si i shohim të tjerët.

A ka ndonjë mënyrë se si t’i shmangemi kësaj prirjeje njerëzore që mund të na veçojë nga njëri‑tjetri?

Presidenti Nelson na kërkoi që t’i referohemi vetvetes si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ajo duket se na përfshin të gjithë ne, apo jo?

Ungjilli i Jezu Krishtit ka fuqinë për të na bashkuar. Në fund të fundit, ne jemi më shumë të ngjashëm sesa jemi të ndryshëm. Si pjesëtarë të familjes së Perëndisë, ne jemi vërtet vëllezër e motra. Pali tha: “Dhe [Perëndia] ka bërë nga një gjak i vetëm të gjitha [kombet] e njerëzve, që të banojnë në mbarë faqen e dheut”22.

Juve, presidentëve të kunjeve, peshkopëve dhe udhëheqësve të kuorumeve dhe udhëheqëseve motra, ju kërkoj ta merrni parasysh çdo anëtar/e të kunjit, lagjes, kuorumit ose organizatës suaj si një anëtar/e që mund të japë ndihmesë dhe të shërbejë në thirrje, si dhe të marrë pjesë në shumë mënyra.

Çdo anëtar/e në kuorumet, organizatat, lagjet dhe kunjet tona ka dhunti dhe talente të dhëna nga Perëndia, të cilat mund të ndihmojnë për ta ndërtuar mbretërinë e Tij tani.

U bëfshim thirrje anëtarëve tanë që janë beqarë, që të shërbejnë, lartësojnë moralisht dhe të japin mësim! Mos i përfillni opinionet dhe idetë e vjetra që nganjëherë padashur kanë kontribuar në ndjenjat e tyre të vetmisë dhe që ata nuk përkasin dhe nuk mund të shërbejnë.

Jap dëshminë time në këtë fundjavë Pashke për Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin, dhe shpresën e përjetshme që jep Ai për mua dhe të gjithë ata që besojnë në emrin e Tij. Dhe e jap këtë dëshmi përulësisht në emrin e Tij të shenjtë, madje Jezu Krishtit, amen.