Konferenca e Përgjithshme
Kjo Është Koha Jonë!
konferenca e përgjithshme e prillit 2021


Kjo Është Koha Jonë!

Perëndia na ka dërguar pikërisht këtu, pikërisht tani, në këtë kohë të rëndësishme në histori.

Në vitin 1978, po qëndroja në këmbë në një fushë futbolli, në një stadium të mbushur me 65 000 tifozë. Përballë meje ishin disa kundërshtarë gjigantë që dukeshin sikur donin të ma hiqnin kokën vendit. Ishte loja ime e parë si qendërmbrojtës fillestar në Ligën Kombëtare të Futbollit Amerikan dhe po luanim me kampionët në fuqi të Super Boullit. Për të qenë i sinqertë, e vura në dyshim faktin a isha aq lojtar i mirë sa të isha në fushë. U tërhoqa prapa për të bërë pasimin tim të parë dhe, ndërsa e hodha topin, u godita më fort nga sa isha goditur ndonjëherë më parë. Në atë çast, i shtrirë poshtë një grumbulli me ata atletë trupmëdhenj, pyeta veten se çfarë po bëja atje. Më duhej të merrja një vendim. A do t’i lejoja dyshimet që të më mundnin, apo do të gjeja guxim dhe forcë për t’u ngritur dhe për të vazhduar?

Pamja
Pasimi i parë

Associated Press

Në atë kohë nuk e kuptova se si kjo përvojë do të më përgatiste për mundësitë e së ardhmes. Duhej të mësoja se mund të isha i fortë dhe i guximshëm përballë situatave të vështira.

Një lojë futbolli mund të mos jetë aq e rëndësishme sa sfidat me të cilat do të përballeni. Në shumicën e rasteve, nuk do të ketë një stadium të mbushur plot me njerëz që ju shohin. Por vendimet tuaja të guximshme do të kenë domethënie të përjetshme.

Ndoshta ne nuk do të ndihemi gjithnjë në lartësinë e sfidës. Por Ati ynë Qiellor na sheh si ndërtues të patrembur të mbretërisë së Tij. Kjo është dhe arsyeja pse Ai na dërgoi këtu gjatë kësaj kohe që është më vendimtarja në historinë e botës. Kjo është koha jonë!

Dëgjojeni atë që Presidenti Rasëll M. Nelson tha pak kohë pasi u bë President i Kishës: “Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, Jezu Krishti, do të kryejë disa nga veprat e Tij më të fuqishme midis kohës së tanishme dhe kohës kur Ai të vijë përsëri. Ne do të shohim tregues të mrekullueshëm se Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, kryesojnë mbi këtë Kishë në madhështi e lavdi” (“Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 96).

Veprat më të fuqishme? Tregues të mrekullueshëm? Çfarë pamjeje do të kishin ato? Çfarë roli do të luajmë ne dhe si do ta kuptojmë se çfarë të bëjmë? Nuk i di të gjitha përgjigjet, por unë e di se Zoti ka nevojë që ne të jemi gati! Fuqia e ushtrimit të priftërisë me denjësi nuk ka qenë kurrë më jetike.

A e besojmë ne profetin e Perëndisë? A mund ta gjejmë dhe ta përmbushim fatin tonë? Po, ne mundemi dhe po, ne duhet ta bëjmë, pasi kjo është koha jonë!

Kur dëgjojmë histori të shërbëtorëve të fuqishëm të Perëndisë që erdhën përpara nesh – si Moisiu, Maria, Moroni, Alma, Esteri, Jozefi dhe shumë të tjerë – ata duken si njerëz të jashtëzakonshëm. Por ata nuk ishin dhe aq të ndryshëm nga ne. Ata ishin njerëz të zakonshëm që u përballën me sfida. Ata i mirëbesuan Zotit. Ata bënë zgjedhjet e duhura në çaste kritike. Dhe, me besim në Jezu Krisht, ata kryen punët që u kërkuan në kohën e tyre.

Pamja
Profeti Jozue

Goodsalt

Merreni parasysh heroin e Dhiatës së Vjetër, Jozueun. Ai ishte një pasues i përkushtuar i Moisiut, një nga udhëheqësit më të mëdhenj në histori. Pasi Moisiu u largua, ishte koha e Jozueut. Ai duhej t’i udhëhiqte fëmijët e Izraelit në tokën e premtuar. Si do ta bënte ai atë? Jozueu kishte lindur dhe ishte rritur në skllavëri në Egjipt. Ai nuk kishte as manual, as materiale filmike udhëzuese për ta ndihmuar. Ai madje nuk kishte as telefon inteligjent! Por ai kishte këtë premtim nga Zoti:

“Ashtu siç kam qenë me Moisiun, kështu do të jem me ty; nuk do të të lë, as nuk do të të braktis.

Ji i fortë dhe trim” (Jozueut 1:5–6).

Kur isha një I Shtatëdhjetë i ri dhe i papërvojë, mora një telefonatë urgjente nga Zyra e Presidencës së Parë, për të më pyetur a do ta përfaqësoja profetin duke vizituar një të ri në spital – menjëherë. Emri i të riut ishte Zak. Ai po përgatitej për të qenë misionar, por i kishte ndoshur një aksident dhe kishte pësuar një dëmtim të rëndë në kokë.

Ndërsa po ngisja makinën drejt spitalit, mendimet po vërshonin. Të kryej një porosi për profetin – seriozisht e keni? Me çfarë do të përballem? Si do ta ndihmoj këtë të ri? A kam mjaftueshëm besim? Lutja e zjarrtë dhe dijenia që e zotëroja autoritetin e priftërisë së shenjtë, u bënë spirancat e mia.

Kur mbërrita, Zaku ishte shtrirë në një shtrat të spitalit. Një ndihmësmjek qëndronte gati për ta çuar vrik në sallën e operacionit në mënyrë që mjekët të mund të lehtësonin presionin në trurin e tij. Pashë nënën e tij të përlotur dhe një mik të ri në moshë që i qëndronin pranë të trembur, por e dija qartas se Zaku kishte nevojë për një bekim priftërie. Miku i tij kishte marrë së fundi Priftërinë Melkizedeke, ndaj i kërkova atij të më ndihmonte. E ndjeva fuqinë e priftërisë ndërsa i dhamë Zakut një bekim me përulësi. Më pas, atë e morën me ngut për ndërhyrjen dhe një ndjenjë paqeje më pohoi se Shpëtimtari do t’i rregullonte gjërat sipas urtësisë së Tij.

Stafi mjekësor bëri një grafi të fundit përpara se të bënte prerjen e parë. Për çudinë e tyre, ata zbuluan se nuk ishte e nevojshme asnjë lloj ndërhyrjeje kirurgjikale.

Pas shumë terapish, Zaku mësoi të ecte dhe fliste sërish. Ai shërbeu në një mision të suksesshëm dhe tani ka krijuar një familje të bukur.

Sigurisht që përfundimi nuk është gjithmonë i tillë. Kam dhënë bekime të tjera priftërie me të njëjtin besim dhe Zoti nuk ka dhënë shërim të plotë në këtë jetë. Ne u mirëbesojmë qëllimeve të Tij dhe ia lëmë Atij rezultatet. Ne nuk mund t’i zgjedhim gjithmonë pasojat e veprimeve tona, por mund të zgjedhim që të jemi gati për të vepruar.

Presidenca e Parë mund të mos ua kërkojë kurrë që t’i përfaqësoni ata në një situatë kërcënuese për jetën. Por ne të gjithë jemi thirrur si përfaqësues të Zotit që të bëjmë gjëra që e ndryshojnë jetën. Ai nuk do të na braktisë. Kjo është koha jonë!

Pjetri, Apostulli kryesues i Shpëtimtarit, ishte në një barkë në det kur pa Jezusin duke ecur mbi ujë. Ai dëshironte të bashkohej me Të dhe Shpëtimtari i tha: “Eja”. Me guxim dhe mrekullisht, Pjetri u largua nga siguria e anijes dhe filloi të ecte në drejtim të Shpëtimtarit. Por, kur Pjetri u përqendrua tek era e tërbuar, besimi i tij u lëkund. “Kishte frikë, dhe duke filluar të fundosej, bërtiti duke thënë: ‘O Zot, shpëtomë!’ Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, e zuri.” (Shih Mateu 14:22–33.)

Pamja
Jezusi duke zgjatur dorën

Kur fryn era në jetën tonë, ku është përqendrimi ynë? Mbajeni mend, ekziston gjithmonë një burim i besueshëm force dhe guximi. Krahët e Jezusit shtrihen drejt nesh, ashtu siç u shtrinë drejt Pjetrit. Ndërsa zgjatemi drejt Tij, Ai do të na shpëtojë me dashuri. Ne jemi të Tijët. Ai tha: “Mos ki frikë, sepse unë të kam çliruar, të kam thirrur me emër; ti më përket mua” (Isaia 43:1). Ai do të triumfojë në jetën tuaj nëse ju e lejoni Atë. Zgjedhja është e juaja. (Shih Rasëll M. Nelson “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Liahona, nëntor 2020, f. 92–95.)

Në fund të jetës së tij, Jozueu iu lut popullit të tij: “Zgjidhni sot kujt doni t’i shërbeni, … sa për mua dhe për shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit” (Jozueut 24:15). Për shkak të zgjedhjeve që ai bëri për t’i shërbyer Zotit, Jozueu u bë një udhëheqës i madh në kohën e tij. Miqtë e mi të dashur, kjo është koha jonë! Dhe zgjedhjet që ne bëjmë, do të përcaktojnë fatin tonë (shih Thomas S. Monson, “Decisions Determine Destiny” [mbrëmje rreth vatrës në Universitetin “Brigam Jang”, 6 nëntor 2005], speeches.byu.edu).

Kur po shërbeja si peshkop, ne kishim një moto në lagjen tonë: “Zgjedhjet e mira janë të barabarta me lumturinë – në përjetësi”. Të rinjtë e të rejat, kur kalonin pranë meje në korridor, më thoshin: “Peshkop, po bëj zgjedhje të mira!” Kjo është ëndrra e një peshkopi!

Çfarë nënkuptojmë me “zgjedhje të mira”? Dikush njëherë e pyeti Jezusin: “Cili është urdhërimi i madh i ligjit?” Ai u përgjigj:

“‘Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.’

Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.

Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’” (Mateu 22:36–39).

Nuk e di për ju, por kur i lexoj këto dy urdhërime të mëdha, zbuloj një urdhërim të tretë, të nënkuptuar: të duash vetveten.

A e keni menduar si urdhërim dashurinë për veten tuaj? A mund t’i duam me të vërtetë Perëndinë dhe fëmijët e Tij nëse nuk e duam veten?

Një udhëheqës i urtë kohët e fundit këshilloi një burrë i cili po përpiqej të mposhte vite të tëra zgjedhjesh shkatërruese. Burri ndihej i turpëruar, duke dyshuar se nuk ishte i denjë për dashurinë e askujt.

Udhëheqësi i tij i tha: “Zoti të njeh, të do dhe është i kënaqur [me] ty dhe hapat e guximshëm që po ndërmerr”. Por ai më pas shtoi: “[Ti] duhet ta dëgjosh urdhërimin që të duash vetveten në mënyrë që të mund ta ndiesh dashurinë e [Perëndisë] dhe t’i duash të tjerët”.

Kur ky vëlla e dëgjoi atë këshillë, ai e pa jetën me një sy tjetër. Ai më vonë tha: “E kam kaluar gjithë jetën duke u përpjekur të gjej paqe dhe pranim. I kam kërkuar ato gjëra në shumë vende të gabuara. Vetëm te dashuria e Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit mund të gjej ngushëllim. Unë e di se Ata dëshirojnë që unë ta dua veten; në të vërtetë është e vetmja mënyrë se si unë mund ta ndiej dashurinë e Tyre për mua.”

Ati ynë Qiellor dëshiron që ne ta duam vetveten – jo që të bëhemi krenarë ose egoistë, por që ta shohim veten ashtu siç na sheh Ai: ne jemi fëmijët e Tij të dashur. Kur kjo e vërtetë depërton thellë në zemrën tonë, dashuria jonë për Perëndinë rritet. Kur e shohim veten me respekt të sinqertë, zemra jonë është e hapur për t’i trajtuar edhe të tjerët në të njëjtën mënyrë. Sa më shumë që ta njohim vlerën tonë hyjnore, aq më mirë e kuptojmë këtë të vërtetë hyjnore: që Perëndia na ka dërguar pikërisht këtu, pikërisht tani, në këtë kohë të rëndësishme në histori, në mënyrë që ne të mund të bëjmë më të mirën e mundshme me talentet dhe dhuratat që kemi. Kjo është koha jonë! (Shih Rasëll M. Nelson, “Të Bërit Mijëvjeçaristë të Vërtetë” [takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore, 10 janar 2016], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org.)

Jozef Smithi dha mësim se çdo profet në çdo epokë, “e ka shpresuar me pritje të gëzuar ditën në të cilën jetojmë ne; … ata kanë kënduar dhe shkruar, dhe profetizuar për këtë ditën tonë; … ne jemi populli i favorizuar që Perëndia e ka [zgjedhur] për të sjellë lavdinë e ditëve të mëvonshme” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 194).

Ndërsa përballeni me sfidat tuaja të përditshme, mbajeni mend këtë siguri të ofruar nga Plaku Xhefri R. Holland: “Shumë gjëra kemi mbi supe, por do të jetë një përvojë e lavdishme dhe e suksesshme. … Fitorja në këtë garë të fundit është shpallur tashmë. Fitorja gjendet tashmë nëpër anale … , shkrimet e shenjta!” (“Be Not Afraid, Only Believe” [fjalim drejtuar mësuesve të fesë të Sistemit Arsimor të Kishës, 6 shkurt 2015], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org).

Në këtë fundjavë të bukur Pashke, lejomëni t’ju bëj një ftesë që të gjithë ne të lutemi që t’i dallojmë dhe t’i përqafojmë rolet tona vetjake, ndërkohë që përgatitemi për ditën e lavdishme kur Shpëtimtari të vijë përsëri. Zoti na do më tepër nga sa mund ta kuptojmë dhe Ai do t’u përgjigjet lutjeve tona! Qofshim në një fushë futbolli, në një dhomë spitali ose në ndonjë vend tjetër, ne mund të jemi një pjesë e rëndësishme e këtyre ngjarjeve mbresëlënëse – sepse kjo është koha jonë! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.