Konferenca e Përgjithshme
Varri Nuk Ka Fitore
konferenca e përgjithshme e prillit 2021


Varri Nuk Ka Fitore

Nëpërmjet Shlyerjes shëlbuese dhe Ringjalljes së lavdishme të Jezu Krishtit, zemrat e thyera mund të shërohen, ankthi mund të bëhet paqe dhe shqetësimi mund të bëhet shpresë.

Këtë të diel Pashke të lavdishme, fëmijët tanë këndojnë plot gëzim: “Në një pranver’ të art’, u ngrit Jezusi dhe e la varrin ku shtri-hej; t’vdekjes lidhje k’puti”1.

Jemi mirënjohës për njohurinë tonë rreth Ringjalljes së Jezu Krishtit. Dhe përsëri, në njëfarë pike në jetën tonë, ne do të ndihemi zemërthyer pas humbjes së dikujt që e duam fort. Gjatë pandemisë mbarëbotërore të tanishme, shumë prej nesh kanë humbur njerëz të dashur – qoftë pjesëtarë të familjes apo miq.2 Ne lutemi për ata që po pikëllohen nga një humbje e tillë.

Presidenti Rasëll M. Nelson ka thënë:

“Pavarësisht nga mosha, ne vajtojmë për ata njerëz që i kemi dashur dhe i kemi humbur. Vajtimi është një prej shprehjeve më të thella të dashurisë së pastër. …

Veç kësaj, ne nuk mund t’i vlerësojmë tërësisht ribashkimet e gëzueshme më vonë pa ndarjet plot lot tani. E vetmja mënyrë për t’ia hequr trishtimin vdekjes është t’ia heqim dashurinë jetës.”3

Pamja
Dishepullet gra vajtuan për Jezusin.

Ne mund ta përfytyrojmë se si u ndien miqtë e Jezusit, të cilët e kishin ndjekur Atë dhe i kishin dhënë shërbesë Atij4, kur dëshmuan vdekjen e Tij5. Ne e dimë se ata u “pikëllua[n] dhe e qanin”6. Ditën e Kryqëzimit, pa e ditur se çfarë do të ndodhte të dielën, ata duhet të jenë pushtuar nga shqetësimi, duke vrarë mendjen se si do të vazhdonin pa Zotin e tyre. Megjithatë, ata vazhduan t’i jepnin shërbesë Atij edhe në vdekje.

Jozefi nga Arimatea i kërkoi Pilatit që t’ia jepte trupin e Jezusit. Ai e zbriti trupin, e mbështolli me pëlhurë liri të mirë, e vendosi në varrin e vet të ri dhe rrokullisi një gur të madh te hyrja e varrit në shkëmb.7

Nikodemi solli mirrë dhe aloe. Ai e ndihmoi Jozefin ta merrte trupin dhe e mbështollën atë në pëlhura liri bashkë me erëra të mira.8

Maria Magdalena dhe gratë e tjera i ndoqën Jozefin dhe Nikodemin, e vëzhguan se ku e vendosën trupin e Jezusit dhe përgatitën erëra të mira dhe vajra që ta vajosnin trupin.9 Sipas ligjeve të rrepta të asaj kohe, ato pritën që ta përgatitnin dhe vajosnin më tej trupin sepse e shtuna ishte Shabati.10 Më pas, herët në mëngjesin e të dielës, ato shkuan te varri në shkëmb. Pasi e kuptuan se trupi i Shpëtimtarit nuk ishte atje, ato shkuan t’u thoshin dishepujve, të cilët ishin Apostujt e Jezusit. Apostujt erdhën bashkë me to te varri dhe e panë që ishte bosh. Si përfundim, të gjithë u larguan përveç Maria Magdalenës, që vriste mendjen se çfarë i kishte ndodhur trupit të Shpëtimtarit.11

Maria Magdalena qëndroi vetëm te varri. Vetëm disa ditë më parë, ajo kishte parë vdekjen tragjike të mikut dhe Mësuesit të saj. Tani, varri i Tij ishte i zbrazët dhe ajo nuk e dinte se ku ishte Ai. Kjo ishte përtej kuptueshmërisë së saj, dhe ajo qau. Në atë çast, Shpëtimtari i ringjallur erdhi tek ajo dhe e pyeti se përse po qante dhe kë po kërkonte. Duke menduar se po i fliste kopshtari, ajo i kërkoi që, nëse ai e kishte marrë trupin e Zotit të saj, t’ia tregonte se ku ishte që ajo të mund ta merrte.12

Pamja
Maria Magdalena

Përfytyroj që Zoti mund ta ketë lejuar Maria Magdalenën që të pikëllohej dhe ta shprehte dhembjen e saj.13 Ai pastaj e thirri në emër dhe ajo u kthye dhe e njohu Atë. Ajo pa Krishtin e ringjallur dhe ishte dëshmitare e Ringjalljes së Tij të lavdishme.14

Ashtu si ju, në njëfarë mënyre, edhe unë mund ta gjej veten tek ankthi që ndjeu Maria Magdalena dhe miqtë e saj, teksa ishin të pikëlluar për vdekjen e Zotit të tyre. Kur isha nëntë vjeçe, humba vëllanë tim më të madh gjatë një tërmeti shkatërrues. Për shkak se ai ndodhi papritur, m’u desh njëfarë kohe që ta kuptoja realitetin e asaj që kishte ndodhur. Isha zemërthyer nga hidhërimi dhe e pyesja veten: “Çfarë i ndodhi vëllait tim? Ku është ai? Ku shkoi ai? A do ta shoh vallë sërish?”

Në atë kohë, ende nuk dija gjë rreth planit të Perëndisë për shpëtimin dhe kisha dëshirën ta dija se nga erdhëm, cili është qëllimi i jetës dhe çfarë na ndodh pasi vdesim. A nuk i kemi të gjithë këto dëshira të shpirtit kur humbasim një njeri të dashur ose kur kalojmë vështirësi në jetën tonë?

Disa vjet më pas, fillova të mendoj për vëllanë tim në një mënyrë të veçantë. E përfytyroja atë duke trokitur në derën tonë. Hapja derën, ai qëndronte atje dhe më thoshte: “Nuk kam vdekur. Jam gjallë. Nuk munda të vija te ju, por tani do të qëndroj me ju dhe nuk do t’ju lë më kurrë.” Ai përfytyrim, thuajse një ëndërr, më ndihmoi ta përballoja dhembjen që ndjeva për humbjen e tij. Mendimi se ai do të ishte me mua, më vinte në mendje vazhdimisht. Nganjëherë madje ia ngulja sytë derës, duke shpresuar se ai do të trokiste dhe unë do ta shihja sërish.

Rreth 40 vjet më vonë, gjatë kohës së Pashkës, po përsiatja rreth Ringjalljes së Jezu Krishtit dhe fillova të mendoj për vëllanë tim. Në atë çast, diçka më shkrepi në mendje. M’u kujtua që e përfytyroja duke ardhur të më shihte.

Atë ditë e kuptova se Shpirti më kishte dhënë ngushëllim në një kohë të vështirë. Kisha marrë një dëshmi që shpirti i vëllait tim nuk ka vdekur; ai është i gjallë. Ai ende po përparon në ekzistencën e tij të përjetshme. Unë e di tani se “vëlla[i im] do të ringjallet”15 në atë çast të madhërishëm kur, për shkak të Ringjalljes së Jezu Krishtit, ne të gjithë do të ringjallemi. Përveç kësaj, Ai e ka bërë të mundur që ne të gjithë të bashkohemi sërish si familje dhe të kemi gëzim të përjetshëm në praninë e Perëndisë nëse do të zgjedhim t’i bëjmë e t’i mbajmë besëlidhjet e shenjta me Të.

Presidenti Nelson ka dhënë mësim:

“Vdekja është një përbërës i nevojshëm i ekzistencës sonë të përjetshme. Asnjë njeri nuk e di se kur do të vijë, por është themelore për planin e madh [të Perëndisë për lumturinë]. Falë Shlyerjes së Zotit, në fund, ringjallja është një realitet dhe jeta e përjetshme është një mundësi për të gjithë njerëzimin. …

… Për [njerëzit e] dashur në trishtim të lënë mbrapa, … gjembi i vdekjes lehtësohet nga një besim i vendosur në Krisht, një ndriçim i përkryer i shpresës, një dashuri për Perëndinë e të gjithë njerëzit dhe një dëshirë e thellë për t’u shërbyer atyre. Ai besim, ajo shpresë, ajo dashuri do të na kualifikojnë që të vijmë në praninë e shenjtë të Perëndisë dhe, me bashkëshortet/ët dhe familjet tona të përjetshme, të jetojmë me Të përgjithnjë.”16

Pamja
Varri i kopshtit

Unë dëshmoj që, “në qoftë se Krishti nuk do të ishte ngritur nga vdekja, ose të mos kishte këputur rripat e vdekjes, që varri të mos kishte fitore dhe që vdekja të mos kishte thumbim, nuk do të kishte pasur ringjallje.

Por, ka një ringjallje prandaj varri nuk ka fitore dhe thumbi i vdekjes është gëlltitur në Krishtin.

Ai është drita dhe jeta e botës; po, një dritë që është pa mbarim që nuk mund të errësohet kurrë; po, dhe gjithashtu një jetë që është pa mbarim, që nuk mund të ketë më vdekje.”17

Pamja
Shpëtimtari i ringjallur

Jezu Krishti vetë shpalli: “Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë”18.

Unë dëshmoj që, nëpërmjet Shlyerjes shëlbuese dhe Ringjalljes së lavdishme të Jezu Krishtit, zemrat e thyera mund të shërohen, ankthi mund të bëhet paqe dhe shqetësimi mund të bëhet shpresë. Ai mund ta përqafojë secilin prej nesh me krahët e Tij të mëshirës, ngushëllimit, fuqizimit dhe shërimit. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.