Konferenca e Përgjithshme
Ata S’Mund të Triumfojnë; Ne S’Mund të Biem
konferenca e përgjithshme e prillit 2021


Ata S’Mund të Triumfojnë; Ne S’Mund të Biem

Nëse e ndërtojmë themelin tonë mbi Jezu Krishtin, ne s’mund të biem!

Profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson, tha në konferencën tonë të fundit të përgjithshme: “Gjatë këtyre kohëve të rrezikshme për të cilat profetizoi Apostulli Pal, Satani as nuk po përpiqet më që t’i fshehë sulmet e tij kundër planit të Perëndisë. Ligësia sypatrembur gëlon. Si rrjedhim, e vetmja mënyrë për të mbijetuar shpirtërisht është të jemi të vendosur që ta lejojmë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë, të mësojmë ta dëgjojmë zërin e Tij dhe ta përdorim energjinë tonë për të ndihmuar që të mblidhet Izraeli.”1

Teksa marrim parasysh ftesën e profetit për të mësuar ta dëgjojmë zërin e Perëndisë, zemrat tona janë të vendosura apo të ngurtësuara? Le të kujtojmë këshillën e dhënë te Jakobi [LiM] 6:6: “Po, sot, në qoftë se ju do të dëgjoni zërin e tij, mos i ngurtësoni zemrat tuaja; pasi, pse doni të vdisni ju?” Le të jemi të vendosur për ta lënë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë.

Si mund ta lëmë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë dhe jo kundërshtarin? Te Doktrina e Besëlidhje 6:34 ne lexojmë: “Prandaj, mos ki frikë, tufë e vogël; bëni mirë; le të bashkohen toka e ferri kundër jush, sepse, nëse ju ndërtoheni mbi shkëmbin tim, ato s’mund të triumfojnë”. Ai është një premtim domethënës. Ndonëse toka dhe ferri mund të bashkohen kundër nesh, ata s’mund të triumfojnë nëse zgjedhim ta lëmë Perëndinë të triumfojë duke e ngritur jetën tonë mbi shkëmbin e Tij.

Duke u folur dishepujve të Tij, Jezu Krishti dha mësim për një burrë të urtë dhe një burrë pa mend, që shënohet te Mateu kapitulli 7 në Dhiatën e Re. Shumë prej jush e kanë dëgjuar këngën e Fillores “Burri i Urt’ dhe Burri Pa Mend”2. Nëse keni gjetur kohën për t’i krahasuar katër strofat në këngë, ju do të zbuloni se strofat 1 dhe 2 janë të ngjashme me strofat 3 dhe 4. Si burri i urtë, ashtu dhe burri pa mend po ndërtojnë një shtëpi. Ata duan t’i sigurojnë familjes së tyre një shtëpi të sigurt dhe të rehatshme. Ata dëshirojnë të jetojnë së bashku të lumtur si një familje përgjithmonë, njësoj si ju dhe unë. Situata rrethuese ishte e njëjta: “Shirat zbritën dhe u përmbyt kudo”. Kur e këndojmë atë këngë, ne e këndojmë atë gjashtë herë. I vetmi ndryshim është se burri i urtë e ndërtoi shtëpinë e tij mbi shkëmb dhe shtëpia e tij nuk u tund, kurse burri pa mend e ndërtoi shtëpinë e tij mbi rërë dhe shtëpia e tij u zhduk. Prandaj, ka shumë rëndësi se ku është themeli ynë dhe kjo ka një ndikim vendimtar mbi rezultatin përfundimtar dhe të përjetshëm.

Unë shpresoj dhe lutem që ne do ta gjejmë dhe do të qëndrojmë mbi themelin e sigurt ndërsa ndërtojmë jetën tonë të ardhshme. Tek Helamani 5:12 neve na sillet ndër mend: “Dhe tani bijtë e mi, mbani mend, mbani mend se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj; që kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, po shigjetat e tij në shtjellë të erës, po, kur i gjithë breshëri i tij dhe furtuna e tij e fuqishme do të lëshohen mbi ju, nuk do të ketë fuqi mbi ju, që t’ju tërheqë në humnerën e mjerimit dhe të vuajtjes së pafund, për shkak të shkëmbit mbi të cilin jeni ndërtuar, që është një bazë e sigurt, një bazë mbi të cilën në qoftë se njerëzit ndërtojnë, nuk mund të bien”.

Ai është premtimi nga Perëndia! Nëse e ndërtojmë themelin tonë mbi Jezu Krishtin, ne s’mund të biem! Ndërsa durojmë besnikërisht deri në fund, Perëndia do të na ndihmojë që ta ngremë jetën tonë mbi shkëmbin e Tij dhe “portat e ferrit nuk do të triumfojnë ndaj [nesh]” (Doktrina e Besëlidhje 10:69). Ne mund të mos jemi në gjendje të ndryshojmë gjithçka që po vjen, por mund të zgjedhim se si të përgatitemi për atë që po vjen.

Disa prej nesh mund të mendojnë: “Ungjilli është i mirë, ndaj na duhet ta përfshijmë në jetën tonë, ndoshta një herë në javë”. Vetëm shkuarja në kishë një herë në javë nuk mjafton për të ndërtuar mbi shkëmbin. E gjithë jeta jonë duhet të mbushet me ungjillin e Jezu Krishtit. Ungjilli nuk është pjesë e jetës sonë, por jeta jonë është në fakt pjesë e ungjillit të Jezu Krishtit. Mendoni për këtë. A nuk është e vërtetë kjo? Jeta jonë në vdekshmëri është veçse një pjesë e të gjithë planit të shpëtimit dhe ekzaltimit.

Perëndia është Ati ynë Qiellor. Ai na do të gjithëve. Ai e di potencialin tonë më mirë nga sa e dimë ne vetë. Ai nuk di vetëm hollësitë e jetës sonë. Perëndia di hollësitë e hollësive të hollësive të jetës sonë.

Ju lutem, zbatojeni këshillën e mençur të profetit tonë të gjallë, Presidentit Nelson. Siç shënohet te Doktrina e Besëlidhje 21:5–6:

“Sepse fjalën e tij duhet ta merrni si nga goja ime, plot durim e besim.

Pasi duke i bërë këto gjëra, portat e ferrit nuk do të hapen kundër jush; po, dhe Zoti Perëndi do t’i shpërndajë fuqitë e errësirës përpara jush dhe do të bëjë që qiejt të dridhen për të mirën tuaj dhe për lavdinë e emrit të tij.”

Për atë arsye, ata s’mund të triumfojnë dhe ne s’mund të biem!

Unë ju dëshmoj se Krishti do të vijë sërish për herë të dytë, ashtu siç erdhi herën e parë, por këtë herë do të jetë me lavdi të madhe dhe madhështi. Unë shpresoj dhe lutem që unë do të jem gati ta pres Atë, qoftë në këtë anë apo në anën tjetër të velit. Ndërsa e kremtojmë këtë periudhë të mrekullueshme Pashke, shpresoj se, nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe fuqisë së Ringjalljes së Tij (shih Moroni 7:41), do të jem në gjendje të shkoj dhe të takohem me Krijuesin tim dhe t’i them: “Faleminderit”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Liahona, nëntor 2020, f. 95.

  2. “Burri i Urt’ dhe Burri Pa Mend”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 132