Konferenca e Përgjithshme
Pikëllimi Ynë Do të Kthehet në Gëzim
konferenca e përgjithshme e prillit 2021


Pikëllimi Ynë Do të Kthehet në Gëzim

Unë ju ftoj të gjithë ju që ndieni pikëllim, të gjithë ju që pyetni veten se çfarë ndodh pasi vdesim, që ta vendosni besimin tuaj te Krishti.

Disa vite më parë, ndërsa frekuentoja mbledhjet në Solt‑Lejk‑Siti, më përshëndeti profeti ynë i dashur, Rasëll M. Nelsoni. Me mënyrën e tij tipike të ngrohtë dhe vetjake, ai pyeti: “Mark, si është nëna jote?”

I thashë se kisha qenë para një jave me të në shtëpinë e saj në Zelandën e Re dhe se po plakej, por ishte plot besim dhe një frymëzim për të gjithë ata që e njihnin.

Më pas ai tha: “Të lutem, përcilli dashurinë time … dhe thuaji se mezi pres ta shoh përsëri”.

Isha tepër i befasuar dhe e pyeta: “A keni planifikuar të bëni tani shpejt një udhëtim në Zelandën e Re?”

Me sinqeritet të matur ai u përgjigj: “Oh jo, unë do ta takoj atë në jetën tjetër”.

Nuk kishte asnjë shenjë shkujdesjeje në përgjigjen e tij. Ishte një shprehje përsosurisht e natyrshme e faktit. Në atë çast privat hutimi, dëgjova dhe ndjeva dëshminë e pastër nga një profet i gjallë se jeta vazhdon pas vdekjes.

Në këtë fundjavë të konferencës, ju do të dëgjoni apostuj dhe profetë të gjallë të dëshmojnë për Ringjalljen e Jezu Krishtit. “Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë[;] … gjithë gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë janë vetëm shtojca të kësaj [të vërtete].”1 Unë premtoj se ndërsa dëgjoni me qëllim të vërtetë, Shpirti do t’ju pohojë në mendjen tuaj dhe në zemrën tuaj të vërtetën e këtyre dëshmive.2

Apostujt e lashtë të Jezusit ndryshuan përgjithmonë pasi Ai iu shfaq fill pas vdekjes së Tij. Dhjetë prej tyre e panë vetë se Ai ishte ringjallur. Thomai, duke mos qenë fillimisht aty, shpalli: “Po nuk e pashë … , unë nuk do të besoj”3. Më vonë Jezusi e këshilloi Thomain: “Mos ji mosbesues, por besues!”4 Më pas Zoti dha mësim për rolin jetik të besimit: “Lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar”5.

Zoti i ringjallur u dha Apostujve të Tij detyrën për të dëshmuar për Të. Ashtu si me Apostujt tanë të gjallë sot, ata i lanë pas punët në botë dhe e kaluan pjesën e mbetur të jetës duke shpallur me guxim se Perëndia e kishte ngritur këtë Jezus. Dëshmitë e tyre të fuqishme i çuan mijëra vetë që ta pranonin ftesën për t’u pagëzuar.6

Mesazhi i lavdishëm i mëngjesit të Pashkës është qendror për të gjithë krishterimin. Jezu Krishti është ngritur së vdekuri dhe për shkak të kësaj, edhe ne do të jetojmë përsëri pasi të vdesim. Kjo njohuri i jep kuptim dhe qëllim jetës sonë. Nëse shkojmë përpara me besim, ne do të ndryshohemi përgjithmonë, siç u ndryshuan Apostujt e lashtë. Edhe ne, si ata, do të jemi në gjendje të durojmë çfarëdo vështirësie me besim te Jezu Krishti. Ky besim na jep gjithashtu shpresë për një kohë kur “pikëllimi [ynë] do të kthehet në gëzim”7.

Vetë besimi im i pati fillesat e tij pas një kohe të pikëlluar.

Im atë dhe nëna ime ishin fermerë delesh në Zelandën e Re.8 Atyre u pëlqente jeta që bënin. Kur ishin çift në moshë të re, u bekuan me tre vajza të vogla. Më e vogla nga këto quhej En. Një ditë kur ishin së bashku me pushime në një liqen, Eni, e cila ishte 17‑muajshe, u zvarrit këmbadoras. Pas minutash kërkimi me dëshpërim, atë e gjetën të pajetë në ujë.

Ky makth shkaktoi pikëllim të papërshkrueshëm. Babi shkroi vite më vonë se një pjesë e të qeshurave ishte zhdukur nga jeta e tyre përgjithmonë. Kjo solli edhe një dëshirë të zjarrtë për përgjigje mbi pyetjet më të rëndësishme të jetës: “Çfarë do të ndodhë me Enin tonë të çmuar? Vallë, a do ta shohim atë përsëri? Si mund të jetë sërish e lumtur familja jonë?”

Disa vite pas kësaj tragjedie, dy misionarë në moshë të re nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme erdhën në fermën tonë. Ata filluan të jepnin mësim të vërtetat që gjenden në Librin e Mormonit dhe Bibël. Këto të vërteta përfshijnë sigurinë se Eni tani jeton në botën e shpirtrave. Për shkak të Ringjalljes së Jezu Krishtit, edhe ajo do të ringjallet. Ata dhanë mësim se Kisha e Jezu Krishtit është rivendosur edhe një herë në tokë me një profet të gjallë dhe dymbëdhjetë Apostuj. Dhe ata na mësuan doktrinën e pashoqe dhe të jashtëzakonshme se familjet mund të lidhen së bashku përgjithmonë nga i njëjti autoritet i priftërisë që Jezu Krishti ia dha Apostullit të Tij kryesues, Pjetrit.9

Mami e kuptoi në çast të vërtetën dhe mori një dëshmi nga Shpirti. Megjithatë, babi, u mundua vitin që pasoi mes dyshimeve dhe shtytjeve të lehta shpirtërore. Gjithashtu, ai qe ngurrues për ta ndryshuar mënyrën e tij të jetës. Një mëngjes, pas një nate pa gjumë, ndërsa bënte ecejake nëpër dhomë, ai u kthye nga mami dhe i tha: “Unë ose do të pagëzohem sot ose kurrë”.

Mami u tregoi misionarëve për atë që kishte ndodhur, dhe ata e dalluan menjëherë shkëndijën e besimit te babai im që tani ose do të ndizej ose do të shuhej.

Pikërisht atë mëngjes, familja jonë udhëtoi drejt plazhit më të afërt. Të pavetëdijshëm për atë që po ndodhte, ne fëmijët bëmë një piknik në dunat me rërë ndërkohë që Pleqtë Boid Grin dhe Geri Shefilld, i çuan prindërit e mi drejt oqeanit dhe i pagëzuan. Me një vepër të mëtejshme besimi, babi privatisht iu zotua Zotit se çfarëdo që të vinte, ai do të ishte i vërtetë gjatë gjithë jetës së tij ndaj premtimeve që po bënte.

Një vit më vonë u përkushtua një tempull në Hamilton në Zelandën e Re. Shpejt pas kësaj, familja jonë, me dikë që përfaqësonte Enin, u gjunjëzua rreth altarit në atë shtëpi të shenjtë të Zotit. Atje, me anë të autoritetit të priftërisë, ne u bashkuam si një familje e përjetshme në një ordinancë të thjeshtë e të bukur. Kjo solli paqe dhe gëzim të madh.

Shumë vite më vonë babi më tha se po të mos ishte për vdekjen tragjike të Enit, ai kurrë nuk do të kishte qenë aq i përulur sa ta pranonte ungjillin e rivendosur. Sidoqoftë, Shpirti i Zotit rrënjosi shpresën se ajo që kishin dhënë mësim misionarët, ishte e vërtetë. Besimi i prindërve të mi vazhdoi të rritej derisa secili prej tyre u dogj nga zjarri i dëshmisë që qetësisht dhe përulësisht i udhëhoqi në çdo vendim të jetës.

Unë do të jem gjithnjë plot falënderim për shembullin e prindërve të mi ndaj brezave të ardhshëm. Është e pamundur të llogaritësh numrin e jetëve që kanë ndryshuar përgjithmonë për shkak të veprave të tyre të besimit si përgjigje ndaj pikëllimit të thellë.

Unë ju ftoj të gjithë ju që ndieni pikëllim, të gjithë ju që ju mundon dyshimi, të gjithë ju që pyetni veten se çfarë ndodh pasi vdesim, që ta vendosni besimin tuaj te Krishti. Unë ju premtoj se, nëse dëshironi të besoni, më pas veproni me besim dhe i ndiqni pëshpëritjet që vijnë nga Shpirti, ju do të gjeni gëzim në këtë jetë dhe në botën që do të vijë.

Oh, sa me padurim e pres ditën që do të takoj motrën time, Enin! E pres me padurim ribashkimin e gëzueshëm me babanë tim, i cili vdiq mbi 30 vjet më parë! Unë dëshmoj për gëzimin që gjendet tek të jetuarit me anë të besimit, tek të besuarit pa parë, por tek të diturit me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, se Jezu Krishti jeton. Me gjithë zemrën dhe shpirtin tim, unë zgjedh ta ndjek Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij të rivendosur. Kjo e bekon çdo aspekt të jetës sime. Unë e di se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë, Shpëtimtari ynë dhe Shëlbuesi ynë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.