Konferenca e Përgjithshme
COVID‑19 dhe Tempujt
konferenca e përgjithshme e prillit 2021


COVID‑19 dhe Tempujt

Mbajini të parat në mendjen dhe zemrën tuaj besëlidhjet dhe bekimet tuaja të tempullit. Qëndroni të vërtetë ndaj besëlidhjeve që keni bërë.

Të dashur vëllezërit dhe motrat e mia, ne vërtet kemi pasur një gosti shpirtërore. Sa mirënjohës jam për lutjet, mesazhet dhe muzikën e të gjithë konferencës! E falënderojmë secilin prej jush që u bashkua me ne, kudo qofshi.

Nga fillimi i vitit të kaluar, për shkak të pandemisë nga COVID-19 dhe dëshirës sonë për të qenë qytetarë të mirë në mbarë botën, ne morëm vendimin e vështirë për t’i mbyllur përkohësisht të gjithë tempujt. Gjatë muajve pasardhës, jemi ndier të frymëzuar t’i rihapim tempujt dalëngadalë përmes një metode shumë të kujdesshme. Tempujt tani po hapen në katër faza, duke iu bindur rreptësisht rregulloreve të qeverive vendore dhe protokolleve të sigurisë.

Për tempujt në fazën 1, çiftet e kualifikuara, që i kanë marrë më parë dhurimet e tyre vetjake, mund të vulosen si bashkëshort e bashkëshorte.

Për tempujt në fazën 2, kryhen të gjitha ordinancat për të gjallët, duke përfshirë dhurimin për vetë personin, vulosjen si bashkëshort e bashkëshorte dhe vulosjen e fëmijëve te prindërit. Kohët e fundit i kemi ndryshuar masat e fazës 2 dhe i lejojmë të rinjtë e të rejat tona, anëtarët e rinj të Kishës dhe anëtarët e tjerë me një rekomandim me përdorim të kufizuar që të marrin pjesë në pagëzime me mëkëmbës për paraardhësit e tyre.

Për tempujt në fazën 3, njerëzit me takime të planifikuara mund të marrin pjesë jo vetëm në ordinancat për të gjallët, por gjithashtu në të gjitha ordinancat me mëkëmbës për paraardhësit e vdekur.

Faza 4 është një kthim në aktivitet të plotë e të rregullt të tempullit.

Jemi mirënjohës për durimin dhe shërbimin tuaj të përkushtuar gjatë kësaj periudhe të ndryshueshme dhe sfiduese. Unë lutem që dëshira juaj për të adhuruar dhe shërbyer në tempull tani të ndritë më shumë se kurrë.

Ju mund të jeni duke e pyetur veten se kur do të jeni në gjendje që të ktheheni në tempull. Përgjigjja: Tempulli juaj do të hapet kur rregullat e qeverisë vendore ta lejojnë atë. Kur rastet dhe përhapja e COVID-19 në zonën tuaj të jetë brenda kufijve të sigurisë, tempulli juaj do të rihapet. Bëni gjithçka mundeni për t’i ulur shifrat e COVID‑it në zonën tuaj, në mënyrë që mundësitë për tempullin tuaj të mund të shtohen.

Ndërkohë, mbajini të parat në mendjen dhe zemrën tuaj besëlidhjet dhe bekimet tuaja të tempullit. Qëndroni të vërtetë ndaj besëlidhjeve që keni bërë.

Ne po ndërtojmë tani për të ardhmen! Dyzet e një tempuj janë tani në ndërtim apo në restaurim. Vetëm vitin e kaluar, pavarësisht nga pandemia, u çelën punimet për 21 tempuj të rinj!

Ne dëshirojmë ta sjellim shtëpinë e Zotit edhe më pranë anëtarëve tanë, që ata të mund të kenë privilegjin e shenjtë të frekuentimit të tempullit aq shpesh sa ta lejojnë rrethanat e tyre.

Ndërsa njoftoj planet tona për të ndërtuar 20 tempuj të tjerë, unë përsiat për pionierët dhe i lavdëroj ata – të kaluar dhe të tanishëm – jetën e përkushtuara të të cilëve kanë ndihmuar për të bërë këtë histori sot. Një tempull i ri do të ndërtohet në secilin nga vendndodhjet në vijim: Oslo, Norvegji; Bruksel, Belgjikë; Vienë, Austri; Kumasi, Ganë; Beira, Mozambik; Kejp‑Taun, Afrika e Jugut; Singapor, Republika e Singaporit; Belo-Horizonte, Brazil; Kali, Kolumbi; Keretaro, Meksikë; Toreon, Meksikë; Helenë, Montanë; Kasper, Uajoming; Grand‑Xhankshën, Kolorado; Farmington, Nju-Meksiko; Bërli, Ajdaho; Juxhin, Oregon; Elko, Nevadë; Jorba‑Linda, Kaliforni dhe Smithfilld, Jutë.

Tempujt janë një pjesë jetësore e Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit në plotësinë e saj. Ordinancat e tempullit e mbushin jetën tonë me fuqi dhe forcë që nuk janë në dispozicion në asnjë mënyrë tjetër. Ne e falënderojmë Perëndinë për ato bekime.

Ndërsa e mbyllim këtë konferencë, sërish e shprehim dashurinë tonë për ju. Ne lutemi që Perëndia t’i derdhë bekimet dhe përkujdesin e Tij mbi secilin prej jush. Së bashku, ne jemi përfshirë në shërbimin e Tij të shenjtë. Me guxim, le t’i vihemi të gjithë punës së lavdishme të Zotit! Për këtë unë lutem, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.