2010–2019
Fryti
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2019


Fryti

Mbajini sytë dhe zemrat tuaja vazhdimisht të përqendruara te Shpëtimtari Jezu Krisht dhe te gëzimi i përjetshëm që vjen vetëm nëpërmjet Tij.

E di se çfarë po mendoni! Edhe vetëm një bisedë dhe do të dëgjojmë nga Presidenti Nelson. Duke shpresuar që t’ju mbaj të vëmendshëm për disa minuta, teksa presim për profetin tonë të dashur, kam zgjedhur një çështje mjaft tërheqëse: tema ime është fryti.

Pamja
Fryti

Me ngjyrën, përbërjen dhe ëmbëlsinë e frutave të pyllit, bananeve, shalqinjve dhe mangove, apo të frutave më ekzotike si kivano apo shegë, frutat prej kohësh kanë qenë një specialitet i dëshiruar por edhe i shtrenjtë për t’u ngrënë.

Gjatë shërbesës së Tij tokësore, Shpëtimtari i krahasoi frutat e mira me frytet e gjërave me vlerë tokësore. Ai tha: “Ju do t’i njihni ata nga frytet e tyre”1. “Kështu çdo dru i mirë jep fryte të mira.”2 Ai na nxiti të mbledhim “frytin për jetën e përjetshme”3.

Në një ëndërr plot gjallëri, që ne e dimë mirë nga Libri i Mormonit, profeti Lehi e gjen veten në “një vend të shkretë, të errët dhe të zymtë”. Ka ujë të fëlliqur, mjegull errësire, udhë të panjohura dhe shtigje të ndaluara, si edhe një shufër të hekurt4 përgjatë një shtegu të ngushtë e të ngushtuar që çon drejt një peme të bukur plot me “frut[ën që e] bë[n] dikë të lumtur”. Duke kujtuar ëndrrën, Lehi thotë: “Hëngra nga fruti i saj, … ishte më i ëmbël se gjithçka që kisha shijuar ndonjëherë më parë. … [Dhe] ma mbushi shpirtin tim me një gëzim jashtëzakonisht të madh.” Kjo frutë ishte “[më e] dëshiruesh[me se] çdo frut[ë] tjetër”5.

Pamja
Pema e jetës me frytin e saj të këndshëm

Kuptimi i Pemës dhe i Frytit

Çfarë simbolizon kjo pemë me frytin e saj më të çmuar? Ajo përfaqëson “dashurin[ë e] Perëndisë”6 dhe shpall planin e mrekullueshëm të Atit tonë Qiellor për shëlbimin. “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.”7

Ky fryt i çmuar simbolizon bekimet e mahnitshme të Shlyerjes së pakrahasueshme të Shpëtimtarit. Jo vetëm që do të jetojmë përsëri pas vdekshmërisë sonë, por nëpërmjet besimit tonë te Jezu Krishti, pendimit tonë dhe zbatimit të urdhërimeve, ne mund të marrim falje për mëkatet tona dhe një ditë mund të qëndrojmë të pastër e të kulluar përpara Atit tonë dhe Birit të Tij.

Marrja e frytit të pemës simbolizon gjithashtu se ne i marrim vullnetarisht ordinancat dhe besëlidhjet e ungjillit të rivendosur – pagëzimin, marrjen e dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe hyrjen në shtëpinë e Zotit që ta marrim si dhurim fuqinë nga lart. Nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit dhe nderimit të besëlidhjeve tona, ne marrim premtimin e pamatshëm të të jetuarit me familjet tona të drejta gjatë gjithë përjetësisë.8

S’është çudi që engjëlli e përshkroi frytin si “më [i] gëzueshm[i] për shpirtin”9. Ashtu është vërtet!

Sfida që të Qëndrojmë të Vërtetë

Siç e kemi mësuar të gjithë, edhe pas shijimit të frytit të çmuar të ungjillit të rivendosur, qëndrimi me vërtetësi dhe besnikëri ndaj Zotit Jezu Krisht ende nuk bëhet me lehtësi. Siç është thënë shumë herë në këtë konferencë, ne vazhdojmë të ndeshemi me shpërqendrime dhe mashtrime, pështjellim dhe trazirë, joshje dhe tundime që përpiqen të na i largojnë zemrat tona nga Shpëtimtari dhe gëzimet e bukuritë që i kemi përjetuar gjatë ndjekjes së Tij.

Për shkak të kësaj vështirësie, ëndrra e Lehit sjell edhe një paralajmërim! Në anën tjetër të lumit është një ndërtesë e madhe me njerëz të të gjitha moshave duke treguar me gisht, duke i ngacmuar dhe duke i shpotitur pasuesit e drejtë të Jezu Krishtit.

Njerëzit në ndërtesë po i tallin dhe po i përqeshin ata që i zbatojnë urdhërimet, duke shpresuar që ta zhvlerësojnë dhe vënë në lojë besimin e tyre te Jezu Krishti dhe tek ungjilli i Tij. Dhe për shkak të sulmeve gojore të dyshimit e përçmimit, të hedhura drejt besimtarëve, disa prej atyre që e kanë shijuar frytin, fillojnë të ndihen të turpëruar për ungjillin që e kanë përqafuar. Joshjet e rreme të botës i tërheqin ata; ata largohen nga pema e nga fryti dhe, sipas fjalëve të shkrimit të shenjtë, “larg[ohen] nëpër shtigje të ndaluara dhe humb[asi]n”10.

Në botën tonë sot, grupet e punëtorëve të ndërtimit të kundërshtarit po punojnë jashtë orarit, duke e shtuar me të shpejtë ndërtesën e gjerë dhe të madhe. Zgjerimi është përhapur në anën tjetër të lumit, duke shpresuar që të përfshijë shtëpitë tona, ndërkohë që njerëzit që tregojnë me gisht dhe tallin, ulërijnë ditë e natë me megafonat e tyre të internetit.11

Presidenti Nelson shpjegoi: “Kundërshtari po i katërfishon përpjekjet e tij për t’i shkatërruar dëshmitë dhe për ta vonuar punën e Zotit”12. Le t’i kujtojmë fjalët e Lehit: “Ne nuk ua vumë veshin”13.

Edhe pse nuk nevojitet të kemi frikë, ne duhet të jemi vigjilentë. Nganjëherë gjëra të vogla mund ta rrënojnë baraspeshimin tonë shpirtëror. Ju lutem, mos i lejoni pyetjet tuaja, fyerjet e të tjerëve, miqtë jobesimtarë apo gabimet dhe zhgënjimet fatkeqe që t’ju largojnë nga bekimet e ëmbla, të pastra dhe që të kënaqin shpirtin, të cilat vijnë nga fryti i çmuar i pemës. Mbajini sytë dhe zemrat tuaja vazhdimisht të përqendruara te Shpëtimtari, Jezu Krishti, dhe te gëzimi i përjetshëm që vjen vetëm nëpërmjet Tij.

Besimi i Xhejsën Hollit

Në qershor, bashkëshortja ime, Kethi, dhe unë morëm pjesë në shërbesën mortore të Xhejson Hollit. Në kohën kur ndërroi jetë, ai ishte 48 vjeç dhe po shërbente si president i një kuorumi të pleqve.

Këto janë fjalët e Xhejsonit rreth një ngjarjeje që ia ndryshoi jetën:

“[Kur isha 15 vjeç], unë [pata] një aksident gjatë zhytjes në ujë. … [Theva] qafën dhe u paralizova nga gjoksi e poshtë. Humba kontrollin e plotë të këmbëve dhe kontroll të pjesshëm të krahëve. Nuk mund të ecja më, të qëndroja në këmbë … ose të ushqehesha vetë. Mezi mund të merrja frymë ose flisja.”14

“‘I dashur Atë [në Qiell]’, iu përgjërova atij, ‘po të mund të kisha të paktën duart e mia, e di se mund t’ia dilja mbanë. Të lutem, Atë, të lutem. …

… Mbaji këmbët, Atë; vetëm [të lutem që] t’i përdor duart e mia.’”15

Xhejsoni kurrë nuk i përdori më duart e tij. A mund t’i dëgjoni zërat nga ndërtesa e gjerë? “Xhejson Holl, Perëndia nuk i dëgjon lutjet e tua! Nëse Perëndia është një Perëndi i dashur, si mund të të lërë Ai në këtë gjendje? Përse të kesh besim te Krishti?” Xhejson Holli i dëgjoi zërat e tyre, por nuk ua vuri veshin. Përkundrazi ai u ushqye me bollëk nga fryti i pemës. Besimi i tij te Jezu Krishti u bë i palëkundshëm. Ai mori një diplomë universitare dhe u martua në tempull me Kolet Kolmanin, të cilën ai e përshkroi si personin më të dashur në jetën e tij16. Pas 16 vjetësh martese, një mrekulli tjetër, u lind biri i tyre i shtrenjtë, Kolmani.

Pamja
Xhejsën dhe Kolet Holli
Pamja
familja Holl

Si e shtuan ata besimin e tyre? Koleta shpjegoi: “Mirëbesuam në planin e Perëndisë. Na dha shpresë. E dinim se Xhejsoni [në një ditë të ardhshme] do të shërohej. … Ne e dinim se Perëndia na dha një Shpëtimtar, flijimi shlyes i të cilit na aftëson që të mund të shohim përpara kur do të donim të dorëzoheshim.”17

Pamja
Kolman Holli

Kur foli në shërbesën mortore të Xhejsonit, Kolmani 10‑vjeçar tha që babai i mësoi se “Ati Qiellor [ka] një plan për ne, se jeta në tokë do të ishte e shkëlqyer dhe ne mund të jetonim në familje. … Por … do të na duhej të kalonim përmes gjërave të vështira dhe ne do të bënim gabime.”

Kolmani vazhdoi: “Ati Qiellor dërgoi Birin e Tij, Jezusin, në tokë. Qe detyra e Tij që të ishte i përsosur. Të shëronte njerëz. T’i donte ata. Dhe më pas të vuante për të gjitha dhembjet, hidhërimet dhe mëkatet tona. Pastaj Ai vdiq për ne.” Më pas Kolmani shtoi: “Ngaqë e bëri këtë, Jezusi e di se si ndihem unë tani.

Tri ditë pasi Jezusi vdiq, Ai … erdhi në jetë sërish me trupin e Tij të përsosur. Kjo është e rëndësishme për mua pasi unë e di se … trupi [i babit] tim do të jetë i përsosur dhe ne do të jemi së bashku si familje.”

Pamja
familja Holl

Kolmani e mbylli duke thënë: “Çdo natë që kur isha foshnjë, babi im më thoshte: ‘Babi të do, Ati Qiellor të do dhe ti je djalë i mirë’.”18

Gëzimi Vjen për Shkak të Jezu Krishtit

Presidenti Rasëll M. Nelson e përshkroi përse familja Holl ndien gëzim e shpresë. Ai tha:

“Gëzimi që ndiejmë, ka të bëjë pak me rrethanat e jetës sonë dhe ka të bëjë plotësisht me përqendrimin e jetës sonë.

Kur përqendrimi i jetës sonë është te plani i Perëndisë për shpëtim … dhe te Jezu Krishti e ungjilli i Tij, ne mund të ndiejmë gëzim pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë. Gëzimi vjen prej Tij dhe për shkak të Tij. Ai është burimi i të gjithë gëzimit. …

Nëse i mbajmë sytë nga bota … , ne kurrë nuk do ta njohim gëzimin. … [Gëzimi] është dhurata që vjen nga të përpjekurit e qëllimshëm për të jetuar një jetë të drejtë, siç na u mësua nga Jezu Krishti.”19

Një Premtim kur Ktheheni

Nëse keni qenë pa frytin e pemës për ca kohë, ju lutem, dijeni se krahët e Shpëtimtarit janë gjithmonë të shtrira drejt jush. Plot dashuri Ai na bën thirrje: “Pendoh[uni] dhe [ejani] tek unë”20. Fryti i Tij është i bollshëm dhe i gjindshëm në çdo stinë. Nuk mund të blihet me para dhe nuk i mohohet askujt që e dëshiron sinqerisht.21

Nëse dëshironi të ktheheni te pema dhe të shijoni frytin përsëri, fillojeni duke iu lutur Atit tuaj Qiellor. Besoni te Jezu Krishti dhe fuqia e flijimit të Tij shlyes. Ju premtoj se kur shikoni te Shpëtimtari “në çdo mendim”22, fryti i pemës do të jetë juaji përsëri, i këndshëm për shijen tuaj, i gëzueshëm për shpirtin tuaj, “më i madhi nga të gjitha dhuratat e Perëndisë”23.

Pamja
Plaku Andersen me shenjtorë portugezë në përkushtimin e Tempullit të Lisbonës

Si sot tri javë më parë, unë e pashë gëzimin e frytit të Shpëtimtarit duke u shpalosur, teksa Kethi dhe unë morëm pjesë në përkushtimin e Tempullit të Lisbonës në Portugali. Të vërtetat e ungjillit të rivendosur iu hapën Portugalisë në vitin 1975 kur u bë e mundur liria fetare. Shumë shenjtorë fisnikë që e shijuan së pari frytin kur nuk kishte as bashkësi, as godina fetare dhe as tempull më pranë se 1 600 kilometra, u ngazëllyen me ne që fryti i çmuar i pemës është tani në shtëpinë e Zotit në Lisbonë të Portugalisë. Sa i nderoj dhe i respektoj këta shenjtorë të ditëve të mëvonshme që i kanë mbajtur zemrat e tyre të ngulitura te Shpëtimtari!

Shpëtimtari tha: “Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë”24.

Duke u folur këtë mëngjes anëtarëve të Kishës anembanë botës, Presidenti Nelson tha: “Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ju jeni shembuj të gjallë të fryteve që vijnë nga ndjekja e mësimeve të Jezu Krishtit”. Pastaj shtoi: “Ju falënderoj! Ju dua!”25

Ne të duam, Presidenti Nelson.

Unë jam dëshmitar okular i fuqisë së zbulesës që qëndron mbi Presidentin tonë të dashur. Ai është profeti i Perëndisë. Si Lehi i lashtë, Presidenti Rasëll M. Nelson na bën thirrje neve dhe gjithë familjes së Perëndisë që të vijmë e ta marrim frytin e pemës. Paçim përulësinë dhe forcën për ta ndjekur këshillën e tij!

Me përulësi dëshmoj se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë. Dashuria e Tij, fuqia e Tij dhe hiri i Tij i sjellin të gjitha gjërat me vlerë jetëgjatë. Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Mateu 7:16.

  2. Mateu 7:17.

  3. Gjoni 4:36.

  4. Në fillim të janarit 2007, si anëtar i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, teksa po përgatitesha për një fjalim në një takim shpirtëror tek Universiteti “Brigam Jang” që do të jepej më 4 mars 2007, e pyeta Plakun Dejvid A. Bednar se çfarë po përgatiste për fjalimin e tij më 4 shkurt 2007 përpara po të njëjtit publik. Unë mbeta i befasuar kur ai u përgjigj se biseda e tij ishte rreth mbajtjes fort te shufra e hekurt. Ky ishte pikërisht titulli që kisha zgjedhur për bisedën time. Pasi ia treguam tekstin tonë njëri‑tjetrit, kuptuam se mënyrat tona të trajtimit ishin të ndryshme. Biseda e tij, e titulluar “A Reservoir of Living Water” [“Një Rezervuar me Ujë të Gjallë”], theksonte shufrën e hekurt ose fjalën e Perëndisë, si element gjithëpërfshirës në shkrimet e shenjta. Në bisedën e tij ai pyeti: “A po i lexojmë, studiojmë dhe kërkojmë ju dhe unë shkrimet e shenjta çdo ditë, në një mënyrë që na aftëson për t’u mbajtur fort te shufra e hekurt?” (speeches.byu.edu).

    Më pas, vetëm një javë pas bisedës sime me Plakun Bednar, Presidenti Bojd K. Paker mbajti një fjalim në një takim shpirtëror të UBJ‑së, të titulluar “Ëndrra e Lehit dhe Ju”. Presidenti Paker e theksoi shufrën e hekurt si zbulesa dhe frymëzimi vetjak që na vjen nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Ai tha: “Nëse mbaheni te shufra, ju mund ta ndieni udhën tuaj përpara me anë të dhuratës së Frymës së Shenjtë. … Kapuni fort pas shufrës së hekurt dhe mos e lëshoni. Nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund ta ndieni udhën tuaj gjatë gjithë jetës” (16 janar 2007, speeches.byu.edu).

    Tema ime, “Mbahuni Fort te Fjalët e Profetëve” në mars 2007 ishte për shufrën e hekurt si përfaqësuese e fjalëve të profetëve të gjallë (4 mars 2007, speeches.byu.edu).

    Lidhja e këtyre tri bisedave nuk ishte një rastësi. Dora e Zotit po vepronte ndërkohë që tri biseda, të përgatitura për të njëjtin publik, përcaktuan tri drejtime të shufrës së hekurt ose të fjalës së Perëndisë: 1) shkrimet e shenjta, ose fjalët e profetëve të lashtë; 2) fjalët e profetëve të gjallë; dhe 3) fuqinë e Frymës së Shenjtë. Kjo ishte një përvojë e rëndësishme mësimi për mua.

  5. Shih 1 Nefi 8:4–12.

  6. 1 Nefi 11:25.

  7. Gjoni 3:16.

  8. Shih Dejvid A. Bednar, “Ëndrra e Lehit: Duke u Mbajtur me Vendosmëri te Shufra”, Liahona, tetor 2011, f. 32–37.

  9. 1 Nefi 11:23.

  10. 1 Nefi 8:28.

  11. Shih Boyd K. Packer, “Lehi’s Dream and You” (takim shpirtëror i Universitetit “Brigam Jang”, 16 janar 2007), speeches.byu.edu.

  12. Rasëll M. Nelson, “Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Liahona, maj 2019, f. 68.

  13. 1 Nefi 8:33.

  14. Stephen Jason Hall, “The Gift of Home”, New Era, dhjetor 1994, f. 12.

  15. Stephen Jason Hall, “Helping Hands”, New Era, tetor 1995, f. 46, 47.

  16. Letërkëmbim vetjak i dërguar Plakut Andersen nga Kolette Hall.

  17. Letërkëmbim vetjak i dërguar Plakut Andersen nga Kolette Hall.

  18. Bisedë shërbese mortore nga Coleman Hall, e treguar Plakut Andersen nga Kolette Hall.

  19. Rasëll M. Nelson, “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2016, f. 82, 84.

  20. 3 Nefi 21:6.

  21. Shih 2 Nefi 26:25, 33.

  22. Doktrina e Besëlidhje 6:36.

  23. 1 Nefi 15:36.

  24. Gjoni 15:5.

  25. Rasëll M. Nelson, “Urdhërimi i Dytë dhe i Madh”, Liahona, nëntor 2019, f. 100.