2010–2019
Gjetja e Gëzimit te Shpërndarja e Ungjillit
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2019


Gjetja e Gëzimit te Shpërndarja e Ungjillit

Ne kemi një Atë të dashur në Qiell, i cili po pret që ne të drejtohemi tek Ai për ta bekuar jetën tonë dhe jetën e njerëzve rreth nesh.

Një nga këngët e mia të parapëlqyera të Fillores fillon me këto fjalë:

I përkas Kishës së Jezu Krishtit t’Shenjtor’ve të Ditëve të Mëvonshme.

E di se kush jam.

Di t’Per’ndis’ plan.

Me besim do ta ndjek.

Besoj në Shpëtimtarin Jezu Krisht.1

Çfarë pohimi i thjeshtë e i bukur i të vërtetave që ne besojmë!

Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne e dimë se kush jemi. Ne e dimë se “Perëndia është Ati i shpirtrave tanë. Ne jemi … fëmijët e Tij dhe Ai na do. Ne jetonim [me Të në qiell] përpara se të [vinim në] këtë botë.”

Ne e dimë planin e Perëndisë. Ne ishim me Të atje kur Ai na e paraqiti. “I gjithë qëllimi [i Atit tonë në Qiell] – vepra dhe lavdia e Tij – është të bëjë të mundur që secili nga ne të gëzojë të gjitha bekimet e Tij. Ai … përgatit[i] një plan të përkryer për të plotësuar qëllimin e Tij. Ne e kuptuam dhe e pranuam këtë plan … [të] lumturisë, … [të] shëlbimit dhe … [të] shpëtimit” përpara se të vinim në tokë.

“Jezu [Krishti] është qendra e planit të Perëndisë. Me anë të Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti përmbushi qëllimin e Atit të Tij dhe bëri të mundur për secilin nga ne [që] të gëzojë pavdekësinë dhe jetën e përjetshme. Satani, ose djalli, është një armik i planit të Perëndisë” dhe ka qenë [i tillë] që nga fillimi.

“Liria e zgjedhjes, ose aftësia për të zgjedhur, është një nga dhuratat më të mëdha të Perëndisë për fëmijët e Tij. … Ne duhet të zgjedhim nëse do të ndjekim Jezu Krishtin ose do të ndjekim Satanin.”2

Këto janë të vërteta të thjeshta që mund t’ua tregojmë të tjerëve.

Më lejoni t’ju tregoj për një rast kur nëna ime i tregoi të vërteta të tilla të thjeshta vetëm duke qenë e hapur për të bërë një bashkëbisedim dhe duke e dalluar një mundësi.

Shumë vjet më parë, nëna ime po kthehej në Argjentinë për një vizitë, bashkë me vëllanë tim. Në të vërtetë, nënës sime nuk i ka pëlqyer kurrë që të fluturonte, kështu që ajo i kërkoi njërit prej bijve të mi t’i jepte një bekim për qetësi dhe mbrojtje. Ai u ndje i nxitur ta bekonte gjithashtu gjyshen e tij me udhërrëfim dhe drejtim të veçantë nga Fryma e Shenjtë për të forcuar dhe prekur zemrat e shumë njerëzve që kishin dëshirë ta mësonin ungjillin.

Pamja
Familja Pol

Në aeroportin e Solt-Lejkut, nëna dhe vëllai im takuan një vajzë shtatë vjeçe, që po kthehej për në shtëpi nga një udhëtim për ski bashkë me familjen e saj. Prindërit e saj e vunë re se ajo po fliste me mamanë dhe vëllanë tim për një kohë të gjatë dhe vendosën të bashkoheshin me ta. Ata u paraqitën bashkë me bijën e tyre si Eduardo, Maria Suzana dhe Xhada Pol. Pati një lidhje të natyrshme dhe të ngrohtë me këtë familje të dashur.

Të dyja familjet u emocionuan që po udhëtonin së bashku në të njëjtin fluturim për në Buenos-Ajres në Argjentinë. Teksa bashkëbisedimi i tyre vazhdoi, nëna ime vuri re se deri në atë çast, ata nuk kishin dëgjuar kurrë për Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit.

Një nga pyetjet e para që bëri Suzana, ishte: “A do të më tregoni për atë muze të bukur me statujën e artë në majë?”

Mamaja ime shpjegoi se ajo ndërtesë e bukur nuk ishte një muze, por një tempull i Zotit ku ne bëjmë besëlidhje me Perëndinë që të mund të kthehemi të jetojmë me Të një ditë. Suzana i rrëfeu mamasë sime që, përpara udhëtimit të tyre për në Solt-Lejk, ajo ishte lutur për diçka që t’ia forconte shpirtin.

Gjatë fluturimit, mamaja ime shprehu dëshminë e saj të thjeshtë, por të fuqishme për ungjillin dhe e ftoi Suzanën t’i gjente misionarët në qytetin e saj. Suzana e pyeti mamanë time: “Si do t’i gjej ata?”

Mamaja ime iu përgjigj: “Nuk mund të mos t’i vësh re; ata janë ose dy të rinj të veshur me këmisha të bardha dhe kollare ose dy të reja të veshura këndshëm dhe ata gjithmonë kanë një etiketë që tregon emrin e tyre dhe gjithashtu ‘Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme’”.

Familjet shkëmbyen numrat e telefonit dhe u përshëndetën në aeroportin e Buenos-Ajresit. Suzana, e cila që atëherë është bërë shoqe e mirë me mua, më ka thënë shumë herë se u ndje shumë e trishtuar kur u nda nga mamaja ime në aeroport. Ajo tha: “Mamaja jote rrezatonte. Nuk mund ta shpjegoj, por ajo kishte një shkëlqim mbi të që nuk doja ta lija pas.”

Sapo Suzana u kthye në qytetin e saj, ajo dhe e bija, Xhada, shkuan t’ia tregonin këtë përvojë mamasë së Suzanës, që jetonte vetëm disa blloqe larg shtëpisë së tyre. Teksa po ngisnin makinën, ndodhi që Suzana pa dy të rinj, të cilët po ecnin në rrugë, të veshur ashtu siç ia kishte përshkruar mamaja ime. Ajo e ndaloi makinën në mes të rrugës, doli jashtë dhe i pyeti këta dy të rinj: “A mos jeni vallë nga Kisha e Jezu Krishtit?”

Ata thanë: “Po”.

“Misionarë?” pyeti ajo.

Ata u përgjigjën që të dy: “Po jemi [misionarë]!”

Pastaj ajo tha: “Hipni në makinën time; do të vini në shtëpi që të më jepni mësim”.

Pamja
Familja Pol

Dy muaj më pas, Maria Suzana u pagëzua. Bija e saj, Xhada, gjithashtu u pagëzua kur mbushi nëntë vjeç. Ende po punojmë me Eduardon, të cilin e duam gjithsesi.

Që atëherë, Suzana është bërë një nga misionaret më të shkëlqyera që kam takuar ndonjëherë. Ajo është si bijtë e Mosias, duke sjellë shumë shpirtra te Krishti.

Në një nga bashkëbisedimet tona, e pyeta: “Cili është sekreti yt? Si e shpërndan ungjillin tek të tjerët?”

Ajo më tha: “Është shumë e thjeshtë. Çdo ditë, përpara se ta lë shtëpinë, unë lutem, duke i kërkuar Atit Qiellor të më drejtojë te njerëz që kanë nevojë për ungjillin në jetën e tyre. Nganjëherë, marr një Libër të Mormonit për t’ua dhënë atyre ose karta për shpërndarje nga misionarët – dhe kur filloj të flas me dikë, thjesht e pyes nëse ka dëgjuar ndonjëherë për Kishën.”

Suzana tha gjithashtu: “Herë të tjera thjesht buzëqesh kur jam duke pritur trenin. Një ditë, një burrë më pa dhe tha: ‘Për çfarë po buzëqesh?’ Ai më kapi disi në befasi.

Iu përgjigja: ‘Buzëqesh sepse jam e lumtur!’

Ai tha pastaj: ‘Dhe për çfarë je kaq e lumtur?’

Iu përgjigja: ‘Jam anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe kjo më bën të lumtur. A ke dëgjuar për të?’”

Kur ai tha jo, ajo i dha një kartë për shpërndarje dhe e ftoi të merrte pjesë në shërbimet e së dielës së ardhshme. Të dielën vijuese, ajo e përshëndeti te dera.

Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim:

“Ka tri gjëra që të gjithë anëtarët mund t’i bëjnë për të ndihmuar në ndarjen e ungjillit. …

Së pari, ne mund të lutemi të gjithë për dëshirën që të ndihmojmë në këtë pjesë jetike të punës për shpëtim. …

Së dyti, ne mund t’i mbajmë urdhërimet. … Anëtarët besnikë do të kenë gjithmonë Shpirtin e Shpëtimtarit me ta që t’i udhëzojë ndërsa përpiqen të marrin pjesë në punën e madhe të ndarjes së ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit.

Së treti, ne mund të lutemi për frymëzim mbi atë që ne mund të bëjmë … për ta ndarë ungjillin me të tjerët … [dhe të] lut[emi] me zotim për të vepruar sipas frymëzimit që m[arrim].”3

Vëllezër, motra, fëmijë dhe të rinj e të reja, a mund të jemi si shoqja ime Suzana dhe ta shpërndajmë ungjillin tek të tjerët? A mund ta ftojmë një mik/mikeshë që nuk është i/e besimit tonë, që të vijë në kishë me ne të dielën? Ose ndoshta mund t’ia japim një kopje të Librit të Mormonit një kushëriri/e apo një miku/mikeshe? A mund t’i ndihmojmë të tjerët që të gjejnë paraardhësit e tyre në FamilySearch apo t’u tregojmë të tjerëve atë që kemi mësuar gjatë javës teksa kemi studiuar materialin Eja, Më Ndiq? A mund të jemi më shumë si Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, dhe t’ua tregojmë të tjerëve atë që na sjell gëzim në jetën tonë? Përgjigjja për të gjitha këto pyetje është “po”! Ne mund ta bëjmë këtë!

Në shkrimet e shenjta lexojmë se “anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit dërgohen ‘për të punuar në vreshtin e tij për shpëtimin e shpirtrave të njerëzve’ (Doktrina e Besëlidhje 138:56). Kjo punë për shpëtim përfshin punën misionare të anëtarit, mbajtjen e të kthyerve në besim, aktivizimin e anëtarëve më pak aktivë, punën në tempull e për historinë familjare dhe mësimdhënien e ungjillit.”4

Miqtë e mi të dashur, Zoti ka nevojë për ne që ta mbledhim Izraelin. Te Doktrina e Besëlidhje Ai ka thënë: “As mos u shqetësoni që më parë se çfarë do të thoni; por mblidhni vazhdimisht si thesar në mendjet tuaja fjalët e jetës dhe do t’ju jepet në çastin e duhur ajo pjesë që do t’i shpërndahet çdo njeriu”5.

Përveç kësaj, Ai na ka premtuar:

“Dhe nëse është që ju duhet të punoni gjithë ditët tuaja për t’u shpallur pendim këtyre njerëzve dhe sillni qoftë edhe një shpirt tek unë, sa i madh do të jetë gëzimi juaj me të në mbretërinë e Atit tim!

Dhe tani, nëse gëzimi juaj do të jetë i madh me një shpirt që keni sjellë tek unë në mbretërinë e Atit tim, sa i madh do të jetë gëzimi juaj nëse do të më sillni shumë shpirtra!”6

Kënga e Fillores me të cilën fillova, mbyllet me këtë pohim të thellë:

Besoj në Shpëtimtarin Jezu Krisht.

Do t’i jap nderim.

Do bëj ç’ësht’ e drejt’;

Drit’n e Tij do ndjek.

Do shpall t’vërtet’n e Tij.7

Unë jap dëshmi se këto fjalë janë të vërteta dhe se ne kemi një Atë të dashur në Qiell, i cili po pret që ne te drejtohemi tek Ai për ta bekuar jetën tonë dhe jetën e njerëzve rreth nesh. Paçim dëshirën që t’i sjellim te Krishti vëllezërit dhe motrat tona, është lutja ime në emrin e Jezu Krishtit, amen.