2010–2019
Aventura Juaj e Madhërishme
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2019


Aventura Juaj e Madhërishme

Shpëtimtari na fton, çdo ditë, t’i lëmë mënjanë rehatinë dhe sigurinë tonë dhe të bashkohemi me Të në rrugëtimin e dishepullimit.

Rreth Hobitëve

Një roman i dashur fantazie për fëmijë, i shkruar shumë vite më parë, fillon me fjalinë: “Në një vrimë në tokë, na jetonte një hobit”1.

Rrëfenja e Bilbo Baginsit flet për një hobit, tejet të zakonshëm dhe aspak të shquar, të cilit i paraqitet mundësia më e shquar – rasti i mrekullueshëm për aventurë dhe premtimi për një shpërblim të madh.

Problemi qëndron se hobitët me respektin më të madh për veten, nuk duan të kenë të bëjnë fare me aventurat. Jeta e tyre i kushtohet krejt rehatisë. Atyre u pëlqen të hanë gjashtë vakte në ditë atëherë kur mund t’i kenë, dhe t’i kalojnë ditët në kopshtet e tyre, duke shkëmbyer përralla me vizitorët, duke kënduar, duke luajtur në instrumente muzikore dhe duke u prehur në gëzimet e thjeshta të jetës.

Megjithatë, kur Bilbos i paraqitin mundësinë për një aventurë të madhërishme, diçka i vlon thellë në zemër. Ai e kupton që nga fillesa se rrugëtimi do të jetë sfidues. Madje i rrezikshëm. Ka madje dhe një mundësi që ai mund të mos kthehet.

Prapëseprapë, thirrja drejt aventurës i ka depërtuar thellë në zemër. Dhe kështu, ky hobit aspak i shquar, e lë pas rehatinë dhe hyn në shtegun drejt një aventure të madhërishme që do ta çojë atë në gjithë atë rrugë deri “atje dhe në kthim”2.

Aventura Juaj

Ndoshta një nga arsyet pse kjo rrëfenjë bën jehonë te kaq shumë njerëz, është sepse ajo është edhe historia jonë.

Shumë, shumë kohë më parë, madje përpara se të lindeshim, në një periudhë të tretur nga koha dhe të mjegulluar në kujtesë, edhe ne na ftuan të nisemi në një aventurë. U propozua nga Perëndia, Ati ynë Qiellor. Pranimi i kësaj aventure do të thoshte ta linim rehatinë dhe sigurinë e pranisë së Tij të afërt. Do të thoshte të vinim në tokë për një rrugëtim të mbushur me rrezik e sprovë të panjohur.

E dinim se nuk do të ishte e lehtë.

Por e dinim gjithashtu që do të merrnim thesare të çmuara, përfshirë një trup fizik, dhe do të përjetonim gëzimet dhe hidhërimet e fuqishme të vdekshmërisë. Do të mësonim të përpiqeshim fort, të kërkonim dhe të luftonim. Do të zbulonim të vërteta mbi Perëndinë dhe veten tonë.

Sigurisht, e dinim që do të bënim shumë gabime përgjatë udhës. Por gjithashtu kishim një premtim: që, për shkak të flijimit të madhërishëm të Jezu Krishtit, ne do të mund të pastroheshim nga shkeljet tona, të rafinoheshim e të dëlireshim në shpirt dhe një ditë të ringjalleshim e të ribashkoheshim me njerëzit që i duam.

Ne mësuam se sa shumë na do Perëndia. Ai na dha jetë dhe Ai dëshiron që të kemi sukses. Prandaj, Ai përgatiti një Shpëtimtar për ne. “Megjithatë”, tha Ati ynë në Qiell, “ti mund të zgjedhësh vetë, sepse të është dhënë ty.”3

Duhet të ketë pasur pjesë të aventurës në vdekshmëri që i shqetësuan dhe madje i tmerruan fëmijët e Perëndisë, përderisa një numër i madh i vëllezërve dhe motrave tona shpirtërore vendosi kundër saj.4

Me anë të dhuratës dhe fuqisë së lirisë morale të zgjedhjes, ne përcaktuam se pa dyshim ia vlente rreziku për mundësinë e asaj që mund të mësonim dhe të bëheshim në përjetësi.5

Dhe kështu, me mirëbesim te premtimet dhe fuqia e Perëndisë dhe Birit të Tij të Dashur, ne e pranuam sfidën.

Unë e pranova.

Dhe po kështu bëtë edhe ju.

Ne ramë dakord ta linim sigurinë e gjendjes sonë të parë dhe të niseshim në vetë aventurën tonë të madhërishme për “atje dhe në kthim”.

Thirrja për në Aventurë

E prapëseprapë, jeta në vdekshmëri ka një mënyrë për të na shpërqendruar, apo jo? Ne priremi ta humbasim nga sytë kërkimin tonë të madhërishëm, duke parapëlqyer rehatinë dhe lehtësinë ndaj rritjes dhe përparimit.

Megjithatë, mbetet diçka e pamohueshme, thellë në zemrën tonë, që ka uri për një qëllim më të lartë e më fisnik. Kjo uri është një arsye pse njerëzit i tërheq ungjilli dhe Kisha e Jezu Krishtit. Ungjilli i rivendosur, në një kuptim, është një përtëritje e thirrjes për aventurë që e pranuam shumë kohë më parë. Shpëtimtari na fton, çdo ditë, t’i lëmë mënjanë rehatinë dhe sigurinë tonë dhe të bashkohemi me Të në rrugëtimin e dishepullimit.

Ka shumë kthesa në këtë rrugë. Ka kodra, lugina dhe rrugë të tërthorta. Madje mund të ketë merimanga, trollë dhe gjithashtu një a dy dragonj metaforikë. Por nëse qëndroni në shteg dhe i mirëbesoni Perëndisë, përfundimisht ju do ta gjeni rrugën drejt fatit tuaj të lavdishëm dhe të kthimit te shtëpia juaj qiellore.

Pra, si ta filloni?

Është mjaft e thjeshtë.

Anojeni Zemrën Tuaj nga Perëndia

Së pari, ju nevojitet të zgjidhni që ta anoni zemrën tuaj nga Perëndia. Përpiquni fort çdo ditë që ta gjeni Atë. Mësoni ta doni Atë. Dhe pastaj lëreni atë dashuri që t’ju frymëzojë t’i mësoni, t’i kuptoni dhe t’i ndiqni mësimet e Tij dhe mësoni t’i zbatoni urdhërimet e Perëndisë. Ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit na është dhënë në një mënyrë të qartë dhe të thjeshtë sa dhe një fëmijë mund ta kuptojë. Megjithatë ungjilli i Jezu Krishtit ka përgjigjet për pyetjet më të ndërlikuara në jetë dhe ka një thellësi dhe ndërlikim kaq të gjerë saqë, edhe duke e studiuar dhe përsiatur gjithë jetën, ne mezi mund të kuptojmë madje pjesën më të vogël.

Nëse ngurroni në këtë aventurë sepse keni dyshime për aftësinë tuaj, mbajeni mend se dishepullimi nuk është që gjërat të bëhen përsosurisht; është që gjërat të bëhen qëllimisht. Janë zgjedhjet tuaja që tregojnë çfarë jeni në të vërtetë, shumë më tepër se aftësitë tuaja.6

Edhe kur dështoni, ju mund të zgjidhni që të mos hiqni dorë, por përkundrazi të zbuloni guximin tuaj, të shkoni përpara dhe të ngriheni. Ky është provimi i madh i rrugëtimit.

Perëndia e di që nuk jeni të përsosur, që do të dështoni me raste. Perëndia nuk ju do më pak kur përlesheni me diçka sesa [ju do] kur triumfoni.

Si një prind i dashur, Ai thjesht dëshiron që ju të vazhdoni të përpiqeni me qëllim. Dishepullimi është si të mësoni të luani në piano. Ndoshta gjithçka që mund të bëni në fillim, është të luani një melodi, që mezi dallohet se është ajo, të valsit “Chopsticks”. Por nëse vazhdoni të ushtroheni, meloditë e thjeshta një ditë do të shndërrohen në sonata, rapsodi dhe koncerte të mahnitshme.

Tani, ajo ditë mund të mos vijë gjatë kësaj jete, por vërtet do të vijë. Gjithçka që Perëndia kërkon, është që ju të vazhdoni të përpiqeni fort me vetëdije.

Ndihmojini të Tjerët me Dashuri

Ka diçka interesante, thuajse paradoksale te ky shteg që keni zgjedhur: e vetmja mënyrë që ju të përparoni në aventurën tuaj të ungjillit, është t’i ndihmoni edhe të tjerët që të përparojnë.

T’i ndihmojmë të tjerët është shtegu i dishepullimit. Besimi, shpresa, dashuria, dhembshuria dhe shërbimi na rafinojnë si dishepuj.

Nëpërmjet përpjekjeve tuaja për të ndihmuar të varfrin dhe nevojtarin, për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve që vuajnë, vetë karakteri juaj dëlirësohet dhe farkëtohet, shpirti juaj zgjerohet dhe ju fitoni më tepër siguri te vetja.

Por kjo dashuri nuk mund të vijë me pritshmëri për shpërblim. Nuk mund të jetë ai lloj shërbimi që pret famë, lajkatim apo favorizim.

Dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit e duan Perëndinë dhe fëmijët e Tij pa pritshmëri për diçka në këmbim. Ne i duam ata që na zhgënjejnë, që nuk kanë pëlqim për ne. Madje dhe ata që na tallin, na keqtrajtojnë dhe përpiqen të na lëndojnë.

Kur e mbushni zemrën me dashurinë e pastër të Krishtit, ju nuk lini vend për mllef, gjykim dhe turpërim. Ju i zbatoni urdhërimet e Perëndisë ngaqë ju e doni Atë. Gjatë këtij procesi, ju bëheni ngadalë më shumë si Krishti në mendimet dhe veprimet tuaja.7 Dhe cila aventurë mund të jetë më e madhërishme se kjo?

Tregojeni Historinë Tuaj

Gjëja e tretë që përpiqemi fort ta zotërojmë në këtë rrugëtim, është që të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit dhe të mos kemi turp që jemi një anëtar i Kishës së Jezu Krishtit.

Ne nuk e fshehim besimin tonë.

Ne nuk e mbulojmë atë.

Përkundrazi, ne flasim me të tjerët për rrugëtimin tonë në mënyra të zakonshme dhe të natyrshme. Kjo është ajo që bëjnë shokët e shoqet – ata flasin për gjërat që janë të rëndësishme për ta. Gjërat që i kanë për zemër dhe sjellin një ndryshim për ta.

Kjo është ajo që bëni ju. Ju tregoni historitë dhe përvojat tuaja si anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Nganjëherë historitë tuaja i bëjnë njerëzit për të qeshur. Nganjëherë i bëjnë të përloten. Nganjëherë ato do t’i ndihmojnë njerëzit që të vazhdojnë me durim, ripërtëritje dhe guxim për t’i bërë ballë edhe një ore, edhe një dite dhe për të ardhur pak më pranë Perëndisë.

Tregojini përvojat tuaj ballë për ballë, në mediat shoqërore, në grupe, kudo.

Një nga gjërat e fundit që Jezusi u tha dishepujve të Tij, ishte që ata të shkonin në mbarë botën dhe ta tregonin historinë e Krishtit të ringjallur.8 Sot edhe ne me gëzim e pranojmë atë porosi të madhërishme.

Çfarë mesazhi të lavdishëm kemi për të treguar: për shkak të Jezu Krishtit, çdo burrë, grua dhe fëmijë mund të kthehet në shtëpi i sigurt, te shtëpia e vet qiellore dhe atje të banojë në lavdi e drejtësi!

Ka edhe më shumë lajme të mira për t’i treguar.

Perëndia i është shfaqur njeriut në ditën tonë! Ne kemi një profet të gjallë.

Më lejoni t’ju kujtoj se Perëndia nuk ka nevojë që ju ta “shitni” ungjillin e rivendosur apo Kishën e Jezu Krishtit.

Ai thjesht pret nga ju që të mos ta fshihni atë nën babune.

Dhe nëse njerëzit vendosin që Kisha nuk është për ta, ai është vendimi i tyre.

Nuk do të thotë që ju keni dështuar. Vazhdoni t’i trajtoni ata me mirësi. Kjo nuk e përjashton faktin që ju t’i ftoni ata sërish.

Ndryshimi mes kontakteve rastësore shoqërore dhe dishepullimit guximtar, me dhembshuri është – ftesa!

Ne i duam dhe i respektojmë të gjithë fëmijët e Perëndisë, pavarësisht nga pozicioni i tyre në jetë, pavarësisht nga raca apo feja e tyre, pavarësisht nga vendimet e tyre në jetë.

Nga ana jonë, ne do të themi: “Ejani e shihni! Zbulojeni vetë se si ecja në shtegun e dishepullimit do të jetë shpërblyese dhe fisnikëruese.”

Ne i ftojmë njerëzit që të “vijnë e të ndihmojnë, teksa përpiqemi ta bëjmë botën një vend më të mirë”.

Dhe themi: “Ejani dhe qëndroni! Ne jemi vëllezërit dhe motrat tuaja. Nuk jemi të përsosur. Ne i mirëbesojmë Perëndisë dhe kërkojmë t’i zbatojmë urdhërimet e Tij.

Bashkohuni me ne dhe ju do të na bëni më të mirë. Dhe, gjatë procesit, edhe ju do të bëheni më të mirë. Le ta ndërmarrim së bashku këtë aventurë.”

Kur Duhet të Filloj?

Kur miku ynë Bilbo Baginsi e ndjeu thirrjen për aventurë t’i zgjohej brenda vetes, ai vendosi të bënte një pushim të mirë gjatë natës, të shijonte një mëngjes të paqmë dhe të nisej menjëherë në mëngjes.

Kur Bilboja u zgjua, vuri re se shtëpia ishte rrëmujë dhe thuajse u shpërqendrua nga plani i tij fisnik.

Por pastaj, erdhi miku i tij Gandalfi dhe e pyeti: “Kur ke ndërmend të vish?”9 Që të arrinte shokët e tij, Bilbos i duhej të vendoste vetë se çfarë të bënte.

Dhe kështu, hobiti tejet i zakonshëm dhe aspak i shquar e gjeti veten duke u turrur nga porta e tij kryesore drejt shtegut të aventurës aq shpejt sa harroi kapelën, bastunin dhe shaminë e xhepit. Ai madje e la pa mbaruar mëngjesin e tij të dytë.

Ndoshta këtu ka një mësim edhe për ne.

Nëse ju dhe unë e kemi ndier trazimin që të bashkohemi me aventurën e madhërishme të të jetuarit dhe të treguarit të asaj që Ati ynë i dashur Qiellor e përgatiti për ne shumë kohë më parë, ju siguroj, sot është dita ta ndjekim Birin e Perëndisë dhe Shpëtimtarin tonë në shtegun e Tij të shërbimit dhe dishepullimit.

Mund ta kalojmë gjithë jetën duke pritur për atë çast kur çdo gjë të rregullohet përsosurisht. Por tani është koha të zotohemi plotësisht që ta kërkojmë Perëndinë, t’u japim shërbesë të tjerëve dhe t’ua tregojmë të tjerëve përvojën tonë.

Lërini pas kapelën, bastunin, shaminë dhe shtëpinë tuaj në rrëmujë.10

Për ata prej nesh që tashmë po ecin në atë shteg, merrni guxim, ushtroni dhembshuri, kini mirëbesim dhe vazhdoni!

Për ata që e kanë lënë shtegun, ju lutem kthehuni, bashkohuni sërish me ne, na bëni më të fortë.

Dhe atyre që nuk kanë filluar ende, përse të vonoheni? Nëse dëshironi të përjetoni mrekullitë e këtij rrugëtimi shpirtëror të madhërishëm, hidheni çapin drejt vetë aventurës suaj të madhërishme! Flitni me misionarët. Flitni me miqtë tuaj shenjtorë të ditëve të mëvonshme. Flitni me ta për këtë vepër të mrekullueshme dhe çudi.11

Është koha për të filluar!

Ejani, Bashkohuni me Ne!

Nëse e ndieni se jeta juaj mund të kishte më shumë kuptim, një qëllim më të lartë, lidhje më të forta familjare dhe një lidhje më të ngushtë me Perëndinë, ju lutem, ejani, bashkohuni me ne!

Nëse kërkoni një komunitet njerëzish që po punojnë për t’u bërë vetja e tyre më e mirë, për t’i ndihmuar njerëzit në nevojë dhe për ta bërë këtë botë një vend më të mirë, ejani, bashkohuni me ne!

Ejani dhe shiheni se për çfarë është gjithë ky rrugëtim i mrekullueshëm, i mahnitshëm dhe me aventura.

Përgjatë udhës, ju do të zbuloni vetveten.

Ju do ta zbuloni kuptimin.

Ju do të zbuloni Perëndinë.

Ju do të zbuloni rrugëtimin më të lavdishëm dhe me më shumë aventura në jetën tuaj.

Për këtë dëshmoj në emrin e Shëlbuesit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. J. R. R. Tolkien, Bilbo Hobiti (Shtëpia e Librit dhe Komunikimit, 2005), f. 9.

  2. Nëntitulli në anglisht i librit Bilbo Hobiti.

  3. Moisiu 3:17.

  4. Shih Jobit 38:4–7 (bijtë e Perëndisë lëshonin britma gëzimi); Isaia 14:12–13 (“ngre fronin tim përmbi yjet e Perëndisë”); Zbulesa 12:7–11 (u bë luftë në qiell).

  5. “Profeti Jozef Smith e përshkroi lirinë e zgjedhjes si ‘a[jo] pavarësi [e] lirë [e] mendjes të cilën qielli ia ka dhuruar me kaq dashamirësi familjes njerëzore si një prej dhuratave të tij më të përzgjedhura’ [Teachings of the Prophet Joseph Smith, përmb. Joseph Fielding Smith (1977), f. 49]; [Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 368]. Kjo ‘pavarësi [e] lirë [e] mendjes’ ose liria e zgjedhjes, është fuqia që i lejon individët të jenë ‘veprues për veten’ (DeB 58:28). Ajo përfshin si ushtrimin e vullnetit për të zgjedhur mes së mirës dhe së ligës apo niveleve të ndryshme të së mirës ose së ligës, edhe gjithashtu mundësinë për të përjetuar pasojat e asaj zgjedhjeje. Ati Qiellor i do fëmijët e Tij kaq shumë saqë Ai dëshiron që ne të arrijmë potencialin tonë të plotë – të bëhemi ashtu siç është Ai. Në mënyrë që të përparojë, një person duhet të zotërojë aftësinë e lindur që të bëjë zgjedhjen e dëshiruar të tij apo të saj. Liria e zgjedhjes është kaq themelore për planin e Tij për fëmijët e Tij saqë ‘edhe Perëndia nuk mund t’i bënte njerëzit si veten pa i bërë ata të lirë’ [David O. McKay, “Whither Shall We Go? Or Life’s Supreme Decision”, Deseret News, 8 qershor 1935, f. 1]” (Byron R. Merrill, “Agency and Freedom in the Divine Plan”, në Roy A. Prete, red., Window of Faith: Latter-day Saint Perspectives on World History [2005], f. 162).

  6. Në romanin e saj Harry Potter dhe Dhoma e të fshehtave, autorja J. K. Rowling e bën drejtorin e Hoguortsit, Urtimorin, që t’i thotë diçka shumë të ngjashme djaloshit Harri Poter. Kjo është një këshillë e mrekullueshme edhe për ne. E kam përdorur në mesazhe më parë dhe mendoj se ia vlen ta përsëritësh.

  7. “Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur çʼdo të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai” (1 Gjon 3:2; theksimi i shtuar).

    Ndërkohë që një transformim i tillë mund të jetë përtej aftësisë sonë për ta kuptuar, “vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë.

    Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë më të dhe lavdohemi me të.

    Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne” (Romakëve 8:16–18; theksimi i shtuar).

  8. Shih Mateu 28:16–20.

  9. Tolkien, Bilbo Hobiti, f. 45.

  10. Shih Lluka 9:59–62.

  11. Shih LeGrand Richards, A Marvelous Work and a Wonder, bot. i rishik. (1966).