2010–2019
Mirëbesimi i Qëndrueshëm dhe i Paepur
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2019


Mirëbesimi i Qëndrueshëm dhe i Paepur

Mirëbesimi te Zoti përfshin mirëbesimin në kohën e duhur të Tij dhe kërkon durim e rezistencë që u mbijetojnë stuhive të jetës.

Biri ynë, Deni, u sëmur rëndë gjatë misionit të tij në Afrikë dhe e dërguan në një ndërtesë mjekësore me burime të kufizuara. Teksa lexonim letrën e parë ku na drejtohej pas sëmundjes së tij, prisnim që të ishte i shkurajuar, por në vend të kësaj ai shkroi: “Edhe kur qëndroja në dhomën e urgjencës, ndjeva paqe. Nuk jam ndier kurrë i lumtur në mënyrë kaq të qëndrueshme e të paepur në jetën time.”

Teksa bashkëshortja ime dhe unë i lexonim këto fjalë, u pushtuam nga emocionet. I lumtur në mënyrë të qëndrueshme e të paepur. Nuk kishim dëgjuar kurrë të shpjegohej lumturia në atë mënyrë, por fjalët e tij na tingëlluan të vërteta. Ne e dinim se lumturia që ai përshkroi, nuk ishte një kënaqësi e thjeshtë ose një gjendje e mirë shpirtërore, por një paqe dhe gëzim që vijnë kur ia dorëzojmë veten Perëndisë dhe e vëmë mirëbesimin tonë tek Ai për të gjitha gjërat1. Edhe ne i kishim pasur ato raste në jetë kur Perëndia i foli paqe shpirtit tonë dhe bëri që të kemi shpresë në Krisht madje edhe kur jeta ishte e vështirë dhe e pasigurt.2

Lehi na mëson se po të mos kishin rënë Adami dhe Eva, “ata do të kishin qëndruar në një gjendje pafajësie, pa patur gëzim, pasi ata nuk njihnin mjerim; …

Por, vini re, të gjitha gjërat janë bërë në diturinë e atij që i di të gjitha gjërat.

Adami ra që njerëzit të mund të jenë; dhe njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim.”3

Në një mënyrë paradoksale, hidhërimet dhe pikëllimet na përgatitin të përjetojmë gëzim nëse do t’i mirëbesojmë Zotit dhe planit të Tij për ne. Kjo e vërtetë shprehet bukur nga një poet i shekullit të 13-të: “Pikëllimi të përgatit për gëzimin. Ai vrullshëm të zbraz gjithçka nga shtëpia, që gëzimi i ri të mund të gjejë vend ku të hyjë. Ai t’i shkund gjethet e verdha nga degët e zemrës, që gjethe të freskëta, të gjelbra të rriten në vend të tyre. Ai t’i shkul rrënjët e kalbura, që rrënjët e reja, fshehur poshtë tyre të kenë vend ku të rriten. Çfarëdo që të jetë ajo që pikëllimi ta shkund nga zemra, vendin do t’ia zënë gjëra shumë më të mira.”4

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Gëzimi që do të [na] japë Shpëtimtari është i vazhdueshëm, duke na siguruar se ‘mjerimet tona do të jenë veçse një çast i shkurtër’ [Doktrina e Besëlidhje 121:7] dhe do të shenjtërohen për përfitimin tonë”5. Sprovat dhe hidhërimet tona mund të bëjnë vend për gëzim më të madh.6

Lajmi i mirë i ungjillit nuk është premtimi për një jetë pa pikëllime dhe mundime por për një jetë plot qëllim e kuptim – një jetë ku pikëllimet dhe mundimet tona mund të “përfshihe[n] vetëm në gëzimin për Krishtin”7. Shpëtimtari shpalli: “Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën”8. Ungjilli është një mesazh shprese. Pikëllimi i ndërthurur me shpresën te Jezu Krishti mban premtimin e një gëzimi që zgjat.

Tregimi për udhëtimin e jareditëve drejt tokës së premtuar mund të përdoret si metaforë për udhëtimin tonë përgjatë vdekshmërisë. Zoti i premtoi vëllait të Jaredit dhe popullit të tij që Ai do të “shko[nte] para t[yre] në një tokë të zgjedhur përmbi të gjitha tokat e dheut”9. Ai i urdhëroi ata të ndërtonin mauna dhe ata me bindje filluan punën për ndërtimin e tyre sipas udhëzimeve të Zotit. Megjithatë, teksa puna përparonte, vëllait të Jaredit iu krijuan shqetësime se projekti i Zotit për maunat nuk qe i mjaftueshëm. Ai thirri:

“O Zot, unë e kreva punën që më urdhërove të bëja dhe unë i bëra maunet si më udhëzove.

Dhe vër re, O Zot, në to nuk ka dritë.”10

“Vër re, O Zot, a do të lejosh që ne të kalojmë këtë ujë të madh në errësirë?”11

A ia keni hapur ndonjëherë zemrën tuaj Perëndisë në një mënyrë të tillë? Kur përpiqeni fort për të jetuar siç urdhëron Zoti dhe pritshmëritë e drejta nuk përmbushen, a e keni pyetur ndonjëherë veten a duhet ta kaloni këtë jetë në errësirë?12

Vëllai i Jaredit shprehu një shqetësim akoma më të madh rreth mundësisë së tyre për të mbijetuar në mauna. Ai vajtoi: “Dhe gjithashtu ne do të mbarojmë, pasi në to ne nuk mund të marrim frymë, vetëm me ajrin që ato kanë brenda”13. A jua kanë marrë ndonjëherë frymën vështirësitë e jetës dhe a ju kanë bërë të pyetni veten se si mund të mbijetoni deri në fund të ditës, e jo më pastaj se si të ktheheni në shtëpinë tuaj qiellore?

Pasi Zoti punoi me vëllanë e Jaredit për ta zgjidhur çdo shqetësim të tijin, Ai më pas shpjegoi: “Ju nuk mund ta kapërceni këtë thellësi të madhe, në qoftë se nuk … përgatis [një mënyrë për ju] kundër dallgëve të detit dhe erërave që kanë dalë dhe përmbytjeve që do të vijnë”14.

Zoti e bëri të qartë që përfundimisht jareditët nuk do t’ia dilnin dot për në tokën e premtuar pa Të. Nuk e kishin ata kontrollin dhe e vetmja mënyrë se si mund t’ia dilnin ta kalonin thellësinë e madhe, ishte që ta vinin mirëbesimin e tyre në Të. Këto përvoja dhe udhëheqja nga Zoti dukej se e thelluan besimin e vëllait të Jaredit dhe e forcuan mirëbesimin e tij te Zoti.

Vërejeni se si ndryshuan lutjet e tij nga pyetje dhe shqetësime, në shprehje besimi e mirëbesimi:

“Unë e di, O Zot, se ti ke të gjithë fuqinë dhe se mund të bësh çdo gjë që do për të mirën e njeriut; …

Vër re, O Zot, ti mund ta bësh këtë. Ne e dimë se ti je në gjendje të tregosh fuqi të madhe, që i duket e vogël kuptimit të njerëzve.”15

Në anal shënohet se jareditët më pas “hipën … në maunet e tyre dhe u nisën nëpër det, duke ia dorëzuar veten Zotit, Perëndisë së tyre”16. Të dorëzosh do të thotë t’ia besosh diçka dikujt ose t’ia lësh në dorë. Jareditët nuk hynë në mauna ngaqë e dinin me saktësi se si do të shkonin gjërat në udhëtimin e tyre. Ata hipën në to sepse kishin mësuar të mirëbesonin te fuqia, mirësia dhe mëshira e Zotit dhe prandaj qenë të gatshëm t’ia linin në dorë Zotit veten dhe çdo dyshim e frikë që mund të kishin pasur.

Kohët e fundit nipi ynë, Ejbi, kishte frikë të hipte në një prej kafshëve të karuzelit që lëvizte lart e poshtë. Ai parapëlqente një nga kafshët që nuk lëvizte. Gjyshja e tij më në fund e bindi atë që do të ishte i sigurt, kështu, duke i mirëbesuar asaj, ai hipi. Më pas ai tha me një buzëqeshje të madhe: “Nuk ndihem i sigurt, por jam i sigurt”. Ndoshta kështu u ndien dhe jareditët. Të mirëbesosh te Perëndia mund të mos të të bëjë gjithmonë të ndihesh i sigurt menjëherë, por pas kësaj vjen gëzimi.

Pamja
Ejbi në karuzel

Udhëtimi nuk ishte i lehtë për jareditët. “Shumë herë ata u mbuluan në thellësinë e detit nga dallgët si male që binin mbi ta”17. Prapëseprapë shënohet se “era kurrë nuk pushoi së fryri [për t’i shtyrë], në drejtim të tokës së premtuar”18. Sado e vështirë të jetë për t’u kuptuar, veçanërisht në kohën kur erërat që fryjnë në drejtim të kundërt janë të fuqishme dhe detet janë të trazuara, ne mund të marrim ngushëllim nga dijenia se Perëndia me mirësinë e Tij të pafundme është gjithnjë duke na shtyrë në drejtim të shtëpisë.

Anali vazhdon: “Dhe kështu ata u shtynë përpara; dhe asnjë përbindësh i detit nuk i copëtoi, as balena nuk mundi t’i dëmtonte; dhe ata patën dritë vazhdimisht, qoftë kur ishin mbi ujë, ose kur ishin nën ujë”19. Jetojmë në një botë ku dallgët vigane të vdekjes, sëmundjeve fizike e mendore dhe sprovat e brengat e çdo lloji përplasen te ne. Prapëseprapë, nëpërmjet besimit te Jezu Krishti dhe zgjedhjes për t’i mirëbesuar Atij, edhe ne mund të kemi dritë vazhdimisht qoftë mbi ujë ose nën ujë. Ne mund të kemi sigurinë se Perëndia nuk pushon kurrë së na shtyri në drejtim të shtëpisë sonë qiellore.

Ndërkohë që po përplaseshin sa andej këndej nëpër mauna, jareditët “i kënduan lavde Zotit; … dhe [e] falënder[uan] dhe lavdër[uan] Zotin gjithë ditën; dhe kur vinte nata, ata nuk pushonin së lavdëruari Zotin”20. Ata ndien gëzim dhe mirënjohje madje në mes të hidhërimeve të tyre. Nuk kishin mbërritur ende në tokën e premtuar, e prapëseprapë po gëzoheshin nga bekimi i premtuar për shkak të mirëbesimit të tyre të qëndrueshëm dhe të paepur në Të.21

Jareditët shkuan përpara 344 ditë në ujë.22 A mund ta imagjinoni këtë? Mirëbesimi te Zoti përfshin mirëbesimin në kohën e duhur të Tij dhe kërkon durim e rezistencë që u mbijeton stuhive të jetës.23

Përfundimisht, jareditët “zbritën në breg të tokës së premtuar. Dhe kur ata vunë këmbë mbi brigjet e tokës së premtuar, u përkulën mbi faqen e dheut dhe u përulën para Zotit dhe derdhën lot gëzimi para Zotit për shkak të madhësisë së mëshirës së tij të dashur ndaj tyre.”24

Nëse jemi besnikë në mbajtjen e besëlidhjeve tona, edhe ne një ditë do të mbërrijmë të sigurt në shtëpi dhe do të përkulemi para Zotit e do të derdhim lot gëzimi për morinë e mëshirave të Tij të dhembshura në jetën tonë, përfshirë pikëllimet që bënë vend për më tepër gëzim.25

Dëshmoj se, kur zgjedhim t’u mirëbesojmë në mënyrë të qëndrueshme dhe të paepur Jezu Krishtit dhe qëllimeve të Tij hyjnore në jetën tonë, Ai do të na vizitojë duke na dhënë siguri, do t’i flasë paqe shpirtit tonë dhe do të bëjë që ne “të shpresojmë në të për çlirimin tonë”26.

Dëshmoj se Jezusi është Krishti. Ai është burimi i të gjithë gëzimit.27 Hiri i tij është i mjaftueshëm dhe është i fuqishëm për të na shpëtuar.28 Ai është drita, jeta dhe shpresa e botës.29 Ai nuk do të lejojë që ne të mbarojmë.30 Në emrin e Jezu Krishtit, amen.