2010–2019
Zotim i Patundur ndaj Jezu Krishtit
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2019


Zotim i Patundur ndaj Jezu Krishtit

Perëndia na fton që t’i flakim mënyrat tona të vjetra aq larg sa të mos i arrijmë dot më dhe të fillojmë një jetë të re në Krishtin.

Prillin e kaluar, pata privilegjin të përkushtoja Tempullin e Kinshasës në Republikën Demokratike të Kongos.1 Fjalët nuk mund ta shprehin gëzimin që ndien kongolezët besnikë dhe unë tek shihnim një tempull të përkushtuar në vendin e tyre.

Pamja
Piktura e Ujëvarave të Kongos

Individët që hyjnë në Tempullin e Kinshasës, shohin një pikturë origjinale të titulluar Ujëvarat e Kongos.2 Ajo u kujton në mënyrë të pashoqe atyre që shkojnë në tempull, zotimin e patundur që kërkohet për tʼu ankoruar te Jezu Krishti dhe për të ndjekur shtegun e besëlidhjes të planit të Atit tonë Qiellor. Ujëvarat e paraqitura në pikturë të sjellin ndërmend një praktikë që ishte e zakontë më shumë se një shekull më parë midis të kthyerve të parë në besim te krishterimi në Kongo.

Pamja
Piktura e Ujëvarave të Nxongos

Përpara kthimit të tyre në besim, ata adhuronin objekte jofrymore, duke besuar se sendet zotëronin fuqi të mbinatyrshme.3 Pas kthimit në besim, shumë njerëz bënë një pelegrinazh te një prej ujëvarave të panumërta përgjatë lumit të Kongos, të tilla si ujëvarat e Nxongos.4 Këta të kthyer në besim i hodhën objektet e tyre të idhujtarisë së mëparshme në ujëvara si një simbol ndaj Perëndisë dhe të tjerëve që ata kishin hequr dorë nga traditat e tyre të vjetra dhe kishin pranuar Jezu Krishtin. Ata në mënyrë të qëllimtë nuk i hodhën objektet e tyre në ujërat e patrazuara e të cekëta; ata i hodhën ato në ujërat gurgullues të një ujëvare masive, prej ku sendet nuk mund të merreshin më. Këto veprime ishin një shenjë e një zotimi të ri por të patundur ndaj Jezu Krishtit.

Njerëz në vende dhe epoka të tjera e treguan zotimin e tyre ndaj Jezu Krishtit në mënyra të ngjashme.5 Njerëzit në Librin e Mormonit të njohur si anti-nefi-lehitët i “ulën armët e rebelimit të tyre”, duke i varrosur “thellë në tokë” si “një dëshmi ndaj Perëndisë … se ata nuk do t’i përdornin kurrë më armët [e tyre]”6. Duke e bërë këtë, ata premtuan se do t’i zbatonin mësimet e Perëndisë dhe nuk do ta shkelnin kurrë më zotimin e tyre. Ky veprim ishte fillimi i të qenit i “kthye[r] në besim te Zoti” dhe i të mos hequrit kurrë dorë.7

Të jesh i “kthye[r] në besim te Zoti” nënkupton largimin nga një rrjedhë veprimi, e drejtuar nga një sistem i vjetër bindjesh, dhe përvetësimin e një [rrjedhe] të re bazuar te besimi në planin e Atit Qiellor dhe te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij. Ky ndryshim është më shumë se një pranim intelektual i mësimeve të ungjillit. Ai i jep formë identitetit tonë, ndryshon të kuptuarin tonë për domethënien e jetës dhe çon drejt besnikërisë së pandryshueshme ndaj Perëndisë. Dëshirat vetjake që janë në kundërshtim me të qenit i ankoruar te Shpëtimtari dhe ndjekjen e shtegut të besëlidhjes, zbehen dhe zëvendësohen nga një vendosmëri për t’iu nënshtruar vullnetit të Atit Qiellor.

Të qenit i kthyer në besim te Zoti fillon me një zotim të patundur ndaj Perëndisë, i pasuar me bërjen e atij zotimi pjesë të asaj që jemi. Përvetësimi i një zotimi të tillë është një proces për gjithë jetën që kërkon durim dhe pendim të vazhdueshëm. Si përfundim, ky zotim bëhet pjesë e asaj që jemi, i ngulitur në qenien tonë dhe gjithmonë i pranishëm në jetën tonë. Ashtu siç nuk e harrojmë kurrë emrin tonë pavarësisht se çfarë kemi tjetër në mendje, ashtu nuk e harrojmë kurrë një zotim që është i gdhendur në zemrën tonë.8

Perëndia na fton që t’i flakim mënyrat tona të vjetra aq larg sa të mos i arrijmë dot më dhe të fillojmë një jetë të re në Krishtin. Kjo ndodh kur ne zhvillojmë besim te Shpëtimtari, i cili fillon duke dëgjuar dëshminë e atyre që kanë besim.9 Pas kësaj, besimi thellohet kur veprojmë në mënyra që na ankorojnë në mënyrë më të patundur tek Ai.10

Tani, do të ishte bukur sikur rritja e besimit të transmetohej ashtu si gripi ose ftohja e zakonshme. Atëherë, një “teshtimë [e thjeshtë] shpirtërore” do të ndërtonte besim tek të tjerët. Por nuk funksionon në atë mënyrë. Mënyra e vetme se si besimi rritet, është që një individ të veprojë me besim. Këto veprime shpesh nxiten nga ftesat që u bëjmë të tjerëve, por ne nuk mund ta “rritim” besimin e dikujt tjetër ose të mbështetemi vetëm tek të tjerët për ta fuqizuar besimin tonë. Në mënyrë që besimi ynë të rritet, ne duhet të zgjedhim veprime që ndërtojnë besimin, të tilla si lutja, studimi i shkrimeve të shenjta, marrja e sakramentit, zbatimi i urdhërimeve dhe shërbimi ndaj të tjerëve.

Ndërsa besimi ynë në Jezu Krisht rritet, Perëndia na fton që të bëjmë premtime me Të. Këto besëlidhje, siç njihen premtimet e tilla, janë manifestime të kthimit tonë në besim. Besëlidhjet krijojnë gjithashtu një themel të sigurt për përparim shpirtëror. Ndërsa zgjedhim të pagëzohemi, ne fillojmë të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit11 dhe të zgjedhim ta identifikojmë veten me Të. Ne premtojmë që të bëhemi si Ai dhe të zhvillojmë cilësitë e Tij.

Besëlidhjet na ankorojnë te Shpëtimtari dhe na shtyjnë drejt shtegut që të çon drejt shtëpisë sonë qiellore. Fuqia e besëlidhjeve na ndihmon që ta ruajmë ndryshimin e fuqishëm të zemrës, ta thellojmë kthimin tonë në besim te Zoti dhe të marrim më plotësisht shëmbëlltyrën e Krishtit në pamjen tonë.12 Por një zotim ndaj besëlidhjeve tona i [bërë] me gjysmë zemre nuk do të na garantojë asgjë.13 Ne mund të tundohemi të përdorim dy kuptime, tʼi flakim mënyrat tona të vjetra në ujëra të patrazuara, apo t’i varrosim armët tona të rebelimit me doreza mbi dhe. Një zotim i dyzuar ndaj besëlidhjeve tona nuk do t’ia hapë derën fuqisë shenjtëruese të Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

Pamja
Tempulli i Kinshasës

Zotimi ynë për t’i mbajtur besëlidhjet nuk duhet të jetë i kushtëzuar ose të ndryshojë me ndryshimin e rrethanave në jetën tonë. Qëndrueshmëria jonë ndaj Perëndisë duhet të jetë si lumi i pandryshueshëm i Kongos që rrjedh pranë Tempullit të Kinshasës. Ky lumë, ndryshe nga shumica e lumenjve në botë, ka një rrjedhje të rregullt gjatë gjithë vitit14, dhe sjell rreth 41.5 milionë litra ujë për sekondë në Oqeanin Atlantik.

Shpëtimtari i ftoi dishepujt e Tij që të ishin po kaq të besueshëm dhe të qëndrueshëm. Ai u tha që ta ngulitnin këtë në zemrën e tyre, që ata të bënin gjërat që Ai do t’u mësonte dhe urdhëronte atyre.15 Një vendosmëri e “ngulitur” për t’i mbajtur besëlidhjet tona lejon përmbushjen e plotë të premtimit të Perëndisë për gëzim të pareshtur.16

Shumë shenjtorë besnikë të ditëve të mëvonshme kanë treguar se ata e kanë të “ngulitur” mbajtjen e besëlidhjeve të tyre me Perëndinë dhe janë ndryshuar përgjithmonë. Më lejoni t’ju tregoj rreth tre individëve të tillë – Vëllait Muçoko Banxa, Motrës Rezhin Banxa dhe Vëllait Nkatabungi Mbui.

Pamja
Familja Banxa

Në vitin 1977, familja Banxa jetonte në Kinshasa, në shtetin e Zairesë, që tani njihet si Republika Demokratike e Kongos. Ata respektoheshin tej mase në komunitetin e tyre në kishën protestante. Për shkak të talenteve të tyre, kisha e tyre e rregulloi që familja e re të shkonte në Zvicër për të studiuar dhe u siguroi një bursë universitare.

Ndërkohë që ishin në Gjenevë, në autobus rrugës për në shkollë, Vëllai Banxa shpesh shihte një shtëpi të vogël mbledhjesh me emrin “Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”. Ai pyeste veten: “A ka Jezu Krishti shenjtorë tani, në ditët e mëvonshme?” Ai më në fund vendosi të shkonte e të shihte.

Vëllanë dhe Motrën Banxa i pritën shumë ngrohtësisht në degë. Ata bënë disa nga pyetjet ngulmuese që kishin në lidhje me natyrën e Perëndisë, të tilla si: “Nëse Perëndia është një shpirt, si era, si mund të jemi krijuar në ngjashmërinë e Tij? Si mund të ulet Ai në fron?” Ata nuk kishin marrë kurrë një përgjigje të kënaqshme derisa misionarët ua shpjeguan doktrinën e rivendosur në një mësim të shkurtër. Kur misionarët u larguan, çifti Banxa vështroi nga njëri-tjetri dhe thanë: “A nuk është kjo që dëgjuam, e vërteta?” Ata vazhduan të vinin në kishë dhe të takoheshin me misionarët. Ata e dinin se pagëzimi në Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit do të kishte pasoja. Atyre do t’u priteshin bursat; do t’u hiqeshin vizat dhe atyre e dy fëmijëve të tyre të vegjël do t’u kërkohej të largoheshin nga Zvicra. Ata zgjodhën të pagëzoheshin dhe të konfirmoheshin në tetor të vitit 1979.

Dy javë pas pagëzimit të tyre, Vëllai dhe Motra Banxa u kthyen në Kinshasa si anëtarët e parë e të dytë të Kishës në vendin e tyre. Anëtarët e degës së Gjenevës mbajtën lidhje me ta dhe i ndihmuan që të lidheshin me udhëheqësit e Kishës. Familjen Banxa e nxitën që të priste me besnikëri kohën e premtuar kur Perëndia do ta themelonte Kishën e Tij në Zaire.

Pamja
Plaku Mbui

Ndërkohë, një student tjetër me program shkëmbimi nga Zaireja, Vëllai Mbui po studionte në Belgjikë. Ai u pagëzua në vitin 1980 në Lagjen e Brukselit. Pak kohë pas kësaj, ai shërbeu në një mision me kohë të plotë në Angli. Dhe Perëndia i shfaqi mrekullitë e Tij. Vëllai Mbui u kthye në Zaire si anëtari i tretë i Kishës në vendin e tij. Me lejen e prindërve, mbledhjet e Kishës u mbajtën në shtëpinë e tij. Në shkurt të vitit 1986 u bë një kërkesë për njohje zyrtare të Kishës nga qeveria. Kërkoheshin nënshkrimet e tre qytetarëve të Zaires. Tre nënshkruesit e gëzuar të kërkesës ishin Vëllai Banxa, Motra Banxa dhe Vëllai Mbui.

Pamja
Vëllai Mbui dhe Çifti Banxa

Këta anëtarë të paepur e njohën të vërtetën kur e dëgjuan; ata bënë një besëlidhje në pagëzim që i ankoroi te Shpëtimtari. Ata në mënyrë metaforike i flakën mënyrat e tyre të vjetra në një ujëvarë gurgulluese pa pasur qëllim për t’i marrë. Shtegu i besëlidhjes nuk qe kurrë i lehtë. Trazirat politike, kontaktet e rralla me udhëheqësit e Kishës dhe sfidat e pandara për ndërtimin e një komuniteti shenjtorësh, mund tʼi kishin shkurajuar individë më pak të përkushtuar. Por Vëllai e Motra Banxa dhe Vëllai Mbui qenë ngulmues në besimin e tyre. Ata ishin të pranishëm në përkushtimin e Tempullit të Kinshasës, 33 vjet pasi kishin nënshkruar kërkesën që çoi në njohjen zyrtare të Kishës në Zaire.

Pamja
Vëllai dhe Motra Banxa

Çifti Banza është këtu në Qendrën e Konferencave sot. Ata janë të shoqëruar nga dy bijtë e tyre, Xhuniori dhe Fili dhe nuset e djemve, Eni dhe Juju. Në vitin 1986, Xhuniori dhe Fili, ishin dy individët e parë që u pagëzuan në Kishë në Zaire. Vëllai Mbui po i sheh këto mbledhje nga Kinshasa me bashkëshorten e tij, Megin dhe pesë fëmijët e tyre.

Pamja
Motra dhe Vëllai Mbui

Këta pionierë e kuptojnë domethënien dhe pasojat e besëlidhjeve nëpërmjet të cilave janë sjellë “në njohurinë e Zotit, Perëndisë së tyre dhe të gëzohen në Jezu Krishtin, Shëlbuesin e tyre”.17

Si ta ankorojmë veten te Shpëtimtari dhe të mbetemi besnikë si këta dhe shumë prej dhjetëra mijëra shenjtorëve kongolezë që i ndoqën ata dhe miliona të tjerë anembanë botës? Shpëtimtari na e mësoi mënyrën. Çdo javë ne marrim sakramentin dhe bëjmë një besëlidhje me Atin tonë Qiellor. Ne japim fjalën që ta lidhim identitetin tonë me Shpëtimtarin duke premtuar gatishmërinë tonë që të marrim mbi vete emrin e Tij, që gjithmonë ta kujtojmë Atë e të zbatojmë urdhërimet e Tij.18 Përgatitja e vazhdueshme për këto besëlidhje dhe bërja e tyre denjësisht çdo javë, na ankoron te Shpëtimtari, na ndihmon që ta përvetësojmë zotimin tonë19 dhe na shtyn fuqimisht drejt shtegut të besëlidhjes.

Unë ju ftoj që të zotoheni në një proces dishepullimi për gjithë jetën. Bëjini dhe mbajini besëlidhjet. Flakini mënyrat tuaja të vjetra në ujëvarat e thella, gurgulluese. Varrosini plotësisht armët tuaja të rebelimit pa doreza mbi dhe. Për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, bërja e besëlidhjeve me një qëllim të vërtetë për t’i nderuar me besnikëri ato, do ta bekojë jetën tuaj përgjithmonë. Ju do të bëheni më shumë si Shpëtimtari ndërsa do ta kujtoni gjithmonë Atë, do ta ndiqni Atë dhe do ta adhuroni Atë. Unë dëshmoj se Ai është themeli i patundur. Ai është i besueshëm dhe premtimet e Tij janë të sigurta. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Përkushtimi ndodhi të Dielën e Palmave, më 14 prill 2019, siç u caktua nga Presidenti Rasëll M. Nelson.

  2. Artisti, David Meikle, i pikturoi Ujëvarat e Kongos duke punuar me fotot e ujëvarave të Kiubut. Ujëvarat e Kiubut ndodhen afërsisht 400 km në veri të Lubumbashit në pjesën juglindore të Republikës Demokratike të Kongos.

  3. Këto objekte njiheshin si inkisi në kikongonisht, dhe si fétiches në frëngjisht. Fjala përkthehet si “hajmali” ose “fetish”.

  4. David Meikle pikturoi edhe Ujëvarat e Nxongos duke punuar me fotot e ujëvarave. Ujëvarat e Nxongos ndodhen afërsisht 130 km larg nga Kinshasa në Republikën Demokratike të Kongos. Lumi në këto ujëvara u bë i njohur si Nzadi Inkisi, ose “Lumi i Fetishëve”. Emri pasqyron praktikën e përshkruar në tekst.

  5. Në vitin 1000 ps.K., udhëheqësit e klaneve islandeze takoheshin bashkë për [festën] e tyre vjetore, dy javore të Allting-ut, një asamble jozyrtare që hartonte ligje që do të ishin detyruese për të gjithë. Një burri të quajtur Torgeir iu kërkua të merrte vendim për të gjithë rreth kthimit në besim në krishterim apo vazhdimit në adhurimin e perëndive nordike. Pas tri ditësh izolimi në tendën e vet, Torgeiri e shpalli vendimin e tij: klanet do të bëheshin të krishterë. Ndërkohë që Torgeiri po kthehej në fshatin e tij, ai mori idhujt e çmuar të tij, të perëndive nordike, dhe i flaku në një ujëvarë, tani e njohur si Godafoss, ose “Ujëvara e Perëndive”. Ky veprim tregoi kthimin e plotë në besim në krishterim të Torgeirit.

  6. Alma 23:13; 24:17–18.

  7. Shih Alma 23:6, Dejvid A. Bednar, “Të Kthyer në Besim te Zoti”, Liahona, nëntor 2012, f. 106–109.

  8. Shih Ezekiel 11:19–20; 2 Korintasve 3:3.

  9. Shih Romakëve 10:14, 17.

  10. Shih Preach My Gospel: A Guide to Missionary Service, bot. i rish. (2018), f. 203.

  11. Shih Dallin H. Oaks, “Taking upon Us the Name of Jesus Christ”, Ensign, maj 1985, f. 80–83.

  12. Shih Alma 5:12–14.

  13. Shih Doktrina e Besëlidhje 82:10.

  14. Lumi i Kongos është më i thelli, lumi i dytë më i fuqishëm dhe lumi i nëntë më i gjatë në botë. Për shkak se ai e kalon dy herë ekuatorin, të paktën një pjesë e lumit është gjithmonë në një sezon me shira, duke shkaktuar një rrjedhje të rregullt të ujit. Rrjedhja është relativisht e qëndrueshme gjatë gjithë vitit, duke arritur me përafërsi në 41 000 metra kub ujë për sekondë, edhe pse niveli i rrjedhjes mund të ndryshojë përgjatë viteve (shkon në 23 000–75 000 metër kub për sekondë).

  15. Joseph Smith Translation, Luke 14:28 (në Lluka 14:27, poshtëshënimi b, [në variantin anglisht]).

  16. Shih 2 Nefi 9:18, Rasëll M. Nelson, “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2016, f. 81–84. Presidenti Nelson tha: “Gëzimi është një dhuratë për besnikët” (faqe 84).

  17. Alma 37:9.

  18. Shih Doktrina e Besëlidhje 20:77. Në seminarin për udhëheqjen e misioneve në qershor të vitit 2019 pas marrjes së sakramentit, përpara se të fillonte mesazhin e tij zyrtar, Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Më lindi një mendim se bërja e besëlidhjes sot është shumë më e rëndësishme sesa mesazhi që kam përgatitur. Unë bëra një besëlidhje ndërsa mora sakramentin se do të isha i gatshëm të merrja mbi vete emrin e Jezu Krishtit dhe se jam i gatshëm t’iu bindem urdhërimeve të Tij. Shpesh, dëgjoj shprehjen se ne e marrim sakramentin për të ripërtërirë besëlidhjet e bëra në pagëzim. Ndonëse është e vërtetë, është shumë më tepër se aq. Unë kam bërë një besëlidhje të re. Ju keni bërë besëlidhje të reja. … Tani, si këmbim për këtë, Ai bën deklarimin që ne do të kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me ne. Çfarë bekimi!”

  19. Shih 3 Nefi 18:12.