2010–2019
Dëshmitarët/et, Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2019


Dëshmitarët/et, Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave

Përshtatjet që do të njoftojmë tani, synojnë t’i ndihmojnë të rinjtë e të rejat që ta zhvillojnë potencialin e tyre të shenjtë vetjak.

Vëllezër dhe motra të dashura, është e mrekullueshme të jem sërish me ju në konferencën e përgjithshme. Më herët këtë javë, u bënë njoftime për anëtarët e Kishës mbi ndryshime në rregullore lidhur me ata që mund të shërbejnë si dëshmitarë/e në pagëzime dhe ordinanca vulosjeje. Do të doja t’i vija në dukje këto tri pika.

  1. Një pagëzim me mëkëmbës për një person të vdekur mund të dëshmohet nga kushdo që mban një rekomandim aktual tempulli, përfshirë një rekomandim me përdorim të kufizuar.

  2. Cilido anëtar/e që e ka marrë dhurimin, me një rekomandim tempulli aktual, mund të shërbejë si dëshmitar/e për ordinanca vulosjeje, për të gjallë ose me mëkëmbës.

  3. Kushdo anëtar/e i/e pagëzuar i/e Kishës mund të shërbejë si dëshmitar/e i/e pagëzimit të një personi të gjallë. Ky ndryshim u përket të gjitha pagëzimeve jashtë tempullit.

Këto përshtatje në rregullore janë për procedurën. Doktrina dhe besëlidhjet [ku procedura] mbështetet, janë të pandryshuara. Ato janë njëlloj të efektshme në të gjitha ordinancat. Këto ndryshime duhet ta shtojnë së tepërmi pjesëmarrjen familjare në këto ordinanca.

Gjithashtu dëshiroj të flas me ju në këtë kohë për të paraqitur përshtatjet që u përkasin të rinjve e të rejave tona dhe udhëheqësve të tyre.

Ju kujtohet se unë i kam ftuar të rinjtë e të rejat e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme për t’u regjistruar në batalionin e të rinjve dhe të rejave të Zotit që të marrin pjesë në kauzën më të madhe në tokë sot – në mbledhjen e Izraelit.1 Jua bëra këtë ftesë të rinjve dhe të rejave tona sepse ata janë jashtëzakonisht të talentuar për të komunikuar me të tjerët dhe për ta shprehur atë që besojnë në një mënyrë bindëse. Kauza e mbledhjes është një pjesë thelbësore e ndihmës për ta përgatitur botën dhe njerëzit e saj për Ardhjen e Dytë të Zotit.

Në secilën lagje, batalioni i rinisë së Zotit udhëhiqet nga një peshkop, një shërbëtor i përkushtuar i Perëndisë. Përgjegjësia e parë dhe më e rëndësishme e tij është që të kujdeset për të rinjtë dhe të rejat në lagjen e tij. Peshkopi dhe këshilltarët e tij drejtojnë punën e kuorumeve të Priftërisë Aarone dhe klasave të Të Rejave në lagje.

Përshtatjet që do të njoftojmë tani, synojnë t’i ndihmojnë të rinjtë e të rejat që ta zhvillojnë potencialin e tyre të shenjtë vetjak. Ne gjithashtu dëshirojmë që t’i forcojmë kuorumet e Priftërisë Aarone dhe klasat e Të Rejave dhe që t’u japim përkrahje peshkopëve dhe udhëheqësve të tjerë në moshë madhore teksa ata i shërbejnë këtij brezi të ri.

Plaku Kuentin L. Kuk do të diskutojë tani përshtatjet që lidhen me të rinjtë. Dhe sonte, në sesionin e përgjithshëm të grave, Motra Boni H. Kordën, Presidente e Përgjithshme e Të Rejave, do të diskutojë përshtatjet që lidhen me të rejat.

Presidenca e Parë dhe Të Dymbëdhjetët janë të bashkuar në miratimin e këtyre përpjekjeve për t’i forcuar të rinjtë dhe të rejat tona. O sa shumë i duam dhe lutemi për ta! Ata janë “shpres’ e Izraelit … [ushtri e Sionit], fëmij’ të [ditës së] premtimit”2. Ne shprehim mirëbesimin tonë të plotë tek të rinjtë e të rejat tona dhe mirënjohjen tonë për ta. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih edhe Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit” (takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018), HopeofIsrael.ChurchofJesusChrist.org.

  2. “Shpres’ e Izraelit”, Himne, nr. 166.