2010–2019
Mbajtja e Premtimeve dhe Besëlidhjeve Tona
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2019


Mbajtja e Premtimeve dhe Besëlidhjeve Tona

Ju ftoj të merrni në shqyrtim premtimet dhe besëlidhjet që bëni me Zotin dhe të tjerët, me integritet të madh moral, duke e ditur që keni dhënë besën.

Vëllezër e motra të dashura, teksa e mbyllim këtë sesion, i mbajtshim në zemrën tonë dëshmitë e dhëna sot për të vërtetat e ungjillit të Jezu Krishtit. Ne jemi të bekuar që e kalojmë këtë kohë të shenjtë së bashku për ta forcuar premtimin tonë ndaj Zotit Jezu Krisht, se ne jemi shërbëtorët e Tij dhe Ai është Shpëtimtari ynë.

Rëndësia e bërjes dhe mbajtjes së premtimeve e besëlidhjeve rëndon së tepërmi në mendjen time. Sa e rëndësishme është për ju që ta mbani fjalën tuaj? Që tjerët të kenë besim te ju? Ta bëni atë që thoni se do ta bëni? Të përpiqeni fort për t’i nderuar besëlidhjet tuaja të shenjta? Të keni integritet moral? Duke jetuar të vërtetë ndaj premtimeve që i kemi bërë Zotit dhe të tjerëve, ne ecim në shtegun e besëlidhjeve për tek Ati ynë në Qiell dhe e ndiejmë dashurinë e Tij në jetën tonë.

Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, është Shembulli ynë i madh kur bëhet fjalë për bërjen dhe mbajtjen e premtimeve dhe të besëlidhjeve. Ai erdhi në tokë duke premtuar se do të bënte vullnetin e Atit. Ai i dha mësim parimet e ungjillit me fjalë e me vepra. Ai shleu për mëkatet tona që ne të mund të jetojmë sërish. Ai e ka mbajtur çdo premtim të Tij.

A mund të thuhet e njëjta gjë për secilin prej nesh? Cilat janë rreziqet nëse mashtrojmë pak, i jepemi tundimit ose nuk i mbajmë plotësisht zotimet tona? Po sikur të largohemi nga besëlidhjet tona? A do të vijnë të tjerët te Krishti për shkak të shembullit tonë? A jeni të besës? Mbajtja e premtimeve nuk është një zakon; është një karakteristikë e të qenit dishepull i Jezu Krishtit.

Gjithmonë i vetëdijshëm për brishtësinë tonë në jetën tokësore, Zoti premtoi: “Merrni zemër dhe mos u frikësoni, sepse unë, Zoti, jam me ju dhe do t’ju qëndroj përkrah”1. E kam ndier praninë e Tij kur kisha nevojë për siguri, ngushëllim, ose ide apo forcë më të madhe shpirtërore, dhe jam përulur thellësisht e jam mirënjohës për shoqërimin e Tij hyjnor.

Zoti ka thënë: “Çdo shpirt, i cili i braktis mëkatet e tij dhe vjen tek unë, dhe lutet në emrin tim, dhe i bindet zërit tim, dhe i mban urdhërimet e mia, do ta shohë fytyrën time dhe do të dijë se unë jam.”2 Ky është ndoshta premtimi i Tij më i madh.

E mësova rëndësinë e mbajtjes së fjalës në rininë time. Një shembull i kësaj është kur u ngrita në këmbë për të thënë përmendsh betimin e skautistit. Bashkëpunimi ynë me organizatën Skautistët e Amerikës, që përmbyllet tani, do të jetë gjithmonë një trashëgimi e rëndësishme për mua dhe këtë Kishë. Organizatës së skautistëve, shumë burrave dhe grave që kanë shërbyer me zell si udhëheqës skautistë, nënave – merita e vërtetë u shkon atyre – dhe të rinjve që kanë marrë pjesë në skautizëm, ne u themi, “Faleminderit”.

Pikërisht në këtë sesion, profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson dhe Plaku Kuentin L. Kuk kanë njoftuar përshtatje që do ta përqendrojnë sërish vëmendjen tonë te rinia dhe do t’i përputhin organizatat tona me të vërtetën e zbuluar. Përveç kësaj, vetëm të dielën e kaluar, Presidenti Nelson dhe Presidenti M. Rasëll Ballard shpjeguan programin e ri për Fëmijët dhe Rininë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme për të gjithë Kishën. Kjo është një nismë mbarëbotërore e përqendruar te Zoti dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve janë të bashkuar në këtë drejtim të ri, dhe unë personalisht jap dëshminë time që Zoti na ka udhërrëfyer në çdo hap të udhës. Unë jam i entuziazmuar që fëmijët dhe rinia e Kishës do ta përjetojnë këtë përqendrim të integruar tek ata si në shtëpi dhe në kishë – nëpërmjet të mësuarit të ungjillit, shërbimit e veprimtarive dhe zhvillimit vetjak.

Tema e rinisë për këtë vit të ardhshëm, 2020, flet për premtimin klasik të Nefit për të “shk[uar] dhe [për të] bë[rë]”. Ai shkroi: “Dhe ndodhi që unë, Nefi, i thashë atit tim: Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar, pasi e di se Zoti nuk u jep urdhërime fëmijëve të njerëzve pa përgatitur një udhë për ta, që ata të mund të plotësojnë gjënë, që ai i urdhëron.”3 Megjithëse u shqiptua shumë kohë më parë, ne në Kishë e mbajmë atë premtim [edhe] sot.

Të “shkoj[më] dhe … të bëj[më]” do të thotë të ngrihemi mbi mënyrat e botës, të marrim e të veprojmë sipas zbulesës vetjake, të jetojmë drejtësisht me shpresë e besim në të ardhmen, të bëjmë e të mbajmë besëlidhjet për ta ndjekur Jezu Krishtin, dhe si rrjedhim, ta rritim dashurinë tonë për Të, Shpëtimtarin e botës.

Një besëlidhje është një premtim i dyanshëm i bërë midis nesh dhe Zotit. Si anëtarë të Kishës, ne besëlidhim në pagëzim për të marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit, për të jetuar ashtu si jetoi Ai. Ashtu si ata që u pagëzuan në ujërat e Mormonit, ne besëlidhim të bëhemi populli i Tij, “të mbaj[më] barrat e njëri‑tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta … të vajtoj[më] me ata që vajtojnë … të ngushëllo[jmë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen dhe të qëndro[jmë] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet”4. Dhënia e shërbesës ndaj njëri‑tjetrit në Kishë pasqyron zotimin tonë për t’i nderuar ato premtime.

Kur e marrim sakramentin, ne e përtërijmë atë besëlidhje për të marrë mbi vete emrin e Tij dhe bëjmë premtime të tjera për t’u përmirësuar. Mendimet dhe veprimet tona të përditshme, të mëdha e të vogla, pasqyrojnë zotimin tonë ndaj Tij. Në kthim, premtimi i Tij i shenjtë është: “Në qoftë se ju më kujtoni gjithnjë, ju do të keni Shpirtin tim që të jetë me ju”5.

Pyetja ime sot është, a i mbajmë premtimet dhe besëlidhjet tona apo ndonjëherë ato janë zotime me gjysmë zemre, të bëra rastësisht dhe prandaj thyhen me lehtësi? Kur i themi dikujt “Do të lutem për ty”, a lutemi? Kur zotohemi “Unë do të të gjendem pranë për të ndihmuar”, a do të jemi? Kur premtojmë ta paguajmë një borxh, a e paguajmë? Kur i ngremë duart tona për ta mbështetur një bashkëanëtar në një thirrje të re, që do të thotë të japim përkrahje, a e bëjmë?

Një mbrëmje kur isha i ri, nëna ime u ul me mua te këmbët e shtratit të saj dhe foli me zell për rëndësinë e të jetuarit të Fjalës së Urtësisë. “E di nga përvojat e të tjerëve, disa vite më parë”, tha ajo, “humbjen e anës shpirtërore dhe të ndjeshmërisë që vjen nga mosndjekja e Fjalës së Urtësisë”. Ajo më pa drejt e në sy dhe unë i ndjeva fjalët e saj të depërtonin në zemër: “Më premto, Roni, sot [ajo më thërriste Roni], se do ta jetosh gjithmonë Fjalën e Urtësisë”. Unë solemnisht ia bëra atë premtim asaj dhe e kam mbajtur gjatë gjithë këtyre viteve.

Ai zotim më hyri në punë në rininë time dhe në vitet e mëvonshme kur isha në rrethe biznesi ku pijet vërshonin si lumë. Mora një vendim të rëndësishëm paraprakisht për t’i ndjekur ligjet e Perëndisë dhe kurrë nuk m’u desh ta rishikoja atë. Zoti ka thënë: “Unë, Zoti, lidhem kur ju bëni çfarë ju them; por kur nuk e bëni çfarë ju them, ju nuk keni premtim.”6 Çfarë po u thotë Ai atyre që qëndrojnë sipas Fjalës së Urtësisë? Se ne do të kemi premtimin e shëndetit, të forcës, të urtësisë, të njohurisë dhe engjëjve për të na mbrojtur.7

Disa vite më parë, unë dhe Motra Rasband ishim në Tempullin e Solt-Lejkut për vulosjen e njërës prej bijave tona. Ndërsa qëndruam jashtë tempullit me një nga bijat tona më të vogla, ende jo në moshë për të marrë pjesë në ceremoni, ne folëm për rëndësinë e të qenit të vulosur në tempullin e shenjtë të Perëndisë. Ashtu si nëna ime më kishte mësuar vite më parë, ne i thamë bijës sonë: “Ne duam që të jesh e vulosur me siguri në tempull dhe duam të na premtosh se kur ta gjesh shokun tënd të përjetshëm, ti do të caktosh një datë me të që të vuloseni në tempull”. Ajo na dha fjalën.

Pamja
Vajza e Plakut Rasband dhe bashkëshorti i saj

Ajo tha se që nga ai çast biseda jonë dhe premtimi i saj e mbrojtën atë dhe i kujtuan asaj “çfarë ishte më e rëndësishme”. Ajo më vonë bëri besëlidhje të shenjta ndërsa u vulos me bashkëshortin e saj në tempull.

Presidenti Nelson ka dhënë mësim: “Ne e rritim… fuqinë e Shpëtimtarit në jetën tonë kur bëjmë besëlidhje të shenjta dhe i mbajmë ato besëlidhje me saktësi. Besëlidhjet tona na lidhin me Të dhe na japin fuqi të perëndishme”8.

Kur i mbajmë premtimet ndaj njëri‑tjetrit, ka më shumë të ngjarë t’i mbajmë premtimet ndaj Zotit. Mbajini mend fjalët e Zotit: “Sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua”9.

Reflektoni me mua mbi disa shembuj premtimesh në shkrimet e shenjta. Amoni dhe bijtë e Mosias në Librin e Mormonit u zotuan që “t[ë] predikonin fjalën e Perëndisë”10. Kur Amoni u kap nga forcat lamanite, ai u çua para mbretit lamanit, Lamoni. Ai iu zotua mbretit: “Unë do të jem shërbëtori yt.”11 Kur keqbërësit erdhën për të vjedhur delet e mbretit, Amoni u preu krahët. Kaq i befasuar ishte mbreti, sa ai e dëgjoi mesazhin e Amonit për ungjillin dhe u kthye në besim.

Ruthi, në Dhiatën e Vjetër, i premtoi vjehrrës së saj, “Kudo që të shkosh ti, do të shkoj edhe unë”12. Ajo jetoi e vërtetë ndaj fjalës së dhënë. Samaritani i mirë, në një shëmbëlltyrë në Dhiatën e Re, i premtoi hanxhiut se nëse do të kujdesej për udhëtarin e plagosur, “ç’të shpenzosh me shumë, do të të jap kur të kthehem”13. Zorami, në Librin e Mormonit, premtoi të shkonte në vendin e shkretë me Nefin dhe vëllezërit e tij. Nefi tregoi: “Kur Zorami na u betua, frika jonë për të pushoi.”14

Po për premtimin e lashtë që iu “bë etërve” siç përshkruhet në shkrimet e shenjta se “zemrat e fëmijëve do të kthehen tek etërit e tyre?”15 Në jetën paratokësore kur e zgjodhëm planin e Perëndisë, ne bëmë një premtim për të ndihmuar në mbledhjen e Izraelit në të dyja anët e velit. “Ne hymë në një ortakëri me Zotin”, shpjegoi Plaku Xhon A. Uidso vite më parë. “Funksionimi i planit u bë atëherë jo thjesht puna e Atit dhe puna e Shpëtimtarit, por edhe puna jonë.”16

“Mbledhja është gjëja më e rëndësishme që po ndodh në tokë sot”, ka thënë Presidenti Nelson ndërsa ka udhëtuar nëpër botë. “Kur flasim për mbledhje, po themi thjesht këtë të vërtetë themelore: çdonjëri nga fëmijët e Atit tonë Qiellor, në të dyja anët e velit e meriton ta dëgjojë mesazhin e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit.”17

Si një Apostull i Zotit Jezu Krisht, unë e përmbyll me një ftesë dhe premtim. Së pari, ftesa: Ju ftoj të merrni në shqyrtim premtimet dhe besëlidhjet që bëni me Zotin dhe të tjerët, me integritet të madh moral, duke e ditur që keni dhënë besën. Së dyti, unë ju premtoj, se ndërsa e bëni këtë, Zoti do t’i vërtetojë fjalët tuaja dhe do t’i miratojë veprat tuaja ndërsa përpiqeni fort me një zell të palëkundur për të ndërtuar jetën tuaj, familjet tuaja dhe Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ai do të jetë me ju, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, dhe ju me siguri, mund të shpresoni që të “m[erreni] në qiell, që si rrjedhim të jeto[ni] me Perëndinë në një gjendje lumturie të pafund … pasi Zoti Perëndi i ka folur”18.

Për këtë dëshmoj dhe premtoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.